Mirënjohje në Ditën e Shabatit
Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, Shabati është një ditë mirënjohjeje dhe dashurie.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura që jeni shpërndarë kudo në botë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, jam mirënjohës që Presidenti Tomas S. Monson më ka kërkuar të flas në konferencë në këtë ditë Shabati. Lutem që Fryma e Shenjtë do t’i mbartë fjalët e mia në zemrën tuaj.
Sot dëshiroj të flas rreth ndjenjave të zemrës. Ajo ku do të përqendrohem është mirënjohja – veçanërisht në ditën e Shabatit.
Ne ndihemi mirënjohës për shumë gjëra: për një mirësi nga një i huaj, për një vakt kur jemi të uritur, për një çati që nuk pikon mbi kokat tona kur ngrihen stuhi, për një kockë të thyer që shërohet dhe për të qarën e shëndetshme të një foshnjëje të porsalindur. Shumë prej nesh do ta kujtojnë ndjenjën e mirënjohjes në të tilla çaste.
Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, Shabati është një çast i tillë, në të vërtetë, një ditë mirënjohjeje dhe dashurie. Zoti i udhëzoi shenjtorët në kontenë Xhekson, në Misuri, në vitin 1831 që lutjet dhe falënderimet e tyre duhet të drejtoheshin lart në qiell. Shenjtorëve të hershëm iu dha një zbulesë rreth mënyrës se si ta respektonin ditën e Shabatit dhe se si të agjëronin e luteshin.
Atyre, dhe neve, na u tha nga Zoti se si të adhurojmë dhe të japim falënderime në Shabat. Siç mund ta kuptoni, ajo që ka më shumë rëndësi është dashuria që ne ndiejmë për dhënësit e dhuratave. Ja ku janë fjalët e Zotit për mënyrën se si të japim falënderime dhe se si të duam në Shabat:
“Unë u jap atyre një urdhërim, duke thënë kështu: Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde; dhe në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbesh atij. …
Falënderoje Zotin, Perëndinë tënd në gjithçka.
Ofroji një flijim Zotit, Perëndisë tënd, në drejtësi, madje atë të një zemre të thyer dhe të një shpirti të penduar”.
Dhe më pas, Zoti vazhdon të na paralajmërojë për rrezikun nëse dështojmë t’i falënderojmë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin si dhënësit e dhuratave: “Dhe në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka dhe nuk u binden urdhërimeve të tij”.
Shumë prej jush që po na dëgjojnë tashmë, gjejnë gëzim në Shabat si një ditë kur e kujtojnë Perëndinë dhe i japin falënderime për bekimet. Juve ju kujtohet kënga e njohur:
Kur në dallg’t e jetës ti përplasur je,
kur pa shpres’, i humbur ti mendon se je,
numëro bekimet që ke, një nga një,
Dhe do të habitesh ç’ka Zoti ka bër’.
Numëro bekimet
Që ke; një nga një.
Numëro bekimet;
shih çka Per’ndia bën. …
Unë marr letra dhe vizita nga shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme që ndihen të rënduar me halle. Disa njerëz pothuaj ndiejnë se, të paktën për ta, gjithçka ka mbaruar. Shpresoj dhe lutem se ajo që them rreth të qenit mirënjohës në Shabat do të jetë e dobishme për t’i bërë dyshimet të ikin fluturimthi dhe që në zemrat tuaja të fillojë kënga.
Një bekim për të cilin mund të jemi mirënjohës është që mbi të gjitha ne jemi atje në atë mbledhje sakramenti, të mbledhur me më shumë se një apo dy dishepuj të Tij në emër të Tij. Ka disa njerëz që janë në shtëpi, të cilët nuk janë në gjendje të ngrihen nga shtrati i tyre. Ka disa njerëz që do të donin të jenë atje ku jemi ne, por në vend të kësaj ata janë duke shërbyer në spitale dhe duke ruajtur sigurinë publike, ose po na mbrojnë duke e vënë në rrezik jetën e tyre në ndonjë shkretëtirë apo xhungël. Fakti që ne mund të mblidhemi qoftë edhe me një shenjtor tjetër dhe të marrim sakramentin do të na ndihmojë që të fillojmë të ndjejmë mirënjohje dhe dashuri për mirësinë e Perëndisë.
Për shkak të Profetit Jozef Smith dhe të ungjillit të rivendosur, një tjetër bekim që mund të numërojmë është që ne kemi mundësinë ta marrim sakramentin çdo javë – të përgatitur, të bekuar e të shpërndarë nga shërbëtorë të autorizuar të Perëndisë. Ne mund të jemi mirënjohës kur Shpirti i Shenjtë na pohon se fjalët e lutjeve të sakramentit, të ofruara nga ata mbajtës të autorizuar të priftërisë, nderohen nga Ati ynë Qiellor.
