2010–2019
Plani i Lumturisë
Prill 2015


Plani i Lumturisë

Qëllimi i të gjithë veprimtarisë së Kishës është që të shikojë se një burrë e një grua me fëmijët e tyre janë të lumtur në shtëpi, të vulosur për përjetësinë.

Shumë vite më parë, pas Luftës II Botërore, unë po frekuentoja kolegjin. Atje takova Dona Smithin. Rreth asaj kohe lexova se dy përbërës thelbësorë të një martese të suksesshme janë një biskotë dhe një e puthur. Mendova se ky ishte një baraspeshim mjaft i mirë.

E frekuentoja kolegjin në mëngjes dhe më pas kthehesha në Brigam-Siti që të punoja në punishten e riparimit të makinave të babait tim gjatë pasdites. Ora e fundit mësimore në mëngjes për Donën ishte ora e ekonomisë shtëpiake. Ndalesha pranë klasës së saj përpara se të largohesha. Dera kishte një dritare me xham akulli por, nëse qëndroja pranë xhamit, ajo mund ta shihte hijen time jashtë derës. Ajo do të rrëshqiste jashtë me një biskotë dhe një të puthur. Përfundimi dihet. Ne u martuam në Tempullin e Loganit në Juta dhe kjo filloi aventurën e madhërishme të jetës sonë.

Përgjatë viteve, unë shpesh e kam dhënë mësim një parim të rëndësishëm: qëllimi i të gjithë veprimtarisë së Kishës është që të shikojë se një burrë e një grua me fëmijët e tyre janë të lumtur në shtëpi, të vulosur së bashku për kohën e për gjithë përjetësinë.

Në fillim:

“Kështu Perënditë zbritën për të organizuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tyre, në shëmbëlltyrën e Perëndive për ta formuar atë, mashkull dhe femër për t’i formuar ata.

Dhe Perënditë thanë: Ne do t’i bekojmë. Dhe Perënditë thanë: Ne do t’i bëjmë të jenë të frytshëm dhe të shumëzohen e të mbushin tokën, dhe ta nënshtrojnë atë” (Abraham 4:27–28).

Dhe kështu cikli i jetës njerëzore filloi mbi këtë tokë, ndërkohë që “Adami e njohu gruan e tij dhe ajo i dha atij bij e bija dhe ata filluan të shumëzohen e të mbushin tokën.

Dhe … bijtë dhe bijat e Adamit filluan të ndahen dy nga dy në tokë … dhe ata gjithashtu patën bij e bija” (Moisiu 5:2–3).

Urdhërimi për t’u shumëzuar e për të mbushur tokën nuk është hequr kurrë. Është thelbësor për planin e shëlbimit dhe është burimi i lumturisë njerëzore. Nëpërmjet ushtrimit të drejtë të kësaj fuqie, ne mund të vijmë pranë Atit tonë në Qiell dhe të përjetojmë një plotësi të gëzimit, madje të qenit perëndi. Fuqia e riprodhimit nuk është një pjesë rastësore e planit; ajo është plani i lumturisë; ajo është kyçi i lumturisë.

Dëshira e njerëzimit për t’u çiftëzuar është e përhershme dhe shumë e fortë. Lumturia jonë në jetën në vdekshmëri, gëzimi dhe ekzaltimi ynë janë të varur nga mënyra se si u përgjigjemi këtyre dëshirave fizike të vazhdueshme dhe shtrënguese. Teksa fuqia riprodhuese piqet në vitet e hershme të qenies burrë dhe grua, ndjenja shumë vetjake ndodhin, në mënyrë të natyrshme, që nuk ngjajnë me asnjë përvojë tjetër fizike.

