2010–2019
Zgjidhni të Besoni
Prill 2015


Zgjidhni të Besoni

Shpëtimtari na e jep ungjillin e Tij si një dritë për t’i udhëhequr ata që zgjedhin të besojnë tek Ai dhe ta ndjekin Atë.

Janarin e shkuar, shtatëvjeçarja Sejlor Gaclër dhe familja e saj po fluturonin nga Florida për në Ilinois në një aeroplan privat. I ati i Sejlorit po drejtonte aeroplanin. Fill mbas muzgut, aeroplani pësoi disa probleme mekanike dhe u rrëzua kokëposhtë në terren shumë të ashpër, në kodrat shumë të errëta të Kentakit. Të gjithë humbën jetën në aksident përveç Sejlorit. Kyçi i dorës së saj u thye gjatë përplasjes. Ajo pësoi prerje e gërvishtje dhe humbi këpucët e saj. Temperatura ishte 3 gradë celsius – ishte një natë e ftohtë dimri me shi në Kentaki – dhe Sejlori kishte veshur vetëm pantallona të shkurtra, një bluzë me mëngë të shkurtra dhe një çorape.

Ajo thirri për nënën dhe babanë e vet, por askush nuk u përgjigj. Duke përdorur atë pak kurajë që kishte, ajo u nis zbathur drejt fshatit për të kërkuar ndihmë, duke kaluar nëpër përrenj, duke kapërcyer kanale dhe duke kaluar me guxim përmes gjëmbave të manaferrave. Nga maja e një kodrine, Sejlori vuri re një dritë në largësi, rreth një kilometër e gjysmë larg. Duke u penguar nëpër errësirë dhe shkurre drejt asaj drite, ajo më në fund arriti te shtëpia e një burri të mirë, që nuk e kishte takuar kurrë më parë, i cili nxitoi të kujdesej për të. Sejlori ishte e sigurt. Së shpejti ajo do të çohej në spital dhe do të ndihmohej gjatë rrugës për t’u shëruar.

Sejlori mbijetoi sepse pa një dritë në largësi dhe bëri përpara drejt saj – pavarësisht terrenit të egër rural, shkallës së tragjedisë me të cilën u përball dhe plagëve që ajo kishte pësuar. Është e vështirë të përfytyrosh se si Sejlori arriti të bëjë atë që bëri atë natë. Por ajo që ne vërtet dimë, është se ajo dalloi në dritën e asaj shtëpie të largët një mundësi për shpëtim. Kishte shpresë. Ajo mori guxim në faktin se pavarësisht nga sa keq ishin gjërat, shpëtimi i saj do të gjendej në atë dritë.

Pak nga ne do të durojnë ndonjëherë një përvojë kaq pikëlluese sa të Sejlorit. Por të gjithë ne, në një kohë apo në një tjetër, do të duhet të kalojmë përmes vetë shkretëtirës tonë shpirtërore dhe të ndërmarrim vetë udhëtimet tona të ashpra emocionale. Në ato çaste, sado të errëta apo të pashpresa në dukje mund të jenë ato, nëse ne e kërkojmë atë, do të ketë gjithmonë një dritë shpirtërore që të na drejtojë, duke na dhënë shpresën e shpëtimit dhe lehtësimit. Ajo dritë shkëlqen nga Shpëtimtari i të gjithë njerëzimit, i cili është Drita e Botës.

Të ndierit e dritës shpirtërore është e ndryshme nga të parit e dritës fizike. Njohja e dritës shpirtërore të Shpëtimtarit fillon me gatishmërinë tonë për të besuar. Perëndia kërkon fillimisht që të kemi së paku dëshirën për të besuar. “Në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja … dhe të ushtroni një pjesëz të besimit”, jep mësim profeti Alma, “po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të [Shpëtimtarit].”

Thirrja e Almës që ne të kemi dëshirë të besojmë dhe të “bë[jmë] vend” në zemrën tonë për fjalët e Shpëtimtarit, na kujton se bindja dhe besimi kërkojnë zgjedhjen dhe veprimin tonë vetjak. Ne duhet “të zgjohe[mi] dhe … [vëmë] në veprim aftësitë [tona]”. Ne lypim para se të na jepet; kërkojmë para se të gjejmë; trokasim para se të na hapet. Më pas na jepet ky premtim: “Pasi kushdo që të lypë, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që do të trokasë, do t’i hapet”.

Nuk ka pasur ndonjëherë një përgjërim më të flaktë për ne që të besojmë sesa nga Vetë Shpëtimtari gjatë shërbesës së Tij tokësore, kur iu drejtua dëgjuesve të Tij mosbesues:

“Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë”.

