2010–2019
Doktrina e Krishtit
Tetor 2016


11:8

Doktrina e Krishtit

Doktrina e Krishtit na lejon të kemi mundësinë të marrim fuqinë shpirtërore që do të na ngrejë nga gjendja jonë e tanishme shpirtërore në një gjendje në të cilën ne mund të bëhemi të përsosur.

Vizita e Jezusit te nefitët pas Ringjalljes së Tij u organizua me kujdes që të na mësonte gjërat me rëndësi më të madhe. Ajo filloi me Atin që u dëshmoi njerëzve se Jezusi ishte “Biri [i Tij i] Dashur, në të cilin [Ai ishte] shumë i kënaqur”. Pastaj Jezusi Vetë zbriti dhe dëshmoi për sakrificën e Tij Shlyese, duke i ftuar njerëzit që ta “mës[onin] me siguri” se Ai ishte Krishti duke ardhur dhe prekur shenjën e plagës në anën e Tij dhe gjurmët e gozhdëve në duart e këmbët e Tij. Këto dëshmi provuan pa dyshim se Shlyerja e Jezusit ishte përmbushur dhe se Ati kishte plotësuar besëlidhjen e Tij për të siguruar një Shpëtimtar. Jezusi mandej u mësoi nefitëve mënyrën se si t’i merrnin të gjitha bekimet e planit të lumturisë së Atit, të cilat na mundësohen për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, duke u mësuar atyre doktrinën e Krishtit.

Mesazhi im sot përqendrohet te doktrina e Krishtit. Shkrimet e shenjta e përkufizojnë doktrinën e Krishtit si ushtrimin e besimit te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, pendimin, pagëzimin, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund.

Doktrina e Krishtit na Lejon të Marrim Bekimet e Shlyerjes së Krishtit

Shlyerja e Krishtit krijon kushtet me anë të të cilave ne mund të mbështetemi në “merita[t] dhe mëshirë[n] dhe hiri[n e] Mesias së Shenjtë”, të “përsos[emi] në [Krisht]”, të marrim çdo gjë të mirë dhe të fitojmë jetën e përjetshme.

Doktrina e Krishtit nga ana tjetër është mënyra – e vetmja mënyrë – me anë të së cilës ne mund t’i marrim të gjitha bekimet që na janë mundësuar nëpërmjet Shlyerjes së Jezusit. Është doktrina e Krishtit që na lejon të kemi mundësinë ta marrim fuqinë shpirtërore që do të na ngrejë nga gjendja jonë e tanishme shpirtërore në një gjendje në të cilën ne mund të bëhemi të përsosur sikurse Shpëtimtari. Për këtë proces të lindjes rishtas, Plaku D. Tod Kristoferson ka dhënë mësim: “Të lindurit rishtas, ndryshe nga lindja jonë fizike, është më shumë një proces sesa një ngjarje. Dhe angazhimi në këtë proces është qëllimi kryesor i jetës së vdekshme.”

Le ta shqyrtojmë secilin element të doktrinës së Krishtit.

Së pari, besimi te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Profetët kanë dhënë mësim se besimi fillon duke dëgjuar fjalën e Krishtit. Fjalët e Krishtit dëshmojnë për sakrificën e Tij shlyese dhe na tregojnë se si mund të marrim falje, bekime dhe ekzaltim.

