2010–2019
Atësia – Fati Ynë i Përjetshëm
Prill 2015


Atësia – Fati Ynë i Përjetshëm

Secili prej nesh gëzoftë plotësinë e bekimeve të Atit në këtë jetë dhe përmbushjen e veprës së Tij dhe lavdisë së Tij duke u bërë etër në familjet tona në përjetësi.

Im atë më mësoi një mësim domethënës kur isha i ri. Ai pati ndjesinë se po bëhesha tepër i dashuruar me gjërat materiale. Kur kisha para, menjëherë i shpenzoja ato – thuajse përherë për veten.

Painting of a father talking to son in front of window with a view of the city below

Një pasdite më mori për të blerë disa këpucë të reja. Në katin e dytë të dyqanit, më ftoi të shihja me të nga dritarja.

“Çfarë sheh?” pyeti ai.

“Ndërtesa, qiell, njerëz” qe përgjigjja ime.

“Sa?”

“Shumë!”

Më pas nxori këtë monedhë nga xhepi i vet. Kur ma dha në dorë, më pyeti: “Çfarë është kjo?”

E dija sakaq: “Një dollar argjendi!”

Duke u mbështetur te njohuritë e tij për kiminë, ai tha: “Nëse e shkrin këtë dollar argjendi dhe e përzien me përbërësit e duhur, ti do të kesh nitrat argjendi. Nëse do e vishnim këtë dritare me nitrat argjendi, çfarë do të shihje?”

Nuk e kisha idenë, ndaj ai më shoqëroi te një pasqyrë e gjatë dhe pyeti: “Tani çfarë sheh?”

Father and son looking in a mirror at a clothing store.

“Shoh veten.”

“Jo”, u përgjigj ai, “ajo që ti sheh është argjendi që po të pasqyron. Nëse përqendrohesh tek argjendi, gjithçka që do të shohësh është vetvetja, dhe, si një vel, ai do të të pengojë nga të parit me qartësi të fatit të përjetshëm që Ati Qiellor ka përgatitur posaçërisht për ty.”

“Leri”, vijoi ai, “‘mos kërko gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërko … mbretërinë e Perëndisë dhe të vendos[ësh] drejtësinë e [Tij], dhe të gjitha këto gjëra do [të të] shtohen’” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:38 [te Mateu 6:33, shënimi a në fund të faqes]).

Ai më tha ta mbaja dollarin dhe të mos e humbisja kurrë. Çdo herë që e shihja atë, duhej të mendoja rreth fatit të përjetshëm që Ati Qiellor ka për mua.

E doja tim atë dhe mënyrën si ai më mësonte. Dëshiroja të bëhesha si ai. Ai e rrënjosi në zemrën time dëshirën për të qenë një baba i mirë dhe shpresa ime më e thellë është që po jetoj sipas shembullit të tij.

Profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, shpesh ka thënë se vendimet tona përcaktojnë fatin tonë dhe kanë pasoja të përjetshme (shih “Decisions Determine Destiny” [Mbrëmje rreth vatrës e Sistemit Arsimor të Kishës, 6 nëntor 2005], f. 2, lds.org/broadcasts).

A nuk duhet, atëherë, të zhvillojmë një largpamësi të qartë të fatit tonë të përjetshëm, veçanërisht largpamësinë që Ati Qiellor dëshiron që ne të arrijmë – atësinë e përjetshme? Le ta lëmë fatin tonë të përjetshëm t’i drejtojë të gjitha vendimet tona. Pavarësisht se sa të vështira mund të jenë ato vendime, Ati do të na mbështetë.

Mësova për fuqinë e një largpamësie të këtillë kur u bashkova me djemtë e mi 12 dhe 13 vjeç në një konkurs 50/20. Konkursi 50/20 është një ecje prej 50 miljesh (80 km) në më pak se 20 orë. Ne filluam në orën 21:00 dhe ecëm tërë atë natë dhe pjesën më të madhe të ditës pasuese. Ishte një torturë 19 orëshe, por ia dolëm mbanë.

Pas kthimit në banesë, u hoqëm zvarrë me plot kuptimin e fjalës për në shtëpi, ku një bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme kishte përgatitur një darkë të këndshme, të cilën nuk e prekëm. Djali më i vogël u palos, plotësisht i rraskapitur, në divan, ndërsa më i madhi u hoq zvarrë poshtë për te dhoma e tij.