Nga të gjitha bekimet që mund të numërojmë, një nga bekimet më të mëdha deri tani është ndjenja e faljes që vjen kur ne marrim sakramentin. Ne do të ndiejmë dashuri dhe vlerësim më të madh për Shpëtimtarin, flijimi i pafundmë i të cilit bëri të mundur që ne të pastrohemi nga mëkati. Kur marrim bukën dhe ujin, ne kujtojmë se Ai vuajti për ne. Dhe kur ndjejmë mirënjohje për atë që Ai ka bërë për ne, ne do ta ndjejmë dashurinë e Tij për ne dhe dashurinë tonë për Të.
Bekimi i dashurisë që marrim do të na e bëjë më të lehtë për ta mbajtur urdhërimin që “gjithmonë ta kujto[jmë] atë”. Ju mund të ndieni dashuri e mirënjohje, ashtu siç ndiej edhe unë, për Frymën e Shenjtë, për të cilin Ati Qiellor ka premtuar se do të jetë gjithmonë me ne ndërsa qëndrojmë besnikë ndaj besëlidhjeve që kemi bërë. Ne mund t’i numërojmë të gjitha ato bekime çdo të diel dhe të ndjejmë mirënjohje.
Shabati është një kohë e përsosur për të kujtuar gjithashtu besëlidhjen që bëmë në ujërat e pagëzimit, për t’i dashur e për t’u shërbyer fëmijëve të Atit Qiellor. Përmbushja e atij premtimi në Shabat do të përfshijë pjesëmarrjen në një klasë apo kuorum me qëllim të plotë të zemrës, që të ndërtojmë besim e dashuri midis vëllezërve e motrave tona që janë atje me ne. Ai premtim do të përfshijë përmbushjen me gëzim të thirrjeve tona.
Jam mirënjohës për të dielat e shumta kur jepja mësim në kuorumin e dhjakëve në Bauntiful të Jutës, si edhe në një orë të Shkollës të së Dielës në Ajdaho. Dhe madje më kujtohen rastet kur shërbeja si ndihmës për bashkëshorten time në çerdhe, ku detyra ime kryesore ishte të jepja dhe të mblidhja lodra.
Kjo ndodhi disa vite përpara se ta kuptoja nëpërmjet Shpirtit se shërbimi im i thjeshtë për Zotin kishte rëndësi në jetën e fëmijëve të Atit Qiellor. Për habinë time, disa prej tyre i kanë mbajtur mend dhe më kanë falënderuar për orvatjet e mia të papërsosura, për t’u shërbyer atyre për Mësuesin, në ato ditë Shabati.
Ashtu sikurse ne nganjëherë mund të mos i shohim rezultatet e shërbimit tonë të dhënë në Shabat, ne mund të mos jemi në gjendje t’i shohim efektet plotësuese të shërbëtorëve të tjerë të Zotit. Por Zoti po e ndërton mbretërinë e Tij qetësisht dhe me pak bujë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij besnikë e të përulur, drejt së ardhmes së saj të lavdishme mijëvjeçare. Duhet Shpirti i Shenjtë për ta parë madhështinë që po shtohet.
U rrita duke shkuar në mbledhjet e sakramentit në një degë të vogël në Nju-Xhersi me vetëm pak anëtarë dhe një familje, timen. Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, u pagëzova në Filadelfia në të vetmen godinë kishtare të ndërtuar nga Kisha ku mund të shkonim në Pensilvani ose Nju-Xhersi. Prapëseprapë, atje ku atëherë kishte një degë të vogël në Prinstën të Nju-Xhersit, tani ka dy lagje të mëdha. Dhe vetëm para pak ditësh, mijëra të rinj interpretuan në një kremtim që i paraprin përkushtimit të tempullit të Filadelfias në Pensilvani.
Kur isha i ri, u thirra si misionar distrikti atje ku ne adhuronim të dielave, në të vetmen godinë kishtare në Albakërki të Nju-Meksikos. Sot atje ka një tempull dhe katër kunje.
U largova nga Albakërki për të shkuar në shkollë në Kembrixh të Masaçusetsit. Kishte vetëm një godinë kishtare dhe një distrikt që shtrihej mbi pjesën më të madhe të Masaçusetsit dhe Rod Ajlëndit. Udhëtova me makinë në kodrat e atij vendi të bukur për të shkuar në mbledhjet e sakramentit në degë të vogla, shumica në ndërtesa të vogla të marra me qira apo në shtëpi të vogla të rimodeluara. Tani ka një tempull të shenjtë të Perëndisë në Belmont të Masaçusetsit dhe kunje që shtrihen përgjatë zonës rurale.