Pasi i dëgjojmë fjalët e Krishtit, ne ushtrojmë besim duke zgjedhur të ndjekim mësimet dhe shembullin e Shpëtimtarit. Për ta bërë këtë, Nefi dha mësim se ne duhet të mbështetemi “tërësisht në meritat e [Krishtit] që është i fuqishëm të shpëtojë”. Për shkak se Jezusi ishte Perëndi në ekzistencën para lindjes, jetoi një jetë të pamëkatë dhe gjatë Shlyerjes së Tij kënaqi të gjitha kërkesat e drejtësisë për mua dhe për ju, Ai ka fuqinë dhe çelësat të bëjë të ndodhë ringjallja e të gjithë njerëzve dhe Ai bëri të mundur që mëshira ta mundte drejtësinë me kushtin e pendimit. Kur e kuptojmë se ne mund të marrim mëshirë nëpërmjet meritave të Krishtit, ne jemi në gjendje “të ke[mi] besim deri në pendim”. Të mbështetemi plotësisht te meritat e Krishtit atëherë do të thotë të mirëbesojmë se Ai bëri atë që ishte e nevojshme për të na shpëtuar ne dhe mandej të veprojmë sipas besimit tonë.

Besimi gjithashtu na bën të reshtim së shqetësuari aq shumë për atë që të tjerët mendojnë për ne, dhe të fillojmë të mendojmë shumë më tepër për atë që Perëndia mendon për ne.

Së dyti, pendimi. Samuel Lamaniti dha mësim: “Në qoftë se besoni në emrin e [Krishtit], ju do të pendoheni për të gjitha mëkatet tuaja”. Pendimi është një dhuratë e çmuar nga Ati ynë Qiellor, që është mundësuar nëpërmjet sakrificës së Birit të Tij të Vetëmlindur. Është procesi që Ati na e ka dhënë nëpërmjet të cilit ne i ndryshojmë ose ndërrojmë mendimet, veprimet tona dhe vetë qenien tonë në mënyrë të atillë që bëhemi përherë e më shumë si Shpëtimtari. Ai nuk është vetëm për mëkatet e mëdha, por është një proces i përditshëm i vetëvlerësimit dhe përmirësimit që na ndihmon të kapërcejmë mëkatet tona, papërsosuritë tona, dobësitë tona dhe papërshtatshmëritë tona. Pendimi na bën që të bëhemi “pasues të vërtetë” të Krishtit, gjë që na mbush me dashuri dhe zhduk çdo frikë tonën. Pendimi nuk është një plan rezervë, vetëm në rast se plani ynë për të jetuar në mënyrë të përsosur dështon. Pendimi i vazhdueshëm është i vetmi shteg që mund të na sjellë gëzim që zgjat, dhe të na mundësojë të kthehemi për të jetuar me Atin tonë Qiellor.

Nëpërmjet pendimit ne bëhemi të nënshtruar dhe të bindur ndaj vullnetit të Perëndisë. Tani, kjo nuk arrihet i vetëm. Një pranim i mirësisë së Perëndisë dhe i asgjësisë sonë, i bashkuar me përpjekjet tona më të mira për ta pajtuar sjelljen tonë me vullnetin e Perëndisë, sjell hir në jetën tonë. Hiri “është mjeti hyjnor i ndihmës apo i forcës, i dhënë nëpërmjet mëshirës bujare dhe dashurisë së Jezu Krishtit … për të bërë vepra të mira që [ne] përndryshe nuk do të ishim në gjendje t’i vazhdonim nëse do të liheshim të mbështeteshim vetëm në fuqinë [tonë] vetjake”. Për shkak se pendimi në të vërtetë ka të bëjë me të bërit si Shpëtimtari, gjë e cila është e pamundur [ta arrijmë] të vetëm, neve dëshpërueshëm na nevojitet hiri i Shpëtimtarit në mënyrë që të bëjmë ndryshimet e nevojshme në jetën tonë.

Ndërsa pendohemi, ne i zëvendësojmë sjelljet tona të mëparshme, të padrejta, dobësitë, papërsosuritë dhe druajtjet tona me sjellje dhe bindje të reja që na afrojnë më pranë Shpëtimtarit dhe na ndihmojnë të bëhemi si Ai.

