“Agjërimi që më Pëlqen a Nuk Është Vallë Ky?”
Oferta juaj e agjërimit do të bëjë më shumë se sa të ndihmojë për të ushqyer e veshur trupat. Ajo do të shërojë dhe do të ndryshojë zemra.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, është gëzim për mua që t’jua shtrij dashurinë time juve në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai gëzim vjen prej dëshmisë së Shpirtit që dashuria e Shpëtimtarit i drejtohet secilit prej jush dhe të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Ati ynë Qiellor dëshiron t’i bekojë fëmijët e Tij shpirtërisht dhe materialisht. Ai e kupton secilën prej nevojave të tyre, dhembjeve të tyre dhe shpresave të tyre.
Kur i ofrojmë ndihmë dikujt, Shpëtimtari e sheh atë sikur të ishim duke iu drejtuar Atij për ta ndihmuar.
Ai na tha se ajo ishte e vërtetë kur përshkroi një çast të ardhshëm që ne të gjithë do ta kemi, kur ta shohim Atë pasi të ketë mbaruar jeta jonë në këtë botë. Në mendjen time, një pamje e asaj dite është rritur më e gjallë në ditët që jam lutur dhe kam agjëruar për të ditur se çfarë të them këtë mëngjes. Përshkrimi i Zotit për atë intervistë të ardhshme iu dha dishepujve të Tij dhe ajo përshkruan atë që ne dëshirojmë me gjithë zemër që të jetë e vërtetë edhe për ne:
“Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.
Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,
isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë.’
Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?
Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?
Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’
Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’.”
Ju dhe unë e duam atë mirëpritje të ngrohtë nga Shpëtimtari. Por si mund ta meritojmë atë? Ka më shumë fëmijë të Atit Qiellor të uritur, të pastrehë dhe të vetmuar, të cilëve ndoshta mund t’u afrohemi. Dhe numrat rriten gjithnjë e më shumë përtej aftësisë sonë për të ndihmuar.
Kështu që Zoti na ka dhënë diçka që secili nga ne mund ta bëjë. Është një urdhërim kaq i thjeshtë sa edhe një fëmijë mund ta kuptojë. Është një urdhërim me një premtim të mrekullueshëm për ata që janë nevojtarë dhe për ne.
Është ligji i agjërimit. Fjalët në librin e Isaias janë përshkrimi i Zotit për urdhërimin dhe bekimin e mundshëm për ata njerëz prej nesh në Kishën e Tij:
“Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërrmosh çdo zgjedhë?
A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?
Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.
Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: ‘Ja ku jam!’ Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,
në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.
Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.”
Kështu Zoti na ka dhënë një urdhërim të thjeshtë me një premtim të mrekullueshëm. Në Kishë sot ne na jepet mundësia të agjërojmë një herë në muaj dhe të japim një ofertë bujare agjërimi nëpërmjet peshkopit ose presidentit tonë të degës për përfitimin e të varfërve dhe nevojtarëve. Një pjesë e asaj që jepni, do të përdoren për të ndihmuar njerëzit përreth jush, ndoshta dikë në vetë familjen tuaj. Shërbëtorët e Zotit do të luten e agjërojnë për zbulesën që të dinë se kë të ndihmojnë dhe çfarë ndihme të japin. Ajo që nuk nevojitet për t’i ndihmuar njerëzit në njësinë tuaj vendore të Kishës, do të vihet në dispozicion për t’i bekuar anëtarët e tjerë të Kishës anembanë botës, të cilët janë nevojtarë.
Urdhërimi për të agjëruar për përfitimin e të varfërve ka shumë bekime të lidhura me të. Presidenti Spenser W. Kimball e quajti dështimin për ta ndjekur atë ligj një mëkat i mosbërjes, me një peshë të rëndë. Ai shkroi: “Premtime të çmuara u bëhen nga Zoti atyre që agjërojnë dhe i ndihmojnë nevojtarët. … Frymëzimi dhe udhërrëfimi shpirtëror do të vijnë për shkak të drejtësisë dhe afërsisë ndaj Atit tonë Qiellor. Lënia pas dore e kryerjes së këtij veprimi të drejtë të agjërimit, do të na bëjë t’i humbasim këto bekime.”
