2010–2019
Ndarja e Ungjillit të Rivendosur
Tetor 2016


16:1

Ndarja e Ungjillit të Rivendosur

Ajo që ne e quajmë “punë misionare e anëtarit” nuk është program por një qëndrim dashurie për të ndihmuar ata që janë përreth nesh.

I.

Kur po afronte mbarimin e shërbesës së Tij tokësore Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, urdhëroi dishepujt Tij: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt” (Mateu 28:19) dhe “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15). Të gjithë të krishterët janë nën këto urdhërime për të ndarë ungjillin me cilindo. Shumë e quajnë këtë “porosia e madhe”.

Shpëtimtari na mëson të duam

Siç e përshkroi Plaku Nil Andersen në sesionin e mëngjesit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë sigurisht midis më të zotuarve në këtë përgjegjësi të madhe. Duhet të jemi kështu sepse e dimë që Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe se në këto ditë të fundit Ai ka rivendosur njohuri dhe fuqi jetike shtesë për t’i bekuar të gjithë ata. Shpëtimtari na mësoi t’i duam të gjithë si vëllezërit dhe motrat tona dhe ne e nderojmë këtë mësim duke ndarë dëshminë dhe mesazhin e ungjillit të rivendosur “ mes gjithë kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve” (DeB 112:1). Kjo është pjesë jetike e asaj se çdo do të thotë të jesh një shenjtor i ditëve të mëvonshme. Ne e shohim këtë si një privilegj të gëzueshëm. Çfarë mund të jetë më e gëzueshme sesa t’u tregosh të vërtetat e përjetshme fëmijëve të Perëndisë?

Sot ne kemi shumë burime për të ndarë ungjillin që nuk ishin të disponueshme për brezat më të hershëm. Ne kemi televizion, internet dhe kanale mediesh shoqërore. Ne kemi shumë mesazhe të vlefshme për të paraqitur ungjillin e rivendosur. Ne kemi emrin e mirë të Kishës në shumë kombe. Ne kemi një numër shumë të rritur misionarësh. Por a po i përdorim të gjitha këto burime me efektshmëri maksimale? Unë besoj se shumë nga ne do të thoshin jo. Ne duam të jemi më të efektshëm në përmbushjen e përgjegjësisë sonë të caktuar në mënyrë hyjnore për të shpallur ungjillin e rivendosur në të gjithë botën.

Ka shumë ide të mira për ndarjen e ungjillit që do të japin rezultate në kunje dhe vende të veçanta. Sidoqoftë, ngaqë jemi një Kishë mbarëbotërore, unë dëshiroj të flas për ide që do të japin rezultate kudo, nga njësitë më të reja deri te më të stabilizuarat, nga kultura që tani janë pranuese të ungjillit të Jezu Krishtit deri te kultura dhe kombe që janë shumë armiqësore ndaj fesë. Ne duam të flasim për ide që ju mund t’i ndani me persona që janë besimtarë të zotuar në Jezu Krisht si dhe me persona që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Tij, me persona që janë të kënaqur me jetën e tyre aktuale si dhe me persona që po kërkojnë dëshpërimisht ta përmirësojnë veten.

Ç’ mund të them që do të jetë e dobishme kur ndani ungjillin, pavarësisht nga rrethanat tuaja? Ne na duhet ndihma e çdo anëtari dhe çdo anëtar mund të ndihmojë, përderisa ka shumë detyra për të kryer ndërsa ndajmë ungjillin e rivendosur në secilin komb, fis, gjuhë dhe popull.

Presidenti Monson i nxit anëtarët dhe misionarët të punojnë së bashku

Ne të gjithë e dimë se pjesëmarrja e anëtarëve në punë misionare është jetike për të arritur si kthimin në besim edhe mbajtjen. Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të bashkohen së bashku … [dhe] të mundohen në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij. Ai ka përgatitur mjetet që ne ta ndajmë ungjillin në një mori mënyrash dhe Ai do të na ndihmojë në punët tona, nëse ne do të veprojmë me besim për ta përmbushur punën e Tij”.

