2010–2019
Te Kush të Shkojmë?
Tetor 2016


14:23

Te Kush të Shkojmë?

Në fund, çdonjëri prej nesh duhet t’i përgjigjet pyetjes së Shpëtimtarit: “A doni edhe ju të largoheni?”

Disa vite më parë, unë dhe familja ime vizituam Tokën e Shenjtë. Një prej kujtimeve më të gjalla nga udhëtimi ynë qe një vizitë te dhoma e sipërme në Jerusalem, vendi tradicional i Darkës së Fundit.

Ndërsa qëndruam në atë vend, unë u lexova atyre nga Gjoni 17, ku Jezusi i përgjërohet Atit të Tij për dishepujt e Tij:

“Unë lutem për ta … që të jenë një sikurse ne. …

Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,

që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne.”

Unë u preka thellësisht ndërsa po i lexoja këto fjalë dhe e pashë veten duke u lutur në atë vend të shenjtë që të mund të isha përherë një me familjen time dhe me Atin tim Qiellor dhe me Birin e Tij.

Marrëdhëniet tona të çmuara me familjet, miqtë, Zotin dhe Kishën e Tij të rivendosur janë mes gjërave që kanë më shumë rëndësi në jetë. Për shkak se këto marrëdhënie janë kaq të rëndësishme, ato duhet që të mbahen gjallë, të mbrohen dhe të ushqehen.

Një prej historive më zemërbrengosëse në shkrimin e shenjtë ndodhi kur “shumë nga dishepujt e [Zotit]” e patën të vështirë t’i pranonin mësimet dhe doktrinën e Tij, dhe ata “u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

Teksa këta dishepuj u shkëputën, Jezusi u kthye nga Të Dymbëdhjetët dhe i pyeti: “A doni edhe ju të largoheni?”

Pjetri u përgjigj:

“Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”

Në atë çast, kur të tjerët u përqendruan tek ajo që ata nuk mund ta pranonin, Apostujt zgjodhën të përqendroheshin tek ajo që ata vërtet e besonin dhe e dinin, dhe si rrjedhim, ata qëndruan me Krishtin.

Më vonë, ditën Rrëshajëve, Të Dymbëdhjetët morën dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ata u bënë të guximshëm në dëshminë e tyre për Krishtin dhe filluan t’i kuptonin më plotësisht mësimet e Jezusit.

Në ditët tona nuk është ndryshe. Për disa, ftesa e Krishtit për të besuar dhe qëndruar vazhdon të jetë e rëndë – ose e vështirë për t’u pranuar. Disa dishepuj kanë vështirësi të kuptojnë një rregullore apo mësim të caktuar të Kishës. Disa gjejnë probleme te historia jonë ose te papërsosuritë e disa anëtarëve dhe udhëheqësve, të mëparshëm e të tanishëm. Ende, të tjerë e quajnë të vështirë të jetojnë një fe që kërkon kaq shumë. Së fundmi, disa janë “lodh[ur] së bëri mirë”. Për këto arsye dhe të tjera, disa anëtarë të Kishës lëkunden në besimin e tyre, duke e pyetur veten nëse ndoshta duhet të ndjekin ata që “u tërhoqën dhe nuk shkuan më” me Jezusin.

Nëse ndonjëri prej jush po luhatet në besimin e vet, unë ju bëj të njëjtën pyetje që bëri Pjetri: “Te kush [do] të shko[ni]?” Nëse zgjidhni të bëheni joaktiv ose ta lini Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ku do të shkoni? Çfarë do të bëni? Vendimi për të “[mos] shkua[r] më” me anëtarët e Kishës dhe udhëheqësit e zgjedhur të Zotit do të ketë një ndikim afatgjatë që jo gjithnjë mund të kuptohet tani për tani. Mund të ketë ca doktrinë, disa rregullore, një pjesëz historie që ju vë në kundërshtim me besimin tuaj, dhe ju mund të ndieni që e vetmja mënyrë për ta zgjidhur atë trazirë të brendshme tani për tani është që të “[mos] shk[oni] më” me Shenjtorët. Nëse jetoni aq sa kam jetuar unë, ju do të arrini të dini që gjërat në një [farë] mënyre zgjidhen vetë. Një pikëpamje ose zbulesë e frymëzuar mund t’i hedhë dritë të re një çështjeje. Mbani mend, Rivendosja nuk është një ngjarje, por ajo vazhdon të shpaloset.