Unë e mora një prej këtyre bekimeve vetëm pak javë më parë. Ngaqë konferenca e përgjithshme ndodh në një fundjavë që zakonisht do të përfshinte mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive, unë agjërova dhe u luta për të ditur se si akoma duhej t’i bindesha urdhërimit për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë.
Një të shtunë, ende duke agjëruar, u zgjova në 6:00 të mëngjesit dhe u luta përsëri. U ndjeva i nxitur të shihja lajmet botërore. Atje lexova këtë njoftim:
Cikloni tropikal Pem shkatërroi shumë shtëpi ndërsa kalonte drejtpërsëdrejti mbi Port-Vilën, kryeqytetin e Vanuatus. Vrau të paktën gjashtë njerëz në Vanuatu, stuhia e parë e vërtetuar me vdekje si një prej stuhive më të fuqishme që preku ndonjëherë tokën.
“As edhe një pemë nuk qëndroi më këmbë [kur cikloni] e goditi mes përmes” kombin e ishujve të Paqësorit.
Ekipi i vlerësimit të urgjencave nga organizata World Vision planifikoi ta vlerësonte dëmtimin pasi të mbaronte stuhia.
Ata i këshilluan banorët që të kërkonin strehim në godina të qëndrueshme, të tilla si universitete e shkolla.
Dhe më pas ata thanë: ‘Gjëja më e fortë që kemi, është kishat prej betoni’, tha Inga Mefami [nga] organizata CARE International. … ‘Disa prej njerëzve nuk e kanë as atë. Është e vështirë të gjendet një godinë që ta mendosh të jetë në gjendje t’i bëjë ballë një (stuhie) të kategorisë 5.’”
Kur e lexova atë, m’u kujtua që kisha vizituar shtëpi të vogla në Vanuatu. Mund të përfytyroja në mendjen time njerëz të kruspulluar në shtëpitë që po shkatërroheshin nga erërat. Dhe më pas m’u kujtua mikpritja e ngrohtë ndaj meje prej njerëzve të Vanuatus. Mendova për ta dhe fqinjët e tyre duke ikur me nxitim drejt sigurisë së kishës sonë prej betoni.
Më pas përfytyrova peshkopin dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës duke ecur mes tyre, duke dhënë ngushëllim, batanije, ushqim për të ngrënë dhe ujë për të pirë. Mund të përfytyroja fëmijët e frikësuar, të kruspulluar së bashku.
Ata janë kaq larg nga shtëpia ku e lexova atë artikull dhe prapëseprapë e dija se çfarë Zoti do të ishte duke bërë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij. E dija se ajo që e bëri të mundshme për ta që t’i ndihmonin fëmijët e Atit Qiellor, ishin ofertat e agjërimit, të dhëna lirisht nga dishepujt e Zotit të cilët ishin shumë larg prej tyre, por ishin pranë Zotit.
Kështu që nuk prita për të dielën. Ia çova një ofertë agjërimi peshkopit tim atë mëngjes. E di se oferta ime mund të përdoret nga peshkopi dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës për ta ndihmuar dikë në lagjen time të banimit. Oferta ime e vogël mund të mos nevojitet pranë vendit ku jetojmë familja ime dhe unë, por teprica vendore mund të arrijë edhe aq larg sa Vanuatu.
Stuhi dhe tragjedi të tjera do të vijnë anembanë botës drejt njerëzve që Zoti i do dhe hidhërimet e të cilëve Ai i ndien. Një pjesë e ofertës suaj dhe ofertës sime të agjërimit këtë muaj do të përdoret për ta ndihmuar dikë, diku, lehtësimin e të cilit Zoti do ta ndjejë sikur të ishte për Atë vetë.
