2010–2019
Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën
Prill 2015


Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën

Në ndryshim me frikën nga bota, e cila krijon panik dhe ankth, frika nga Perëndia është një burim paqeje, sigurie dhe vetëbesimi.

Më kujtohet qartë një përvojë që e pata kur isha djalë i vogël. Një ditë, teksa luaja me shokët e mi, padashur theva një vitrinë në një dyqan pranë shtëpisë sonë. Ndërkohë që thërrmohej xhami dhe ulërinte alarmi i sigurisë, një frikë paralizuese m’i mbushi zemrën dhe mendjen time. Menjëherë e kuptova se isha i dënuar ta kaloja pjesën e mbetur të jetës sime në burg. Më së fundi prindërit e mi më bindën të dilja nga një vend fshehjeje nën krevatin tim dhe më ndihmuan që ta ndreqja dëmin me pronarin e dyqanit. Për fat të mirë, dënimi im me burgim m’u ndryshua.

Frika që ndjeva atë ditë, ishte tronditëse dhe e vërtetë. Pa dyshim që ju keni përjetuar ndjenja shumë më të mëdha të frikësimit pasi mësuat rreth një sfide shëndetësore vetjake, pasi zbuluat se një pjesëtar i familjes ishte në vështirësi apo rrezik, ose pasi vëzhguat ngjarje shqetësuese nga bota. Në raste të tilla, emocioni shqetësues i frikës shfaqet për shkak të rrezikut, pasigurisë ose dhembjes kërcënuese dhe nëpërmjet përvojave që janë të papritura, nganjëherë të befasishme, dhe të mundshme për të prodhuar një përfundim negativ.

Në jetën tonë të përditshme, lajme pafund për dhunën kriminale, urinë, luftërat, korrupsionin, terrorizmin, vlerat morale në rënie, sëmundjet dhe forcat shkatërruese të natyrës, mund të shkaktojnë frikë dhe ngurrim. Sigurisht që ne jetojmë në stinën e parashikuar nga Zoti: “Dhe në atë ditë … i gjithë dheu do të jetë në rrëmujë, dhe zemrat e njerëzve do të mpaken” (DeB 45:26).

Qëllimi im është të përshkruaj se si frika largohet nëpërmjet një diturie të saktë për Zotin Jezu Krisht dhe nëpërmjet besimit tek Ai. Unë lutem plot dëshirë që Fryma e Shenjtë do ta bekojë secilin prej nesh ndërkohë që e marrim parasysh së bashku këtë temë të rëndësishme.

Frika Njerëzore

Kur e dëgjuan zërin e Perëndisë pas marrjes së frytit të ndaluar, Adami dhe Eva u fshehën në Kopshtin e Edenit. Perëndia e thirri Adamin dhe e pyeti: “Ku je?” [Dhe Adami u përgjigj]: “Dëgjova zërin tënd … , dhe pata frikë” (Zanafilla 3:9–10). Në mënyrë të dukshme, një prej pasojave të para të Rënies ishte që Adami dhe Eva të përjetonin frikë. Ky emocion i fuqishëm është një element i rëndësishëm i ekzistencës sonë në vdekshmëri.

Një shembull nga Libri i Mormonit e nxjerr në pah fuqinë e diturisë për Zotin (shih 2 Pjetër 1:2–8; Alma 23:5–6) për ta larguar frikën dhe për të siguruar paqe, madje edhe kur përballemi me kundërshti të madhe.

Në tokën e Helamit, populli i Almës u frikësua nga një ushtri lamanite që po përparonte.

“Por, Alma u doli para dhe qëndroi mes tyre dhe i nxiti ata të mos kishin frikë, por që … duhej të kujtonin Zotin, Perëndinë e tyre dhe se ai do t’i çlironte ata.

Prandaj, ata [e] përmbajtën frikën” (Mosia 23:27–28).

Vini re, Alma nuk e përmbajti frikën e njerëzve. Përkundrazi, Alma i këshilloi besimtarët që ta kujtonin Zotin dhe çlirimin që vetëm Ai mund t’ua jepte (shih 2 Nefi 2:8). Dhe dituria për përkujdesin mbrojtës të Shpëtimtarit i bëri njerëzit të aftë që ta përmbanin frikën e tyre.