Puna misionare nuk është thjesht një çelës

Ndarja e ungjillit të rivendosur është detyra dhe privilegji ynë i krishterë gjithë jetën. Plakup Kuentin L. Kuk na kujton: “Puna misionare nuk është thjesht një aspekt i ungjillit ku përqendrohemi me raste; ai është një aspekt thelbësor në një çështje detyruese që duhet trajtuar vazhdimisht gjatë gjithë jetës sonë nëse duam të jemi në harmoni me zotimin tonë ndaj krishterimit dhe ungjillit të Jezu Krishtit”.

II.

Ka tre gjëra që të gjithë anëtarët mund t’i bëjnë për të ndihmuar në ndarjen e ungjillit, pavarësisht rrethanave në të cilat jetojnë dhe punojnë. Të gjithë ne duhet t’i bëjmë të gjitha këto.

Së pari, ne mund të lutemi të gjithë për dëshirën që të ndihmojmë me këtë pjesë jetike të punës për shpëtim. Të gjitha përpjekjet fillojnë me dëshirë.

Së dyti, ne mund t’i mbajmë urdhërimet vetë. Anëtarët besnikë, të bindur janë dëshmitarët më bindës të së vërtetës dhe vlerës së ungjillit të rivendosur. Edhe më e rëndësishme, anëtarët besnikë do të kenë gjithmonë Shpirtin e Shpëtimtarit me ta që t’i udhëzojë ndërsa përpiqen të marrin pjesë në punën e madhe të ndarjes së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Së treti, ne mund të lutemi për frymëzim mbi atë që ne mund të bëjmë në rrethanat vetjake për të ndarë ungjillin me të tjerët. Kjo është e ndryshme nga të luturit për misionarët apo të luturit për atë që të tjerët mund të bëjnë. Ne duhet të lutemi për atë që ne mund të bëjmë personalisht. Kur lutemi, ne duhet të kujtojmë që lutjet për këtë lloj frymëzimi do të marrin përgjigje nëse shoqërohen nga një zotim – ajo që shkrimet e shenjta e quajnë “synim i vërtetë” ose “qëllim i plotë i zemrës”. Lutuni me zotim për të vepruar sipas frymëzimit që merrni, duke i premtuar Zotit se nëse Ai do t’ju frymëzojë t’i flitni dikujt mbi ungjillin, ju do ta bëni këtë.

Neve na duhet udhëzimi i Zotit sepse në çfarëdo kohe të veçantë disa janë – dhe disa nuk janë – të gatshëm për të vërtetat shtesë të ungjillit të rivendosur. Ne nuk duhet kurrë ta vëmë veten si gjykatës të atij që është dhe atij që nuk është gati. Zoti i njeh zemrat e të gjithë fëmijëve të Tij dhe nëse lutemi për frymëzim, Ai do të na ndihmojë të gjejmë persona që Ai i di “se [janë] të përgatitur të dëgjo[jnë] fjalën” (Alma 32:6).

Si Apostull i Zotit, unë nxis çdo anëtar dhe familje në Kishë që t’i luten Zotit që t’i ndihmojë të gjejnë persona të përgatitur për të marrë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Plaku M. Rasëll Ballard ka dhënë këtë këshillë të rëndësishme me të cilën unë bie dakord: “Mirëbesoji Zotit. Ai është Bariu i Mirë. Ai i njeh delet e Tij. … Dhe nëse nuk jemi të përfshirë, shumë njerëz që do t’ia vinin veshin mesazhit të Rivendosjes do të anashkalohen. … Parimet janë shumë të thjeshta – lutuni, më vete dhe në familjen tuaj, për mundësi misionare”. Ndërsa ne e shfaqim besimin tonë këto mundësi do të vijnë pa ndonjë “përgjigje të detyruar apo … të sajuar. Ato do të rrjedhin si pasojë normale e dashurisë sonë për vëllezërit dhe motrat tona”.