Oferta juaj e agjërimit do të bëjë më shumë se sa të ndihmojë për të ushqyer e veshur trupat. Ajo do të shërojë dhe do të ndryshojë zemra. Fryti i një oferte të dhënë lirisht mund të jetë dëshira në zemrën e marrësit për t’i ndihmuar të tjerët që janë nevojtarë. Ajo ndodh anembanë botës.
Ndodhi në jetën e Motrës Abi Ture, që jeton në Sierra-Leone. Një luftë civile filloi në vitin 1991. E rrënoi vendin për vite. Sierra-Leone ishte tashmë një nga vendet më të varfra në botë. “Gjatë luftës ishte e paqartë se kush e kontrollonte vendin – bankat … u mbyllën, zyrat qeveritare i mbyllën dyert, forcat policore [ishin të paefektshme kundër forcave rebele] … dhe kishte rrëmujë, vrasje dhe hidhërim. Dhjetëra mijëra njerëz humbën jetën dhe më shumë se dy milionë njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’iu shmangur masakrës.”
Edhe në kohë të tilla, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u rrit.
Një nga degët e para u organizua në qytetin ku jetonte Motra Ture. Bashkëshorti i saj ishte presidenti i parë i degës. Ai shërbeu si president distrikti gjatë luftës civile.
Kur miqtë e vizitojnë shtëpinë e Motrës Ture [tani], ajo me shumë dëshirë iu tregon atyre dy [thesare] nga lufta: një këmishë me viza blu e të bardha [që e mori] nga një grumbull rrobash të përdorura, [të dhëna nga anëtarët e Kishës], dhe një batanije, tani e grisur dhe plot vrima.”
Ajo thotë: “Kjo këmishë është veshja … e parë [që mora]. … Dikur e vishja që të shkoja në punë – ishte kaq e mirë. [Më bëri të ndihesha kaq e bukur.] Nuk kisha veshje të tjera.
“Gjatë luftës, kjo batanije na mbajti ngrohtë, mua dhe fëmijët e mi. Kur rebelët [do të] vinin të na sulmonin, kjo ishte e vetmja gjë që [mund] ta merrja me vete [teksa vraponim drejt shkurreve për t’u fshehur]. Kështu që [do ta] merrnim batanijen me vete. Do të na mbante ngrohtë dhe do t’i largonte mushkonjat prej nesh.”
“Motra Ture flet për mirënjohjen e saj për një president misioni, i cili do t’ia dilte mbanë të hynte në një vend të rrënuar nga lufta me [para] në xhep.” Ato fonde, nga dhurimet e ofertave të agjërimit të dikujt si ju, i lejuan shenjtorët të blinin ushqime që shumica e njerëzve në Sierra-Leone nuk mund t’i blinin me një çmim që mund ta përballonin.
Motra Ture, duke folur për njerëzit që ishin mjaft bujarë sa të dhuronin që ata të mbijetonin, thotë: “Kur mendoj [për] njerëzit që e bënë këtë gjë, … unë e ndiej se [ata u dërguan] nga Perëndia, sepse qenie të zakonshme njerëzore e bënë këtë veprim dashamirës për [ne]”.
Një vizitor nga Shtetet e Bashkuara u takua me Abin jo shumë kohë më parë. Gjatë kohës që ai kaloi me të, sytë e tij “u tërhoqën drejt një kompleti të shkrimeve të shenjta që ishte mbi tavolinë”. Mundi të shihte se ato ishin një thesar, “të shënuara mirë me shënime nëpër kolonat. Faqet ishin [të vjetruara]; disa ishin të grisura. Kapaku ishte i shkëputur nga lidhësja.”
Ai i mbajti shkrimet e shenjta në “dorë dhe me kujdes i hapi fletët. Ndërsa [i hapte, gjeti një] kopje të verdhë të një mandatdhurimi të së dhjetës. [Ai] mundi të shihte se në një vend ku një dollar amerikan kishte vlerën e floririt, Abi Ture kishte paguar një dollar për të dhjetën e saj, një dollar për fondin misionar dhe një dollar si ofertë agjërimi për ata që, sipas fjalëve të saj, ishin ‘me të vërtetë të varfër’”.
