Me të Vërtetë plot Mirësi dhe pa Mashtrim
Lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit është që dëshirat e zemrave tona mund të shndërrohen dhe shtysat tona mund të edukohen e përpunohen.
Fatkeqësisht, ka qenë një kohë në jetën time kur unë merrja shtysë nga titujt dhe autoriteti. Ajo filloi vërtet në mënyrë të pafajshme. Ndërsa po përgatitesha që të shërbeja në një mision me kohë të plotë, vëllai im më i madh u bë një udhëheqës zone në misionin e tij. Dëgjova kaq shumë gjëra pozitive të thuheshin rreth tij saqë nuk mund të mos doja që ato gjëra të thuheshin edhe për mua. Unë shpresoja dhe mund edhe të jem lutur për një pozitë të ngjashme.
Fatmirësisht, teksa po shërbeja në misionin tim, mora një mësim të fuqishëm. Konferencën e kaluar, u rikujtova për atë mësim.
Në tetor, Presidenti Diter F. Uhtdorf tha: “Përgjatë rrjedhës së jetës sime, kam pasur mundësinë të qëndroj krah për krah me disa nga burrat dhe gratë më të afta dhe më inteligjente që ka për të ofruar kjo botë. Kur isha më i ri, më lanë mbresa ata që ishin të arsimuar, të përgatitur, të suksesshëm dhe të lavdëruar nga bota. Por me kalimin e viteve, kam arritur të kuptoj se më kanë lënë shumë më tepër mbresa ata, shpirtrat e mrekullueshëm dhe të bekuar të të cilëve janë me të vërtetë plot mirësi dhe pa mashtrim.”
Heroi im në Librin e Mormonit është një shembull i përsosur i një shpirti të mrekullueshëm dhe të bekuar, i cili ishte me të vërtetë plot mirësi dhe pa mashtrim. Shibloni ishte një nga bijtë e Almës të Riut. Ne njihemi më shumë me vëllezërit e tij, Helamanin, i cili do të pasonte të atin si mbajtësi i analeve dhe si profeti i Perëndisë, dhe Koriantonin, i cili fitoi njëfarë fame të keqe si një misionar që kishte nevojë për këshillim nga ati i tij. Helamanit, Alma i shkroi 77 vargje (shih Alma 36–37). Koriantonit, Alma i dedikoi 91 vargje (shih Alma 39–42). Shiblonit, birit të tij të mesëm, Alma i shkroi vetëm 15 vargje (shih Alma 38). Sidoqoftë fjalët e tij në ato 15 vargje janë të fuqishme dhe udhëzuese.
“Dhe tani, biri im, besoj se do të kem gëzim të madh në ty, për shkak të ngulmit tënd dhe të besnikërisë tënde ndaj Perëndisë; pasi, ashtu sikurse fillove në rininë tënde të shikosh te Zoti, Perëndia yt, ashtu madje shpresoj se do të vazhdosh të zbatosh urdhërimet e tij; pasi i bekuar është ai që duron deri në fund.
Unë të them, biri im, se tashmë kam patur gëzim të madh te ti, për shkak të besnikërisë tënde dhe të zellit tënd, dhe të durimit tënd, dhe të vuajtjeve të tua të mëdha mes popullit” (Alma 38:2–3).
Përveçse foli me Shiblonin, Alma gjithashtu i foli Koriantonit rreth tij. Alma tha: “A nuk ke vënë re ngulmin e vëllait tënd, besnikërinë e tij dhe zellin e tij në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë? Vër re, a nuk ka dhënë ai një shembull të mirë për ty?” (Alma 39:1).
Duket se Shibloni ishte një bir i cili donte të kënaqte atin e tij dhe shkonte poshtë e lart duke bërë atë që ishte e drejtë për hir të së drejtës dhe jo për lëvdata, pozitë, pushtet, njohje, apo autoritet. Helamani duhet ta ketë ditur dhe respektuar këtë fakt rreth vëllait të tij, sepse ai i dha Shiblonit kujdestarinë e analeve të shenjta të cilat i kishte marrë nga ati i tij. Me siguri Helamani kishte besim te Shibloni sepse “ai qe një njeri i drejtë dhe eci drejt para Perëndisë; dhe ai u përpoq të bënte gjithnjë mirë, të zbatonte urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tij” (Alma 63:2). Siç duket vërtet karakteristike për Shiblonin, nuk është shkruar shumë rreth tij që nga koha që ai mori kujdestarinë e analeve të shenjta deri kur ai ia dha ato Helamanit, birit të Helamanit (shih Alma 63:11).
