“11–17 Mars. Mateu 10–12; Marku 2; Lluka 7; 11: ‘Këta Janë të Dymbëdhjetët që Jezusi i Dërgoi’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“11–17 Mars. Mateu 10–12; Marku 2; Lluka 7; 11”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
11–17 Mars.
Mateu 10–12; Marku 2; Lluka 7; 11
“Këta Janë të Dymbëdhjetë që Jezusi i Dërgoi”
Ndërsa lexoni Mateun 10–12, Markun 2 dhe Llukën 7; 11, shkruajini mbresat që merrni nga Fryma e Shenjtë. Merreni parasysh që t’i përsiatni dhe t’i mbani shënim ato.
Shënojini Mbresat Tuaja
Fjala për mrekullitë shëruese të Jezusit po përhapej shpejt. Turmat e ndiqnin Atë, duke shpresuar se do të lehtësoheshin nga sëmundjet e tyre. Por kur Shpëtimtari i hodhi sytë nga turmat, Ai pa më shumë se sa [thjesht] sëmundjet e tyre. I mbushur me dhembshuri, Ai pa “dele pa bari” (Mateu 9:36). “E korra është me të vërtetë e madhe”, vëzhgoi Ai, “por punëtorët janë pak” (Mateu 9:37). Prandaj, Ai thirri dymbëdhjetë Apostuj, “u dha autoritet” dhe i dërgoi që t’i jepnin mësim dhe t’i shërbenin “dele[ve të] humbura të shtëpisë së Izraelit” (Mateu 10:1, 6). Sot, nevoja për më shumë punëtorë që t’u shërbejnë fëmijëve të Atit Qiellor është po aq e madhe. Ka ende dymbëdhjetë Apostuj, por ka më shumë dishepuj të Jezu Krishtit se kurrë më parë – njerëz që mund t’i shpallin të gjithë botës: “Mbretëria e qiejve u afrua” (Mateu 10:7).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Zoti u jep shërbëtorëve të Tij fuqi për ta bërë punën e Tij.
Udhëzimi që dha Jezusi te Mateu 10 ishte për Apostujt e Tij, por ne të gjithë kemi një pjesë në punën e Zotit. Çfarë fuqie u dha Krishti Apostujve të Tij për t’i ndihmuar që ta përmbushnin misionin e tyre? Si mund ta përdorni fuqinë e Tij në punën që jeni thirrur të bëni? (shih 2 Korintasve 6:1–10; DeB 121:34–46).
Ndërsa lexoni porosinë që Krishti u dha Apostujve të Tij, ju mund të merrni mbresa rreth punës që Zoti do që ju të bëni. Një tabelë si ajo që vijon mund t’ju ndihmojë për t’i organizuar mendimet tuaja:
Mbresa që i marr | |
---|---|
Shpëtimtari u dha fuqi dishepujve të Tij. | Mbresa që i marr Perëndia do të më japë fuqinë që më nevojitet për ta bërë punën time. |
Mbresa që i marr |
Shih edhe Nenet e Besimit 1:6; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Apostull”; “Jesus Calls Twelve Apostles to Preach and Bless Others” [“Jezusi Thërret Dymbëdhjetë Apostuj për t’i Predikuar dhe për t’i Bekuar të Tjerët”] (material filmik, LDS.org).
Kur jam në shërbim të Zotit, Ai do të më frymëzojë për atë që duhet të them.
Zoti e parashikoi se dishepujt e tij do të përndiqeshin dhe do të pyeteshin rreth besimit të tyre – diçka e ngjashme me atë që mund të përjetojnë dishepujt sot. Por Ai u premtoi dishepujve se ata do ta dinin me anë të Shpirtit se çfarë duhej të thoshin. A keni pasur përvoja kur ky premtim hyjnor u përmbush në jetën tuaj, ndoshta kur dhatë dëshminë tuaj, kur dhatë një bekim apo patët një bashkëbisedim me dikë? Merreni parasysh që t’ia tregoni përvojat tuaja një njeriu të dashur ose t’i shënoni ato në një ditar.
Shih edhe Lluka 12:11–12; Doktrina e Besëlidhje 84:85.
Çfarë donte të thoshte Jezusi me, “Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën”?