Në mënyrë ideale, çiftëzimi fillon me veprime romantike. Edhe pse traditat mund të ndryshojnë, ai lulëzon me të gjitha ndjenjat e historive të librave lidhur me emocionet dhe parapritjen, madje edhe mospranimin. Ka takime nën dritën e hënës dhe trëndafila, letra dashurie, këngë dashurie, poezi, kapje duarsh dhe shprehje të tjera të ndjenjës së përkujdesjes midis një të riu dhe një të reje. Bota zhduket përreth çiftit dhe ata përjetojnë ndjenja gëzimi.

Dhe nëse hamendësoni se shpërthimi plotësisht i lulëzuar i dashurisë së re romantike është përmbledhja e përgjithshme e mundësive që rrjedhin nga burimet e jetës, ju nuk keni jetuar ende që të shihni përkushtimin dhe ngushëllimin e një dashurie jetëgjatë martesore. Çiftet e martuara vihen në provë nga tundimi, keqkuptimet, problemet financiare, krizat familjare e sëmundja dhe, përmes gjithë këtyre përvojave, dashuria forcohet edhe më shumë. Dashuria e pjekur ka një lumturi të papërfytyrueshme nga çiftet e sapomartuara.

Dashuria e vërtetë kërkon ruajtjen deri pas martesës të ndarjes së atyre ndjenjave që i çelin ato fuqi të shenjta brenda atij burimi të jetës. Do të thotë që të shmangen situata ku dëshira fizike mund të jetë fuqia kontrolluese. Dashuria e pastër parakupton që vetëm pas një betimi të besnikërisë së përjetshme, pas një ceremonie ligjore dhe të ligjshme dhe, në mënyrë ideale, pas ordinancës së vulosjes në tempull, këto fuqi riprodhuese çlirohen sipas Perëndisë për shprehjen e plotë të dashurisë. Ajo duhet të ndahet veçse dhe vetëm me atë që është shoqëruesi/ja juaj përgjithmonë.

Kur ky proces fillohet me denjësi, ai ndërthur ndjenjat më të jashtëzakonshme dhe më të ekzaltuara fizike, emocionale dhe shpirtërore, të shoqëruara me fjalën dashuri. Ajo pjesë e jetës nuk ka asgjë të barabartë, asgjë të krahasueshme, në të gjithë përvojën njerëzore. Kur besëlidhjet bëhen dhe mbahen, ajo do të vazhdojë përjetësisht, “sepse në të shugurohen çelësat e priftërisë së shenjtë; që ju të merrni nder dhe lavdi” (DeB 124:34), “lavdi e cila do të jetë një plotësi dhe vazhdimësi e farës përherë e përgjithmonë” (DeB 132:19).

Por dashuria romantike nuk është e plotë; ajo është një parathënie. Dashuria ushqehet nga ardhja e fëmijëve, të cilët burojnë nga ai burim i jetës që u është besuar çifteve në martesë. Krijimi i jetës ndodh në një përfshirje martesore ndërmjet një bashkëshorti e një bashkëshorteje. Një trup i vogël fillon të formohet sipas një modeli të një ndërlikimi të mrekullueshëm. Një fëmijë vjen në jetë nëpërmjet mrekullisë së lindjes, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së atit dhe nënës së tij tokësore. Brenda trupit të tij të vdekshëm gjendet një shpirt i aftë që të ndiejë dhe të kuptojë gjëra shpirtërore. E përgjumur brenda atij trupi të vdekshëm të këtij fëmije është fuqia për të sjellë në jetë pasardhës sipas shëmbëlltyrës së vet.

“Fryma dhe trupi janë shpirti i njeriut” (DeB 88:15) dhe ka ligje shpirtërore dhe fizike të cilave duhet t’iu bindemi nëse duam të jemi të lumtur. Ka ligje të përjetshme, përfshirë ligjet që lidhen me këtë fuqi për të dhënë jetë, “të shpallur[a] në mënyrë të pakthyeshme në qiell, përpara krijimit të kësaj bote, mbi të cil[ët] të gjitha bekimet bazohen” (DeB 130:20). Këto ligje, që përcaktojnë standardin moral për njerëzimin, janë shpirtërore (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Romakëve 7:14–15 [pas Udhëzuesit për Shkrimet e Shenjta]; 2 Nefi 2:5; DeB 29:34; 134:6). Ka besëlidhje që na lidhin, vulosin e mbajnë të sigurt dhe që na japin premtimin e bekimeve të përjetshme.