Dituria e saktë për Zotin dhe besimi tek Ai na fuqizojnë që ta përmbajmë frikën tonë, sepse Jezu Krishti është burimi i vetëm i paqes së qëndrueshme. Ai shpalli: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua” (DeB 19:23).

Mësuesi gjithashtu shpjegoi: “Ai që bën veprat e drejtësisë duhet ta marrë shpërblimin e tij, madje paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen” (DeB 59:23).

Mirëbesimi e vetëbesimi te Krishti dhe një mbështetje e gatshme mbi meritat, mëshirën dhe hirin e Tij çojnë drejt shpresës, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, në Ringjalljen dhe në jetën e përjetshme (shih Moroni 7:41). Një besim dhe shpresë e tillë ftojnë në jetën tonë paqen e ëmbël të ndërgjegjes për të cilën ne të gjithë jemi të etur. Fuqia e Shlyerjes e bën pendimin të mundur dhe e mposht dëshpërimin e shkaktuar nga mëkati; ajo gjithashtu na forcon që të kuptojmë, bëjmë dhe të bëhemi të mirë në mënyra që mund të mos i dallonim kurrë apo mund të mos i përmbushnim kurrë me aftësinë tonë të kufizuar njerëzore. Me të vërtetë, një prej bekimeve më të mëdha të dishepujve të përkushtuar është “paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie” (Filipianëve 4:7).

Paqja që jep Krishti, na lejon ta shohim vdekshmërinë nëpërmjet këndvështrimit të paçmuar të përjetësisë dhe na pajis me një themel shpirtëror (shih Kolosianëve 1:23), i cili na ndihmon të mbajmë një përqendrim të vazhdueshëm te vendmbërritja jonë qiellore. Prandaj, ne mund të bekohemi që ta përmbajmë frikën tonë ngaqë doktrina e Tij siguron qëllim dhe drejtim në të gjitha fushat e jetës sonë. Ordinancat dhe besëlidhjet e Tij na forcojnë e ngushëllojnë në kohë si të mira ashtu edhe të këqija. Dhe autoriteti i Tij i priftërisë na jep sigurinë që gjërat, të cilat kanë rëndësinë më të madhe, mund të durojnë si në kohë ashtu edhe në përjetësi.

Por a mund ta përmbajmë frikën që kaq lehtësisht dhe kaq shpesh na rrethon në botën tonë bashkëkohore? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është një “po” pa mëdyshje. Tri parime bazë janë thelbësore për ta marrë këtë bekim në jetën tonë: 1) shihni te Krishti, 2) ndërtoni mbi themelin e Krishtit dhe 3) shkoni përpara me besim te Krishti.

Shihni te Krishti

Këshilla që Alma ia dha birit të tij, Helamanit, zbatohet në mënyrë të përpiktë për secilin prej nesh sot: “Po, vër re të shikosh te Perëndia dhe jeto” (Alma 37:47). Ne duhet të shohim te Shpëtimtari dhe ta kemi përqendrimin tonë të vendosur fuqimisht tek Ai në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.

Sillni ndër mend se si Apostujt e Zotit ishin në një barkë, duke u shkundur në mes të detit. Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi ujë; por duke mos e dalluar Atë, ata bërtitën nga frika.

“Por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ‘Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!’

Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ‘Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra’.

Ai tha: ‘Eja!’” (Mateu 14:27–29).

Pjetri më pas eci mbi ujëra për te Jezusi.

Por, kur pa erën e fortë, ai pati frikë, filloi të fundosej dhe bërtiti: “O Zot, shpëtomë!

Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ‘O njeri besimpak, pse dyshove?’” (Mateu 14:30–31).

Unë e përfytyroj Pjetrin duke iu përgjigjur me gjithë shpirt dhe menjëherë ftesës së Shpëtimtarit. Me sytë të ngulitur te Jezusi, ai zbriti nga barka dhe në mënyrë të mrekullueshme eci mbi ujëra. Vetëm kur vështrimi i tij u largua për shkak të erës dhe të valëve, ai u frikësua dhe filloi të fundosej.

Ne mund të bekohemi që ta mposhtim frikën tonë dhe ta forcojmë besimin tonë kur e ndjekim udhëzimin e Zotit: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë” (DeB 6:36).