Pas një çlodhjeje të dhembshme nga ana ime, shkova te djali më i vogël për t’u siguruar në ishte ende gjallë.

“A je mirë?” e pyeta.

“Babi, kjo ishte gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë dhe nuk dua ta bëj më kurrë atë.”

Nuk doja t’i thoja se as unë nuk do ta bëja më kurrë. Përkundrazi, i thashë se sa krenar isha që ai kishte përmbushur një gjë kaq të vështirë. E dija që ajo do ta përgatiste atë për gjëra të tjera të vështira që do të haste në të ardhmen e tij. Me këtë mendim, i thashë: “Bir, më lejo të të bëj këtë premtim. Kur të shkosh në misionin tënd, nuk do të të duhet të ecësh asnjëherë 50 milje (80 km) në një ditë.”

“Mirë, Babi! Atëherë, do të shkoj.”

Ato fjalë të thjeshta ma mbushën shpirtin me mirënjohje dhe gëzim.

Më pas shkova në katin e poshtëm, te djali më i madh. U shtriva krah tij – më pas e preka. “Bir, a je mirë?”

“Babi, kjo ishte gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë në jetën time dhe nuk do ta bëj kurrë më, asnjëherë.” Sytë e tij u mbyllën – më pas u hapën – dhe ai tha: “Vetëm nëse im bir do të dojë që unë ta bëj”.

Lotët më rrodhën ndërsa i shpreha se sa mirënjohës isha për të. I thashë se e dija që ai do të bëhej një baba shumë më i mirë sesa isha unë. Zemra ime ishte plot sepse në moshën e tij të re e të njomë ai tashmë e kishte kuptuar se një nga detyrat e tij më të shenjta të priftërisë qe të ishte baba. Ai nuk kishte frikë nga ai rol dhe titull – pikërisht titullin që Vetë Perëndia dëshiron që ne ta përdorim kur flasim me Të. Unë e dija se kisha përgjegjësinë për ta ushqyer prushin e atësisë që po digjej brenda djalit tim.

Këto fjalë të Shpëtimtarit morën një domethënie shumë më të thellë për mua si baba:

“Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; [sepse çfarëdo gjërash që Ai] bën …, i bën po ashtu dhe Biri” (Gjoni 5:19).

“Nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar” (Gjoni 8:28).

Më pëlqen të qenit bashkëshort dhe baba – martuar me një bijë të zgjedhur të prindërve qiellorë. E dua atë. Kjo është një nga pjesët më përmbushëse të jetës sime. Shpresa ime atë natë ishte që pesë djemtë e mi dhe motra e tyre do të shihnin përherë te mua gëzimin që vjen nga martesa e përjetshme, atësia dhe familja.

Baballarë, unë jam i sigurt se e keni dëgjuar thënien: “Predikojeni ungjillin gjithmonë dhe, kur është e nevojshme, përdorni fjalët” (atribuar Shën Françeskut të Asisit). Çdo ditë ju po u mësoni fëmijëve tuaj se ç’do të thotë të jesh baba. Ju po hidhni një themel për brezin e ardhshëm. Bijtë tuaj do të mësojnë si të jenë bashkëshortë dhe baballarë duke vërejtur mënyrën se si ju i përmbushni këto role. Për shembull:

A e dinë ata se sa shumë ju e doni dhe e gëzoni mamanë e tyre dhe sa ju pëlqen të qenit babai i tyre?

Ata do të mësojnë si t’i trajtojnë bashkëshorten dhe fëmijët e tyre të ardhshëm ndërsa ju shohin juve të trajtoni çdonjërin prej tyre, pikërisht siç do të bënte Ati Qiellor.

Nëpërmjet shembullit tuaj, ata mund të mësojnë si ta respektojnë, nderojnë dhe mbrojnë femërinë.

Në shtëpinë tuaj, ata mund të mësojnë ta kryesojnë familjen e tyre me dashuri e drejtësi. Ata mund të mësojnë të sigurojnë gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjen e tyre – materialisht dhe shpirtërisht (shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129).

Vëllezër, me gjithë energjinë e shpirtit tim, ju kërkoj ta merrni parasysh këtë pyetje: A ju shohin bijtë tuaj të orvateni për të bërë atë që Ati Qiellor do donte që ata të bënin?

