2010–2019
T’i Mbushim Shtëpitë Tona me Dritë dhe të Vërtetë
Prill 2015


T’i Mbushim Shtëpitë Tona me Dritë dhe të Vërtetë

Me qëllim që ne dhe familjet tona t’u bëjmë ballë trysnive të botës, ne duhet të mbushemi me dritë dhe me të vërtetën e ungjillit.

Zemra ime u mbush me Shpirtin ndërsa po i dëgjoja këto familje duke na e mësuar këtë të vërtetë të shenjtë: “Familja Vjen nga Perëndia”. Muzika frymëzuese është pikërisht një nga mënyrat e shumta se si mund ta ndiejmë Shpirtin të na pëshpëritë, duke na mbushur me dritë dhe të vërtetë.

Woman with 1 can of soda that is crushed and one that is not.

Koncepti i të qenit i mbushur me dritë dhe të vërtetë u bë veçanërisht i rëndësishëm për mua për shkak të një përvoje që pata shumë vite më parë. Unë mora pjesë në një mbledhje ku anëtaret e bordit të përgjithshëm të Të Rejave dhanë mësim rreth krijimit të familjeve dhe shtëpive të forta shpirtërore. Për ta paraqitur këtë nga ana pamore, një udhëheqëse e Të Rejave tregoi dy kanoçe me pije të gazuara. Në njërën dorë ajo mbajti një kanoçe që ishte bosh dhe në dorën tjetër një kanoçe që ishte e pahapur dhe plot me pije të gazuar. Së pari, ajo shtypi kanoçen bosh; kanoçja filloi të përkulej e më pas u shtyp e tëra nga trysnia. Pastaj, me dorën tjetër, shtypi kanoçen e pahapur. Ajo mbeti e pandryshuar. As nuk u përkul ose as nuk u shtyp si kanoçja bosh – sepse ishte e mbushur.

Ne e krahasuam këtë paraqitje me jetën tonë vetjake dhe me familjet e shtëpitë tona. Kur mbushemi me Shpirtin dhe me të vërtetën e ungjillit, ne kemi fuqinë t’u bëjmë ballë forcave të jashtme të botës, që na rrethojnë dhe ushtrojnë shtytje kundër nesh. Megjithatë, nëse nuk mbushemi shpirtërisht, ne nuk e kemi forcën e brendshme për t’u bërë ballë trysnive të jashtme dhe mund të rrëzohemi kur forcat ushtrojnë shtytje kundër nesh.

Satani e di që, me qëllim që ne dhe familjet tona t’u bëjmë ballë trysnive të botës, ne duhet të mbushemi me dritë dhe me të vërtetën e ungjillit. Ndaj ai bën gjithçka është në fuqinë e tij për ta dobësuar, shtrembëruar dhe shkatërruar të vërtetën e ungjillit dhe për të na mbajtur të veçuar nga ajo e vërtetë.

Shumë nga ne janë pagëzuar dhe e kanë marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, roli i të cilit është të zbulojë dhe të na e mësojë të vërtetën e të gjitha gjërave. Me privilegjin e asaj dhurate vjen përgjegjësia për ta kërkuar të vërtetën, për ta jetuar të vërtetën që njohim dhe për ta shpërndarë e për ta mbrojtur të vërtetën.

Një vend, ku ne kërkojmë më së miri për t’u mbushur me dritë dhe të vërtetë, është në shtëpitë tona. Fjalët në refrenin e këngës që dëgjuam, na kujtojnë: “Per’ndia familjet na dha që ne t’bëhemi siç do Ai”. Familjet janë shkolla e Zotit në tokë për të na ndihmuar ta mësojmë dhe ta jetojmë ungjillin. Ne vijmë te familjet tona me një detyrë të shenjtë për të ndihmuar që ta forcojmë njëri-tjetrin shpirtërisht.

Familje të forta, të përjetshme dhe shtëpi të mbushura me Shpirtin nuk krijohen vetë. Ato kërkojnë përpjekje të mëdha, ato kërkojnë kohë dhe ato kërkojnë që çdo pjesëtar i familjes të bëjë pjesën e tij apo të saj. Çdo shtëpi është e ndryshme, por çdo shtëpi ku qoftë vetëm një individ e kërkon të vërtetën, mund të sjellë ndryshim.

