Jini Ambiciozë për Krishtin
Ne jemi ambiciozë për Krishtin kur shërbejmë me besnikëri, pranojmë me përulësi, durojmë me fisnikëri, lutemi me zjarr dhe e marrim sakramentin denjësisht.
Vëllezërit e motrat e mia të dashura, sot do të doja t’u flisja të rinjve të Kishës, përfshirë misionarët tanë të mrekullueshëm. Sigurisht, vëllezërit dhe motrat që janë të rinj në zemër ftohen përzemërsisht që të dëgjojnë.
21 gushtin e shkuar, Presidenti Rasëll M. Nelson, përkushtoi Tempullin e bukur të Saporos – tempulli i tretë në Japoni. Tempulli i Saporos është ndërtuar në Japoninë veriore, në një vend të quajtur Hokaido. Ashtu si Juta, Hokaido u ngrit nga pionierë të zellshëm e punëtorë.
Në vitin 1876, një mësues i njohur, i quajtur Dr. Uilliam Klark, u ftua që të vinte në Hokaido për të dhënë mësim. Ai jetoi në Japoni vetëm për tetë muaj, por fryma e tij e krishterë la një mbresë të zgjatur te studentët e tij të rinj, jo të krishterë. Përpara se të largohej, ai u dha studentëve një mesazh lamtumire që është bërë i pavdekshëm në këtë statujë bronzi. Ai tha: “Djema, jini ambiciozë!” – “Jini ambiciozë për Krishtin!” Porosia e tij për të “[qenë] ambiciozë për Krishtin” mund të ndihmojë për të marrë vendimet e përditshme të shenjtorëve të sotëm të ditëve të mëvonshme.
Çfarë do të thotë të “j[emi] ambiciozë për Krishtin”? Të jemi ambiciozë për Krishtin do të thotë të jemi me shtysë, i përqendruar e i përkushtuar ndaj punës së Tij. Të jemi ambiciozë për Krishtin, rrallëherë do të thotë që ne do të përzgjidhemi për nderime publike. Të jemi ambiciozë për Krishtin do të thotë që ne shërbejmë me besnikëri dhe zell në lagjet e degët tona pa u ankuar dhe me zemra plot gëzim.
Misionarët tanë që po shërbejnë nëpër botë, janë shembuj të bukur të atyre që janë me të vërtetë ambiciozë për Krishtin. Pak vite më parë, motra Jamashita dhe unë, shërbyem në Misionin e Nagojës në Japoni. Misionarët tanë ishin tepër ambiciozë për Krishtin. Njëri nga ata misionarë ishte një i ri i quajtur Plaku Kouan.
Plaku Kouan nuk e kishte këmbën e djathtë për shkak të një aksidenti me biçikletë në vegjëli. Pak javë pasi erdhi në mision, shoku i tij i misionit më mori në telefon. Proteza e këmbës së Plakut Kouan qe thyer ndërkohë që i jepte biçikletës. Ne e çuam atë në një godinë të mirë riparimi dhe atje, në një dhomë të veçuar, ia pashë këmbën për herë të parë. E kuptova sa dhembje kishte hequr. Proteza e këmbës së tij u riparua dhe ai u kthye në zonën e tij.
Sidoqoftë, ndërsa javët kalonin, proteza vazhdonte të thyhej herë pas here. Këshilluesi mjekësor i zonës rekomandoi që Plaku Kouan të kthehej në shtëpi për një ricaktim të mundshëm për mision tjetër. E kundërshtova këtë këshillë sepse Plaku Kouan ishte një misionar i shkëlqyer dhe kishte një dëshirë të fortë për të qëndruar në Japoni. Megjithatë, pak e nga pak Plaku Kouan filloi t’i afrohej kufirit të tij fizik. Pavarësisht nga kjo, ai nuk murmuriste apo ankohej.
Përsëri u këshillova që Plaku Kouan të lejohej të shërbente në një vend ku nuk kërkohej që ai të ngiste biçikletën. E përsiata këtë situatë. Mendova rreth Plakut Kouan dhe të ardhmes së tij, dhe u luta rreth çështjes. Ndjeva përshtypjen se, po, Plaku Kouan duhej të kthehej në shtëpi dhe të priste ricaktimin. E mora në telefon dhe i shpreha dashurinë dhe shqetësimin tim për të dhe i tregova për vendimin tim. Ai nuk dha asnjë përgjigje. Mundesha vetëm ta dëgjoja duke qarë në anën tjetër të telefonit. I thashë: “Plaku Kouan, nuk ke pse të më përgjigjesh pikërisht tani. Do të të marr në telefon nesër. Të lutem, merre parasysh rekomandimin tim me lutje të sinqertë.”
Kur e mora në telefon mëngjesin tjetër, ai tha me përulësi se do ta ndiqte këshillën time.
Gjatë intervistës sime të fundit me të, i bëra këtë pyetje: “Plaku Kouan, a kërkove në kërkesën tënde si misionar që të dërgoheshe në një mision ku nuk do të të duhej të ngisje një biçikletë?”
Ai tha: “Po, President, atë kërkova”.
