2010–2019
Në Mënyrë që të mos Harroni
Tetor 2016


15:52

Në Mënyrë që të Mos Harroni

Ju nxit që të sillni ndër mend, veçanërisht në kohë krizash, kohën kur ju e ndiet Shpirtin dhe dëshmia juaj ishte e fortë; kujtoni themelet shpirtërore që keni ndërtuar.

Mirëdita, të dashur vëllezër dhe motra. Sa shumë jemi bekuar gjatë kësaj konference! Viti im i parë, si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka qenë shumë përulës. Ka qenë një vit tendosjeje, rritjeje dhe përgjërimesh tepër të zellshme e të vazhdueshme drejtuar Atit tim në Qiell. I kam ndier lutjet përkrahëse të familjes, miqve dhe anëtarëve të Kishës kudo në mbarë globin. Ju faleminderit për mendimet dhe lutjet tuaja.

Kam pasur gjithashtu privilegjin që të takoj miq të dashur, disa që i kam prej shumë kohësh dhe shumë që i kam njohur së fundi. Ndodhi pas takimit me një mik të dashur, të cilin e kam njohur dhe e kam dashur prej shumë vitesh, kur ndjeva përshtypjen të përgatis fjalët e mia për sot.

Kur u takuam, miku im më tha në mirëbesim se ai po haste vështirësi. Ai ndiente se po përjetonte, për ta thënë me fjalët e tij, një “krizë besimi” dhe kërkoi këshillën time. U ndjeva mirënjohës që ai ndau ndjenjat e shqetësimet e tij me mua.

Ai shprehu një mall të madh për atë që kishte ndier dikur shpirtërisht dhe që tani mendonte se po e humbte. Teksa po fliste, e dëgjova me kujdes dhe u luta me zell që të dija se çfarë donte Zoti që të thoshja unë.

Miku im, ndoshta si disa prej jush, bëri pyetjen që shprehet kaq fuqishëm në këngën e Fillores: “O Atë Qiellor, a je vërtet Ti atje?” Për ata prej jush që mund të jenë duke bërë po këtë pyetje, do të doja të ndaja me ju këshillën që do t’i jepja mikut tim, dhe shpresoj që secili prej jush të mund ta gjejë besimin e tij të forcuar dhe vendosmërinë e tij të përtërirë për të qenë një dishepull i zotuar i Jezu Krishtit.

Po e filloj duke të kujtuar se ti je një bir apo bijë e një Ati të dashur në Qiell dhe se dashuria e Tij mbetet e pandryshuar. E di se ndjenja të tilla qetësuese të dashurisë janë të vështira për t’u sjellë ndër mend kur je në mes të vështirësive apo sprovave vetjake, zhgënjimeve apo ëndrrave të thyera.

Jezu Krishti i njeh vështirësitë dhe sprovat e ashpra. Ai dha jetën e Tij për ne. Orët e Tij të fundit qenë mizore, madje përtej çfarëdo gjëje që ne mund të kuptojmë, por sakrifica e Tij për secilin prej nesh ishte shprehja më e lartë e dashurisë së Tij të pastër.

Asnjë gabim, mëkat apo zgjedhje nuk do ta ndryshojë dashurinë e Perëndisë për ne. Kjo nuk do të thotë se sjellja mëkatare shfajësohet, as nuk e heq detyrimin tonë për t’u penduar kur kryhen mëkate. Por mos harroni, Ati Qiellor e njeh dhe e do secilin prej jush dhe Ai është gjithmonë gati për të ndihmuar.

Teksa përsiata për gjendjen e mikut tim, reflektova në mendjen time mbi urtësinë e madhe që gjendet në Librin e Mormonit: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”.

Unë dëshmoj se “humner[a] e mjerimit dhe [e] vuajtjes së pafund” është një vend ku askush nuk dëshiron të jetë. Dhe miku im ndihej se ndodhej në zgrip.

Kur kam këshilluar individë, të tillë si miku im, kam shqyrtuar vendimet e tyre, të marra përgjatë viteve, të cilat i bënë t’i harrojnë përvojat e shenjta, të ligështohen dhe të dyshojnë. I nxita ata, siç po ju nxit juve tani, që të sillni ndër mend, veçanërisht në kohë krizash, kohën kur ju e ndiet Shpirtin dhe dëshmia juaj ishte e fortë; kujtoni themelet shpirtërore që keni ndërtuar. Ju premtoj që, nëse do ta bëni këtë, duke shmangur gjërat që nuk e ndërtojnë ose forcojnë dëshminë tuaj apo që përqeshin besimet tuaja, ato kohë të çmuara kur dëshmia juaj lulëzonte, do t’ju kthehen sërish në kujtesë përmes lutjes së përulur dhe agjërimit. Ju siguroj se ju do të ndieni edhe një herë sigurinë dhe ngrohtësinë e ungjillit të Jezu Krishtit.

