“Të Guximshëm në Dëshminë e Jezusit”
Ne nuk ia lejojmë dot vetes që të na pështjellohen e koklaviten dëshmitë për Atin dhe Birin nga blloqe penguese.
Jeta e përjetshme është dhurata më e madhe e Perëndisë dhe u jepet atyre që “i zbato[jnë] urdhërimet e [Perëndisë] e duro[jnë] deri në fund”. Nga ana tjetër, jeta e përjetshme me Atin tonë Qiellor u mohohet atyre “që nuk janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit”. Ka një numër blloqesh pengues për guximin tonë që mund të na e parandalojnë arritjen e synimit të jetës së përjetshme. Blloqet penguese mund të jenë të shumëllojshme; më lini ta ilustroj.
Shumë vite më parë, im atë ndërtoi një shtëpizë të vogël verimi në një pjesë prone të fermës ku ishte rritur. Pamja nëpër livadhe ishte e jashtëzakonshme. Kur po montoheshin muret e shtëpizës së verimit, unë i bëra një vizitë. U befasova që dritarja, e cila kishte pamje, përqendrohej drejtpërdrejt te një shtyllë elektrike që ishte jo shumë larg shtëpisë. Për mua, ishte një shpërqendrim i stërmadh nga pamja madhështore.
I thashë: “Babi pse i le ata ta vinin shtyllën elektrike pikërisht në mes të pamjes nga dritarja jote?
Babai im, një burrë jashtëzakonisht praktik dhe i qetë, thirri me njëfarë emocioni: “Kuentin, ajo shtyllë elektrike është gjëja më e bukur për mua në të gjithë fermën!” Më pas ai u shpjegua: “Kur e shikoj atë shtyllë, e kuptoj se, ndryshe nga koha kur u rrita këtu, nuk do të më duhet të mbart ujë me fuçi nga burimi deri në shtëpi për të gatuar, për të larë duart apo për të bërë banjë. Nuk do të më duhet të ndez qirinj apo llamba vaji për të lexuar natën. Dëshiroj ta shoh atë shtyllë elektrike në mes të pamjes nga dritarja.”
Babai im kishte një pikëpamje të ndryshme nga e imja mbi shtyllën elektrike. Për të, ajo shtyllë përfaqësonte një jetë të përmirësuar, por për mua ishte një bllok pengues për një pamje madhështore. Babi im e vlerësonte energjinë elektrike, dritën dhe pastërtinë më shumë se një pamje të bukur. E kuptova menjëherë se, ndërkohë që shtylla ishte një bllok pengues për mua, kishte domethënie të mrekullueshme, praktike e simbolike për babanë tim.
Një bllok pengues është “një pengesë ndaj një bindjeje apo ndaj të kuptuarit” ose “një ngecë për përparimin”. Të pengohesh shpirtërisht është “të biesh në mëkat ose kokëfortësi”. Një bllok pengues mund të jetë gjithçka që na shpërqendron nga arritja e synimeve të drejta.
Ne nuk ia lejojmë dot vetes që të na pështjellohen e koklaviten dëshmitë për Atin dhe Birin nga blloqe penguese. Nuk mund të biem në atë grackë. Dëshmitë tona për Ta duhet të mbeten të pastra e të thjeshta si mbrojtja e thjeshtë e babait tim për shtyllën elektrike në fermën ku u rrit.
Cilët janë disa blloqe penguese që e pështjellojnë dhe ndërlikojnë dëshminë tonë të pastër e të thjeshtë për Atin dhe Birin dhe na pengojnë të jemi të guximshëm në atë dëshmi?
Disa Blloqe Penguese Janë Filozofitë e Njerëzve
Ne e vlerësojmë pa masë dijen e çdo lloji dhe besojmë se “lavdia e Perëndisë është inteligjencë”. Por ne e dimë edhe se strategjia e parapëlqyer e kundërshtarit është t’i udhëheqë njerëzit që të largohen nga Perëndia e të bëjë që ata të pengohen duke e vënë theksin më shumë te filozofitë e njerëzve sesa te Shpëtimtari dhe mësimet e Tij.