Ndërtoni mbi Themelin e Krishtit

Helamani i këshilloi bijtë e tij, Nefin dhe Lehin: “Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Ordinancat dhe besëlidhjet janë blloqet ndërtues që i përdorim për ta ngritur jetën tonë mbi themelin e Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij. Ne lidhemi në mënyrë të sigurt te Shpëtimtari dhe së bashku me Të, ndërkohë që i marrim me denjësi ordinancat e hyjmë në besëlidhje, i kujtojmë e i nderojmë me besnikëri ato zotime të shenjta dhe bëjmë gjithçka mundemi për të jetuar në përputhje me detyrimet që kemi pranuar. Dhe ajo lidhje është burimi i forcës dhe qëndrueshmërisë shpirtërore në të gjitha stinët e jetës sonë.

Ne mund të bekohemi që ta përmbajmë frikën tonë, ndërkohë që i vendosim pa u lëkundur dëshirat dhe veprimet tona mbi themelin e sigurt të Shpëtimtarit nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve tona.

Shkoni Përpara me Besim te Krishti

Nefi shpalli: “Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht[in], duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20).

Vetëpërmbajtja e disiplinuar, e përshkruar në këtë varg, është rrjedhoja e kuptueshmërisë shpirtërore, vegimit, këmbënguljes dhe durimit, si edhe e hirit të Perëndisë. Ushtrimi i besimit në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit dhe tek ai emër, nënshtrimi me butësi ndaj vullnetit të Tij dhe kohës së caktuar prej Tij në jetën tonë, si dhe dallimi me përulësi i dorës së Tij në të gjitha gjërat, prodhojnë gjërat paqësore të mbretërisë së Perëndisë, të cilat sjellin gëzim dhe jetë të përjetshme (shih DeB 42:61). Edhe kur hasim vështirësi dhe ndeshemi me pasiguritë e së ardhmes, ne mund të ngulmojmë plot gëzim e të jetojmë një “jetë … të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder” (1 Timoteut 2:2).

Ne mund të bekohemi për ta përmbajtur frikën tonë kur marrim qëndresën, e cila vjen nga të mësuarit dhe të jetuarit e parimeve të ungjillit dhe nga të shkuarit përpara me vendosmëri nëpër shtegun e besëlidhjeve.

Frika nga Zoti

E ndryshme nga frika që zakonisht përjetojmë, por e lidhur me të, është ajo që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si “frikë [e perëndishme]” (Hebrenjve 12:28) ose “frikë nga Zoti” (Jobit 28:28; Fjalët e Urta 16:6; Isaia 11:2–3). Në ndryshim me frikën nga bota, e cila krijon panik dhe ankth, frika nga Perëndia është një burim paqeje, sigurie dhe vetëbesimi.

Por si mund të jetë diçka që lidhet me frikën, lartësuese apo e dobishme nga ana shpirtërore?

Frika e drejtë që po përpiqem ta përshkruaj, përfshin një ndjenjë të thellë nderimi, respekti dhe mrekullimi për Zotin Jezu Krisht (shih Psalmeve 33:8; 96:4), bindjeje ndaj urdhërimeve të Tij (shih Ligji i Përtërirë 5:29; 8:6; 10:12; 13:4; Psalmeve 112:1) dhe pritjeje për Gjykimin Përfundimtar dhe për drejtësinë në dorën e Tij. Si rrjedhim, frika nga Perëndia rritet prej një të kuptuari të saktë të natyrës dhe misionit hyjnor të Zotit Jezu Krisht, prej një gatishmërie për t’ia nënshtruar vullnetin tonë vullnetit të Tij dhe prej një diturie që çdo burrë e çdo grua do të jenë të përgjegjshëm për mëkatet e tyre vetjake në Ditën e Gjykimit (shih DeB 101:78; Nenet e Besimit 1:2).

Siç e vërtetojnë shkrimet e shenjta, frika nga Perëndia “është fillimi i njohjes” (Fjalët e Urta 1:7), një “mësim diturie” (Fjalët e Urta 15:33), një “siguri e madhe” (Fjalët e Urta 14:26) dhe “një burim jete” (Fjalët e Urta 14:27).