Alma e këshilloi birin e tij, Shiblonin: “Vër re të frenosh të gjitha pasionet e tua, që të mund të mbushesh me dashuri” (Alma 38:12). Freri përdoret për të udhërrëfyer, drejtuar e kufizuar. Pasioni ynë duhet të kontrollohet. Kur përdoret në mënyrë të ligjshme, fuqia e riprodhimit do të bekojë e do të shenjtërojë (shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 158).

Tundimet janë gjithmonë të pranishme. Ngaqë kundërshtari nuk mund të japë jetë, ai është ziliqar kundrejt të gjithë atyre që e kanë atë fuqi hyjnore. Ai dhe ata që e ndoqën atë, u dëbuan dhe e humbën të drejtën për një trup të vdekshëm. “Ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:27). Ai do të tundojë, nëse mundet, nënçmojë, prishë dhe, nëse ka mundësi, do ta shkatërrojë këtë dhuratë me anë të së cilës ne mund të kemi, nëse jemi të denjë, rritje të përjetshme (shih DeB 132:28–31).

Nëse i ndotim burimet tona të jetës ose i çojmë të tjerët drejt shkeljes, do të ketë gjoba më “therëse” dhe më të “vështira për t’u duruar” (DeB 19:15) sesa e gjithë kënaqësia fizike që mund të kishte ndonjë vlerë ndonjëherë.

Alma i tha birit të tij, Koriantonit: “A nuk e di, biri im, se këto gjëra janë një neveri në pamjen e Zotit; po, më të neveritshme mbi të gjitha mëkatet e tjera, me përjashtim të gjakderdhjes së një të pafajshmi, ose të mohimit të Frymës së Shenjtë?” (Alma 39:5). Ne nuk mund t’iu largohemi pasojave kur e bëjmë shkeljen.

E vetmja shprehje ligjëruese, e autorizuar e fuqive të riprodhimit është midis bashkëshortit dhe bashkëshortes, një burri e një gruaje, të cilët janë martuar në mënyrë ligjore dhe të ligjshme. Çdo gjë e ndryshme nga kjo i shkel urdhërimet e Perëndisë. Mos iu dorëzoni tundimeve të tmerrshme të kundërshtarit, sepse çdo borxh i shkeljes duhet të shlyhet duke “paguar edhe qindarkën e fundit” (Mateu 5:26).

Askund nuk shfaqen më shumë bujaria dhe mëshira e Perëndisë sesa te pendimi.

Trupat tanë fizikë, kur dëmtohen, janë në gjendje ta ndreqin vetveten, nganjëherë me ndihmën e një mjeku. Nëse dëmtimi është tepër i madh, megjithatë, shpesh një shenjë do të mbetet si një kujtues i dëmtimit.

Me trupat tanë shpirtërorë gjendja është e ndryshme. Shpirtrat tanë dëmtohen kur bëjmë gabime dhe kryejmë mëkate. Por ndryshe nga rasti i trupave tanë të vdekshëm, kur procesi i pendimit është tërësor, asnjë shenjë nuk mbetet për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Premtimi është: “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato” (DeB 58:42).

Kur flasim për martesën dhe jetën familjare, në mënyrë të pashmangshme vjen në mendje: “Po për përjashtimet?” Disa njerëz linden me paaftësi dhe nuk mund bëjnë fëmijë. Disa njerëz të pafajshëm i kanë martesat e tyre të rrënuara për shkak të mungesës së besnikërisë nga bashkëshorti/ja i/e tyre. Të tjerë nuk martohen dhe e jetojnë me denjësi jetën si beqarë.