Ne këshillohemi vazhdimisht ta rritim njohurinë tonë shpirtërore nëpërmjet lutjes dhe nëpërmjet studimit e përsiatjes së shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve të gjallë. Në bisedën e tij të konferencës së përgjithshme rreth marrjes së një dëshmie për dritën e të vërtetën, Presidenti Diter F. Uhtdorf tha:

“Perëndia i Përjetshëm dhe i Plotfuqishëm … do t’iu flasë atyre që i afrohen Atij me një zemër të sinqertë dhe një qëllim të vërtetë.

Ai do t’iu flasë atyre në ëndrra, vegime, mendime dhe ndjenja.”

Presidenti Uhtdorf vazhdoi: “Perëndia përkujdeset për ju. Ai do të dëgjojë dhe Ai do t’iu japë përgjigje pyetjeve tuaja vetjake. Përgjigjet ndaj lutjeve tuaja do të vijnë sipas vetë mënyrës së Tij dhe në vetë kohën e Tij dhe, si rrjedhim, ju keni nevojë të mësoni ta dëgjoni zërin e Tij.”

Një tregim i shkurtër nga historia familjare e ilustron këtë këshillë.

Disa vite më parë, unë lexova një dëshmi të motrës së stërgjyshit tim, Elisabet Stejli Uokerit. Kur ishte fëmijë, Elisabeta emigroi nga Zvicra për në Amerikë me familjen e saj.

Pasi Elisabeta u martua, ajo, bashkëshorti dhe fëmijët e saj jetuan në Juta pranë kufijve të Nevadës, ku drejtuan një zyrë postare. Shtëpia e tyre ishte një pikë ndalimi për udhëtarët. Gjithë ditën e gjithë natën ata duhej të ishin gati për të gatuar e shërbyer vakte ushqimi për udhëtarët. Ishte punë e vështirë, rraskapitëse dhe ata kishin pak çlodhje. Por gjëja më e rëndësishme që e shqetësonte Elisabetën, ishte biseda me njerëzit me të cilët shoqëroheshin.

Elisabeta tha se deri në këtë kohë ajo gjithmonë e kishte marrë si të mirëqenë që Libri i Mormoni ishte i vërtetë, që Profeti Jozef Smith ishte autorizuar nga Perëndia që të bënte atë që bëri, dhe që mesazhi i tij ishte plani i jetës dhe shpëtimit. Por jeta që ajo po kalonte, nuk ishte aspak një jetë që do ta përforconte një besim të tillë.

Disa nga udhëtarët që ndalonin, ishin burra që kishin lexuar shumë, të shkolluar, të zgjuar dhe gjithnjë biseda rreth tryezës ishte që Jozef Smithi ishte “një mashtrues dinak”, i cili e kishte shkruar vetë Librin e Mormonit dhe më pas e shpërndau atë për të fituar para. Ata silleshin sikur po të mendoje diçka tjetër, ishte e pakuptimtë, duke këmbëngulur se “mormonizmi ishte një trillim”.

Të gjitha këto biseda e bënë Elisabetën të ndihej e veçuar dhe e vetmuar. S’kishte asnjë njeri me të cilin të fliste, madje as kohë për të thënë lutjet e saj – edhe pse lutej ndërsa punonte. Ishte shumë e frikësuar për t’iu thënë ndonjë gjë atyre që talleshin me fenë e saj. Ajo tha që duhej të hamendësonte se ata po thonin të vërtetën dhe ndjeu se nuk do të mund ta kishte mbrojtur besimin e saj nëse do të ishte përpjekur.

Pioneer Family in front of a log home

Më vonë, Elisabeta dhe familja e saj u shpërngulën. Elisabeta tha se kishte më shumë kohë të mendonte dhe se nuk ishte kaq e shpërqendruar gjithë kohën. Ajo shpesh zbriste në qilar dhe i lutej Atit Qiellor rreth asaj që po e shqetësonte – rreth historive që ata burra në dukje të zgjuar i kishin thënë se ungjilli ishte trillim dhe rreth Jozef Smithit e Librit të Mormonit.