Shibloni ishte me të vërtetë plot mirësi dhe pa mashtrim. Ai ishte një njeri i cili sakrifikoi kohën, talentet dhe mundin e tij për t’i ndihmuar dhe lartësuar të tjerët për shkak të dashurisë së tij për Perëndinë dhe për bashkëqeniet e tij (shih Alma 48:17–19; 49:30). Ai është përshkruar përsosurisht nga fjalët e Presidentit Spenser W. Kimball: “Gratë dhe burrat e mëdhenj janë gjithmonë më të shqetësuar për të shërbyer sesa për të pasur pushtet”.
Në një botë ku lëvdata, pozita, pushteti, njohja dhe autoriteti kërkohen nga çdo anë, unë i nderoj ata shpirtra të mrekullueshëm dhe të bekuar të cilët janë me të vërtetë plot mirësi dhe pa mashtrim, ata që janë të shtyrë nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmit e tyre, ata burra dhe gra të mëdhenj të cilët janë “më të shqetësuar për të shërbyer sesa për të pasur pushtet”.
Sot ka disa që do të donin të na bënim të besonim se kërkimi ynë për rëndësi mund të kënaqet vetëm duke marrë pozitë dhe pushtet. Sidoqoftë, fatmirësisht, ka shumë të cilët nuk ndikohen nga kjo perspektivë. Ata gjejnë rëndësi duke kërkuar të jenë me të vërtetë plot mirësi dhe pa mashtrim. I kam gjetur ata në çdo lloj rendi social dhe në shumë tradita fetare. Dhe i gjej ata në numra të mëdhenj midis ndjekësve të Krishtit të kthyer me të vërtetë në besim.
I nderoj ata që shërbejnë çdo javë në mënyrë vetëmohuese në lagjet dhe degët rreth botës duke shkuar mbi dhe përtej përmbushjes së thirrjeve. Por thirrjet vijnë dhe ikin. Edhe më mbresëlënës për mua janë shumë njerëz të cilët, edhe pse pa thirrje zyrtare, gjejnë mënyra për t’u shërbyer pareshtur dhe për t’i lartësuar të tjerët. Një vëlla vjen herët në kishë që të rregullojë karriget dhe rri mbas [kishës] për ta sistemuar atë. Një motër qëllimisht zgjedh një ndenjëse afër një motre të verbër në lagjen e saj, jo vetëm që të mund ta përshëndetë atë, por edhe që të mund të këndojë himnet me zë mjaftueshëm të lartë që motra e verbër të mund t’i dëgjojë fjalët dhe të këndojë bashkë me të. Nëse vështroni nga afër në lagjen ose degën tuaj, ju do të gjeni shembuj të tillë. Gjithmonë ka anëtarë të cilët duket se e dinë se kush ka nevojë për ndihmë dhe kur ta ofrojnë atë.
Ndoshta mësimi im i parë për shenjtorët me të vërtetë plot mirësi e pa mashtrim u mor kur unë isha një misionar i ri. Unë u shpërngula në një zonë me një plak [elder] që nuk e njihja. I kisha dëgjuar misionarët e tjerë të flisnin rreth faktit se si ai nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë detyrë udhëheqjeje dhe se si ai kishte probleme me gjuhën koreane pavarësisht se kishte qenë në atë vend për një kohë të gjatë. Por ndërsa fillova ta njoh këtë plak, unë zbulova se ai ishte një prej misionarëve më të bindur dhe besnikë që kisha njohur. Ai studionte kur ishte koha për të studiuar; ai punonte kur ishte koha për të punuar. Ai largohej nga apartamenti në kohë dhe kthehej në kohë. Ai ishte i zellshëm në studimin e gjuhës koreane edhe pse gjuha ishte veçanërisht e vështirë për të.
Kur e kuptova që komentet që kisha dëgjuar ishin të pavërteta, unë ndjeva sikur ky misionar po gjykohej keq si i pasuksesshëm. Unë doja t’i thoja të gjithë misionit se çfarë kisha zbuluar rreth këtij plaku. Unë e ndava me presidentin tim të misionit dëshirën time për ta ndrequr këtë keqkuptim. Përgjigjja e tij ishte: “Ati Qiellor e di që ky i ri është një misionar i suksesshëm, po ashtu edhe unë”. Ai shtoi: “Dhe ti e di gjithashtu, prandaj kush tjetër ka vërtet rëndësi?” Ky president misioni i urtë më mësoi se çfarë kishte rëndësi në shërbim, dhe nuk ishin lavdet, pozita, pushteti, nderi apo autoriteti. Ky ishte një mësim i madh për një misionar të ri i cili ishte shumë i përqendruar tek titujt.
