2010–2019
Perspektiva e Përjetshme e Ungjillit
Prill 2015


Perspektiva e Përjetshme e Ungjillit

Për vendimet që ndikojnë në përjetësi, është thelbësore pasja e perspektivës së ungjillit.

Në një zbulesë dhënë Moisiut, neve na tregohet qëllimi i shpallur i Atit tonë Qiellor: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”. Sipas asaj thënieje, dëshira e Atit është që t’i japë çdokujt mundësinë për të marrë gëzim të plotë. Zbulesat e ditëve të mëvonshme tregojnë se Ati Qiellor krijoi një plan të madh të lumturisë për të gjithë fëmijët e Tij, një plan shumë të veçantë kështu që ne të mund të kthehemi për të jetuar me Të.

Të kuptuarit e këtij plani të lumturisë, na jep një perspektivë të përjetshme dhe na ndihmon që t’i vlerësojmë me të vërtetë urdhërimet, ordinancat, besëlidhjet dhe sprovat e mundimet.

Një parim kyç vjen nga Alma: “Prandaj, Perëndia u dha atyre urdhërime, pasi u bëri të ditur planin e shëlbimit”.

Është interesante të vërejmë rendin në procesin e mësimdhënies. Ati ynë Qiellor i mësoi më parë Adamit dhe Evës planin e shëlbimit dhe më pas u dha atyre urdhërime.

Kjo është një e vërtetë e madhërishme. Të kuptuarit e planit do t’i ndihmojë njerëzit t’i mbajnë urdhërimet, të marrin vendime më të mira dhe të kenë nxitjen e duhur.

Gjatë kohës që kam shërbyer në Kishë, unë kam dëshmuar përkushtimin dhe besnikërinë e anëtarëve të Kishës në vende të ndryshme, disa prej të cilave kanë konflikte politike, shoqërore apo ekonomike. Një element të përbashkët që kam gjetur shpesh te këta anëtarë besnikë, është perspektiva që ata kanë për përjetësinë. Perspektiva e përjetshme e ungjillit na drejton për të kuptuar vendin që zëmë në planin e Perëndisë, për të pranuar vështirësitë dhe për të përparuar nëpërmjet tyre, për të marrë vendime dhe për ta përqendruar jetën tonë në potencialin tonë hyjnor.

Perspektiva është mënyra se si i kuptojmë gjërat kur i shohim ato nga njëfarë largësie dhe na lejon të çmojmë vlerën e tyre të vërtetë.

Është si të jemi në një pyll dhe të kemi një pemë përpara nesh. Nëse nuk sprapsemi pak, ne nuk do të jemi në gjendje të vlerësojmë se çfarë është me të vërtetë një pyll. Njëherë vizitova xhunglën e Amazonës në Leticia të Kolumbisë, pranë kufijve të Brazilit dhe Perusë. Unë nuk isha në gjendje ta vlerësoja madhësinë e saj derisa fluturova sipër saj dhe fitova perspektivën.

Kur fëmijët tanë ishin të vegjël, ata shikonin një kanal televiziv për fëmijë që transmetonte një program të titulluar Çfarë Shikoni? Imazhi në ekran do ta tregonte diçka nga shumë afër dhe fëmijët duhej të gjenin se çfarë ishte ndërsa imazhi zgjerohej gradualisht. Sapo i gjithë objekti bëhej i dallueshëm, ju mund ta gjenit me lehtësi nëse ishte një mace, një bimë, një frutë e kështu me radhë.

Më kujtohet një rast kur ata po e shikonin atë program dhe ai po e tregonte diçka nga shumë afër, që dukej shumë e shëmtuar për ta, madje e neveritshme; por ndërsa imazhi zgjerohej, ata e kuptuan se ishte një picë shumë e shijshme. Pastaj ata më thanë: “Babi, na bli një picë njëlloj si kjo!” Pasi e kuptuan se çfarë ishte, diçka që në fillim qe dukur e pakënaqshme për ta, përfundoi duke qenë diçka shumë tërheqëse.

Më lejoni të tregoj një përvojë tjetër. Në shtëpinë tonë, fëmijëve tanë u pëlqente të bënin lojëra figurëformuese. Ne të gjithë ndoshta kemi pasur mundësinë të bëjmë lojëra figurëformuese. Disa përbëhen nga shumë pjesë të vogla. Më kujtohet se një nga fëmijët tanë (nuk do ta tregoj emrin e tij me qëllim që të mbroj identitetin e tij), e kishte zakon që të përqendrohej te pjesët individuale dhe kur njëra prej tyre nuk përputhej me vendin ku ai mendonte se duhej, ai do të zemërohej shumë dhe mendonte se nuk ishte e mirë dhe donte ta hidhte në plehra. Më në fund ai mësoi se si ta bënte lojën figurëformuese kur kuptoi se çdo pjesë e vogël kishte vendin e saj në figurën përfundimtare, madje edhe kur nuk e dinte menjëherë se ku vendosej.

