Që Ai të Mund të Forcohet Gjithashtu
Unë lutem që ne do të rritemi në nivelin e thirrjes sonë për t’i ngritur të tjerët, që t’i përgatitim ata për shërbimin e tyre të lavdishëm.
Ndihem i bekuar që jam në këtë mbledhje me ata të cilët mbajnë priftërinë e Perëndisë. Përkushtimi, besimi dhe shërbimi vetëmohues i këtij grupi burrash e djemsh, janë një mrekulli e kohëve moderne. Sonte u flas mbajtësve të priftërisë, më të vjetërve dhe më të rinjve, të bashkuar në shërbimin me gjithë zemër për Zotin Jezu Krisht.
Zoti ia jep fuqinë e Tij në të gjitha detyrat e priftërisë atyre që shërbejnë denjësisht në përgjegjësitë e tyre të priftërisë.
Uillford Udrafi, kur ishte President i Kishës, përshkroi përvojën e tij në detyrat e priftërisë:
“Dëgjova predikimin e parë që kisha dëgjuar ndonjëherë në këtë Kishë. Ditën pasuese u pagëzova. … U shugurova Mësues. Nisi menjëherë misioni im. … E përshkrova të gjithë misionin si Mësues. … Në konferencë u shugurova Prift. … Pasi u shugurova Prift, u dërgova … në një mision në jug të vendit. Kjo ndodhi vjeshtën e vitit 1834. Kisha një shok misioni me vete dhe u nisëm pa trasta e pa thes. Udhëtova i vetëm për shumë kilometra dhe predikova Ungjillin dhe pagëzova një numër njerëzish të cilët nuk mund t’i konfirmoja në Kishë, sepse unë isha veçse një Prift. … Udhëtova shumë kohë duke predikuar Ungjillin përpara se të shugurohesha Plak. …
[Tani] kam qenë anëtar i Dymbëdhjetë Apostujve për rreth pesëdhjetë e katër vite. Kam udhëtuar me ta dhe kuorume të tjera për gjashtëdhjetë vite tani; dhe dua t’i them këtij kuvendi që u mbështeta po njësoj nga fuqia e Perëndisë ndërsa mbaja detyrën e Mësuesit, dhe veçanërisht ndërkohë që kryeja detyrën në vresht si Prift, sikurse ngahera kur isha Apostull. Nuk ka ndonjë ndryshim në këtë për sa kohë që ne bëjmë detyrën tonë.”
Ajo mundësi e shkëlqyer shpirtërore pa asnjë ndryshim, sugjerohet në përshkrimin e Zotit për Priftërinë Aarone si një “shtes[ë]” e Priftërisë Melkizedeke. Fjala shtesë do të thotë që të dyja janë të lidhura. Kjo lidhje është e rëndësishme për priftërinë, duke u bërë forca dhe bekimi që mund të jetë në këtë botë dhe përgjithmonë, sepse ajo “nuk ka fillim të ditëve apo fund të viteve”.
Lidhja është një lidhje e thjeshtë. Priftëria Aarone i përgatit të rinjtë për një mirëbesim edhe më të shenjtë.
“Fuqia dhe autoriteti i priftërisë më të lartë ose Melkizedeke është të mbajë çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të kishës –
Të ketë privilegjin e marrjes së mistereve të mbretërisë së qiellit, t’i bëjë qiejt të hapen për ta, të komunikojë me kuvendin e përgjithshëm dhe kishën e të Parëlindurit dhe të gëzojë shoqërimin dhe praninë e Perëndisë, Atit, dhe Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re.”
Ata çelësa të priftërisë ushtrohen plotësisht nga vetëm një burrë në një kohë, Presidenti dhe prifti i lartë kryesues i Kishës së Zotit. Pastaj, nëpërmjet delegimit nga Presidenti, çdo burri që mban Priftërinë Melkizedeke mund t’i dhurohet autoriteti dhe privilegji për të folur dhe për të vepruar në emrin e Të Plotfuqishmit. Ajo fuqi nuk ka fund. Ajo ka të bëjë me jetën dhe vdekjen, me familjen dhe Kishën, me natyrën e mrekullueshme të Vetë Perëndisë dhe punën e Tij të përjetshme.
Zoti po e përgatit mbajtësin e Priftërisë Aarone që të bëhet një plak që shërben me besim, fuqi dhe mirënjohje në atë Priftëri Melkizedeke të lavdishme.