Apostulli Pal ishte një dëshmitar i fortë i Jezu Krishtit për shkak të një përvoje mrekullibërëse e jetëndryshuese me Shpëtimtarin. Formimi i pashoq i Palit e përgatiti atë që të kishte të bënte me njerëz të shumë kulturave. Ai e adhuronte “thjeshtësinë e çiltër” të thesalonikasve dhe “dhembshurinë e butë” të filipianëve. Atij fillimisht iu duk më e vështirë të kishte të bënte me grekët intelektualë e të sofistikuar. Në Athinë, në Kodrën Mars, ai provoi një qasje filozofike dhe nuk u pranua. Ai vendosi që korintasve t’u mësonte thjesht “doktrinën e Krishtit të kryqëzuar”. Për të përdorur vetë fjalët e Apostullit Pal:
“Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë
që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë”.
Disa prej tregimeve më madhështore të shkrimeve të shenjta për Shpëtimtarin dhe misionin e Tij shtjellohen te 1 Korintasve. Një kapitull – i 15-ti – ka tërhequr vëmendjen e botës mbarë prej intepretimeve të pjesës Mesia nga Xhorxh Frederik Handeli. Ajo përmban doktrinë të thellë rreth Shpëtimtarit. Në pjesën e tretë të Mesias, menjëherë pas “Korit Aleluja”, shumica e shkrimeve të shenjta të përdorura janë nga 1 Korintasve 15. Në disa prej këtyre vargjeve, Pali i përshkruan bukur disa nga ato që përmbushi Shpëtimtari:
“Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish … fryti i parë i atyre që kanë fjetur.
… Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.
Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin. …
O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? …
Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.”
Ne e dimë se Braktisja ndodhi pjesërisht sepse filozofitë e njerëzve u ngritën më lart se doktrina bazë, thelbësore e Krishtit. Në vend të thjeshtësisë së mesazhit të Shpëtimtarit që ishte dhënë mësim, shumë të vërteta të qarta e të çmuara u ndryshuan ose humbën. Në fakt, krishterimi përvetësoi disa tradita filozofike greke për t’i pajtuar bindjet e njerëzve me kulturën e tyre ekzistuese. Historiani Uill Durant shkroi: “Krishterimi nuk e shkatërroi paganizmin; e përvetësoi atë. Mendimi grek që po vdiste, u rikthye në jetë nga pjesët e përshtatura të tij.” Historikisht dhe në kohën tonë, disa njerëz e hedhin poshtë ungjillin e Jezu Krishtit sepse, nga pikëpamja e tyre, ai nuk ka sofistikim të përshtatshëm intelektual.
Në agimin e Rivendosjes, shumë njerëz së paku shpallën se i ndiqnin mësimet e Shpëtimtarit. Shumë vende e quanin veten kombe të krishtera. Por edhe atëherë kishte një profeci për një periudhë më të vështirë për kohën tonë.
Hibër C. Kimball ishte një prej Dymbëdhjetë Apostujve të parë të kësaj periudhe ungjillore dhe Këshilltar i Parë i Presidentit Brigam Jang. Ai paralajmëroi: “Po vjen koha kur … do të jetë e vështirë ta dallojmë fytyrën e një shenjtori nga fytyra e një armiku të popullit të Perëndisë. Atëherë … prit[eni] shoshën e madhe, sepse do të ketë një kohë shoshitjeje të madhe dhe shumë do të bien.” Ai e mbylli duke thënë se “po vjen një PROVË”.
Në kohën tonë, ndikimi i krishterimit në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, është ulur ndjeshëm. Pa bindje fetare, nuk ka ndjenjë përgjegjshmërie ndaj Perëndisë. Rrjedhimisht, është e vështirë të caktohen vlera universale rreth mënyrës së të jetuarit. Filozofitë e ngulitura thellë shpesh bien ndesh me njëra-tjetrën.
Fatkeqësisht, kjo ndodh edhe me disa anëtarë të Kishës që e humbasin fillin dhe ndikohen nga çështja e çastit – shumë prej të cilave janë qartësisht jo të drejta.
Në përputhje me profecinë e Hibër C. Kimballit, Plaku Nil A. Maksuell tha në vitin 1982: “Shoshitje e madhe do të ndodhë për shkak të shkeljeve të sjelljes së drejtë të cilat kalojnë pa u penduar për to. Disa do të dorëzohen në vend që të mbahen deri në fund. Disa do të mashtrohen nga mohues të fesë. Në mënyrë të ngjashme, të tjerë do të fyhen, sepse në çdo periudhë ungjillore do të ketë mjaft blloqe penguese!”