Lutem që përgjigjja të jetë po. Nëse përgjigjja është jo, nuk është tepër vonë për të ndryshuar, por ju duhet të filloni sot. Dhe unë dëshmoj se Ati Qiellor do t’ju ndihmojë.

Tani, ju të rinj, që i dua shumë, ju e dini se po përgatiteni për të marrë Priftërinë Melkizedeke, për të marrë ordinancat e shenjta të tempullit, për të përmbushur detyrën dhe detyrimin tuaj për të shërbyer një mision kohëplotë dhe, më pas, pa pritur shumë gjatë, për t’u martuar në tempull me një bijë të Perëndisë dhe për të pasur një familje. Më pas ju duhet ta drejtoni familjen tuaj në gjëra shpirtërore ndërsa udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë (shih DeB 20:44; 46:2; 107:12).

Kam pyetur shumë të rinj nëpër botë: “Përse jeni këtu?”

Deri tani, askush nuk është përgjigjur: “Që të mësoj të jem një baba, që të mund të përgatitem dhe kualifikohem për të marrë gjithçka që ka Ati Qiellor”.

Le t’i shqyrtojmë detyrat tuaja të Priftërisë Aarone siç përshkruhen te seksioni 20 i Doktrinës e Besëlidhjeve. Jini të ndjeshëm ndaj asaj që ju ndjeni, ndërsa i përdor këto detyra në shërbimin tuaj në familjen tuaj.

“Ftoj[ini] të gjithë [nga familja juaj] të vijnë te Krishti” (vargu 59).

“Vëzhgoj[ini] [ata] gjithmonë dhe … [jini] me ta e …forcoj[ini] ata” (vargu 53).

“Predikoj[ini], … [jepuni] mësim, … sqaroj[ini], … këshilloj[ini], … pagëzoj[ini]” anëtarët e familjes tuaj (vargu 46).

“Nxi[tini] ata të luten me zë e në fshehtësi dhe të ndjekin të gjitha detyrat familjare” (vargu 47).

“Kujdes[uni] që nuk ka paudhësi në [familjen tuaj], as ashpërsi me njëri-tjetrin, as gënjeshtra, të folur pas shpine apo të folur dashakeqës” (vargu 54).

“Kujdes[uni] që [familja juaj] të mblidhet së bashku shpesh” (vargu 55).

Ndihmojeni babanë tuaj në detyrat e tij si patriark. Përkraheni mamanë tuaj me forcë priftërie kur babai nuk është i pranishëm (shih vargjet 52, 56).

Kur të kërkohet, “shuguro[ni] priftërinj, mësues dhe dhjakë të tjerë” në familjen tuaj (vargu 48).

A nuk tingëllon kjo si puna dhe roli i një babai?

A young man reading a a Church publication.

Përmbushja e detyrave të Priftërisë Aarone nga ana juaj po ju përgatit ju të rinj për atësinë. Materiali burimor Detyrë ndaj Perëndisë mund t’ju ndihmojë të mësoni dhe të bëni plane të veçanta për t’i përmbushur detyrat tuaja. Ai mund të shërbejë si një udhërrëfyes dhe ndihmë kur kërkoni vullnetin e Atit Qiellor dhe vendosni synime për ta përmbushur atë.

Ati në Qiell ju ka sjellë këtu në këtë kohë të veçantë për një punë të posaçme dhe qëllim të përjetshëm. Ai dëshiron që ju të shihni qartësisht dhe të kuptoni se cili është ai qëllim. Ai është Ati juaj dhe ju mund të ktheheni përherë tek Ai për drejtim.

Unë e di se Ati Qiellor shqetësohet për secilin prej nesh individualisht dhe ka një plan vetjak për ne që të arrijmë fatin tonë të përjetshëm. Ai ka dërguar Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, që të na ndihmojë të kapërcejmë papërsosuritë tona nëpërmjet Shlyerjes. Ai na ka bekuar me Frymën e Shenjtë që të jetë një dëshmitar, shoqërues dhe udhërrëfyes për te vendmbërritja jonë e përjetshme, nëse do të mbështetemi tek Ai. Secili prej nesh gëzoftë plotësinë e bekimeve të Atit në këtë jetë dhe përmbushjen e veprës së Tij dhe lavdisë së Tij duke u bërë etër në familjet tona në përjetësi (shih Moisiu 1:39). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.