Çdo ditë secili presh nesh përballet me një provë. Është prova e tërë jetës sonë: a do të zgjedhim ne të besojmë tek Ai dhe ta lejojmë dritën e ungjillit të Tij të rritet brenda nesh, apo do të refuzojmë të besojmë dhe do të këmbëngulim të udhëtojmë të vetëm në errësirë? Shpëtimtari na e jep ungjillin e Tij si një dritë për të udhëhequr ata që zgjedhin të besojnë tek Ai dhe ta ndjekin Atë.

Pas përplasjes, Sejlori kishte një zgjedhje. Ajo mund të kishte zgjedhur të qëndronte pranë aeroplanit në errësirë, e vetmuar dhe e frikësuar. Por ishte një natë e gjatë përpara dhe do të bëhej edhe më ftohtë. Ajo zgjodhi një rrugë tjetër. Sejlori u ngjit majë një kodre dhe aty ajo pa një dritë në horizont.

Shkallë-shkallë, teksa ajo eci nëpër natë drejt dritës, ajo u bë më e ndritshme. Përsëri, duhet të ketë pasur raste kur ajo nuk mund ta shihte atë. Mbase i humbi nga shikimi kur ajo ishte në një luginë të thellë apo pas pemëve apo shkurreve, por ajo vazhdoi përpara. Kurdoherë që mund ta shihte dritën, Sejlori kishte prova që ishte në udhën e duhur. Ajo nuk e dinte akoma saktësisht se çfarë ishte ajo dritë, por ajo vazhdoi të ecë drejt saj e mbështetur në atë që ajo dinte, duke besuar dhe shpresuar se do ta shihte sërish nëse do të vazhdonte të ecte në drejtimin e duhur. Duke bërë këtë, ajo mund të ketë shpëtuar jetën e saj.

Jeta jonë mund të jetë e ngjashme. Mund të ketë kohë kur jemi lënduar, kur jemi të lodhur dhe kur jeta jonë duket e errët dhe e ftohtë. Mund të ketë kohë kur ne nuk mund të shohim ndonjë dritë në horizont dhe mund të ndiejmë se po dorëzohemi. Nëse jemi të gatshëm të besojmë, nëse dëshirojmë të besojmë, nëse zgjedhim të besojmë, atëherë mësimet dhe shembulli i Shpëtimtarit do të na tregojnë shtegun përpara.

Zgjidhni të Besoni

Njësoj si Sejlorit iu desh të besonte që ajo do të gjente siguri në atë dritë të largët, ne gjithashtu duhet të zgjedhim të hapim zemrën tonë ndaj realitetit hyjnor të Shpëtimtarit – ndaj dritës së Tij të përjetshme dhe mëshirës së Tij shëruese. Profetët përgjatë shekujve na kanë nxitur dhe madje na janë përgjëruar që të besojmë në Krisht. Porositë e tyre pasqyrojnë një fakt themelor: Perëndia nuk na detyron të besojmë. Përkundrazi, Ai na fton të besojmë duke dërguar profetë dhe apostujt të gjallë që të na mësojnë, duke dhënë shkrimet e shenjta e duke na drejtuar nëpërmjet Shpirtit të Tij. Jemi ne ata që duhet të zgjedhim t’i përqafojmë këto ftesa shpirtërore, duke vendosur ta shohim me sytë e brendshëm dritën shpirtërore me të cilën Ai na thërret. Vendimi për të besuar është zgjedhja më e rëndësishme që bëjmë ndonjëherë. Ai u jep formë të gjitha vendimeve tona të tjera.

Perëndia nuk na detyron të besojmë sikurse nuk na detyron të mbajmë ndonjë prej urdhërimeve, pavarësisht nga dëshira e Tij e përsosur për të na bekuar. Sidoqoftë thirrja e Tij që ne të besojmë në Të – që të ushtrojmë atë pjesëz besimi dhe të bëjmë vend për fjalët e Tij – mbetet në fuqi sot. Siç tha Shpëtimtari: “Unë dëshmoj që Ati i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo, të pendohen dhe të besojnë në mua”.

Bindja dhe dëshmia dhe besimi nuk janë parime pësore. Nuk është se ato thjesht na ndodhin. Besimi është diçka që ne e zgjedhim – ne shpresojmë për të, punojmë për të dhe sakrifikojmë për të. Ne nuk do të arrijmë të besojmë rastësisht te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij sikurse nuk do të lutemi apo paguajmë të dhjetën rastësisht. Ne në mënyrë aktive zgjedhim të besojmë, njësoj siç zgjedhim t’i mbajmë urdhërimet e tjera.