Për pleqtë, mirënjohja e thellë do të jetë thelbësore për të luajtur pjesën tuaj në shërbim të plotë në priftëri. Ju do t’i mbani mend ditët tuaja si dhjak, mësues ose prift kur ata të cilët mbanin priftërinë më të lartë zgjateshin pas për t’ju ngritur dhe nxitur juve në udhëtimin tuaj të priftërisë.
Çdo mbajtës i Priftërisë Melkizedeke ka kujtime të tilla, por ndjenja e mirënjohjes mund të jetë zvogëluar me kalimin e viteve. Shpresa ime është që ta rindizni atë ndjenjë dhe bashkë me të vendosmërinë për t’iu dhënë sa më shumë njerëzve që mundeni po atë lloj ndihme që ju morët dikur.
Më kujtohet një peshkop i cili më trajtoi sikur unë tashmë isha ai që kisha potencialin të bëhesha me fuqinë e priftërisë. Ai më thirri një të diel kur isha prift. Ai tha se kishte nevojë për mua që të isha shoku i tij për të vizituar disa anëtarë të lagjes sonë. Ai e bëri të dukej sikur unë të isha shpresa e tij e vetme për sukses. Ai nuk kishte nevojë për mua. Ai kishte këshilltarë të shkëlqyer në peshkopatën e tij.
Ne vizituam një të ve pa të holla dhe të uritur. Ai donte nga unë ta ndihmoja që të preknim zemrën e saj, ta sfidonim atë të krijonte dhe përdorte një buxhet dhe t’i premtonim që ajo mund të ngrihej për të qenë në një pozitë që jo vetëm të kujdesej për veten por edhe të ndihmonte të tjerët.
Më pas shkuam për të ngushëlluar dy vajza të vogla që jetonin në një gjendje të vështirë. Ndërsa u larguam, peshkopi më tha me qetësi: “Ata fëmijë nuk do ta harrojnë kurrë që ne shkuam tek ta”.
Në shtëpinë tjetër, unë pashë mënyrën se si ta ftoje një burrë më pak aktiv për t’u kthyer sërish te Zoti duke e bindur atë se anëtarët e lagjes kishin nevojë për të.
Ai peshkop ishte një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke, i cili po më ndihmonte të kuptoja potencialin tim dhe po më jepte një shtytje nëpërmjet shembullit. Ai më mësoi të kem fuqinë dhe kurajën për të shkuar kudo në shërbim të Zotit. Ai ka ikur me kohë dhe e ka marrë shpërblimin e tij, por ende e kujtoj atë sepse ai u zgjat për të më ngritur kur unë isha një mbajtës i Priftërisë Aarone i papërvojë. Më vonë mësova se ai më pa në shtegun e ardhshëm të priftërisë me përgjegjësi më të mëdha, në atë kohë përtej vetë largpamësisë sime.
Im atë bëri të njëjtën gjë për mua. Ai ishte një mbajtës i kalitur dhe i urtë i Priftërisë Melkizedeke. Një herë atij iu kërkua nga një Apostull që të shkruante një shënim të shkurtër rreth të dhënave shkencore për moshën e tokës. Ai e shkroi atë me kujdes, duke e ditur se disa njerëz që mund ta lexonin atë kishin ndjenja të forta që toka ishte shumë më e re sesa sugjeronin të dhënat shkencore.
Ende e kujtoj atin tim duke më dhënë atë që kishte shkruar dhe duke më thënë: “Hal, ti ke urtësinë shpirtërore për të ditur nëse unë duhet t’ia dërgoj këtë apostujve dhe profetëve”. Nuk më kujtohet shumë nga ajo që thoshte dokumenti, por do e mbaj me vete përgjithmonë mirënjohjen që ndjeva për një mbajtës të mrekullueshëm të Priftërisë Melkizedeke, i cili pa tek unë urtësi shpirtërore që unë [vetë] nuk mund ta shihja.
Një natë, disa vite më parë, pasi isha shuguruar Apostull, profeti i Perëndisë më thirri dhe më kërkoi të lexoja diçka që ishte shkruar rreth doktrinës së Kishës. Ai e kishte kaluar natën duke lexuar kapitujt e një libri. Ai tha me nënqeshje: “Nuk po ia nxjerr dot fundin gjithë kësaj. Ti nuk duhet të pushosh ndërkohë që unë jam duke punuar.” Dhe pastaj përdori thuajse të njëjtat fjalë që ati im përdori vite përpara: “Hal, ti je ai që duhet ta lexosh këtë. Ti do ta dish nëse është e drejtë që të botohet.”
