Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Vazhdojnë të Përpiqen
Kur ne përpiqemi, këmbëngulim dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ne jemi shenjtorë të vërtetë të ditëve të mëvonshme.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në dhjetor 2013, bota vajtoi vdekjen e Nelson Mandelës. Pas 27 vitesh burgim për rolin e tij në luftën antiaparteid, Mandela ishte presidenti i parë i Afrikës së Jugut i zgjedhur në mënyrë demokratike. Falja e tij ndaj njerëzve që e kishin burgosur atë, ishte mahnitëse. Ai mori lëvdata dhe nderime të përbotshme. Mandela vazhdimisht u përpoq t’i shmangte lëvdatat duke thënë: “Unë nuk jam shenjtor – vetëm nëse mendoni se një shenjtor është një mëkatar që vazhdon të përpiqet”.
Kjo thënie – “një shenjtor është një mëkatar që vazhdon të përpiqet” – duhet t’i bindë dhe t’i nxitë anëtarët e Kishës. Ndonëse neve na drejtohen si “Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme”, ne ndonjëherë nuk ndihemi mirë me këtë përmendje. Termi shenjtor shpesh përdoret për të emërtuar ata që kanë arritur një gjendje të lartë shenjtërie ose madje përsosurie. Dhe ne e dimë krejtësisht mirë që nuk jemi të përsosur.
Megjithatë, teologjia jonë vërtet na mëson që ne mund të përsosemi “duke u mbështetur tërësisht” vazhdimisht dhe përherë në doktrinën e Krishtit: duke ushtruar besim në Të, duke u penduar, duke marrë sakramentin për të përtërirë besëlidhjet dhe bekimet e pagëzimit dhe duke e marrë Frymën e Shenjtë si një shoqërues të vazhdueshëm në një shkallë më të madhe. Ndërsa bëjmë kështu, ne bëhemi më shumë si Krishti dhe durojmë deri në fund. Me fjalë më të thjeshta, Perëndia shqetësohet më tepër rreth asaj se kush jemi dhe kush po bëhemi, sesa kush ishim dikur. Ai shqetësohet që ne të vazhdojmë të përpiqemi.
Komedia Si Ta Doni, e shkruar nga dramaturgu anglez Uilliam Shekspir, përshkruan një ndryshim rrënjësor në jetën e personazhit. Vëllai më i madh përpiqet ta vrasë vëllanë e tij më të vogël. Edhe duke e ditur këtë, vëllai më i vogël e shpëton vëllanë e tij të lig nga vdekja e sigurt. Kur vëllai më i madh mëson për këtë dhembshuri të pamerituar, ai ndryshoi krejtësisht e përgjithmonë dhe pësoi atë që e quan “shndërrim”. Më vonë disa gra i afrohen vëllait më të madh dhe e pyetin: “A nuk ishe ti që kaq shpesh herë vërtet bëre pakte për ta vrarë [vëllanë tënd]”?
Vëllai më i madh përgjigjet: “Unë isha, por jo ai që jam tani. Nuk më vjen turp t’ju them se çfarë isha, që kur shndërrimi im është kaq i ëmbël për mua dhe më bën atë që jam tani.”
Për ne, për shkak të mëshirës së Perëndisë dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, një ndryshim i tillë nuk është thjesht një trillim letrar. Nëpërmjet Ezekielit, Zoti shpalli:
“Po kështu pabesia e të pabesit nuk do ta rrëzojë ditën kur ai të largohet nga pabesia e tij. …
… Në rast se ai largohet nga mëkati i tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë,
… kthen pengun, kthen atë që ka vjedhur dhe ecën sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi, ai me siguri ka për të jetuar. …
Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë.”
Në mëshirën e Tij, Perëndia premton falje kur ne pendohemi dhe largohemi nga ligësia – kaq shumë sa mëkatet tona as nuk do të na përmenden më. Për ne, për shkak të Shlyerjes së Krishtit dhe pendimit tonë, mund të shohim veprat tona të shkuara dhe të themi: “Unë isha, por jo ai që jam tani”. S’ka rëndësi sa të ligj, ne mund të themi: “Ky kam qenë. Por nuk jam më ajo qenie e mëparshme e ligë.”
Presidenti Tomas S. Monson ka dhënë mësim: “Një nga dhuratat më të mëdha për ne është gëzimi i të përpjekurit sërish, sepse asnjë dështim s’ka pse të jetë përherë përfundimtar”. Edhe nëse kemi qenë një mëkatar i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm apo në mënyrë të vazhdueshme kemi hasur dështim ose zhgënjim, në çastin që vendosim të përpiqemi sërish, Shlyerja e Krishtit mund të na ndihmojë. Dhe ne duhet të kujtojmë që nuk është Fryma e Shenjtë që na thotë se e kemi kaluar cakun aq sa për të mos u përpjekur më.
