2010–2019
“Eja, e Më Ndiq” duke Ushtruar Dashurinë dhe Shërbimin e Krishterë
Tetor 2016


13:29

“Eja, e Më Ndiq” duke Ushtruar Dashurinë dhe Shërbimin e Krishterë

Si dishepujt e ditëve të mëvonshme të Shpëtimtarit, ne vijmë tek Ai duke i dashur fëmijët e Perëndisë dhe duke u shërbyer atyre.

Eli Uizëll, laureat për çmimin Nobel, ishte në spital duke u shëruar nga një operacion në zemër, kur u vizitua nga nipi i tij pesëvjeçar. Teksa vogëlushi vështroi në sytë e gjyshit të vet, ai pa dhembjen e tij. “Gjysh”, e pyeti ai, “nëse unë do të të doja ty më shumë, a do të kishe [më pak dhembje]?” Sot unë bëj një pyetje të ngjashme për secilin prej nesh: “Nëse e duam më shumë Shpëtimtarin, a do të vuajmë më pak?”

Kur Shpëtimtari i thirri dishepujt e Tij që ta ndiqnin Atë, ata po jetonin ligjin e Moisiut, që përfshinte kërkesën “sy për sy, dhe dhëmb për dhëmb”, por Shpëtimtari erdhi që ta përmbushte atë ligj me Shlyerjen e Tij. Ai dha mësim një doktrinë të re: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin.”

Dishepujt u mësuan që t’i kthenin sjelljet e njeriut të natyrshëm në sjellje të dashura dhe përkujdesëse të Shpëtimtarit duke e zëvendësuar grindjen me falje, mirësi dhe dhembshuri. “Urdhërim[i i] ri” ta “doni njëri-tjetrin” nuk ishte gjithnjë i lehtë për t’u zbatuar. Kur dishepujt shqetësoheshin për shoqërimin me mëkatarët dhe shtresa të caktuara njerëzish, Shpëtimtari dha mësim me durim: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”. Ose, siç e shpjegoi një profet i Librit të Mormonit: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”.

Si dishepujt e ditëve të mëvonshme të Shpëtimtarit, ne vijmë tek Ai duke i dashur fëmijët e Perëndisë dhe duke u shërbyer atyre. Teksa e bëjmë këtë, ne mund të mos jemi në gjendje t’i shmangim fatkeqësitë, mundimet dhe vuajtjet në mish, por ne do të vuajmë më pak shpirtërisht. Madje edhe në sprovat tona ne mund të provojmë gëzim e paqe.

Dashuria dhe shërbimi ynë i krishterë, natyrisht, fillojnë në shtëpi. Prindër, ju jeni thirrur që të jeni mësues dhe misionarë të dashur për fëmijët dhe të rinjtë tuaj. Ata janë kërkuesit tuaj. Ju mbani mbi vete përgjegjësinë për t’i ndihmuar ata që të kthehen në besim. Në të vërtetë, të gjithë ne po kërkojmë të kthehemi në besim – çka do të thotë të mbushemi me dashurinë e Shpëtimtarit tonë.

Teksa e ndjekim Jezu Krishtin, dashuria e Tij na nxit ta përkrahim njëri-tjetrin në udhëtimin tonë në vdekshmëri. Ne nuk mund t’ia dalim të vetëm. Ju më keni dëgjuar ta ndaj fjalën e urtë [të një besimi tjetër të krishterë]: “Ti më ngri mua dhe unë do të të ngre ty, dhe ne do të lartësohemi së bashku përjetësisht”. Si dishepuj, ne fillojmë ta bëjmë këtë kur pagëzohemi, duke treguar gatishmërinë tonë për “të mba[jtur] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”.

“T’ia mëso[jmë] njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë” është një mënyrë për ta dashur e për t’i shërbyer njëri-tjetrit. Prindër dhe gjyshër, ne priremi të qahemi për gjendjen në botë – se shkollat nuk po japin mësim vetitë e moralshme. Por ka shumë gjëra që ne mund të bëjmë. Ne mund të përfitojmë nga çastet mësimdhënëse në vetë familjet tona – çka do të thotë tani. Mos i lini ato t’ju ikin. Kur iu vjen një mundësi për të ndarë mendimet tuaja për ungjillin dhe mësimet e jetës, lërini të gjitha, uluni e flisni me fëmijët dhe nipërit e mbesat tuaja.