Një Bllok Tjetër Pengues Është Mospranimi për ta Parë Mëkatin në Dritën e Tij të Vërtetë
Një nga anët e pashoqe e shqetësuese të kohës sonë është se shumë njerëz përfshihen në sjellje mëkatare por nuk pranojnë ta quajnë mëkatare. Ata nuk kanë brejtje të ndërgjegjes ose gatishmëri për ta pranuar se sjellja e tyre është moralisht e gabuar. Madje, disa që shpallin besim tek Ati dhe Biri, gabimisht marrin pozicionin se një Atë i dashur në Qiell nuk duhet të imponojë pasoja për sjelljen që është në kundërshtim me urdhërimet e Tij.
Ky ishte dukshëm pozicioni që mori Koriantoni, djali i Alma të Riut në Librin e Mormonit. Ai ishte përfshirë në sjellje tejet të pamoralshme dhe po merrte këshilla nga Alma. Ne jemi të bekuar që profeti i mrekullueshëm Alma, i cili e kishte përjetuar vetë “humnerën më të thellë … [dhe] dritën e mrekullueshme”, e mbajti shënim udhëzimin që dha. Në kapitullin e 39-të të Almës, ne lexojmë se si ai e këshilloi të birin përgjatë procesit të pendimit dhe më pas shpjegoi se si Krishti do të vinte për ta hequr mëkatin. Ai ia bëri të qartë Koriantonit nevojën për pendim sepse “asnjë gjë e papastër nuk mund të trashëgojë mbretërinë e Perëndisë”.
Alma 42 përmban disa nga doktrinat më madhështore nga të gjitha shkrimet e shenjta mbi Shlyerjen. Alma e ndihmoi Koriantonin ta kuptonte se nuk është “e padrejtë që mëkatari duhet t’i dorëzohet një gjendjeje mjerimi”. Por ai vuri në dukje se, duke filluar nga Adami, Perëndia mëshirëplotë ka siguruar një “kohë për pendim” sepse pa pendim, “plani i madh i shpëtimit do të kishte dështuar”. Alma gjithashtu e tregoi se plani i Perëndisë është “plan… [i] lumturisë”.
Mësimet e Almës janë tepër udhëzuese: “Pasi vër re, drejtësia ushtron të gjitha kërkesat e saj dhe gjithashtu mëshira kërkon gjithçka që është e saj; dhe kështu askush, përveç të penduarve të vërtetë, nuk shpëton”. Kur shihen në dritën e tyre të vërtetë, bekimet e lavdishme të pendimit dhe bindjes ndaj mësimeve të Shpëtimtarit janë tej mase të rëndësishme. Nuk është e padrejtë të jemi të qartë, siç ishte Alma me Koriantonin, rreth pasojave të zgjedhjeve mëkatare dhe mungesës së pendimit. Është deklaruar shpesh: “Herët a vonë gjithkujt do t’i duhet të ulet në një gosti pasojash”.
Bekimi mbresëlënës dhe hyjnor i Shlyerjes së Shpëtimtarit është se, nëpërmjet pendimit, sjellja mëkatare fshihet. Pas pendimit të Koriantonit, Alma e mbylli: “Dhe tani, biri im, dëshiroj që këto gjëra të mos të të shqetësojnë ty më dhe vetëm mëkatet e tua të të shqetësojnë me atë shqetësim që do të të sjellë në pendim”.
Një Bllok Pengues Është Të Parit përtej Shenjës
Profeti Jakob i quajti judenjtë e lashtë “një popull kokëfortë” që e përbuznin qartësinë, që “vranë profetët, dhe kërkuan gjëra që ata nuk mund t’i kuptonin. – Prandaj, për shkak të verbërisë së tyre, verbëri e cila erdhi duke parë përtej shenjës, ata duhet të bien.”