Për tani unë ofroj këtë ngushëllim: Perëndia është Ati ynë! E gjithë dashuria dhe zemërgjerësia, që shfaqen tek ati i përsosur tokësor, shfaqen tek Ai që është Ati ynë dhe Perëndia ynë përtej aftësisë që mund ta kuptojë mendja njerëzore. Gjykimet e Tij janë të drejta; mëshira e Tij pa kufi; fuqia e Tij për të shpërblyer është përtej çdo krahasimi tokësor. “Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve” (1 Korintasve 15:19).

Me nderim, tani po përdor fjalën tempull. Përfytyroj një dhomë vulosjeje dhe një altar me një çift të ri në moshë, të rënë në gjunjë atje. Kjo ordinancë e shenjtë e tempullit është shumë më tepër sesa një dasmë, sepse kjo martesë mund të vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit dhe shkrimet e shenjta shpallin që ne “do të trashëgo[jmë] frone, mbretëri, principata dhe fuqi, sundime” (DeB 132:19). E shoh gëzimin që i pret ata qëe pranojnë këtë dhuratë hyjnore dhe që e përdorin atë me denjësi.

Motra Dona Smith Paker dhe unë kemi qenë krah për krah njëri-tjetrit në martesë për gati 70 vjet. Kur flas për bashkëshorten time, nënën e fëmijëve të mi, unë nuk i gjej dot fjalët. Ndjenja është kaq e thellë dhe mirënjohja kaq e fuqishme sa unë mbetem pothuajse pa gojë. Shpërblimi më i madh që ne kemi marrë në këtë jetë, dhe në jetën që vjen, janë fëmijët tanë dhe nipërit tanë e mbesat tona. Afër mbarimit të ditëve tona së bashku në vdekshmëri, unë jam mirënjohës për çdo çast që jam me të përkrah meje dhe për premtimin që Zoti ka dhënë se nuk do të ketë mbarim.

Jap dëshmi se Jezusi është Krishti dhe Biri i Perëndisë së gjallë. Ai qëndron në krye të Kishës. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe fuqisë së priftërisë, familjet që fillohen në vdekshmëri, mund të jenë së bashku për gjithë përjetësitë. Shlyerja, të cilën mund ta marrë secili prej nesh, nuk mbart asnjë shenjë. Kjo do të thotë që, pavarësisht nga ajo që kemi bërë ose ku kemi qenë apo se si ndodhi diçka, nëse me të vërtetë pendohemi, Ai na ka premtuar që do të shlyente. Dhe kur Ai e bëri Shlyerjen, ajo gjë u zgjidh. Ka kaq shumë prej nesh që bien përtokë, sikurse është, me ndjenjën e fajit, duke e mos ditur se si të largohemi prej saj. Ju largoheni prej saj duke e pranuar Shlyerjen e Krishtit dhe gjithçka që shkaktonte dhembje, mund të kthehet në bukuri, dashuri dhe përjetësi.

Jam kaq shumë mirënjohës për bekimet e Zotit Jezu Krisht, për fuqinë e riprodhimit, për fuqinë e shëlbimit, për Shlyerjen – Shlyerje e cila mund të na pastrojë nga çdo njollë, pavarësisht nga sa e vështirë ose për sa kohë apo për sa herë është përsëritur. Shlyerja mund t’ju bëjë të lirë sërish për të ecur përpara, me pastërti e denjësi, për ta vazhduar atë shteg që e keni zgjedhur në jetën tuaj.

Jap dëshmi se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti, se Shlyerja nuk është një diçka e përgjithshme që është për të gjithë Kishën. Shlyerja është individuale dhe nëse keni diçka që po ju shqetëson – nganjëherë prej shumë kohësh më parë sa mezi e mbani mend atë – vëreni Shlyerjen në veprim. Do ta pastrojë atë dhe ju, ashtu sikurse bën Ai, nuk do t’i kujtoni më mëkatet tuaja. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.