Jini të Frytshëm, Shumëzohuni dhe Nënshtrojeni Tokën
Ati Qiellor na ka urdhëruar dhe bekuar që të jemi të frytshëm, të shumëzohemi dhe ta nënshtrojmë tokën që të mund të bëhemi si Ai.
Faleminderit, Kori i Tabernakullit për atë nderim të ëmbël ndaj Shpëtimtarit të botës.
Ditën që Perëndia, Ati, thirri Birin e Tij të Vetëmlindur për të krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tyre, Ai i bekoi fëmijët e Tij, duke thënë: “Jini të frytshëm dhe shumëzohuni e mbushni tokën dhe nënshtrojeni atë, dhe kini sundim … mbi çdo gjallesë që lëviz mbi tokë”. Kështu, udhëtimi ynë në vdekshmëri filloi si me një urdhër hyjnor, ashtu dhe me një bekim. Një Atë i dashur na dha urdhrin dhe bekimin që të jemi të frytshëm, të shumëzohemi dhe të kemi sundim, kështu që ne të mund të zhvillohemi e të bëhemi madje ashtu siç është Ai.
Vëllezër dhe motra, këtë pasdite ftoj besimin dhe lutjet tuaja ndërsa ndaj disa mendime me ju në lidhje me tri tipare thelbësore të natyrës sonë hyjnore. Lutja ime është që ne të gjithë të mund ta njohim dhe ta përmbushim më plotësisht përgjegjësinë tonë të shenjtë – urdhrin e Atit tonë – që ta zhvillojmë natyrën tonë hyjnore që të mund ta kryejmë udhëtimin tonë më me sukses dhe të arrijmë fatin tonë hyjnor.
Së Pari, Perëndia na Urdhëroi që të Jemi të Frytshëm
Një pjesë e rëndësishme e të qenit të frytshëm, që nganjëherë shpërfillet, është të sjellësh mbretërinë e Perëndisë mbi tokë. Shpëtimtari dha mësim:
“Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. …
Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.
Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.”
Ne bëhemi të frytshëm kur qëndrojmë në Krisht dhe kur ne “marri[m] mbi vete emrin e [Tij dhe i] shërb[ejmë] atij deri në fund” duke i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Ai.
Në kohën tonë, profetët dhe apostujt e gjallë vazhdojnë të ngrenë zërin e tyre për ta ftuar secilin nga ne që të bëhemi plotësisht të përfshirë në punën e shpëtimit, sipas aftësive dhe mundësive tona.
Pikënisja e një përgjigjeje që jep shumë fryt, është të “[jesh] i bindur dhe i përulur në zemër”. Atëherë ne mund të vijmë më plotësisht te Krishti ndërsa i dëgjojmë nxitjet e Shpirtit të Shenjtë dhe i mbajmë të gjitha besëlidhjet që kemi bërë. Ne mund të kërkojmë dhe marrim dhuratën e dashurisë hyjnore dhe të kemi fuqi për t’i ftuar vetë familjet tona, paraardhësit tanë dhe fqinjët e miqtë tanë anëtarë dhe joanëtarë për të marrë ungjillin e Jezu Krishtit.
Të punosh me shpirtin e dashurisë hyjnore nuk është një detyrë por një gëzim. Sfidat bëhen mundësi për të ndërtuar besimin. Ne bëhemi “dëshmitarë të [mirësisë së] Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[mi], madje deri në vdekje”.
Të gjithë ne mund dhe duhet të bëhemi plotësisht të përfshirë në punën e shpëtimit. Shpëtimtari na ka dhënë përgjegjësinë vijuese me një premtim: “Unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai t’jua japë”.
Së Dyti, Perëndia na Urdhëroi që të Shumëzohemi
Trupat tanë fizikë janë një bekim nga Perëndia. Ne i morëm ato për qëllimet e përmbushjes së punës së Atit Qiellor që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”. Trupi është mjeti nëpërmjet të cilit ne mund të arrijmë potencialin tonë hyjnor.
Trupi u mundëson fëmijëve shpirtërorë e të bindur të Atit Qiellor që të përjetojnë jetën në tokë. Lindja e fëmijëve u jep fëmijëve të tjerë shpirtërorë të Perëndisë mundësinë që gjithashtu ta gëzojnë jetën në tokë. Të gjithë që kanë lindur në vdekshmëri, kanë mundësinë të përparojnë dhe të ekzaltohen nëse u binden urdhërimeve të Perëndisë.
Martesa midis një burri dhe një gruaje është institucioni që Perëndia caktoi për përmbushjen e urdhrit për t’u shumëzuar. Një marrëdhënie e së njëjtës gjini nuk shumëzon.
Një martesë e ligjshme dhe besnike e vulosur në tempull dhe në të cilën besëlidhjet vulosëse nderohen, u jep prindërve dhe fëmijëve të tyre mundësinë për përvojën më të mirë të dashurisë dhe përgatitjen për një jetë të frytshme. U ofron atyre mjedisin ideal në të cilin ata mund t’i jetojnë besëlidhjet e tyre të bëra me Perëndinë.
Për shkak të dashurisë së Tij për ne, Ati Qiellor ka siguruar që të gjithë fëmijët e Tij besnikë të cilët, jo për shkak të tyre, nuk i gëzojnë bekimet e një martese në besëlidhje dhe të fëmijëve apo një plotësi të atyre bekimeve apo që nuk janë në gjendje t’i gëzojnë ato, do t’i gëzojnë këto bekime në kohën e caktuar të Zotit.