E di që kjo është e vërtetë. Unë shtoj premtimin tim se me besim në ndihmën e Zotit, ne do të jemi të udhëzuar, të frymëzuar dhe do të gjejmë gëzim të madh në këtë punë përjetësisht të rëndësishme dashurie. Ne do të arrijmë ta kuptojmë se suksesi në ndarjen e ungjillit është të ftuarit me dashuri dhe synim të vërtetë për njerëzit për t’i ndihmuar ata, pavarësisht nga përgjigja e tyre.

III.

Këtu janë disa gjëra të tjera që mund të bëjmë për ta ndarë ungjillin me efektshmëri:

Shoqërimi i anëtarëve
Vizitimi i anëtarëve
Shoferi i taksisë në Lojërat Olimpike në Brazil
  1. Ne duhet të kujtojmë se “njerëzit mësojnë kur ata janë të gatshëm të mësojnë, jo kur ne jemi të gatshëm t’i mësojmë ata”. Ajo për të cilën ne jemi të interesuar, si mësimet e rëndësishme doktrinore shtesë në Kishën e rivendosur, zakonisht nuk është ajo për të cilën janë të interesuar të tjerët. Të tjerët zakonisht duan rezultatet e doktrinës, jo doktrinën. Ndërsa vëzhgojnë ose përjetojnë efektet e ungjillit të Jezu Krishtit në jetën tonë, ata ndiejnë Shpirtin dhe fillojnë të interesohen për doktrinën. Ata mund të interesohen gjithashtu kur po kërkojnë më shumë lumturi, afërsi me Perëndinë, ose kuptim më të mirë mbi qëllimin e jetës. Prandaj, ne duhet me kujdes dhe plot lutje të kërkojmë për mprehtësi për të kërkuar mbi interesin e të tjerëve për të mësuar më shumë. Kjo do të varet nga faktorë të ndryshëm, të tillë si rrethanat aktuale të një personi tjetër dhe marrëdhëniet tona me të. Kjo është një temë e mirë për ta diskutuar në këshilla, kuorume dhe Shoqata Ndihme.

  2. Ndërsa u flasim të tjerëve, ne duhet të kujtojmë se një ftesë për të mësuar më shumë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij është më e parapëlqyer sesa një ftesë për të mësuar më shumë rreth Kishës sonë Ne duam që njerëzit të kthehen në besim te ungjilli. Ai është roli i madh i Librit të Mormonit. Ndjenjat rreth Kishës vijnë pas kthimit në besim te Jezu Krishti; ato nuk i paraprijnë atij. Shumë që janë dyshues për kishat gjithsesi kanë dashuri për Shpëtimtarin. Vendosni të parat gjërat e para.

  3. Kur kërkojmë t’u paraqesim njerëzve ungjillin e rivendosur, ne duhet ta bëjmë këtë me mënyra të sinqerta e dashuri të vërtetë për individin. Kjo ndodh kur përpiqemi t’i ndihmojmë të tjerët në problemet që kanë ndeshur apo kur po punojmë me ta në veprimtari shërbimi komunitar, të tilla si lehtësim të vuajtjes, kujdesie për të varfrit dhe nevojtarët, ose rritje të cilësisë së jetës për të tjerët.

  4. Përpjekjet tona për të ndarë ungjillin nuk duhet të kufizohen te rrethi i miqve dhe shokëve tanë. Gjatë lojërave olimpike ne mësuam për një shofer taksie SHDM në Rio-de-Zhanejro që mbante kopje të Librit të Mormonit në shtatë gjuhë të ndryshme dhe i jepte një kujtdo që e pranonte. Ai e quante veten “shofer taksie misionar”. Ai tha: “Rrugët e Rio-de-Zhaneiros … janë fusha [ime] e misionit”.

    Klejton M. Kristensen, që ka një përvojë mbresëlënëse si anëtar misionar, thotë: “Gjatë njëzetë viteve të fundit, ne nuk kemi vërejtur lidhje midis thellësisë së një marrëdhënieje dhe mundësisë se një person të do bëhet i interesuar për të mësuar rreth ungjillit”.