Ne nuk duhet të shqetësohemi se nuk jemi mësues të ungjillit të trajnuar me profesionalizëm. Asnjë kurs trajnimi apo manual nuk është aq i dobishëm sa studimi vetjak i shkrimeve tona të shenjta, lutja, përsiatja dhe kërkimi i udhërrëfimit nga Shpirti i Shenjtë. Shpirti do t’ju udhëheqë. Unë ju premtoj: thirrja për të qenë prind përfshin dhuratën për të dhënë mësim në mënyra që janë të drejta për ju dhe fëmijët tuaj. Mbajeni mend, fuqia e Perëndisë për të ndikuar te ne drejtësisht është dashuria e Tij. “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.”

Të rinj, ju jeni disa nga mësuesit tanë më të efektshëm të ungjillit. Ju vini në kishë për të mësuar në mënyrë që të mund të shkoni në shtëpi për ta mësuar familjen, fqinjët dhe miqtë tuaj dhe për t’u shërbyer atyre. Mos kini frikë. Kini besim të dëshmoni për atë që e dini se është e vërtetë. Mendoni se si misionarët me kohë të plotë rriten për shkak se po jetojnë me besnikëri një jetë të përkushtuar – duke përdorur kohën dhe talentet e tyre dhe duke dëshmuar për t’i shërbyer të tjerëve dhe për t’i bekuar ata. Teksa e ndani dëshminë tuaj për ungjillin, besimi juaj do të shtohet dhe vetëbesimi juaj do të rritet!

Një pjesë nga shërbimi më i efektshëm i krishterë jepet duke bërë studimin familjar të shkrimeve të shenjta, lutjen familjare dhe mbledhjet e këshillit familjar. Për më shumë se njëqind vjet, udhëheqësit e Kishës na kanë bërë thirrje për të planifikuar një kohë të pandërprerë çdo javë. Por shumë prej nesh ende nuk po i marrin bekimet. Mbrëmja familjare nuk është një leksion nga mami dhe babi. Është koha jonë familjare për të treguar koncepte dhe përvoja të thjeshta shpirtërore, për t’i ndihmuar fëmijët tanë që të mësojnë të kujdesen dhe të dëftojnë, të argëtohen së bashku, të ndajnë dëshmi së bashku dhe të rriten e të përparojnë së bashku. Kur bëjmë mbrëmje familjare çdo javë, dashuria jonë për njëri-tjetrin do të forcohet më shumë dhe ne do të vuajmë më pak.

Le të mbajmë mend, puna më e rëndësishme që bëjmë në familjen tonë është nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Kurdoherë që e ngremë zërin me zemërim, Shpirti largohet prej marrëdhënieve [në çift] dhe prej familjes sonë. Kur flasim me dashuri, Shpirti mund të jetë me ne. Le të kujtojmë se fëmijët dhe nipërit e mbesat tona e masin dashurinë tonë sipas kohës së përkushtuar që u japim atyre. Mbi të gjitha, mos e humbni durimin dhe mos u dorëzoni!

Shkrimet e shenjta na thonë se kur disa nga fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor zgjodhën të mos e ndiqnin planin e Tij, qiejt vajtuan. Disa prindër që i kanë dashur dhe i kanë mësuar fëmijët e tyre, gjithashtu vajtojnë kur fëmijët e tyre të rritur zgjedhin të mos e ndjekin planin e Zotit. Çfarë mund të bëjnë prindërit? Ne nuk mund të lutemi që zgjedhja e një tjetri të hiqet. Kujtoni atin e djalit plangprishës, i cili priste me durim që djali i tij të “[vinte] në vete”, e njëkohësisht vëzhgonte për të. Dhe “kur ishte ende larg” ai vrapoi drejt tij. Ne mund të lutemi për udhërrëfim se kur të flasim dhe çfarë të themi, dhe po, në disa raste, se kur të heshtim. Mbajeni mend, fëmijët dhe pjesëtarët e familjes sonë zgjodhën tashmë që ta ndiqnin Shpëtimtarin në botën e tyre para lindjes. Nganjëherë është vetëm me anë të përvojave të vetë jetës së tyre që ato ndjenja të shenjta zgjohen sërish. Përfundimisht, zgjedhja për ta dashur dhe për ta ndjekur Zotin duhet të jetë e vetë atyre.