Një natë Elisabeta pa një ëndërr. Ajo tha: “Dukej sikur po qëndroja pranë një udhe të ngushtë karrocash, e cila çonte pranë rrëzës së një kodrine të ultë, të valëzuar, nga mesi i kodrës pashë një burrë që shihte poshtë dhe fliste, ose dukej se po i fliste një të riu, që ishte në gjunjë; dhe i cili po përkulej mbi një gropë në tokë. Krahët e tij ishin të shtrira dhe dukej sikur po zgjatej për të nxjerrë diçka nga gropa. Unë mund ta shihja kapakun prej guri që dukej se ishte hequr nga gropa mbi të cilën po përkulej djali. Përgjatë udhës kishte shumë njerëz, por asnjëri prej tyre nuk dukej ndopak i interesuar për dy burrat në shpatin e kodrës. Pati diçka që erdhi bashkë me ëndrrën, e cila më la mbresë në mënyrë kaq të çuditshme saqë u zgjova menjëherë; … nuk munda t’ia tregoja ëndrrën time askujt, por dukesha se isha kënaqur që ajo nënkuptoi engjëllin Moroni që [e udhëzoi] djaloshin Jozef në kohën kur i mori fletët.”

Në pranverën e vitit 1893, Elisabeta shkoi në Solt-Lejk-Siti për përkushtimin e tempullit. Ajo e përshkroi përvojën e saj: “Atje brenda unë pashë të njëjtën pamje [që] e kisha parë në ëndrrën time, më duket se ishte [një] murale xhami me ngjyra. Unë u ndjeva e kënaqur se, edhe sikur ta shihja vetë kodrën Kumorah, ajo nuk do të dukej më e vërtetë. Unë u ndjeva e kënaqur që m’u tregua në ëndërr një pamje e engjëllit Moroni duke i dhënë Jozef Smithit fletët [e arta].”

Old portrait of Elizabeth Staheli

Shumë vite pasi e pa këtë ëndërr dhe disa muaj para se të vdiste afërsisht në moshën 88-vjeçare, Elisabeta mori një mbresë të fuqishme. Ajo tha: “Mendimi më erdhi po aq i qartë … sikur dikush të më thoshte: … ‘Mos e gropos në dhe dëshminë tënde.’”

Breza më vonë, pasardhësit e Elisabetës vazhdojnë të marrin forcë nga dëshmia e saj. Ashtu si Elisabeta, ne jetojmë në një botë me shumë njerëz dyshues dhe kritikues që i përqeshin dhe kundërshtojnë të vërtetat që ne i çmojmë shumë. Ne mund të dëgjojmë histori pështjelluese dhe mesazhe kundërshtuese. Ashtu si Elisabeta, ne do të na duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’u mbajtur te çfarëdo drite dhe të vërtete që e kemi tashmë, sidomos në rrethana të vështira. Përgjigjet e lutjeve tona mund të mos vijnë në mënyrë të bujshme, por ne duhet të gjejmë çaste të qeta për të kërkuar dritë dhe të vërtetë më të madhe. Dhe kur e marrim atë, është përgjegjësia jonë për ta jetuar, për ta shpërndarë dhe për ta mbrojtur atë.

Ju lë me dëshminë time që unë e di se, teksa i mbushim zemrat dhe shtëpitë tona me dritën dhe të vërtetën e Shpëtimtarit, ne vërtet do ta kemi forcën e brendshme për t’i bërë ballë çdo rrethane. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim: Më 4 prill 2015, Motra Esplin u lirua si këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Fillores dhe u mbështet si këshilltare e parë.

Shënime

  1. “Familja Vjen nga Perëndia”, te Familjet Janë Përgjithmonë: Orientues për Kohën e Përbashkët – 2014 [2014], f. 28–29.

  2. Shih Moroni 10:5.

  3. “Familja Vjen nga Perëndia”.

  4. Diter F. Uhtdorf, “Marrja e një Dëshmie për Dritën dhe të Vërtetën”, Liahona, nëntor 2014, f. 21.

  5. Shih Elizabeth Staheli Walker, “My Testimony, Written for My Children and Their Children after I Am Gone”, 1939, f. 22–26, University of Nevada, Las Vegas, Special Collections; pikësimi, përdorimi i germës së madhe dhe drejtshkrimi janë standardizuar.