  5. Peshkopata e lagjes mund të planifikojë një mbledhje të veçantë sakramenti në të cilën anëtarët nxiten të sjellin persona të interesuar. Anëtarët e lagjes do të jenë më pak ngurrues që të sjellin të njohurit e tyre në një mbledhje të tillë, pasi do të jenë më të sigurt se përmbajtja e mbledhjes do të jetë planifikuar mirë për të ngjallur interes e për ta paraqitur Kishën mirë.

  6. Ka shumë mundësi të tjera për ta ndarë ungjillin. Për shembull, pikërisht kësaj vere mora një letër të lumtur nga një anëtare që mësoi rreth ungjillit të rivendosur kur një ish shok klase i telefonoi për ta pyetur mbi sëmundjen që po kalonte. Ajo shkroi: “Më tërhoqi mënyra se si e prezantoi veten tek unë. Pas disa muajsh mësimi nga misionarët, unë u pagëzova. Jeta ime u përmirësua qysh atëherë”. Ne të gjithë njohim shumë jeta e të cilëve do të përmirësohej nga ungjilli i rivendosur. A po shkojmë tek ata?

  7. Tërheqja dhe mjeshtëria e anëtarëve tanë të rinj në mediet sociale u jep mundësi unike për të arritur t’i bëjnë të tjerët të interesohen për ungjillin. Duke përshkruar paraqitjen e Shpëtimtarit te nefitët, Mormoni shkruan: “Ai i mësoi dhe u shërbeu fëmijëve … dhe ai i zgjidhi gjuhët e tyre … kështu që ata të mund të shpreheshin” (3 Nefi 26:14). Sot mendoj se do të thoshim: “[u] zgjidhi [gishtat] që ata të mund të shpreheshin.” Le të veprojë rinia!

Ndarja e ungjillit nëpërmjet mesazheve me shkrim

Ndarja e ungjillit nuk është barrë por gëzim. Ajo që ne e quajmë “punë misionare e anëtarit” nuk është program por një qëndrim dashurie për të ndihmuar ata që janë përreth nesh. Ajo është gjithashtu një mundësi për të dëshmuar se çfarë ndiejmë për ungjillin e rivendosur të Shpëtimtarit tonë. Sikurse na ka mësuar Plaku Ballard. “Një fakt shumë i rëndësishëm i kthimit tonë në besim dhe i asaj se si ndihemi rreth ungjillit në jetën tonë është gatishmëria jonë për ta ndarë ungjillin me të tjerët”.

Unë dëshmoj për Jezu Krishtin, që është drita dhe jeta e botës (shih 3 Nefi 11:11). Ungjilli i Tij i rivendosur ndriçon udhën tonë në vdekshmëri. Shlyerja e Tij na jep sigurinë për jetën pas vdekjes dhe forcën për të ecur drejt pavdekësisë. Shlyerja e Tij na jep mundësinë për t’u falur nga mëkatet tona dhe, sipas planit të lavdishëm të Perëndisë për shpëtimin, të kualifikohemi për jetën e përjetshme, “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (DeB14:7). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Thomas S. Monson, “Welcome to Conference /Mirësevini në Konferencë”,” Liahona, nëntor 2013, f. 4.

  2. Quentin L. Cook, “How to Be a Member Missionary,” New Era, shkurt 2015, f. 48.

  3. M. Russell Ballard, “Kini Besim te Zoti,” Liahona, nëntor 2013, f. 44.

  4. M. Russell Ballard, “Kini Besim te Zoti,” f. 44.

  5. Clayton M. Christensen, The Power of Everyday Missionaries (2012), f. 30.

  6. Shih Christensen, Power of Everyday Missionaries, f. 26–27.

  7. Shih Gary C. Lawrence, How Americans View Mormonism: Seven Steps to Improve Our Image (2008), f. 34–35.

  8. Shih Ashley Kewish, “Cab Driver Hands Out Copies of the Book of Mormon to Rio Visitors,” 8 gusht 2016, ksl.com.

  9. Christensen, Power of Everyday Missionaries, f. 21.

  10. Personal letter, 21 gusht 2016.

  11. M. Russell Ballard, “Now Is the Time / Tani Është Koha,” Liahona, janar 2001, f. 89.