2010–2019
Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore
Tetor 2016


17:1

Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore

Kur përqendrimi i jetës sonë është te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sot unë do të doja të diskutoja një parim që është kyç për mbijetesën tonë shpirtërore. Ai është një parim që veçse do të bëhet më i rëndësishëm ndërsa tragjeditë dhe marrëzitë përreth nesh rriten.

Këto janë ditët e mëvonshme, kështu që asnjëri prej nesh nuk duhet të habitet kur ne e shohim të përmbushet një profeci. Një mori profetësh, përfshirë Isaian, Palin, Nefin dhe Mormonin, parashikuan që kohë të vështira do të vinin, që në kohën tonë e gjithë bota do të ishte në rrëmujë, që njerëzit do të “[ishin] egoistë, … të padhembshur, … dëfrimdashës më fort se perëndidashës” dhe se shumë vetë do të bëheshin shërbëtorë të Satanit që përkrahin veprën e kundërshtarit. Me të vërtetë, unë dhe ju jemi në “betej[ë] … kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke [dhe] kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore”.

Ndërsa konfliktet ndërmjet kombeve përshkallëzohen, ndërsa terroristë burracakë i bëjnë pre të pafajshmit dhe ndërsa korrupsioni në çdo gjë, nga biznesi te qeveria, bëhet gjithnjë e më shumë i rëndomtë, çfarë mund të na ndihmojë ne? Çfarë mund ta ndihmojë secilin prej nesh në përpjekjet tona vetjake dhe në sfidën e ashpër të të jetuarit në këto ditë të mëvonshme?

Profeti Lehi dha mësim një parim për mbijetesën shpirtërore. Së pari, merrni parasysh rrethanat e tij: Ai qe përndjekur për shkak se predikoi të vërtetën në Jerusalem dhe qe urdhëruar nga Zoti t’i linte zotërimet e tij dhe të arratisej me familjen e tij në shkretëtirë. Ai kishte jetuar në një çadër dhe kishte mbijetuar me çfarëdo ushqimi mund të gjendej udhës për në një vendmbërritje të panjohur; dhe ai kishte parë dy prej bijve të tij, Lamanin dhe Lemuelin, të ngrinin krye kundër mësimeve të Zotit dhe të sulmonin vëllezërit e tyre, Nefin dhe Samin.

Është e qartë, Lehi e njihte kundërshtimin, ankthin, pikëllimin, dhembjen, zhgënjimin dhe keqardhjen. Prapëseprapë, ai shpalli me guxim dhe pa hezitim një parim siç iu zbulua nga Zoti: “Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim”. Merreni me mend! Mes gjithë fjalëve që ai mund të kishte përdorur për të përshkruar natyrën dhe qëllimin e jetës sonë këtu në vdekshmëri, ai zgjodhi fjalën gëzim!

Jeta është e mbushur me rrugë dredharake dhe pa krye, sprova dhe sfida të çdo lloji. Secili prej nesh ka gjasa të ketë pasur periudha kur fatkeqësia, vuajtja dhe dëshpërimi pothuajse na mposhtën. Dhe ne jemi këtu për të pasur gëzim?

Po! Përgjigjja është një po kumbuese! Por si është e mundur ajo? Dhe çfarë duhet të bëjmë që të kemi gëzimin që Ati Qiellor ka rezervuar për ne?

Eliza R. Snou, Presidentja e dytë e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha një përgjigje tërheqëse. Për shkak të urdhrit famëkeq të shfarosjes të Misurit, i dalë në fillim të dimrit rraskapitës të 1838-ës, ajo dhe shenjtorë të tjerë u detyruan të arratiseshin nga shteti pikërisht atë dimër. Një mbrëmje, familja e Elizës e kaloi natën në një shtëpizë prej trungjesh që përdorej nga shenjtorët e shpërngulur. Shumë nga materiali mbushës mes trungjeve qe hequr e djegur si dru zjarri nga ata që u kishin paraprirë atyre, kështu që kishte vrima ndërmjet trungjeve aq të mëdha saqë një mace [mund] të zvarritej brenda. Qe i ftohtë i acartë dhe ushqimi i tyre kishte ngrirë, gur.