Dëshira e Perëndisë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të vazhdojnë të përpiqen, shtrihet madje përtej mposhtjes së mëkatit. Nëse vuajmë për shkak të marrëdhënieve të trazuara, sfidave ekonomike, sëmundjeve ose si pasojë e mëkateve të dikujt tjetër, Shlyerja e pafundme e Shpëtimtarit mund të shërojë madje – dhe ndoshta veçanërisht – ata që kanë vuajtur padrejtësisht. Ai e kupton në mënyrë të përsosur se si është të vuash padrejtësisht si pasojë e shkeljes së dikujt tjetër. Siç është profetizuar, Shpëtimtari do të “lidh[ë] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, … t’u [japë] … diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë [dhe] mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar”. Pavarësisht arsyeve, me ndihmën e Tij, Perëndia pret që shenjtorët e ditëve të mëvonshme të vazhdojnë të përpiqen.
Ashtu siç Perëndia gëzohet kur ne këmbëngulim, Ai zhgënjehet nëse ne nuk pranojmë që edhe të tjerët po përpiqen. Mikesha jonë e dashur Toba, tregoi se si e mësoi këtë mësim nga mamaja e saj, Julia. Julia dhe Toba ishin ndër të kthyerat e para me ngjyrë në besim në Afrikën e Jugut. Pasi regjimi i aparteidit mori fund, anëtarët me ngjyrë e të bardhë të Kishës u lejuan të merrnin pjesë së bashku në Kishë. Për shumë njerëz, barazia e të bashkëvepruarit midis racave, ishte diçka e re dhe sfiduese. Një herë, ndërsa Julia dhe Toba morën pjesë në Kishë, ato ndien se po trajtoheshin jo shumë mirë nga disa anëtarë të bardhë. Kur u larguan, Toba iu ankua me hidhërim mamasë së saj. Julia dëgjoi me qetësi derisa Toba e shfryu dufin. Atëherë Julia tha: “O, Toba, Kisha është si një spital i madh, dhe ne të gjithë jemi të sëmurë sipas mënyrës sonë. Ne vijmë në Kishë për t’u ndihmuar.”
Komenti i Julias pasqyron një pikëpamje të vlefshme. Ne nuk duhet të jemi vetëm tolerantë ndërsa të tjerët punojnë me sëmundjet e tyre vetjake; ne duhet të jemi gjithashtu të sjellshëm, të duruar, përkrahës dhe të kuptueshëm. Ndërsa Perëndia na nxit që të vazhdojmë të përpiqemi, Ai pret që edhe ne t’u lejojmë të tjerëve hapësirën për të bërë të njëjtën gjë, sipas vetë ritmit të tyre. Shlyerja do të vijë në jetën tonë në masë edhe më të madhe. Atëherë ne do të pranojmë se, pavarësisht nga ndryshimet e dukshme, të gjithë ne kemi nevojë për të njëjtën Shlyerje të pafundme.
Disa vite më parë, një i ri i mrekullueshëm i quajtur Kërtis u thirr për të shërbyer në një mision. Ai ishte lloji i misionarit për të cilin lutet çdo president misioni. Ai ishte i përqendruar dhe punonte fort. Njëherë, atij iu caktua një shok misionar i cili ishte i papjekur, jo i shoqërueshëm dhe jo fort entuziast për kryerjen e punëve.
Një ditë, ndërsa po ngitnin biçikletat, Kërtisi ktheu kokën dhe pa që shoku i tij në mënyrë të pashpjegueshme kishte zbritur nga biçikleta dhe po ecte në këmbë. Në heshtje, Kërtisi i shprehu zemërimin e tij Perëndisë; çfarë vështirësie ishte të caktoheshe me një shok që duhej ta tërhiqje fort në mënyrë që të bënte çdo gjë. Disa çaste më pas, Kërtisi pati një përshtypje të fortë, sikur Perëndia po i thoshte: “A e di, Kërtis, kur ju krahasoj, ju të dy nuk jeni dhe aq të ndryshëm”. Kërtisi mësoi se duhej të ishte i duruar me një shok të papërsosur i cili megjithatë po përpiqej sipas mënyrës së tij.
Ftesa ime për të gjithë ne, është që ta vlerësojmë jetën tonë, të pendohemi dhe të vazhdojmë të përpiqemi. Nëse nuk përpiqemi, ne jemi thjesht mëkatarë të ditëve të mëvonshme; nëse nuk këmbëngulim, jemi frikacakë të ditëve të mëvonshme; dhe nëse nuk i lejojmë të tjerët të përpiqen, jemi hipokritë të ditëve të mëvonshme. Kur përpiqemi, këmbëngulim dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ne jemi shenjtorë të vërtetë të ditëve të mëvonshme. Ndërsa ne ndryshojmë, do të zbulojmë se Perëndia me të vërtetë shqetësohet më shumë rreth asaj se kush jemi dhe kush po bëhemi sesa kush ishim dikur.
Jam thellësisht mirënjohës për Shpëtimtarin, për Shlyerjen e Tij të pafundme dhe për profetët e ditëve të mëvonshme, që na nxitin për të qenë shenjtorë të ditëve të mëvonshme e të vazhdojmë të përpiqemi. Unë dëshmoj për realitetin e gjallë të Shpëtimtarit, në emrin e Jezu Krishtit, amen.