Po ai model i një mbajtësi të Priftërisë Melkizedeke që më ndihmoi të kuptoja potencialin tim dhe më dha siguri, erdhi një natë në një konkurs fjalimesh të financuar nga Kisha. Në moshën 17-vjeçare, m’u kërkua t’i flisja një publiku të gjerë. Nuk ia kisha idenë se çfarë pritej prej meje. Nuk më ishte dhënë një temë dhe ndaj përgatita një fjalim që ishte shumë larg asaj që unë dija për ungjillin. Ndërsa fola, kuptova se kisha bërë një gabim. Ende mund të kujtoj që pasi fola, pata një ndjenjë mbytëse që kisha dështuar.
Folësi tjetër dhe i fundit ishte Plaku Methju Kaulli, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai ishte një orator i zoti – njeri i dashur nga e gjithë Kisha. Ende më kujtohet që ngrita sytë drejt tij nga karrigia pranë katedrës.
Ai filloi me një zë të fuqishëm. Ai tha se fjalimi im e kishte bërë atë të ndiente se ishte në një konferencë të madhe. Ai buzëqeshi teksa e tha atë. Ndjenjat e mia të dështimit u larguan dhe u pasuan nga siguria që unë një ditë mund të bëhem ai njeri që ai dukej se mendonte që unë isha tashmë.
Kujtimi i asaj nate ende më bën që të dëgjoj me kujdes kur flet një mbajtës i Priftërisë Aarone. Për shkak të saj që Plaku Kaulli bëri për mua, unë gjithmonë pres që do të dëgjoj fjalën e Perëndisë. Jam rrallëherë i zhgënjyer dhe shpesh i mahnitur dhe nuk mund të mos buzëqesh sikurse bëri Plaku Kaulli.
Shumë gjëra mund të ndihmojnë për t’i forcuar vëllezërit tanë më të rinj që të ngrihen në priftëri, por asgjë nuk do të jetë më e fuqishme sesa të ndihmuarit nga ana jonë që të zhvillojnë besimin dhe sigurinë që ata mund të mbështeten në fuqinë e Perëndisë gjatë shërbimit të tyre të priftërisë.
Ai besim dhe siguri nuk do të qëndrojë me ta nga një përvojë e vetme e të qenit i ngritur qoftë edhe nga mbajtësi më i talentuar i Priftërisë Melkizedeke. Aftësia për t’u mbështetur te këto fuqi duhet të zhvillohet nga shumë shprehje të sigurisë nga ata të cilët janë me më shumë përvojë në priftëri.
Mbajtësit e Priftërisë Aarone gjithashtu do të kenë nevojë çdo ditë dhe madje çdo orë për nxitje dhe korrigjim nga Vetë Zoti nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ajo do të jetë në dispozicion të tyre ndërsa ata zgjedhin të qëndrojnë të denjë për të. Ajo do të varet nga zgjedhjet që ata do të bëjnë.
Kjo është arsyeja përse ne duhet të japim mësim me anë të shembullit dhe me anë të dëshmisë që fjalët e udhëheqësit të madh të Priftërisë Melkizedeke, mbretit Beniamin, janë të vërteta. Ato janë fjalë dashurie, të shprehura në emrin e Zotit, të cilit i përket kjo priftëri. Mbreti Beniamin jep mësim se çfarë kërkohet nga ne për të qëndruar mjaftueshëm të pastër që të marrim nxitjen dhe korrigjimin nga Zoti:
“Dhe së fundi, unë nuk mund t’ju tregoj juve të gjitha gjërat që mund t’ju shtyjnë të bëni mëkat; pasi ka mënyra dhe mjete të ndryshme, madje aq shumë sa unë nuk mund t’i numëroj ato.
Por, kaq unë mund t’ju them, se në qoftë se ju nuk shikoni veten tuaj dhe mendimet tuaja dhe fjalët tuaja dhe veprat tuaja, dhe nuk respektoni urdhërimet e Perëndisë dhe nuk vazhdoni në besim për çfarë ju keni dëgjuar në lidhje me ardhjen e Zotit tonë, madje deri në fund të jetës suaj, ju duhet të vdisni. Dhe tani, O njeri, mbaj mend dhe mos vdis.”