Kjo është një mënyrë për ta parë planin e Zotit. Ne nuk kemi pse të shqetësohemi shumë për secilën pjesë të saj veçan, por përkundrazi, të përpiqemi ta sjellim të gjithë figurën në përqendrimin tonë, duke mbajtur në mendje se cili do të jetë rezultati përfundimtar. Zoti e di se ku e ka vendin secila pjesë, në mënyrë që të përputhet me planin. Të gjitha urdhërimet janë me rëndësi të përjetshme në kontekstin e planit të madh të lumturisë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme të mos marrim vendime me vlerë të përjetshme nga perspektiva e jetës së vdekshme. Për vendimet që ndikojnë në përjetësi, është thelbësore pasja e perspektivës së ungjillit.

Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Megjithëse ‘me spirancë të hedhur’ në shpresën e madhe dhe të fundit, disa nga gjërat për të cilat shpresojmë në këtë jetë janë të ndryshme. Ne mund të shpresojmë për një rritje page, një takim të veçantë dashurie, një fitore elektorale apo për një shtëpi më të madhe – gjëra që mund ose mund të mos plotësohen. Besimi në planin e Atit na jep durim deri në fund, madje edhe kur këto shpresa afatshkurtra mbyten. Shpresa na mban ‘të përfshi[rë] me zell’ në kauza të mira, edhe kur këto kauza duket se janë të humbura (shih DeB 58:27).”

Mospasja e një perspektive të përjetshme ose humbja e saj, mund të çojë drejt pasjes së një perspektive tokësore si standardin tonë vetjak dhe marrjes së vendimeve që nuk janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë.

Libri i Mormonit përmend qëndrimin që mbajti Nefi dhe qëndrimin e Lamanit e të Lemuelit. Ata të gjithë kishin vuajtur shumë vështirësi dhe shumë mundime; megjithatë, qëndrimet e tyre përkundrejt këtyre gjërave ishin shumë të ndryshme. Nefi tha: “Dhe kaq të mëdha qenë bekimet e Zotit mbi ne, saqë ndërsa ne jetonim me mish të gjallë në vendin e shkretë, gratë tona dhanë mjaft qumësht për fëmijët e tyre dhe ishin të forta, po, madje si burrat; dhe ato filluan t’i duronin udhëtimet e tyre pa mërmëritje.”

Nga ana tjetër, Lamani dhe Lemueli ankoheshin me hidhërim. “Dhe kështu Lamani dhe Lemueli, duke qenë më të mëdhenjtë, mërmëritën kundër atit të tyre. Dhe mërmëritën, sepse nuk i dinin veprimet e atij Perëndie që i kishte krijuar ata.” Mosnjohja ose shpërfillja e “veprime[ve të] … Perëndi[së]” është një mënyrë për ta humbur perspektivën e përjetshme dhe mërmëritja është vetëm njëra nga simptomat. Edhe pse Lamani dhe Lemueli dëshmuan shumë mrekulli së bashku me Nefin, ata thirrën, duke thënë: “Dhe ne kemi bredhur në vendin e shkretë për këto vite të shumta; dhe gratë tona janë robtuar, duke qenë me barrë; dhe ato kanë lindur fëmijë në vendin e shkretë dhe vuajtën të gjitha gjërat, me përjashtim të vdekjes; dhe do të kishte qenë më mirë që ato të kishin vdekur para se të dilnin nga Jeruzalemi, sesa të kishin vuajtur këto pikëllime”.

Këto qenë dy qëndrime shumë të ndryshme, edhe pse vështirësitë dhe mundimet që ata kishin përballuar ishin të ngjashme. Siç duket, perspektivat e tyre ishin të ndryshme.

Presidenti Spenser W. Kimball shkroi sa më poshtë: “Nëse do ta shihnim vdekshmërinë si tërësinë e ekzistencës, atëherë dhembja, hidhërimi, dështimi dhe jeta e shkurtër do të ishin një gjëmë. Por nëse e shohim jetën si një gjë të përjetshme që shtrihet larg në të shkuarën e paralindjes dhe në vazhdim në të ardhmen e përjetshme të pasvdekjes, atëherë të gjitha ngjarjet mund të vendosen në perspektivën e duhur”.

Plaku Dejvid B. Heit tregoi një histori rreth skulptorit Mikelanxhelo, për të ilustruar rëndësinë e të parit të çdo gjëje në perspektivën e duhur: “Ndërsa skulptori po gdhendte një bllok mermeri, një djalosh vinte çdo ditë dhe shikonte me droje. Kur statuja e Davidit doli në pah dhe u shfaq nga ai gur, e përfunduar që e gjithë bota ta admironte, djaloshi e pyeti Mikelanxhelon: ‘Si e dije ti që ai ishte atje?’”

Perspektiva me të cilën skulptori e pa atë bllok mermeri ishte e ndryshme nga ajo e djalit që po e shikonte atë duke punuar. Largpamësia e artistit për mundësitë e fshehura në gur i lejoi atij të krijonte një vepër arti.

Zoti e di se çfarë Ai dëshiron të përmbushë me secilin prej nesh. Ai e di llojin e përmirësimit që Ai do të arrijë në jetën tonë dhe ne nuk kemi të drejtën për ta këshilluar Atë. Mendimet e Tij janë më të larta se mendimet tona.

Unë dëshmoj se ne kemi një Atë Qiellor të dashur, të drejtë dhe të mëshirshëm, i cili ka përgatitur një plan për lumturinë tonë të përjetshme. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i Tij dhe Shpëtimtari i botës. Unë e di se Presidenti Tomas S. Monson është një profet i Perëndisë. I them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.