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Jam i bindur se një numër prej jush janë refuzuar dhe përjashtuar nga babai e nëna, vëllezërit e motrat, kur e pranuat ungjillin e Jezu Krishtit dhe hytë në besëlidhjen e Tij. Në një mënyrë ose tjetër, dashuria juaj supreme për Krishtin ka kërkuar sakrifikimin e marrëdhënieve që ishin të shtrenjta për ju, dhe keni derdhur shumë lot. Prapëseprapë, me vetë dashurinë tuaj të pavenitur, ju e mbani veten të qëndrueshëm nën këtë kryq, duke treguar se nuk ju vjen turp për Birin e Perëndisë” (“Finding Your Life”, Ensign, mars 2016, f. 28).
Kjo gatishmëri për të humbur marrëdhënie që i doni fort me qëllim që ta ndiqni Shpëtimtarin, vjen me premtimin se “ai që do t[a] humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri” (Mateu 10:39).
Jezu Krishti do të më japë prehje kur unë mbështetem tek Ai dhe Shlyerja e Tij.
Të gjithë ne mbajmë barrë – disa që vijnë si rrjedhojë e vetë mëkateve dhe gabimeve tona, disa të shkaktuara nga zgjedhjet e të tjerëve dhe disa që nuk janë faji i askujt, por janë thjesht pjesë e jetës në tokë. Pavarësisht nga arsyet për vështirësitë tona, Jezusi na përgjërohet të vijmë tek Ai që të mund të na ndihmojë t’i mbajmë barrët tona dhe të gjejmë lehtësim (shih edhe Mosia 24). Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të shenjta na lidh te Zoti Jezu Krisht dhe na bashkon me Të” (“I Duronin Barrët e Tyre me Lehtësi”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 88). Me këtë në mendje, përsiatni pyetje si ato që vijojnë për t’i kuptuar më mirë fjalët e Shpëtimtarit në këto vargje: “Në ç’mënyrë më lidhin besëlidhjet e mia te Shpëtimtari dhe më bashkojnë me Të?” “Çfarë duhet të bëj që të vij te Krishti?” ose “Në ç’kuptim është zgjedha e Shpëtimtarit e ëmbël dhe barra e Tij e lehtë?”
Çfarë pyetjesh të tjera ju vijnë në mendje teksa lexoni? Mbajini ato shënim dhe kërkojini përgjigjet këtë javë në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Ju mund të gjeni përgjigje për disa nga pyetjet tuaja në bisedën e Plakut Dejvid A. Bednar që përmendet më lart.
Kur falem për mëkatet e mia, dashuria ime për Shpëtimtarin thellohet.
A e përfytyroni veten tuaj në tregim, në këto vargje ku Shpëtimtari viziton Simon fariseun? A jeni ndonjëherë si Simoni? Çfarë mund të bëni për ta ndjekur shembullin e gruas që tregoi përulësi dhe dashuri për Jezu Krishtin? Kur e keni përjetuar butësinë dhe mëshirën që Shpëtimtari i tregoi gruas? Çfarë mësoni nga këto vargje rreth mënyrës se si falja e forcon dashurinë tonë për Shpëtimtarin?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Ndërsa i marrim në shqyrtim mesazhet e konferencës më të fundit të përgjithshme, si po veprojmë si familje për t’i pranuar dhe ndjekur këshillat e Apostujve të kohës së sotme? Në ç’mënyrë po na sjell bindja jonë ndaj këshillave të tyre më pranë Jezu Krishtit?
Ju mund ta ndihmoni familjen tuaj që t’i përfytyrojë mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje, duke bërë që me radhë të tërheqin diçka të rëndë, së pari vetë dhe më pas me ndihmën e dikujt. Cilat janë disa nga barrët që mbartim? Çfarë do të thotë ta marrim mbi vete zgjedhën e Krishtit? Figura që e shoqëron këtë përvijim të mësimit mund t’ju ndihmojë të shpjegoni se çfarë është një zgjedhë.
Si mund të “bë[jmë] mirë” në ditën e Shabatit? (Mateu 12:12). Në ç’mënyra mund të na shërojë Shpëtimtari në Shabat?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.