Atë natë, afro 80 njerëz u ngjeshën brenda asaj shtëpize, vetëm 20 këmbë katrorë (6,1 metra katrorë). Shumica ndenjën ulur ose në këmbë gjithë natën duke u përpjekur të ruanin ngrohtësinë. Jashtë, një grup burrash e kaluan natën të mbledhur rreth një zjarri bubulak, me disa që këndonin himne dhe të tjerë që piqnin patate të ngrira. Eliza shënoi: “Asnjë ankesë nuk u dëgjua – të gjithë ishin plot gaz dhe, nisur nga pamja e jashtme, të huajt do të na kishin marrë për ekskursionistë qejfi në vend të një grupi të dëbuarish nga guvernatori.”

Përshkrimi i Elizës për atë mbrëmje stërmunduese, që të ngrinte deri në palcë, qe habitshëm optimist. Ajo shpalli: “Ajo qe një natë shumë e gëzueshme. Askush përveç shenjtorëve nuk mund të jetë i lumtur në çdo rrethanë.”

Kjo është e gjitha! Shenjtorët mund të jenë të lumtur në çdo rrethanë. Ne mund të ndiejmë gëzim edhe ndërsa kalojmë një ditë të keqe, një javë të keqe apo madje një vit të keq!

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.

Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim, për të cilin sapo na dha mësim Presidenti Tomas S. Monson, dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit. Ne e ndiejmë atë në kohën e Krishtlindjes, kur këndojmë: “Botës gëzim, ka ardh’ Zoti”. Dhe ne mund ta ndiejmë gjatë gjithë vitit. Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, Jezu Krishti është gëzim!

Kjo është arsyeja përse misionarët tanë largohen nga shtëpitë e tyre për të predikuar ungjillin e Tij. Qëllimi i tyre nuk është të rritin numrin e anëtarëve të Kishës. Përkundrazi, misionarët tanë japin mësim e pagëzojnë që t’u sjellin gëzim njerëzve të botës!

Ashtu siç ofron paqe që “ia tejkalon çdo zgjuarsie”, Shpëtimtari ofron edhe një forcë, thellësi dhe sasi gëzimi që shpërfill logjikën njerëzore apo të kuptuarit e vdekshëm. Për shembull, nuk duket e mundshme të ndieni gëzim kur fëmija juaj vuan nga një sëmundje e pashërueshme ose kur humbisni punën tuaj apo kur bashkëshorti/ja ju tradhton. Sidoqoftë, ai është pikërisht gëzimi që ofron Shpëtimtari. Gëzimi i Tij është i vazhdueshëm, duke na siguruar se “mjerimet [tona] do të jenë veçse një çast i shkurtër” dhe do të shenjtërohen për përfitimin tonë.

Atëherë, si mund të pretendojmë për atë gëzim? Ne mund t’ia nisim “duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit” [tonë] “në çdo mendim”. Ne mund të japim falënderime për Të në lutjet tona dhe duke mbajtur besëlidhjet që kemi bërë me Të dhe me Atin tonë Qiellor. Ndërsa Shpëtimtari ynë bëhet përherë e më i vërtetë për ne dhe ndërsa përgjërohemi që gëzimi i Tij të na jepet neve, gëzimi ynë do të rritet.

Gëzimi është i fuqishëm dhe përqendrimi te gëzimi e sjell fuqinë e Perëndisë në jetën tonë. Si në të gjitha gjërat, Jezu Krishti është shembulli ynë më i lartë, “i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin”. Merreni me mend! Në mënyrë që të duronte përvojën më torturuese të duruar ndonjëherë në tokë, Shpëtimtari ynë u përqendrua te gëzimi!

Dhe cili qe gëzimi që ishte përpara Tij? Me siguri ai përfshiu gëzimin e pastrimit, shërimit dhe forcimit tonë; gëzimin e pagimit për mëkatet e të gjithë atyre që do të pendoheshin; gëzimin e bërjes së mundshme për mua dhe ju që të kthehemi në shtëpi – të pastër dhe të denjë – për të jetuar me Prindërit tanë Qiellorë dhe me familjet tona.

Nëse përqendrohemi te gëzimi që do të na vijë neve ose atyre që ne duam, çfarë mund të durojmë ne që tani për tani duket dërrmuese, e dhimbshme, e frikshme, e padrejtë ose thjesht e pamundshme?