Kurrë mos i braktisni të vërtetat e madhërishme të zbuluara nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Kurrë mos reshtni së lexuari, përsiaturi dhe zbatuari doktrinën e Krishtit të përfshirë në Librin e Mormonit.

Kurrë mos harroni t’i kushtoni të njëjtën kohë Zotit [siç ia kushtoni gjërave të tjera] nëpërmjet përpjekjeve të ndershme për ta kuptuar atë që Zoti ka zbuluar. Ashtu siç tha një herë, miku im i dashur dhe kolegu i dikurshëm, Plaku Nil A. Maksuell: “Ne nuk duhet të hamendësojmë … se vetëm ngaqë diçka është e pashpjegueshme nga ne, ajo është e pashpjegueshme”.

Kështu që para se ta bëni atë zgjedhje shpirtërisht të rrezikshme për t’u larguar, unë ju nxit të ndaloni e të mendoni me kujdes përpara se të hiqni dorë nga çfarëdo qe që ju solli së pari te dëshmia juaj për Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Ndaloni dhe mendoni për atë që keni ndier këtu dhe arsyen përse e ndiet atë. Mendoni për ato raste kur Fryma e Shenjtë ju ka dhënë dëshmi për të vërtetën e përjetshme.

Ku do të shkoni për të gjetur të tjerë që kanë po të njëjtin besim [me ju] për Prindër të dashur, personalë Qiellor, që na mësojnë se si të kthehemi në praninë e Tyre të amshuar?

Ku do të shkoni për të marrë mësim për një Shpëtimtar që është miku juaj më i mirë, që jo vetëm vuajti për mëkatet tuaja, por që vuajti edhe “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji” në mënyrë “që zemra e tij të mund të mbushe[j] me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të di[nte], sipas mishit, sesi të ndihmo[nte] popullin e tij sipas dobësive të tyre”, përfshirë, besoj unë, dobësinë e humbjes së besimit?

Ku do të shkoni për të mësuar më shumë mbi planin e Atit Qiellor për lumturinë dhe paqen tonë të përjetshme, një plan që është i mbushur me mundësi, mësime dhe udhërrëfim të mrekullueshëm për jetën tonë në vdekshmëri dhe të përjetshme? Mbani mend, plani i shpëtimit i jep kuptim, qëllim dhe drejtim jetës në vdekshmëri.

Ku do të shkoni për të gjetur një strukturë organizative Kishtare të hollësishme dhe të frymëzuar përmes së cilës merrni mësim e mbështeteni nga burra e gra që janë thellësisht të përkushtuar t’i shërbejnë Zotit duke ju shërbyer juve dhe familjes suaj?

Ku do të shkoni për të gjetur profetë dhe apostuj të gjallë, që janë thirrur nga Perëndia për t’ju dhënë një burim tjetër këshille, kuptueshmërie, ngushëllimi dhe frymëzimi për sfidat e kohës sonë?

Ku do të shkoni për të gjetur njerëz që jetojnë sipas një tërësie të përcaktuar vlerash e standardesh që i keni edhe ju, e dëshironi t’ia kaloni fëmijëve dhe nipërve e mbesave tuaja?

Dhe ku do të shkoni për të përjetuar gëzimin që vjen përmes ordinancave shpëtuese dhe besëlidhjeve të tempullit?

Vëllezër dhe motra, të pranuarit dhe të jetuarit e ungjillit të Krishtit mund të jetë sfidues. Përherë kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithnjë. Jeta mund të jetë si alpinistët që i ngjiten një shtegu të pjerrët dhe të lodhshëm. Është gjë e natyrshme dhe normale që me raste të ndalojmë gjatë shtegut për t’u mbushur me frymë, për ta rivlerësuar drejtimin tonë dhe për ta rishikuar ritmin tonë. Jo çdokush ka nevojë të ndalojë gjatë shtegut, por nuk ka asgjë të gabuar te bërja e kësaj kur jua kërkojnë rrethanat. Në fakt, ajo mund të jetë një gjë pozitive për ata që e shfrytëzojnë plotësisht mundësinë për ta freskuar veten me ujin e gjallë të ungjillit të Krishtit.