Ka një mënyrë tjetër të veçantë se si dishepujt e tregojnë dashurinë e tyre për Shpëtimtarin. Sot unë i bëj homazh të gjithë atyre që i shërbejnë Zotit si kujdestarë. Sa shumë ju do juve Zoti! Gjatë shërbimit tuaj në heshtje e të pavënëre, ju po ndiqni Atë, i cili premtoi: “Ati yt që të sheh fshehtas, ai vetë do të të shpërblejë haptas”.

Unë mendoj për fqinjin tim, bashkëshortja e të cilit vuante nga sëmundja e Alzheimerit. Çdo të diel ai e ndihmonte atë të vishej për mbledhjet e Kishës, i krihte flokët, i vendoste makijazhin dhe i vinte vathët. Duke e dhënë këtë shërbim, ai qe një shembull për çdo burrë dhe grua në lagjen tonë – në fakt, për botën. Një ditë bashkëshortja e tij i tha: “Unë thjesht dua ta shoh sërish bashkëshortin tim dhe të jem me të”.

Ai iu përgjigj: “Unë jam bashkëshorti yt.”

Dhe ajo u përgjigj me ëmbëlsi: “Oh, sa mirë!”

Unë nuk mund të flas për dhënien e përkujdesjes pa e falënderuar kujdestaren e veçantë në jetën time – dishepullen e veçantë të Shpëtimtarit për mua – shoqen time të përjetshme, Merin. Ajo ka dhënë gjithçka nga vetja me përkujdesje dhe dashuri mëshirplote. Duart e saj pasqyrojnë prekjen e Tij të butë e përkrahëse. Nuk do të isha këtu pa të. Dhe me të, unë do të jem në gjendje të duroj deri në fund dhe të jem me të në jetën e përjetshme.

Nëse po vuani tej mase, me të tjerë apo të vetëm, unë ju nxis ta lejoni Shpëtimtarin të jetë kujdestari juaj. Mbështetuni në krahun e Tij bujar. Pranojeni zotimin e Tij. “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju”, premton Ai.

Vëllezër e motra, nëse nuk e kemi bërë ende këtë plotësisht, le të kthehemi më shumë drejt faljes, mirësisë dhe dashurisë. Le të heqim dorë nga lufta që kaq shpesh zien në zemrën e njeriut të natyrshëm dhe të shpallim përkujdesjen, dashurinë dhe paqen e Krishtit..

Nëse “ju keni ardhur në njohurinë e lavdisë [dhe mirësisë] së Perëndisë” dhe po ashtu të “shlyerjes, që ishte përgatitur nga themelimi i botës”, “ju nuk do të keni një mendje për të dëmtuar njëri-tjetrin, por për të jetuar në paqe. … Dhe ju nuk do t’i lejoni fëmijët tuaj që … ata të shkelin ligjet e Perëndisë dhe të luftojnë dhe të grinden me njëri-tjetrin. … Por ju do t’u mësoni atyre … të duan njëri-tjetrin dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit.”

Pak përpara kryqëzimit të Shpëtimtarit, Ai u mësoi Apostujve të Tij: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur” dhe “nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”.

Unë dëshmoj se qëndrimi i vërtetë i Shpëtimtarit ndaj nesh është ai që paraqitet tek statuja e Krishtit me krahë të shtrira nga Torvaldseni. Ai vazhdon t’i shtrijë duart e Tij, duke na ftuar: “Eja, e më ndiq”. Ne e ndjekim Atë duke e dashur dhe duke i shërbyer njëri-tjetrit dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij.

Unë jap dëshminë time të veçantë se Ai jeton dhe na do me një dashuri të përsosur. Kjo është Kisha e Tij. Tomas S. Monsoni është profeti i Tij në tokë sot. Ta duam Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij më shumë dhe të vuajmë më pak, është lutja ime. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.