Ne të gjithë jemi në dijeni për shigjetat e zjarrta të armikut të drejtësisë, që dërgohen si një erë e fuqishme kundër mbajtësve të rinj të priftërisë, të cilët i duam kaq shumë. Neve ata na duken si ushtarët e rinj që e quajtën veten bijtë e Helamanit. Ata mund të mbijetojnë, sikurse mbijetuan ata ushtarë të rinj, nëse e mbajnë veten të sigurt siç i nxiti mbreti Beniamin që të vepronin.
Bijtë e Helamanit nuk dyshuan. Ata luftuan me guxim dhe dolën fitimtarë për shkak se i besuan fjalët e nënave të tyre. Ne e kuptojmë fuqinë e besimit të një nëne të dashur. Nënat e ofrojnë atë përkrahje të madhe për bijtë e tyre sot. Ne, mbajtësit e priftërisë, mund dhe duhet t’i shtojmë asaj përkrahjeje vendosmërinë tonë për t’iu përgjigjur detyrës që ndërsa kthehemi në besim, ne duhet të zgjatemi për t’i forcuar vëllezërit tanë.
Lutja ime është që çdo mbajtës i Priftërisë Melkizedeke do ta pranojë mundësinë e ofruar nga Zoti:
“Dhe nëse ndonjë mes jush është i fortë në Shpirt, le të marrë me vete atë që është i dobët, që ai të lartësohet në zemërbutësi, që ai të mund të forcohet gjithashtu.
Si rrjedhim, merrni me vete ata që shugurohen në priftërinë më të ulët dhe i dërgoni përpara jush, që të caktojnë takime e të përgatisin udhën dhe të bëjnë takimet që ju vetë nuk jeni në gjendje t’i bëni.
Vini re, kjo është mënyra se si apostujt e mi, në kohët e lashta, ngritën kishën time për mua.”
Ju, udhëheqës të priftërisë dhe baballarë të mbajtësve të Priftërisë Aarone, mund të bëni mrekulli. Ju mund ta ndihmoni Zotin që t’i mbushë radhët e pleqve besnikë me të rinj të cilët e pranojnë thirrjen për ta predikuar ungjillin dhe e bëjnë atë me vetësiguri. Ju do t’i shihni shumë nga ata që keni ngritur dhe nxitur të qëndrojnë besnikë, të martohen me denjësi në tempull dhe në këmbim, të ngrenë dhe të përgatitin të tjerët.
Kjo nuk do të kërkojë programe të reja për veprimtaritë, materiale të përmirësuara për mësimdhënie ose media shoqërore më të mira. Nuk do të kërkojë ndonjë thirrje përtej asaj që ju keni tani. Betimi dhe besëlidhja e priftërisë ju jep juve fuqi, autoritet dhe drejtim. Lutem që ju do të shkoni në shtëpi dhe do ta studioni me kujdes betimin dhe besëlidhjen e priftërisë që gjendet te seksioni 84 i Doktrinës e Besëlidhjeve.
Të gjithë ne shpresojmë se më shumë të rinj do të kenë përvoja si Uillford Udrafi, i cili, si një mbajtës i Priftërisë Aarone, e dha mësim ungjillin e Jezu Krishtit me fuqi për të kthyer në besim.
Unë lutem që ne do të rritemi në nivelin e thirrjes sonë për t’i ngritur të tjerët, që t’i përgatitim ata për shërbimin e tyre të lavdishëm. I falënderoj me gjithë zemër njerëzit e mrekullueshëm që më kanë ngritur dhe më kanë treguar se si t’i dua dhe t’i ngre të tjerët.
Unë dëshmoj se Presidenti Tomas S. Monson mban të gjitha çelësat e priftërisë në tokë në këtë kohë. Jap dëshmi se ai, gjatë një jete plot shërbim, ka qenë për të gjithë ne një shembull i zgjatjes për t’i ngritur të tjerët si një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Jam personalisht mirënjohës për mënyrën se ai më ka ngritur mua dhe më ka treguar se si t’i ngre të tjerët.
Perëndia, Ati jeton. Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha dhe mbretëria e Tij. Kjo është priftëria e Tij. Unë e di këtë personalisht nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Në emrin e Zotit Jezu Krishtit, amen.