Vëreni Besimin në Veprim

Sejlori nuk mund ta dinte që në fillim nëse ajo që po bënte teksa shtyhej përmes gëmushave, do të funksiononte në të vërtetë. Ajo kishte humbur dhe ishte e lënduar; ishte errësirë dhe ftohtë. Por ajo u largua nga vendi i përplasjes dhe doli jashtë me shpresën për shpëtim, duke u zvarritur dhe duke çarë rrugën përpara derisa pa një dritë në largësi. Pasi e kishte parë dritën, ajo bëri të pamundurën për të lëvizur drejt saj, duke mbajtur mend atë që kishte parë.

Ne gjithashtu duhet të bëjmë vend për shpresën që ne do të gjejmë dritë shpirtërore duke e përqafuar besimin në vend që të zgjedhim të dyshojmë. Veprimet tona janë prova e besimit tonë dhe bëhen thelbi i besimit tonë. Ne po zgjedhim të besojmë kur lutemi dhe kur i lexojmë shkrimet e shenjta. Ne po zgjedhim të besojmë kur agjërojmë, kur e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit dhe kur adhurojmë në tempull. Ne po zgjedhim të besojmë kur pagëzohemi dhe kur e marrim sakramentin. Ne po zgjedhim të besojmë kur pendohemi dhe kërkojmë falje hyjnore dhe dashuri shëruese.

Kurrë Mos u Dorëzoni

Ndonjëherë përparimi në gjërat shpirtërore mund të duket i ngadaltë apo i paqëndrueshëm. Ndonjëherë mund të ndiejmë se kemi mbetur prapa, që kemi bërë gabime ose që përpjekjet tona më të mira për ta gjetur Shpëtimtarin nuk po funksionojnë. Nëse ndiheni kështu, ju lutem mos u dorëzoni – kurrë. Vazhdoni të palëkundur duke besuar në Të dhe në ungjillin e Tij e në Kishën e Tij. Drejtojini veprimet tuaja me atë besim. Në ato çaste kur drita e besimit tuaj është zbehur, lëreni shpresën tuaj për dashurinë dhe hirin e Shpëtimtarit, që gjendet në ungjillin e Tij dhe në Kishën e Tij, ta mposhtë dyshimin tuaj. Ju premtoj se Ai qëndron gati t’ju pranojë. Me kalimin e kohës ju do të arrini të kuptoni se keni bërë zgjedhjen më të mirë që mund të kishit bërë ndonjëherë. Vendimi juaj i guximshëm për të besuar tek Ai do t’ju bekojë pa masë dhe përgjithmonë.

Bekimet e Besimit

E kam ndier dashurinë e mëshirshme të Shpëtimtarit në jetën time. E kam kërkuar Atë në çastet e mia të errësirës dhe Ai ka ardhur tek unë me dritën e Tij shëruese. Një nga gëzimet e mëdha të jetës sime ka qenë të udhëtoja me gruan time, Ketin, për t’u takuar me anëtarët e Kishës në shumë anë të globit. Këto takime të mrekullueshme më kanë mësuar mua dhe na kanë mësuar ne rreth dashurisë së Perëndisë për ne. Ato më kanë treguar potencialin e pafundmë për lumturi, që bëhet bekimi i atyre që zgjedhin të ndjekin mësimet e Zotit Jezu Krisht. Unë kam mësuar se të besuarit në Të dhe në fuqinë e Tij shëlbuese është udha e vërtetë drejt “paqe[s] në këtë botë dhe jetë[s] [së] përjetshme në botën që vjen”.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është burimi i dritës dhe shpresës për të gjithë ne. Unë lutem që ne të gjithë të mund të zgjedhim të besojmë në Të. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Lindsey Bever, “How 7-Year-Old Sailor Gutzler Survived a Plane Crash”, Washington Post, 5 janar 2015, washingtonpost.com; “Girl Who Survived Plane Crash Hoped Family ‘Was Just Sleeping’”, 4 janar 2015, myfox8.com; “Kentucky Plane Crash: Four Killed, Little Girl Survives” 2015 janar 2015, news.com.au; “Young Girl, Sole Survivor of Kentucky Plane Crash”, Associated Press, 3 janar 2015, jems.com.

  2. Alma 32:27; theksimi i shtuar.

  3. 3 Nefi 14:8; shih edhe vargun 7.

  4. Gjoni 10:37–38.

  5. 3 Nefi 11:32.

  6. Doktrina e Besëlidhje 59:23.