Ndërkohë që ka shumë shembuj të të parit përtej shenjës, një shembull domethënës në kohën tonë është ekstremizmi. Ekstremizmi në ungjill është kur dikush e ngre çfarëdo parimi të ungjillit mbi parime të tjera njësoj të rëndësishme dhe merr një pozicion që është përtej ose në kundërshtim me mësimet e udhëheqësve të Kishës. Një shembull është kur dikush përkrah shtesa, ndryshime ose theksime parësore te njëra pjesë e Fjalës së Urtësisë. Një shembull tjetër është përgatitja e kushtueshme për “fundin e botës”. Në të dy shembujt, të tjerët nxiten të pranojnë interpretime vetjake. “Nëse e kthejmë një ligj shëndeti apo një parim në çfarëdo forme të fanatizmit fetar, ne po shohim përtej shenjës.”
Duke folur për këtë doktrinë, Zoti ka deklaruar: “Kushdo që shpall më shumë ose më pak se kjo, ai nuk është i imi”. Kur e ngremë cilindo parim në një mënyrë që e zvogëlon zotimin tonë ndaj parimeve të tjera po aq të rëndësishme apo marrim një pozicion në kundërshtim me mësimet e udhëheqësve të Kishës apo që i tejkalon ato, ne po shohim përtej shenjës.
Përveç këtyre, disa anëtarë ngrenë çështje, shumë prej të cilave janë të mira, në një gjendje epërsie ndaj doktrinës bazë të ungjillit. Ata e bëjnë përkushtimin e tyre ndaj çështjes si zotimin e tyre të parë dhe e shtyjnë zotimin e tyre ndaj Shpëtimtarit dhe mësimeve të Tij në një pozicion të dytë. Nëse ne ngremë çfarëdo gjëje më lart se përkushtimi ynë ndaj Shpëtimtarit, nëse sjellja jonë e njeh Atë thjesht si një mësues tjetër dhe jo si Birin hyjnor të Perëndisë, atëherë ne po shohim përtej shenjës. Jezu Krishti është shenja!
Seksioni i 76-të në Doktrina e Besëlidhje e bën të qartë se të qenit “të guximshëm në dëshminë e Jezusit” është prova e thjeshtë, thelbësore midis atyre që do t’i trashëgojnë bekimet e mbretërisë çelestiale dhe atyre në mbreterinë më të ulët terrestriale. Për të qenë të guximshëm, na nevojitet të përqendrohemi te fuqia e Jezu Krishtit dhe te sakrifica e Tij shlyese për ta mposhtur vdekjen dhe, nëpërmjet pendimit, të pastrohemi nga mëkati e të ndjekim doktrinën e Krishtit. Na nevojitet edhe drita dhe dija për jetën dhe mësimet e Shpëtimtarit për të na udhërrëfyer në shtegun e besëlidhjes, përfshirë ordinancat e shenjta të tempullit. Ne duhet të kemi vendosmëri në Krisht, të ushqehemi me bollëk me fjalën e Tij dhe të durojmë deri në fund.
Përfundimi
Nëse duam të jemi të guximshëm në dëshminë e Jezusit, ne duhet t’i shmangim blloqet penguese që e zënë në grackë dhe e ndalojnë përparimin e shumë burrave e grave që përndryshe do të ishin të respektueshëm. Le të vendosim të jemi përherë në shërbimin e Tij. Ndërkohë që kërkojmë dije, na nevojitet t’i shmangim filozofitë e njerëzve që e zvogëlojnë zotimin tonë ndaj Shpëtimtarit. Ne duhet ta shohim mëkatin në dritën e tij të vërtetë dhe ta pranojmë Shlyerjen e Shpëtimtarit nëpërmjet pendimit. Na nevojitet ta shmangim të parin përtej shenjës e të përqendrohemi te Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, e ta ndjekim doktrinën e Tij.
Babai im e shihte shtyllën si një mjet për sigurimin e energjisë elektrike, dritës dhe ujit të bollshëm për gatim e pastrim. Ishte një gur vau i[që e çoi] drejt përmirësimit të jetës së tij.
Një shkrues sugjeron se blloqet penguese mund të kthehen në “gurë vau [që çojnë] drejt një karakteri fisnik dhe drejt Qiellit”.
Për ne, të qenit të guximshëm në dëshminë tonë për Jezusin është një gur vau [që çon] drejt kualifikimit për hirin e Shpëtimtarit dhe mbretërinë çelestiale. Jezu Krishti është i vetmi emër nën qiell me anë të të cilit mund të shpëtohemi. Jap dëshminë time të sigurt për hyjnueshmërinë e Tij dhe për rolin e Tij hyjnor. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.