2010–2019
Muzika e Ungjillit
Prill 2015


Muzika e Ungjillit

Muzika e ungjillit është ndjenja e gëzueshme shpirtërore që vjen nga Fryma e Shenjtë. Ajo sjell një ndryshim të zemrës.

Vite më parë dëgjova një intervistë në radio të një mjeku të ri, i cili punonte në një spital në fisin e indianëve navaho. Ai tregoi një përvojë që e pati një natë kur një burrë i moshuar nga fisi i indianëve të Amerikës, me flokë të gjata, të thurura gërshet, erdhi në dhomën e urgjencës. Mjeku i ri mori dosjen e tij, iu afrua burrit dhe tha: ‘Si mund t’ju ndihmoj?’ Plaku e hodhi vështrimin drejt përpara dhe nuk tha asgjë. Mjeku, duke u ndier disi i paduruar, u përpoq përsëri. “Nuk mund t’ju ndihmoj nëse nuk më flisni”, tha ai. “Më thoni përse keni ardhur në spital.”

Atëherë plaku e pa atë dhe tha: “A vallëzon?” Teksa mjeku i ri përsiaste pyetjen e çuditshme, i erdhi ndërmend që ndoshta pacienti i tij ishte një shërues popullor i fisit, i cili, sipas zakoneve të lashta të fiseve, përpiqej t’i shëronte të sëmurët nëpërmjet këngës dhe vallëzimit, në vend të mjekimeve të dhëna nga mjekët.

“Jo”, tha mjeku, “nuk vallëzoj. A vallëzoni ju?” Plaku pohoi me kokë. Atëherë mjeku e pyeti: “A mund të më mësoni të vallëzoj?”

Përgjigjja e plakut, për shumë vite, më ka bërë që të mendohem thellë. “Unë mund të të mësoj të vallëzosh”, tha ai, “por ti duhet ta dëgjosh muzikën.”

Nganjëherë në shtëpitë tona, ne i japim mësim me sukses hapat e vallëzimit, por nuk jemi po aq të suksesshëm që t’i ndihmojmë pjesëtarët e familjes sonë që ta dëgjojnë muzikën. Dhe siç e dinte mirë shëruesi i moshuar popullor, është e vështirë të vallëzosh pa muzikë. Vallëzimi pa muzikë është i çuditshëm dhe i paplotë – madje i sikletshëm. A e keni provuar ndonjëherë?

Në seksionin 8 të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti i dha mësim Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit: “Po, vër re, unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde” (vargu 2). Ne i mësojmë hapat e vallëzimit me mendjen tonë, por e dëgjojmë muzikën me zemrën tonë. Hapat e vallëzimit të ungjillit janë gjërat që ne i bëjmë; muzika e ungjillit është ndjenja e gëzueshme shpirtërore që vjen nga Fryma e Shenjtë. Ajo sjell një ndryshim të zemrës dhe është burimi i të gjitha dëshirave të drejta. Hapat e vallëzimit kërkojnë disiplinë, por gëzimi i vallëzimit do të përjetohet vetëm kur ne arrijmë ta dëgjojmë muzikën.

Ka nga ata që i përqeshin anëtarët e Kishës për gjërat që ne i bëjmë. Është e kuptueshme. Njerëzit që vallëzojnë shpesh, iu duken të çuditshëm apo të sikletshëm ose, për të përdorur një term nga shkrimet e shenjta, “[të veçantë]” (1 Pjetër 2:9) atyre që nuk mund ta dëgjojnë muzikën. A e keni ndaluar ndonjëherë makinën tuaj te drita e kuqe e një semafori, pranë një makine ku shoferi po kërcen e këndon me sa ka fuqi – por ju s’mund të dëgjoni asgjë ngaqë dritaret tuaja janë të mbyllura? A nuk u duk ai paksa i veçantë? Nëse fëmijët tanë i mësojnë hapat e vallëzimit pa mësuar ta dëgjojnë dhe ta ndiejnë muzikën e bukur të ungjillit, ata, me kalimin e kohës, nuk do të ndihen rehat me vallëzimin dhe ose do ta lënë fare vallëzimin ose, pothuajse po aq e keqe, do të vazhdojnë të vallëzojnë vetëm për shkak të shtytjes që ndiejnë nga të tjerët, të cilët po vallëzojnë përreth tyre.

Sfida për të gjithë ne që përpiqemi ta japin mësim ungjillin, është që ta zgjerojmë programin mësimor përtej thjesht hapave të vallëzimit. Lumturia e fëmijëve tanë varet nga aftësia e tyre për ta dëgjuar dhe dashur muzikën e bukur të ungjillit. Si e bëjmë ne këtë?

Së pari, ne duhet ta mbajmë vetë jetën tonë të përputhur me frekuencën e duhur shpirtërore. Dikur në ditët e shkuara, përpara epokës dixhitale, ne e gjenim stacionin tonë të parapëlqyer të radios duke e rrotulluar me kujdes butonin e radios derisa të përputhej përsosurisht me frekuencën e stacionit. Teksa i afroheshim numrit, ne mund të dëgjonim vetëm zhurma. Por, kur më në fund e bënim përputhjen e përpiktë, muzika jonë e parapëlqyer mund të dëgjohej qartë. Në jetën tonë, ne duhet të përputhemi me frekuencën e duhur me qëllim që ta dëgjojmë muzikën e Shpirtit.