Ju lutem vini re që frika nga Perëndia lidhet pazgjidhshmërisht me një kuptueshmëri të Gjykimit Përfundimtar dhe të përgjegjshmërisë sonë individuale për dëshirat, mendimet, fjalët e veprat tona (shih Mosia 4:30). Frika nga Zoti nuk është një ankth ngurrues rreth hyrjes në praninë e Tij për t’u gjykuar. Nuk besoj aspak që ne do të kemi frikë prej Tij. Përkundrazi, është mundësia në praninë e Tij e përballjes me gjërat siç janë në të vërtetë rreth vetes sonë dhe të pasurit e “një njohuri[e] të përsosur” (2 Nefi 9:14; shih Alma 11:43) për të gjitha arsyetimet, shtirjet dhe vetëmashtrimet tona. Përfundimisht, ne do të lihemi pa asnjë justifikim.

Çdo njeri që ka jetuar ose ende do të jetojë në tokë, “do të sille[t] të qëndroj[ë] para shufrës së Perëndisë, që të gjykohe[t] prej tij sipas veprave të [tij ose të saj], qofshin ato të mira ose të liga” (Mosia 16:10). Nëse dëshirat tona kanë qenë për drejtësinë dhe veprat tona të mira, atëherë shufra e gjykimit do të jetë e këndshme (shih Jakobi [LiM] 6:13; Enosi 1:27; Moroni 10:34). Dhe në ditën e fundit ne do të “shpërblehe[mi] me drejtësi” (Alma 41:6).

Anasjelltas, nëse dëshirat tona kanë qenë për të ligën dhe veprat tona të këqija, atëherë shufra e gjykimit do të jetë një shkak frikësimi. “Ne nuk do të guxojmë të shikojmë drejt Perëndisë tonë; dhe ne do të ishim shumë të gëzuar po të mund të urdhëronim shkëmbinjtë dhe malet të binin mbi ne që të na fshihnin nga prania e tij” (Alma 12:14). Dhe në ditën e fundit ne do ta “ke[mi] shpërblimin [tonë] të së keqes” (Alma 41:5).

Sikurse përmblidhet te Predikuesi:

“‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut’.

Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe” (Predikuesit 12:13–14).

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, frika nga Perëndia e shpërndan frikën njerëzore. Ajo madje e nënshtron shqetësimin mundues që ne kurrë mund të mos jemi aq të mirë shpirtërisht dhe kurrë nuk do të ndihemi në lartësinë e kërkesave dhe pritshmërive të Zotit. Me të vërtetë, ne nuk mund të jemi aq të mirë apo të ndihemi në lartësinë e duhur duke u mbështetur vetëm tek aftësia dhe arritja jonë. Veprat dhe dëshirat tona, të vetme, nuk mund të na shpëtojnë. “Pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23), ne shpëtohemi vetëm nëpërmjet mëshirës dhe hirit, të vëna në dispozicion nëpërmjet flijimit shlyes, të pafundëm e të përjetshëm, të Shpëtimtarit (shih Alma 34:10, 14). Sigurisht, “ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit” (Nenet e Besimit 1:3).

Frika nga Perëndia është e dashur dhe besuese tek Ai. Kur e kemi frikë Perëndinë në mënyrë më tërësore, ne e duam Atë në mënyrë më të përsosur. Dhe “dashuria e përkryer zhduk çdo frikë” (Moroni 8:16). Unë premtoj se drita e shkëlqyeshme e frikës nga Perëndia do t’i largojë hijet e errëta të frikës njerëzore (shih DeB 50:25) kur shohim te Shpëtimtari, ndërtojmë mbi Të si themelin tonë dhe shkojmë përpara në shtegun e Tij të besëlidhjes me zotim të përkushtuar.

Dëshmia dhe Premtimi

Unë e dua dhe e nderoj Zotin. Fuqia dhe paqja e Tij janë të vërteta. Ai është Shëlbuesi ynë dhe unë dëshmoj se Ai jeton. Dhe për shkak të Tij, zemra jonë nuk ka nevojë të tronditet ose frikësohet (shih Gjoni 14:27) dhe ne vërtet do të bekohemi që ta përmbajmë frikën tonë. Unë dëshmoj për këtë në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Jezu Krishtit, amen.