Me këtë mësim në mendje, fillova të shoh pas në jetën time për të parë se sa shpesh isha ndikuar nga burra dhe gra të cilët në atë kohë nuk mbanin një titull ose pozitë të lartë. Një nga ata shpirtra të ngjashëm me Shiblonin ishte mësuesi im i seminarit gjatë vitit tim të tretë në shkollë të mesme. Ky burrë i mirë dha mësim në seminar për vetëm dy ose tre vjet, por ai e hapi zemrën time në një mënyrë që më ndihmoi të fitoja një dëshmi. Ai mund të mos ishte mësuesi më i njohur në shkollë, por ai ishte gjithmonë i përgatitur dhe ndikimi i tij mbi mua ishte i fuqishëm dhe i qëndrueshëm. Një nga të paktat herë që e pashë këtë njeri në 40 vitet mbasi më kishte dhënë mësim, ishte kur ai erdhi të më takonte në varrimin e atit tim. Me të vërtetë, ai ishte një gjest i cili nuk mori shtysë nga titulli ose pushteti.
Unë e nderoj atë mësues të përkushtuar dhe shumë si ai të cilët janë me të vërtetë plot mirësi dhe pa mashtrim. E nderoj mësuesin e Shkollës të së Dielës i cili nuk i mëson studentët e tij vetëm gjatë orës mësimore të dielën, por gjithashtu i mëson dhe ndikon te po këta studentë duke i ftuar ata t’i bashkohen familjes së tij për të ngrënë mëngjes. I nderoj udhëheqësit e rinisë të cilët marrin pjesë në veprimtaritë sportive dhe kulturore të të rinjve dhe të rejave në lagjet e tyre. E nderoj burrin i cili shkruan pusulla nxitëse për fqinjët dhe gruan e cila jo thjesht i poston kartolinat e Krishtlindjes, por ua dorëzon ato në dorë anëtarëve të familjes dhe miqve të cilët kanë nevojë për një vizitë. E nderoj vëllanë i cili e merrte rregullisht fqinjin e vet për një xhiro me makinë gjatë ditëve të tij të errëta të Alzheimerit – duke i dhënë si atij dhe gruas së tij një ndryshim ritmi të shumënevojitur.
Këto gjëra nuk bëhen për lavde ose njohje. Këta burra dhe gra nuk marrin shtysë nga mundësia e marrjes së titujve apo autoritetit. Ata janë dishepuj të Krishtit, të cilët shkojnë poshtë e lart duke bërë mirë vazhdimisht, dhe, ashtu si Shibloni, ata po përpiqen të kënaqin Atin e tyre në Qiell.
Trishtohem kur dëgjoj për disa që reshtin së shërbyeri apo së ardhuri në kishë sepse ata janë liruar nga një thirrje apo ndihen se të anashkaluar për një pozitë apo titull. Unë shpresoj që një ditë ata do të mësojnë të njëjtin mësim që unë mësova si një misionar i ri – që shërbimi që ka më shumë rëndësi, zakonisht njihet vetëm nga Perëndia. Në përpjekjet tona për interesat vetjake, a e kemi harruar ne vullnetin e Perëndisë?
Disa mund të thonë: “Por mua më duhet shumë punë për t’u bërë si ata që ti përshkruan”. Lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit është që dëshirat e zemrave tona mund të shndërrohen dhe shtysat tona mund të edukohen e përpunohen. Kur pagëzohemi në grigjën e vërtetë të Perëndisë, ne fillojmë procesin e të bërit krijesa të reja (shih 2 Korintasve 5:17; Mosia 27:26). Çdo herë që ne epërtërijmë besëlidhjen e pagëzimit duke marrë sakramentin, ne jemi një hap më pranë atij qëllimi përfundimtar. Ndërsa durojmë në atë besëlidhje, ne i qasemi fuqisë për të vajtuar me ata që vajtojnë dhe për të ngushëlluar ata që kanë nevojë për ngushëllim (shih Mosia 18:9). Në atë besëlidhje, ne gjejmë hirin i cili na mundëson t’i shërbejmë Perëndisë dhe t’i mbajmë urdhërimet e Tij, duke përfshirë, ta duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë dhe t’i duam të afërmit porsi vetveten. Në atë besëlidhje, Perëndia dhe Krishti na ndihmojnë që ne të mund të ndihmojmë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë (shih Mosia 4:16; shih edhe vargjet 11–15).
Ajo që dua me të vërtetë në jetë, është të kënaq etërit e mi – si tokësorë edhe qiellorë – dhe të jem më shumë si Shibloni.
Unë e falënderoj Atin tim Qiellor për shpirtra si të Shiblonit, shembujt e të cilëve më ofrojnë mua – dhe të gjithëve neve – shpresë. Në jetën e tyre, ne shohim një dëshmi të një Ati të dashur në Qiell dhe të një Shpëtimtari të kujdesshëm e të dhembshur. Dëshmisë së tyre unë i shtoj dëshminë time me një zotim për t’u përpjekur të jem më shumë si ata, në emrin e Jezu Krishtit, amen.