Së treti, pagëzimi dhe sakramenti. Profeti Mormoni dha mësim se “fryti i parë i pendimit është pagëzimi”. Për të qenë i plotë, pendimi duhet bashkuar me ordinancën e pagëzimit, të administruar nga një person që mban autoritetin e priftërisë të Perëndisë. Për anëtarët e Kishës, besëlidhjet e bëra në pagëzim dhe në raste të tjera përtërihen kur ne marrim sakramentin.

Në ordinancat e pagëzimit dhe sakramentit, ne besëlidhemi të mbajmë urdhërimet e Atit dhe Birit, ta kujtojmë përherë Krishtin dhe të jemi të gatshëm të marrim emrin e Krishtit (apo punën dhe cilësitë e Tij) mbi vete. Shpëtimtari, në këmbim, besëlidhet të na falë apo heqë mëkatet tona dhe “të derdhë mbi [ne] Shpirtin e tij më me shumicë”. Krishti gjithashtu premton të na përgatitë për jetën e përjetshme duke na ndihmuar të bëhemi si Ai.

Daglas D. Holms, Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve, ka shkruar: “Ordinancat e pagëzimit dhe sakramentit simbolizojnë edhe rezultatin përfundimtar edhe procesin e të lindurit rishtas. Në pagëzim, ne varrosim njeriun e mëparshëm të mishit dhe dalim në një risi të jetës. Në sakrament, ne mësojmë se ky ndryshim është një proces hap pas hapi, [ku] pak nga pak, java javës, ne transformohemi teksa pendohemi, bëjmë besëlidhje dhe, nëpërmjet dhurimeve të shtuara të Shpirtit, [bëhemi si Shpëtimtari].”

Ordinancat dhe besëlidhjet janë thelbësore brenda doktrinës së Krishtit. Është nëpërmjet marrjes denjësisht të ordinancave të priftërisë dhe mbajtjes së besëlidhjeve të lidhura [me to] që fuqia e perëndishmërisë manifestohet në jetën tonë. Plaku D. Tod Kristoferson shpjegoi se “kjo ‘fuqi e perëndishmërisë’ vjen tek personi dhe nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë”.

Së katërti, dhurata e Frymës së Shenjtë. Pas pagëzimit neve na jepet dhurata e Frymës së Shenjtë përmes ordinancës së konfirmimit. Kjo dhuratë, në qoftë se ne e marrim atë, na lejon të kemi shoqërimin e vazhdueshëm të një Perëndie dhe një qasje të vazhdueshme ndaj hirit që vjen pandashmërisht me ndikimin e Tij.

Si shoqëruesi ynë i vazhdueshëm, Fryma e Shenjtë na jep fuqi e forcë të mëtejshme për të mbajtur besëlidhjet tona. Ai gjithashtu na shenjtëron neve, që do të thotë se na bën të “çlir[uar] nga mëkati, [të] dëlirë, [të] pastër dhe [të] shenjtë nëpërmjet shlyerjes së Jezu Krishtit”. Procesi i shenjtërimit jo vetëm që na pastron, por ai gjithashtu na dhuron dhuntitë e nevojshme shpirtërore apo cilësitë hyjnore të Shpëtimtarit dhe ndryshon vetë natyrën tonë, në mënyrë të tillë “që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq”. Sa herë e marrim Frymën e Shenjtë në jetën tonë nëpërmjet besimit, pendimit, ordinancave, shërbimit si të Krishtit dhe përpjekjeve të tjera të drejta, ne ndryshohemi derisa hap pas hapi, pak nga pak ne bëhemi si Krishti.

Së pesti, durimi deri në fund. Profeti Nefi dha mësim se, pas marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, ne duhet të “duro[jmë] deri në fund, duke ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë”. Plaku Dejll G. Renland e përshkroi procesin e durimit deri në fund si vijon: “Ne mund të përsosemi … [kur] vazhdimisht dhe përherë … ushtr[ojmë] besim në [Krisht], [pendohemi], [marrim] sakramentin për të përtërirë besëlidhjet dhe bekimet e pagëzimit dhe [marrim] Frymën e Shenjtë si një shoqërues të vazhdueshëm në një shkallë më të madhe. Ndërsa bëjmë kështu, ne bëhemi më shumë si Krishti dhe [jemi në gjendje të] durojmë deri në fund, [me gjithçka që ajo përfshin në vetvete].”