Iu përgjigja: “Plaku Kouan, ti u thirre në Misionin e Nagojës në Japoni ku do të të duhej të ngisje një biçikletë. A ia the këtë presidentit tënd të kunjit?”
U befasova nga përgjigjja e tij. Ai tha: “Jo, nuk e bëra. Vendosa që nëse atje ishte vendi ku më thirri Zoti, do të shkoja në palestër dhe ta stërvitja trupin tim që të ishte në gjendje ta ngiste biçikletën”.
Në mbyllje të intervistës sonë, ai më bëri këtë pyetje me lot në sy: “President Jamashita, pse erdha në Japoni? Përse jam këtu?”
Iu përgjigja pa ngurrim: “Plaku Kouan, unë e di një arsye pse ti erdhe këtu. Ti erdhe këtu për dobinë time. Unë kam arritur ta kuptoj se me ç’të ri të shkëlqyer kam qenë duke shërbyer. Jam i bekuar që të njoh.”
Jam i lumtur të raportoj se Plaku Kouan u kthye në shtëpinë e tij të dashur dhe u ricaktua që të shërbente në një mision ku mund të përdorte makinën për të udhëtuar. Jam krenar, jo vetëm për Plakun Kouan, por për të gjithë misionarët në mbarë botën që shërbejnë me gatishmëri pa murmuritje apo ankesë. Ju faleminderit, pleq e motra për besimin tuaj, përqendrimin tuaj dhe ambicien tuaj të fortë për Krishtin.
Libri i Mormonit përmban shumë tregime për ata që qenë ambiciozë për Krishtin. Alma i Riu, kur ishte i ri, e përndoqi Kishën dhe anëtarët e saj. Ai më vonë kaloi një ndryshim rrënjësor të zemrës dhe shërbeu si një misionar i fuqishëm. Ai kërkoi drejtimin e Zotit dhe i bekoi shokët e tij të misionit ndërsa shërbente me ta. Zoti e forcoi atë dhe ai i kapërceu sprovat me të cilat u përball.
Ky Alma i dha të birit, Helamanit, këshillën vijuese:
“Kushdo që vë besimin e tij në Perëndi, do të përkrahet në sprovat e tij dhe në vështirësitë e tij dhe në mjerimet e tij. …
… Zbato[ji] urdhërimet e Perëndisë.
Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë.”
Djali ynë i dytë e jetoi pjesën më të madhe të rinisë së tij larg Kishës. Kur mbushi 20 vjeç, pati një përvojë që e bëri të dëshironte ta ndryshonte jetën e vet. Me dashuri, lutje dhe ndihmë nga familja e tij dhe anëtarët e Kishës, dhe përfundimisht nëpërmjet dhembshurisë e hirit të Zotit, ai u rikthye në Kishë.
Më vonë u thirr të shërbente në Misionin e Siatëllit në Uashington. Fillimisht ai përjetoi shkurajim të madh. Çdo natë, gjatë tre muajve të parë, ai shkonte në banjë dhe qante. Si Plaku Kouan, ai kërkonte të kuptonte: “Përse jam këtu?”
Pasi shërbeu për një vit, ne morëm një mesazh elektronik që ishte një përgjigje për lutjet tona. Ai shkroi: “Pikërisht tani unë mund ta ndiej njëmend dashurinë e Perëndisë dhe të Jezusit. Do të punoj fort që të bëhem si profetët e lashtësisë. Ndonëse po përjetoj edhe shumë vështirësi, jam vërtet i lumtur. Ku ka gjë më të mirë sesa t’i shërbej vërtet Jezusit! Nuk ka asgjë më të mrekullueshme se kjo. Jam kaq i lumtur!”
Ai u ndje si Alma: “Dhe oh, çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme pashë; po, shpirti im më ishte mbushur me një gëzim po aq të madh, sa kishte qenë dhembja ime!”
Në jetën tonë, ne përjetojmë sprova, por nëse jemi ambiciozë për Krishtin, ne mund të përqendrohemi tek Ai e të ndiejmë gëzim, madje në mes të sprovave. Shëlbuesi ynë është shembulli ideal. Ai e kuptoi misionin e Tij të shenjtë dhe qe i bindur ndaj vullnetit të Perëndisë, Atit. Çfarë bekimi i zgjedhur është ta sjellim ndër mend shembullin e Tij të mrekullueshëm çdo javë ndërsa marrim sakramentin!
Vëllezërit e motrat e mia të dashura, ne jemi ambiciozë për Krishtin kur shërbejmë me besnikëri, pranojmë me përulësi, durojmë me fisnikëri, lutemi me zjarr dhe e marrim sakramentin denjësisht.
Qofshim ambiciozë për Krishtin teksa i pranojmë vështirësitë dhe sprovat tona me durim e besim dhe gjejmë gëzim në shtegun tonë të besëlidhjes!
Unë dëshmoj se Zoti ju njeh. Ai i di mundimet dhe shqetësimet tuaja. Ai i di dëshirat tuaja për t’i shërbyer Atij me përkushtim dhe, po, madje ambicie. Ju udhërrëfeftë dhe ju bekoftë Ai teksa e bëni këtë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.