Rreziku vjen kur dikush zgjedh të endet larg nga shtegu që të çon te pema e jetës. Ndonjëherë ne mund të mësojmë, studiojmë e dimë, dhe ndonjëherë ne duhet të besojmë, mirëbesojmë e shpresojmë.

Në fund, çdonjëri prej nesh duhet t’i përgjigjet pyetjes së Shpëtimtarit: “A doni edhe ju të largoheni?” Ne të gjithë duhet të shqyrtojmë përgjigjen tonë vetjake ndaj asaj pyetjeje. Për disa, përgjigjja është e lehtë, për të tjerë, ajo është e vështirë. Unë nuk pretendoj se e di arsyen përse bindja për të besuar vjen më lehtë për disa njerëz se për disa të tjerë. Unë jam thjesht kaq mirënjohës që e di se përgjigjet janë përherë në dispozicion, dhe nëse i kërkojmë ato – vërtet i kërkojmë me qëllim të vërtetë dhe me synim të plotë të një zemre plot lutje – ne përfundimisht do t’i gjejmë përgjigjet për pyetjet tona ndërsa vazhdojmë në shtegun e ungjillit. Në shërbesën time, unë kam njohur nga ata që janë endur tej dhe janë kthyer pas provës së tyre të besimit.

Shpresa ime e sinqertë është që ne do të ftojmë një numër në rritje fëmijësh të Perëndisë që ta gjejnë shtegun e ungjillit dhe të qëndrojnë në të, kështu që edhe ata të mund të “han[ë] frutin që [është] më i dëshirueshëm mbi çdo frut tjetër”.

Lutja ime e ndier është që ne do t’i nxitim, pranojmë, kuptojmë dhe duam ata që po hasin vështirësi me besimin e tyre. Ne kurrë nuk duhet të lëmë pas dore ndonjë nga vëllezërit dhe motrat tona. Ne jemi të gjithë në vende të ndryshme nëpër shteg, dhe ne duhet t’i shërbejmë njëri-tjetrit në përputhje [me atë].

Ashtu si ne duhet t’i hapim krahët tanë në një shpirt mirëseardhjeje për të kthyerit e rinj në besim, po kështu duhet t’i përqafojmë e mbështetim edhe ata që kanë pyetje dhe po luhaten në besimin e tyre.

Duke përdorur një metaforë tjetër të njohur, unë lutem që cilindo që po mendon të largohet nga “Anija e Vjetër Sion”, ku Perëndia dhe Krishti janë në timon, do të ndalojë e mendojë me kujdes përpara se ta bëjë atë.

Ju lutem ta dini se ndonëse furtuna të mëdha ere e dallgësh përplasën mbi anijen e vjetër, Shpëtimtari është në kuvertë dhe është në gjendje ta qortojë stuhinë me urdhrin e Tij: “Pusho dhe fashitu!” Deri atëherë, ne nuk duhet të kemi frikë, dhe duhet të kemi besim të patundur dhe ta dimë se Atij “i binden edhe era edhe deti”.

Vëllezër dhe motra, unë ju premtoj në emrin e Zotit se Ai kurrë nuk do ta braktisë Kishën e Tij dhe se Ai kurrë nuk do ta braktisë ndonjërin prej nesh. Mbani mend përgjigjen e Pjetrit ndaj pyetjes dhe fjalëve të Shpëtimtarit:

“Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”

Unë dëshmoj se nuk ka “asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit”.

Unë gjithashtu dëshmoj se Jezu Krishti ka thirrur apostuj dhe profetë në kohën tonë dhe e ka rivendosur Kishën e Tij me mësime dhe urdhërime si një “strehim nga stuhia dhe nga zemërimi” që me siguri do të vijnë përveçse nëse njerëzit e botës pendohen dhe kthehen tek Ai.

Unë dëshmoj më tej se Zoti i “fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë”.

Jezusi është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, dhe ungjilli i Tij i rivendosur do të na udhëheqë të sigurt përsëri në praninë e Prindërve tanë Qiellorë nëse qëndrojmë në shtegun e ungjillit dhe ndjekim gjurmët e Tij. Gjë për të cilën unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.