Profetët dhe apostujt e gjallë i kanë këshilluar të gjithë ata që kanë mundësinë të hyjnë në besëlidhjen e martesës së përjetshme, që të vazhdojnë në urtësi dhe besim. Ne nuk duhet ta shtyjmë kohën e asaj dite të shenjtë për shkak të kërkesave të botës apo të kapemi pas pritshmërive tona për një shok/shoqe të përshtatshëm/me në atë nivel, saqë e përjashton çdo kandidat/e të mundshëm/me.
Premtimi ndaj të gjithë atyre që janë vulosur në besëlidhjen e martesës së përjetshme dhe që janë frytdhënës për shkak të mbajtjes së besëlidhjeve të tyre, është që kundërshtari nuk do të ketë kurrë fuqi për ta gërryer themelin e shoqërimit të tyre të përjetshëm.
Së Treti, Perëndia na Urdhëroi që ta Nënshtrojmë Tokën
Të nënshtrosh tokën dhe të kesh sundim mbi çdo gjallesë të gjallë është t’i kontrollosh këto gjëra që ato të përmbushin vullnetin e Perëndisë ndërsa u shërbejnë qëllimeve të fëmijëve të Tij. Nënshtrimi përfshin të fitojmë kontroll mbi vetë trupat tanë. Ai nuk përfshin të qenit pre e pashpresë e këtyre gjërave apo përdorimin e tyre kundër vullnetit të Perëndisë.
Zhvillimi i aftësisë për t’i nënshtruar gjërat e tokës, fillon me përulësinë për t’i njohur dobësitë tona njerëzore dhe fuqinë që na është mundësuar nëpërmjet Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Sepse “Krishti ka thënë: Në qoftë se ju do të keni besim në mua, ju do të keni fuqi të bëni çfarëdolloj gjëje që unë ta shoh të përshtatshme”. Kjo fuqi bëhet e mundur për ne kur zgjedhim të veprojmë me bindje ndaj urdhërimeve të Tij. Ne e rritim aftësinë tonë duke kërkuar dhuratat e Shpirtit dhe duke i zhvilluar talentet tona.
Unë u linda dhe u rrita në rrethana të përulura, tipike për shumë familje në Afrikë. Fitova aftësinë për ta nxjerrë veten time nga ato rrethana duke kërkuar dhe arritur, me ndihmën dashamirëse të prindërve të mi, një arsimim të mirë. Zhvillimi i një largpamësie për atë që mund të bëhesha, ishte thelbësor për përparimin tim. Më vonë, si një çift i ri, bashkëshortja ime, Gledisi dhe unë, gjetëm ungjillin e rivendosur, i cili vazhdon ta bekojë së tepërmi jetën tonë me udhëheqje shpirtërore. Ashtu si çdo familje, ne kemi sprovat e sfidat tona. Por, teksa i drejtohemi Zotit për ndihmë, ne kemi gjetur përgjigje që sjellin paqe e ngushëllim dhe nuk ndihemi të tronditur nga ato gjëra.
Sfidat që po has shoqëria njerëzore sot, duke përfshirë pamoralshmërinë, pornografinë, përleshjen e armatosur, ndotjen, abuzimin me substancat dhe varfërinë, lulëzojnë sepse shumë njerëz në botë ia kanë dorëzuar me vullnet të lirë veten e tyre “vullneti[t të] djallit dhe të mishit” më tepër sesa vullnetit të Perëndisë. “Ata nuk kërkojnë Zotin për të vendosur drejtësinë e tij, por çdokush ecën në udhën e vet dhe sipas shëmbëlltyrës së perëndisë së vet, shëmbëlltyrë e cila është sipas ngjasimit të botës.”
Megjithatë, Perëndia i fton të gjithë fëmijët e Tij që të marrin ndihmën e Tij për t’i mposhtur dhe duruar sfidat e kësaj jete me këto fjalë:
“Unë jam Perëndia; unë i bëra botën dhe njerëzit përpara se ata të ishin në mish.
… Në qoftë se do të kthehesh tek unë dhe i bindesh zërit tim, dhe beson, dhe pendohesh për të gjitha shkeljet e tua, dhe pagëzohesh, madje me ujë, në emër të Birit tim të Vetëmlindur, … ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë, duke i kërkuar të gjitha gjërat në emrin tim dhe çfarëdo që të kërkoni, do t’ju jepet.”
Shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme të cilët e kuptojnë potencialin e tyre hyjnor dhe mbështeten me gjithë zemër te fuqia e mundësuar nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht, forcohen në dobësitë e tyre natyrore dhe “mund [t’i] bëj[në] të gjitha gjërat”. Atyre u është dhënë mundësia t’i mposhtin joshjet e së ligës, të cilat kanë nënshtruar shumë njerëz nën skllavërinë e kundërshtarit. Pali dha mësim se:
“Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni”.
“Sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.”
Ati Qiellor na ka urdhëruar dhe bekuar që të jemi të frytshëm, të shumëzohemi dhe ta nënshtrojmë tokën që të mund të bëhemi si Ai. Ai na e ka mundësuar ndihmën që secili nga ne, sipas zgjedhjes sonë vetjake, vërtet të rritet për t’u bërë si Ai. Unë lutem që ne të gjithë të mund ta jetojmë jetën tonë në një mënyrë të atillë që do të udhëhiqemi nga largpamësia e natyrës sonë hyjnore, t’i marrim të gjitha privilegjet tona hyjnore dhe ta përmbushim fatin tonë hyjnor.
Unë dëshmoj për realitetin e gjallë të Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur, Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit; për planin e Tij të lavdishëm të lumturisë dhe për çelësat që Ai ka bërë t’i jepen një profeti të gjallë mbi tokë sot, madje Tomas S. Monsonit, të cilin e duam dhe e mbështetim. Unë lutem që ne të mund të kemi fuqi ta gëzojmë plotësinë e bekimeve të Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.