Kur e marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë pas pagëzimit, ne mbushemi me muzikën qiellore që e shoqëron kthimin në besim. Zemrat tona ndryshohen dhe ne “nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2). Por Shpirti nuk do ta durojë mosmirësinë apo krenarinë ose lakminë. Nëse e humbasim atë ndikim të brishtë në jetën tonë, harmonitë e çmuara të ungjillit mund të bëhen shpejt joharmonike dhe më së fundi mund të heshten. Alma bëri pyetjen tejpërshkruese: “Në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?” (Alma 5:26).

Prindër, nëse jeta jonë nuk përputhet me muzikën e ungjillit, na nevojitet ta vendosim atë në harmoni. Ashtu siç na mësoi Presidenti Tomas S. Monson tetorin e kaluar, ne duhet ta përsiatim shtegun e këmbëve tona (shih “Sheshoje Shtegun e Këmbëve të Tua”, Liahona, nëntor 2014, f. 86–88). Ne e dimë se si ta bëjmë atë. Ne duhet të ecim në të njëjtin shteg që ecëm kur fillimisht i dëgjuam meloditë qiellore të muzikës së ungjillit. Ne ushtrojmë besim te Krishti, pendohemi dhe marrim sakramentin; ne e ndiejmë më fuqimisht ndikimin e Frymës së Shenjtë; dhe muzika e ungjillit fillon të luhet përsëri në jetën tonë.

Së dyti, kur ne vetë mund ta dëgjojmë muzikën, duhet të bëjmë gjithçka mundemi për ta luajtur atë në shtëpitë tona. Ajo nuk është diçka që mund të na detyrohet ose të na jepet nëpërmjet forcës. “Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të [virtytit të] priftërisë” – ose me anë të virtytit të qenies atë ose nënë apo më trupmadhi ose më i dëgjuari – “veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë, … nëpërmjet dashurisë së pashtirur; [dhe] nëpërmjet mirësisë” (DeB 121:41–42).

Përse këto tipare do të çonin drejt fuqisë dhe ndikimit të shtuar në një shtëpi? Sepse ato janë tiparet që e ftojnë Shpirtin e Frymës së Shenjtë. Ato janë tiparet që e përputhin zemrën tonë me muzikën e ungjillit. Kur ato janë të pranishme, hapat e vallëzimit do të kryhen në mënyrë më të natyrshme dhe më të gëzueshme nga të gjithë vallëzuesit në familje, pa nevojën e kërcënimeve apo të kanosjes ose detyrimit.

Kur fëmijët tanë janë të vegjël, ne mund t’u këndojmë atyre ninullën e dashurisë së pashtirur dhe kur ata janë kryeneçë e nuk pranojnë të shkojnë të flenë natën, neve mund të na nevojitet të këndojmë ninullën e durimit. Kur janë adoleshentë, ne mund të mos ua vëmë veshin zhangëllimës së debatimeve e kërcënimeve dhe, në vend të kësaj, të luajmë muzikën e bukur të bindjes – dhe ndoshta të këndojmë strofën e dytë të ninullës së durimit. Prindërit mund të luajnë në harmoni të përsosur njëri pas tjetrit tiparet e mirësjelljes dhe të zemërbutësisë. Ne mund t’i ftojmë fëmijët tanë të këndojnë së bashku me ne njëzëri, ndërkohë që ushtrojmë mirësi kundrejt një fqinji që është nevojtar.

Nuk do të vijë e tëra njëherësh. Sikurse e di çdo muzikant i suksesshëm, kërkohet ushtrim i zellshëm për të luajtur muzikë të bukur. Nëse përpjekjet fillestare të bërjes së muzikës duken joharmonike dhe të stonuara, mbani mend se mungesa e harmonisë nuk mund të korrigjohet me anë të kritikës. Mungesa e harmonisë në shtëpi është si errësira në një dhomë. Ka pak vlerë ta qortojmë errësirën. Ne duhet ta shpërndajmë errësirën vetëm duke paraqitur dritën.

Ndaj, nëse baritonët në korin e familjes suaj kanë zë shumë të lartë dhe janë mbizotërues, ose nëse pjesa e violinave në orkestrën e familjes suaj është disi e çjerrë ose paksa e ashpër, apo nëse ata fyej të rrëmbyer janë jashtë harmonisë ose kontrollit, jini të durueshëm. Nëse nuk po e dëgjoni muzikën e ungjillit në shtëpinë tuaj, ju lutem kujtoni këto dy fjalë: vazhdojeni ushtrimin. Me ndihmën e Perëndisë, dita do të vijë kur muzika e ungjillit do ta mbushë shtëpinë tuaj me gëzim të papërshkrueshëm.

Edhe kur luhet siç duhet, muzika nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona. Ende do të ketë kreshendo [kulme] dhe dekreshendo [rënie] në jetën tonë, stakato [konflikte] dhe legato [harmoni]. E tillë është natyra e jetës në planetin tokë.

Por kur ne u shtojmë muzikë hapave të vallëzimit, ritmet nganjëherë të ndërlikuara të martesës dhe të jetës familjare, kanë prirje të zhvendosen drejt një baraspeshimi harmonik. Edhe sfidat tona më të vështira do të shtojnë tone të shumta vajtuese dhe motive emocionuese. Doktrinat e priftërisë do të fillojnë të pikojnë në shpirtrat tanë si vesat nga qielli. Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm dhe skeptri ynë – një drejtim i qartë drejt fuqisë dhe ndikimit – do të jetë një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës. Dhe sundimi ynë do të jetë një sundim i përjetshëm. Dhe pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë te ne përherë e përgjithmonë (shih DeB 121:45–46).

Qoftë kështu në secilën prej jetëve tona dhe në secilën prej shtëpive tona, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.