Një atë në një situatë shpirtërisht të pasigurt u përqendrua te gëzimi i të qenit më në fund i pastër dhe i miratuar nga Zoti – gëzimi i të qenit i çliruar nga faji dhe turpi – gëzimi i të pasurit paqe të mendjes. Ai përqendrim i dha atij kurajën për t’iu rrëfyer gruas dhe peshkopit të tij për problemin e tij me pornografinë dhe mosbesnikërinë e tij pasuese. Ai tani po bën gjithçka që peshkopi i tij e këshillon të bëjë, duke u përpjekur me gjithë zemrën e tij të rifitojë mirëbesimin e gruas së tij të dashur.

Një e re u përqendrua te gëzimi i të qëndruarit e pastër seksualisht për ta ndihmuar atë të duronte talljen e miqve ndërsa u largua nga një situatë me popullaritet dhe provokuese, por shpirtërisht e rrezikshme.

Një burrë që vazhdimisht e poshtëronte gruan e tij dhe rrëmbehej në shpërthime zemërake ndaj fëmijëve të tij, u përqendrua te gëzimi i të qenit i denjë për ta pasur Frymën e Shenjtë si shoqëruesin e tij të vazhdueshëm. Ai përqendrim i dha shtysën që ta zhvishte njeriun e natyrshëm, të cilit i qe dorëzuar tepër shpesh, dhe të bënte ndryshimet e nevojshme.

Kohët e fundit, një koleg i shtrenjtë më tregoi për dy dhjetëvjeçarët e tij të fundit me sprova të rënda. Ai tha: “Unë kam mësuar të vuaj me gëzim. Vuajtja ime u përfshi në gëzimin për Krishtin.”

Çfarë do të jemi në gjendje të durojmë unë dhe ju ndërsa përqendrohemi te gëzimi që është “përpara” nesh? Cila pendesë atëherë do të jetë e mundshme? Cila dobësi do të kthehet në forcë? Cila ndreqje do të kthehet në bekim? Cilat zhgënjime, madje tragjedi, do të kthehen për të mirën tonë? Dhe çfarë shërbimi sprovues do të jemi në gjendje që t’i japim Zotit?

Ndërsa përqendrohemi me zell te Shpëtimtari dhe pastaj ndjekim modelin e Tij të të përqendruarit te gëzimi, ne duhet të shmangim ato gjëra që mund ta prishin gëzimin tonë. Ju kujtohet Korihori, anti-Krishti? Duke vjellë pavërtetësi për Shpëtimtarin, Korihori shkonte nga njëri vend në tjetrin derisa e sollën para një prifti të lartë që e pyeti: “Përse vete poshtë e lart duke përdhosur udhët e Zotit? Përse u mëson këtyre njerëzve se nuk do të ketë Krisht, për të prishur gëzimin e tyre?”

Çdo gjë që i kundërvihet Krishtit ose doktrinës së Tij, do ta prishë gëzimin tonë. Ajo përfshin filozofitë e njerëzve, kaq të shumta në internet dhe në botën e faqeve personale në internet, të cilat bëjnë pikërisht atë që bëri Korihori.

Nëse i mbajmë sytë nga bota dhe ndjekim formulat e saj për lumturinë, ne kurrë nuk do ta njohim gëzimin. Të padrejtët mund të përjetojnë një numër të madh emocionesh dhe ndjesish, por ata kurrë nuk do të përjetojnë gëzim! Gëzimi është një dhuratë për besnikët. Ai është dhurata që vjen nga të përpjekurit e qëllimshëm për të jetuar një jetë të drejtë, siç na u mësua nga Jezu Krishti.

Ai na mësoi se si të kemi gëzim. Kur e zgjedhim Atin Qiellor të jetë Perëndia ynë dhe kur mund ta ndiejmë Shlyerjen e Shpëtimtarit që vepron në jetën tonë, ne do të mbushemi me gëzim. Sa herë përkujdesemi për bashkëshortin/en tonë dhe i udhërrëfejmë fëmijët tanë, sa herë falim dikë ose kërkojmë falje, ne mund të ndiejmë gëzim.