Secili prej nesh, së pari duhet të forcojë veten shpirtërisht dhe pastaj të forcojmë njerëzit rreth nesh. Përsiatini rregullisht shkrimet e shenjta dhe mbani mend mendimet dhe ndjenjat që përjetoni teksa i lexoni ato. Kërkoni edhe burime të tjera të së vërtetës, por vërjani veshin këtij paralajmërimi nga shkrimet e shenjta: “Por të jenë të mësuar është mirë, nëse ata dëgjojnë këshillat e Perëndisë”. Merrni pjesë në mbledhjet e Kishës, veçanërisht në mbledhjen e sakramentit, dhe merreni sakramentin e përtërijini besëlidhjet, përfshirë premtimin që gjithmonë ta kujtoni Shpëtimtarin, që Shpirti i Tij të mund të jetë gjithmonë me ju.

Pavarësisht se çfarë gabimesh kemi bërë apo se sa të papërsosur ndihemi se jemi, ne gjithmonë mund t’i bekojmë e t’i ngremë shpirtërisht të tjerët. Ndihma ndaj tyre, me shërbim si të Krishtit, mund të na ndihmojë ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë thellë në zemrat tona.

Është e rëndësishme ta kujtojmë këshillën e fuqishme që gjendet te Ligji i Përtërirë: “Tregohuni të zellshëm për shpirtin tuaj, në mënyrë që të mos harroni gjërat që sytë tuaj kanë parë dhe këto të mos largohen nga zemra juaj për të gjitha ditët e jetës suaj. Por ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj.”

Brezat ndikohen nga zgjedhjet që bëjmë. Ndajeni dëshminë tuaj me familjen; nxitini ata të kujtojnë se si u ndien kur e dalluan Shpirtin në jetën e tyre dhe t’i shënojnë ato ndjenja në ditare dhe historitë personale në mënyrë që vetë fjalët e tyre, kur të nevojitet, të mund t’u sjellin në kujtesë se sa i mirë ka qenë Zoti me ta.

Ju do ta sillni në mendje se, një arsye pse Nefi dhe vëllezërit e tij u kthyen në Jerusalem që të siguronin fletët prej tunxhi, të cilat përmbanin historinë e regjistruar të popullit të tyre, ishte që ata të mos ta harronin të shkuarën e tyre.

Gjithashtu, në Librin e Mormonit, Helamani u vuri bijve të tij emrat e “prindërve [të tyre] të parë”, që ata të mos ta harronin mirësinë e Zotit:

“Vini re, bijtë e mi, unë dëshiroj që të mbani mend dhe të zbatoni urdhërimet e Perëndisë. … Vini re, unë ju dhashë emrat e prindërve tanë të parë, që dolën nga toka e Jeruzalemit; dhe këtë gjë e bëra, që kur ju të kujtoni emrat tuaj, të mund të kujtoni ata; dhe kur t’i kujtoni ata, ju mund të kujtoni veprat e tyre; dhe kur t’i kujtoni veprat e tyre, ju mund të dini siç është thënë dhe gjithashtu shkruar, që ato qenë të mira.

Prandaj, bijtë e mi, unë do të doja që ju të bëni atë që është e mirë, që të mund të thuhet dhe gjithashtu të shkruhet për ju, madje ashtu siç u tha dhe u shkrua për ta.”

Shumë njerëz sot kanë të njëjtën traditë që t’u vënë fëmijëve të tyre emra të heronjve nga shkrimet e shenjta apo të paraardhësve besnikë si një mënyrë për t’i nxitur ata që të mos ta harrojnë trashëgiminë e tyre.

Kur u linda, më vunë emrin Ronald A. Rasband. Mbiemri im nderon linjën e origjinës së atit tim. Nistoren e mesit A ma dhanë që të kujtohem të nderoj origjinën daneze Anderson të nënës sime.

Katragjyshi im, Jens Anderson, ishte nga Danimarka. Dhe në vitin 1861, Zoti udhëhoqi dy misionarë mormonë te shtëpia e Jens dhe Ane Kathrin Andersonit, ku misionarët ua paraqitën ungjillin e rivendosur atyre dhe birit të tyre 16-vjeçar, Endriut. Kështu filloi një trashëgimi besimi, përfituesit e së cilës janë familja ime dhe unë. Andersonët e lexuan Librin e Mormonit dhe u pagëzuan pak kohë më vonë. Vitin në vijim, familja Anderson ia vuri veshin thirrjes së një profeti për të kapërcyer Atlantikun që të bashkohej me shenjtorët në Amerikën e Veriut.

Trishtueshëm, Jensi vdiq gjatë udhëtimit nëpër oqean, por bashkëshortja dhe biri i tij vazhduan për në Luginën e Solt-Lejkut, ku mbërritën më 3 shtator 1862. Me gjithë vështirësitë dhe pikëllimet e tyre, besimi i tyre nuk u lëkund kurrë si dhe as besimi i shumë prej pasardhësve të tyre.