Vizitori i mbylli shkrimet e shenjta të Motrës Ture dhe mendoi, teksa qëndronte me këtë nënë besnike afrikane, se ai ishte në një vend të shenjtë.
Ashtu sikurse marrja e bekimit të ofertës suaj dhe të ofertës sime të agjërimit mund ta ndryshojë zemrën, kështu mund ta ndryshojë zemrën edhe agjërimi për të mirën e një njeriu tjetër. Edhe një fëmijë mund ta ndiejë atë.
Shumë fëmijë dhe disa të rritur, për arsye vetjake mund ta konsiderojnë agjërimin për 24 orë si diçka të vështirë. Mund të mendohet, sipas fjalëve të Isaias, se agjërimi i ka “hidhëruar shpirtrat [e tyre]”. Prindër të urtë e dallojnë atë mundësi dhe prandaj janë të kujdesshëm që ta ndjekin këshillën e Presidentit Jozef F. Smith: “Më mirë t’ua mësoni atyre parimin dhe t’i lejoni ta vëzhgojnë atë kur të jenë në moshë të mjaftueshme për të zgjedhur në mënyrë inteligjente”.
E pashë bekimin që vjen nga ajo këshillë kohët e fundit. Një nga nipërit e mi e kishte parë agjërimin për 24 orë si diçka përtej fuqisë së tij për të duruar. Por prindërit e tij të urtë prapëseprapë e vendosën atë parim në zemrën e tij. Një prej shokëve të tij në shkollë kohët e fundit e humbi një kushëri në moshë të re prej një vdekjeje aksidentale. Nipi im e pyeti nënën e tij në ditën e agjërimit, pranë atij çasti kur gjithmonë e kishte ndier se agjërimi ishte shumë i vështirë ta vazhdonte, nëse do ta bënte të ndihej më mirë mikun e tij të hidhëruar, në qoftë se ai do ta vazhdonte agjërimin e tij.
Pyetja e tij ishte pohimi i këshillës së Presidentit Jozef F. Smith. Nipi im kishte arritur në pikën ku jo vetëm që e kishte kuptuar parimin e agjërimit, por ai parim gjithashtu kishte hedhur rrënjë në zemrën e tij. Kishte arritur ta ndiente se agjërimi dhe lutjet e tij do të çonin drejt një bekimi nga Perëndia për një njeri nevojtar. Nëse nipi e jeton parimin mjaft shpesh, ai parim do të sjellë efektet e mrekullueshme siç u premtuan nga Zoti, në vetë jetën e tij. Ai do të ketë bekimin shpirtëror të fuqisë për të marrë frymëzim dhe aftësi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit.
Ne nuk i njohim të gjitha arsyet përse Jezu Krishti shkoi në shkretëtirë për të agjëruar dhe për t’u lutur. Por ne e dimë të paktën njërin prej këtyre ndikimeve: Shpëtimtari u bëri ballë tërësisht tundimeve të Satanit për ta keqpërdorur fuqinë e Tij hyjnore.
Koha e shkurtër që agjërojmë çdo muaj dhe sasia e vogël që ofrojmë për të varfrit, mund të na japë vetëm një pjesë të vogël të ndryshimit në natyrën tonë për të mos pasur më dëshirë për të bërë keq. Por ka një premtim të madhërishëm, edhe kur bëjmë, në mënyrë të arsyeshme, gjithçka që mundemi për t’u lutur, për të agjëruar e për të dhuruar për njerëzit nevojtarë:
“Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.
Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: ‘Ja ku jam!’”
Lutem që ne do t’i marrim ato bekime të madhërishme për veten tonë dhe për familjet tona.
Unë jap dëshminë time se Jezusi është Krishti, se në Kishën e Tij ne ftohemi ta ndihmojmë Atë teksa Ai kujdeset për të varfrit sipas mënyrës së Tij dhe se Ai premton që bekime të përhershme do të vijnë nga ndihma jonë për Të. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.