Me fjalë të tjera, marrja e Frymës së Shenjtë dhe ndryshimi që ajo marrje shkakton në ne, e ngre më tej besimin tonë. Besimi i shtuar çon në pendim të mëtejshëm. Ndërsa ne atëherë, në mënyrë simbolike i sakrifikojmë zemrat tona dhe mëkatet tona mbi altarin e sakramentit, ne e marrim Frymën e Shenjtë në një shkallë më të madhe. Marrja e Frymës së Shenjtë në një shkallë më të madhe na çon më tej nëpër shtegun e lindjes rishtas. Ndërsa vazhdojmë në këtë proces dhe marrim të gjitha ordinancat shpëtuese dhe besëlidhjet e ungjillit, ne marrim “hir pas hiri” derisa marrim një plotësi.

Ne Duhet ta Zbatojmë Doktrinën e Krishtit në Jetën Tonë

Vëllezër dhe motra, kur e zbatojmë doktrinën e Krishtit në jetën tonë, ne bekohemi si nga ana tokësore dhe shpirtërore, edhe në sprova. Përfundimisht, ne jemi në gjendje të “mbështet[emi] në çdo gjë të mirë”. Unë dëshmoj se ky proces ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në vetë jetën time, hap pas hapi, pak nga pak.

Por më me rëndësi, ne duhet ta zbatojmë doktrinën e Krishtit në jetën tonë pasi ajo siguron të vetmin shteg kthimi për tek Ati ynë Qiellor. Ajo është e vetmja mënyrë për ta pranuar Shpëtimtarin dhe për t’u bërë bijtë dhe bijat e Tij. Në fakt, e vetmja mënyrë për t’u shëlbuar nga mëkati dhe për të përparuar shpirtërisht është që ta zbatojmë doktrinën e Krishtit në jetën tonë. Në të kundërt, Apostulli Gjon dha mësim se “kushdo që … nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi”. Dhe Jezusi Vetë u tha Të Dymbëdhjetëve nefitë se, nëse nuk arrijmë të ushtrojmë besim në Krisht, të pendohemi, të pagëzohemi dhe të durojmë deri në fund, ne do të “kosite[mi] dhe hidhe[mi] në zjarr … prej nga nuk kthehe[mi] më”.

Kështu që, si mund ta zbatojmë më plotësisht doktrinën e Krishtit në jetën tonë? Një mënyrë do të ishte që të bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme çdo javë për t’u përgatitur për sakramentin duke i kushtuar pak kohë marrjes parasysh plot lutje [të fushës] ku na nevojitet më së tepërmi të përmirësohemi. Atëherë ne mund të sjellim në altarin e sakramentit sakrificën e të paktën një gjëje që na pengon të jemi si Jezu Krishti, duke u përgjëruar me besim për ndihmë, duke kërkuar dhuratat e nevojshme shpirtërore dhe duke bërë besëlidhje për t’u përmirësuar gjatë javës vijuese. Ndërsa veprojmë kështu, Fryma e Shenjtë do të vijë në jetën tonë në një shkallë më të madhe dhe ne do të kemi forcë shtesë për të kapërcyer papërsosuritë tona.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës dhe se i Tiji është i vetmi emër me anë të të cilit ne mund të shpëtohemi. Të gjitha gjërat që janë të mira, janë bërë të mundshme vetëm nëpërmjet Tij. Por, që me të vërtetë të “mbështet[emi] në çdo gjë të mirë”, përfshirë jetën e përjetshme, ne duhet ta zbatojmë vazhdimisht doktrinën e Krishtit në jetën tonë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.