Pikturë në zyrën e Plakut Rasband

Në zyrën time varet një pikturë që fikson kaq bukur një kujtues simbolik të atij takimi të parë mes paraardhësve të mi dhe atyre misionarëve të hershëm e të përkushtuar. Unë jam i vendosur që mos ta harroj trashëgiminë time dhe, për shkak të emrit tim, do ta kujtoj përgjithmonë trashëgiminë e tyre të besnikërisë dhe sakrificës.

Kurrë mos harroni, vini në dyshim apo shpërfillni përvoja vetjake, të shenjta e shpirtërore. Plani i kundërshtarit është që të na shpërqendrojë nga dëshmitë shpirtërore, ndërsa dëshira e Zotit është të na ndriçojë e të na përfshijë në punën e Tij.

Më lejoni të tregoj një shembull vetjak të kësaj të vërtete. E sjell ndër mend qartë një herë kur mora një nxitje në përgjigje të një lutjeje të fuqishme. Përgjigjja ishte e qartë dhe e fuqishme. Megjithatë, nuk ia dola të veproja menjëherë sipas nxitjes dhe, pas njëfarë kohe, fillova të vras mendjen nëse ajo që kisha ndier, kishte qenë e vërtetë. Edhe disa prej jush mund të kenë rënë pre e atij mashtrimi të kundërshtarit.

Disa ditë më vonë, unë u zgjova duke pasur në mendje këto vargje të fuqishme nga shkrimet e shenjta:

“Në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them: Në qoftë se ti dëshiron dëshmi të mëtejshme, sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde. …

A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?”

Ishte sikur Zoti po më thoshte: “Tani, Ronald, ta kam thënë tashmë se çfarë duhet të bësh. Tani bëje atë!” Sa mirënjohës që isha për atë korrigjim e drejtim të dashur! Menjëherë u ngushëllova nga nxitja dhe qeshë në gjendje të bëja përpara, duke e ditur në zemrën time se lutja ime kishte marrë përgjigje.

Po e ndaj këtë përvojë, të dashur vëllezër dhe motra, për të treguar se sa shpejt mund të harrojnë mendjet tona dhe se si përvojat shpirtërore na udhërrëfejnë. Kam mësuar t’i dua fort çaste të tilla “në mënyrë që të mos harroj”.

Mikut tim dhe të gjithëve ju që dëshironi ta përforconi besimin tuaj, unë ju jap këtë premtim: teksa e jetoni besnikërisht ungjillin e Jezu Krishtit dhe veproni sipas mësimeve të tij, dëshmia juaj do të jetë e mbrojtur dhe do të rritet. Mbajini besëlidhjet që keni bërë, pavarësisht nga veprimet e njerëzve rreth jush. Jini prindër, vëllezër e motra, gjyshër e gjyshe, teto, ungjër dhe miq të zellshëm, të cilët i forcojnë njerëzit e dashur me dëshmi vetjake dhe që i tregojnë përvojat shpirtërore. Qëndroni besnikë dhe të patundur, edhe nëse stuhitë e dyshimit e pushtojnë jetën tuaj nëpërmjet veprimeve të të tjerëve. Kërkoni atë që do t’ju lartësojë dhe përforcojë shpirtërisht. Shmangini ofertat false të të ashtuquajturave “të vërteta”, të cilat janë kaq depërtuese, dhe mbani mend të shënoni ndjenjat tuaja të “dashuri[së], gëzimi[t], paq[es], durimi[t], mirëdashj[es], mirësi[së], besimi[t], zemërbutësi[së dhe] vetëkontrolli[t]”.

Mes stuhive më të mëdha të jetës, mos harroni trashëgiminë tuaj hyjnore si një bir ose bijë e Perëndisë, apo vendmbërritjen tuaj të përjetshme që një ditë të ktheheni për të jetuar me Të, të cilat do ta tejkalojnë çfarëdo gjëje që ka bota për ta ofruar. Kujtoni fjalët e dhembshura dhe të këndshme të Almës: “Vini re, unë ju them juve, vëllezërit e mi, në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”

Të gjithëve ju që ndieni nevojën që ta përforconi besimin tuaj, unë ju përgjërohem: Mos harroni! Ju lutem, mos harroni!

Unë jap dëshmi se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Unë e di se ai i pa dhe bisedoi me Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, pikërisht siç e shënoi me vetë fjalët e tij. Sa mirënjohës jam që ai nuk harroi të shkruante për atë përvojë, që ne të gjithë të mund ta dimë dëshminë e tij!

Unë jap dëshminë time solemne për Zotin Jezu Krisht. Ai jeton; unë e di se Ai jeton dhe qëndron në krye të kësaj Kishe. Këto gjëra unë i di vetë, pavarësisht nga cilido zë apo dëshmi tjetër, dhe lutem që ju dhe unë nuk do t’i harrojmë kurrë të vërtetat e shenjta e të përjetshme – së pari e mbi të gjitha që ne jemi bij dhe bija të Prindërve të gjallë e të dashur Qiellorë, që dëshirojnë vetëm lumturinë tonë të përjetshme. Për këto të vërteta unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.