Çdo ditë që unë dhe ju zgjedhim të jetojmë ligjet çelestiale, çdo ditë që ne mbajmë besëlidhjet tona dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, gëzimi do të jetë i yni.

Vërini veshin këtyre fjalëve të psalmistit: “Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi. … Ka shumë gëzim në praninë tënde.” Ndërsa ky parim zë rrënjë në zemrat tona, çdo ditë e veçantë mund të jetë një ditë gëzimi dhe hareje. Unë dëshmoj kështu në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih 2 Timoteut 3:1–5.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 45:26; 88:91.

  3. 2 Timoteut 3:2–4.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 10:5.

  5. Efesianëve 6:12.

  6. 2 Nefi 2:25.

  7. Guvernatori i Misurit, Lilburn W. Bogs, lëshoi urdhrin e shfarosjes së mormonëve më 27 tetor 1838 (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 373).

  8. Shih Eliza R. Snow, në Edward W. Tullidge, The Women of Mormondom (1877), f. 145–146.

  9. “Botës Gëzim”, Himne, nr. 120.

  10. Misionarët veprojnë siç ka urdhëruar Zoti: ata predikojnë, japin mësim dhe pagëzojnë në emrin e Tij (shih Mateu 28:19; Marku 16:15; Mormoni 9:22; Doktrina e Besëlidhje 68:8; 84:62; 112:28). Në lutjen e Tij Ndërmjetësuese, Jezusi shpalli marrëdhënien e Tij me gëzimin e dishepujve të Tij. Ai tha: “I them këto gjëra në botë, që gëzimi im të bëhet i plotë në ta” (Gjoni 17:13; theksimi i shtuar).

  11. Shih Alma 13:22.

  12. Filipianëve 4:7.

  13. Doktrina e Besëlidhje 121:7.

  14. Shih 2 Nefi 2:2.

  15. Hebrenjve 12:2.

  16. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  17. Hebrenjve 12:2.

  18. Shih Mosia 3:19. Shënim: “njeriu i natyrshëm” nuk është vetëm një armik ndaj Perëndisë, ai është gjithashtu një armik ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

  19. Shih Alma 31:38.

  20. Hebrenjve 12:2.

  21. Shih Ethëri 12:27.

  22. Shih Hebrenjve 12:6.

  23. Shih Doktrina e Besëlidhje 122:7.

  24. Shih Mateu 19:26; Marku 10:27.

  25. Alma 30:22. Libri i Mormonit është i mbushur me shembuj të burrave dhe grave që përjetojnë gëzim dhe hare ngaqë zgjedhin të ndjekin Jezu Krishtin. Çdo zgjedhje tjetër, si në rastin e Korihorit, çon në shkatërrim përfundimtar.

  26. Shpifja, që do të thotë shtrembërim, përkufizohet si një thënie e rreme dhe keqdashëse që synon ta dëmtojë emrin e dikujt apo të diçkaje. Shpifja po ndodhte në ditët e Korihorit dhe po ndodh tani. Profeti Jozef Smith foli për pathyeshmërinë e Kishës edhe përballë shpifjes. Ai tha: “Standardi i së Vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë; përndjekjet mund të egërsohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të futet në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye” (Mësimet: Jozef Smith, f. 147).

  27. Bota jep mësim që blerja e gjërave do të sjellë gëzim. Dhe, nëse ajo nuk jep rezultat, blini ca më shumë! Ajo gjithashtu jep mësim që mëkat pas mëkati mund të merrni gëzim. Dhe, nëse ajo nuk jep rezultat, mëkatoni ca më shumë! Premtimi është që pas çdo ylberi hedonist gjendet një qyp gëzimi. S’është e vërtetë!

  28. Jo në këtë botë, as në botën që do të vijë.

  29. Shenjtorët e drejtë “që kanë duruar kryqet e botës … do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë … dhe gëzimi i tyre do të jetë i plotë përgjithnjë” (2 Nefi 9:18).

  30. Për shembuj, shih 2 Nefi 27:30; Alma 27:16–18.

  31. Shih 1 Nefi 17:40.

  32. Shih Mosia 4:2–3.

  33. Psalmeve 16:8, 11.

  34. Shih Isaia 35:10; 2 Nefi 8:3.