Ajo që nuk mund të shihja qartësisht atëherë ishte se Zoti po e derdhte Shpirtin e Tij mbi njerëzit në ato mbledhje të vogla sakramenti. Mund ta ndieja, por nuk mund ta kuptoja shtrirjen dhe kohën e synimeve të Zotit për ta ndërtuar dhe lëvduar mbretërinë e Tij. Një profet, me anë të zbulesës, e pa dhe shënoi atë që ne tani mund ta shohim vetë. Nefi tha që numrat tanë në përgjithësi nuk do të ishin të mëdhenj, por që drita e grumbulluar do të ishte një pamje mbresëlënëse:
“Dhe ndodhi që unë vura re kishën e Qengjit të Perëndisë dhe numrat e saj ishin të pakta. …
Dhe ndodhi që unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”.
Në këtë periudhë ungjillore, një përshkrim i ngjashëm profetik i gjendjes dhe mundësive tona të ardhshme shënohet në Doktrina e Besëlidhje:
“Ju nuk keni kuptuar ende ç’bekime të mëdha Ati Qiellor ka në duart e tij dhe ka përgatitur për ju;
Dhe ju nuk mund t’i duroni të gjitha gjërat tani; megjithatë, merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës. Mbretëria është juaja dhe bekimet e saj janë tuajat e pasuritë e përjetësisë janë tuajat.
Dhe ai që i pranon të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhet i lavdishëm; dhe gjërat e kësaj toke do t’i shtohen atij, madje njëqindfish, po, më shumë”.
Unë e kam ndier shndërrimin e mirënjohjes që po shtohet për bekimet e Perëndisë dhe të dashurisë që po rritet për Të kudo në Kishë. Duket sikur ato përshpejtohen midis anëtarëve të Kishës në raste dhe vende ku ka sprova të besimit të tyre, ku ata madje duhet t’i përgjërohen Perëndisë për ndihmë që të vazhdojnë përpara.
Kohët që do të kalojmë do të mbartin në vetvete sprova të vështira ashtu siç ndodhi për popullin e Almës nën [sundimin] e Amulonit mizor, i cili u vuri mbi shpinë barrë tepër të rënda për t’u mbajtur prej tyre:
“Dhe ndodhi që zëri i Zotit u erdhi në pikëllimet e tyre, duke thënë: Ngrini kokat tuaja dhe ngushëllohuni, pasi unë e di besëlidhjen që ju keni bërë me mua; dhe unë do të bëj besëlidhje me popullin tim dhe do ta çliroj nga robëria.
Dhe unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, madje ndërsa jeni në robëri; dhe këtë do ta bëj që ju të qëndroni si dëshmitarë për mua në të ardhmen dhe që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre.
Dhe tani ndodhi që barrat që iu vunë Almës dhe vëllezërve të tij u lehtësuan; po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit”.
Ju dhe unë jemi dëshmitarë të faktit që sa herë i kemi mbajtur besëlidhjet tona me Perëndinë, veçanërisht kur ishte e vështirë, Ai i ka dëgjuar lutjet tona falënderuese për atë që Ai tashmë ka bërë për ne dhe i është përgjigjur lutjes sonë për forcë që të durojmë me besnikëri. Dhe më shumë se një herë, Ai na ka bërë të gëzuar, ashtu si edhe të fortë.
Ju mjaft mirë mund të jeni duke e pyetur veten se çfarë mund të bëni për të jetuar dhe për të adhuruar në këtë ditë Shabati, që të tregoni mirënjohjen tuaj dhe ta forconi veten dhe të tjerët për sprovat që ju presin.
Ju mund t’ia filloni sot me një lutje falënderimi vetjake dhe familjare për gjithçka që Perëndia ka bërë për ju. Ju mund të luteni për të ditur atë që Zoti do të donte që ju të bëni për t’i shërbyer Atij dhe të tjerëve. Në veçanti, ju mund të luteni që Fryma e Shenjtë t’ju tregojë dikë që është i vetmuar apo në nevojë, tek i cili Zoti do të donte që ju të shkonit.
Mund t’ju premtoj se lutjet tuaja do të marrin përgjigje, dhe ndërsa ju veproni sipas përgjigjeve që do të merrni, ju do të gjeni gëzim në Shabat dhe zemra juaj do të tejmbushet me falënderime.
Dëshmoj se Perëndia, Ati, ju njeh dhe ju do. Shpëtimtari, Zoti Jezu Krisht, shleu për mëkatet tuaja nga dashuria për ju. Ata, Ati dhe Biri, e dinë emrin tuaj ashtu siç Ata e dinin emrin e Profetit Jozef Smith kur iu shfaqën atij. Dëshmoj se kjo është Kisha e Jezu Krishtit dhe se Ai do t’i nderojë besëlidhjet që ju i bëni dhe i ripërtërini me Perëndinë. Vetë natyra juaj do të ndryshojë për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari. Ju do të forcoheni kundër tundimit dhe kundër ndjenjave të dyshimit për të vërtetën. Ju do të gjeni gëzim në Shabat. Unë ju premtoj kështu, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.