2010–2019
Priftëria – Një Dhuratë e Shenjtë
Prill 2015


Priftëria – Një Dhuratë e Shenjtë

Secilit prej nesh i është mirëbesuar një nga dhuratat më të çmuara që i është dhënë ndonjëherë njerëzimit.

Një nga kujtimet e mia më të gjalla është ndjekja e mbledhjes së priftërisë si një dhjak i saposhuguruar dhe këndimi gjatë himnit të hapjes, “Ejani, bij t’Per’ndis’ që keni marr’ prift’rinë”. Sonte, të gjithë të mbledhurve këtu në Qendrën e Konferencave dhe, në fakt, në mbarë botën, unë i përsërit shpirtin e atij himni të veçantë dhe ju them: “Ejani, bij t’Per’ndis’ që keni marr’ prift’rinë, le t’i mbajmë parasysh thirrjet tona; le të mendojmë mbi përgjegjësitë tona; le të përcaktojmë detyrën tonë dhe le të ndjekim Jezu Krishtin, Zotin tonë. Ndonëse mund të jemi të ndryshëm nga mosha, nga zakonet apo nga kombësia, ne jemi të bashkuar si një e tërë në thirrjet tona të priftërisë.

Për çdonjërin prej nesh, rivendosja e Priftërisë Aarone tek Oliver Kaudëri dhe Jozef Smithi nga Gjon Pagëzori, është shumë domethënëse. Po ashtu, rivendosja e Priftërisë Melkizedeke te Jozefi dhe Oliveri nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, është një ngjarje e gëzueshme.

Le t’i marrim më me seriozitet thirrjet, përgjegjësitë dhe detyrat që vijnë me priftërinë që ne mbajmë.

Unë ndjeva një përgjegjësi të madhe kur u thirra për të qenë sekretar i kuorumit tim të dhjakëve. I përgatita me shumë ndërgjegje dokumentet që mbajta, sepse doja të bëja më të mirën që unë dija të bëja në atë thirrje. U ndjeva tepër krenar për punën time. Të bëja gjithçka mundesha, me të gjitha aftësitë e mia, ka qenë qëllimi im në çdo pozitë që kam mbajtur ndonjëherë.

Unë shpresoj që çdo të riu që është shuguruar në Priftërinë Aarone, t’i jetë dhënë një vetëdije shpirtërore për shenjtërinë e thirrjes së tij të caktuar, si dhe mundësitë për ta lartësuar atë thirrje. Unë e mora një mundësi të tillë si dhjak kur peshkopata kërkoi që unë ta çoja sakramentin te një njeri i mbyllur në shtëpi që jetonte rreth 1.5 km larg nga kisha jonë. Atë mëngjes të veçantë të diele, kur trokita në derën e vëllait Rajt dhe dëgjova zërin e tij të mekur: “Hyr”, unë nuk hyra vetëm në shtëpizën e tij të thjeshtë, por edhe në një dhomë të mbushur me Shpirtin e Zotit. U afrova në anë të krevatit të vëllait Rajt dhe me kujdes ia vendosa një copë buke në buzë. Më pas mbajta gotëzën e ujit, që ai të mund të pinte. Teksa u largova, pashë lot në sytë e tij ndërsa tha: “Perëndia të bekoftë, biri im”. Dhe Perëndia me të vërtetë më bekoi – me një vlerësim për emblemat e shenjta të sakramentit dhe për priftërinë që mbaja.

Asnjë dhjak, mësues apo prift nga lagjja jonë nuk do t’i harrojë asnjëherë vizitat mbresëlënëse që bëmë në Klarkston, Juta, në varrin e Martin Harrisit, një nga Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit. Ndërsa e rrethonim boshtin e gjatë prej graniti që shenjon varrin e tij dhe ndërsa një nga udhëheqësit e kuorumit na lexonte ato fjalë depërtuese nga “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve”, që gjendet në fillim të Librit të Mormonit, ne krijuam një dashuri për atë dokument të shenjtë dhe për të vërtetat që gjenden aty.

Përgjatë atyre viteve, synimi ynë ishte të bëheshim si bijtë e Mosias. Për ta është thënë:

“Ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.

Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës dhe kur i mësuan të tjerët, ata i mësuan me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë.”

Nuk mund të mendoj për një qëllim më të denjë që mund të ketë një i ri, sesa që ta përshkruajnë siç u përshkruan bijtë e guximshëm e të drejtë të Mosias.

Ndërsa i afrohesha ditëlindjes sime të 18-të dhe u përgatita për t’u futur në shërbimin ushtarak të detyrueshëm, të kërkuar për djemtë e rinj gjatë Luftës II Botërore, u rekomandova për të marrë Priftërinë Melkizedeke, por fillimisht duhej t’i telefonoja presidentit të kunjit tim, Pol C. Çajlld, për një intervistë. Ai ishte dikush që i donte dhe i kuptonte shkrimet e shenjta dhe qëllimi i tij ishte që të gjithë të tjerët duhej t’i donin dhe t’i kuptonin ato në mënyrë të ngjashme. Duke dëgjuar nga disa prej miqve të mi për intervistat e tij tepër të hollësishme dhe zhbiruese, dëshiroja shfaqje sa më të vogël të njohurive të mia nga shkrimet e shenjta; prandaj, kur i telefonova, i sugjerova që të takoheshim të dielën pasuese, në një kohë që e dija se ishte vetëm një orë përpara kohës së mbledhjes së tij të sakramentit.

Përgjigjja e tij: “O, vëllai Monson, kjo nuk do të na jepte kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar shkrimet e shenjta”. Ai më pas sugjeroi një kohë, tri orë përpara mbledhjes së tij të sakramentit, dhe më udhëzoi të merrja me vete kompletin tim të shkrimeve të shenjta me shënime dhe referenca vetjake.

Kur mbërrita në shtëpinë e tij të dielën, u përshëndeta përzemërsisht dhe më pas intervista filloi. Presidenti Çajlld tha: “Vëllai Monson, ti mban Priftërinë Aarone. A ke pasur ndonjëherë shërbesë nga engjëjt?” Unë u përgjigja se nuk kisha pasur. Kur më pyeti nëse e dija se e kisha një të drejtë të tillë, sërish u përgjigja se nuk e dija.

Ai udhëzoi: “Vëllai Monson, thuaje përmendsh seksionin 13 të Doktrinës e Besëlidhjeve”.

Unë fillova: “‘MBI ju, bashkëshërbëtorët e mi, në emër të Mesias, unë jap Priftërinë e Aaronit, e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve–’”

“Ndalo”, udhëzoi Presidenti Çajlld. Më pas me një ton të qetë e të ëmbël, ai më këshilloi: “Vëllai Monson, mos harro kurrë se si një mbajtës i Priftërisë Aarone, ti ke të drejtën e shërbesës së engjëjve”.

Ishte thuajse sikur një engjëll të qe në dhomë atë ditë. Nuk e kam harruar asnjëherë intervistën. Ende e ndiej shpirtin e atij rasti solemn teksa i lexojmë së bashku përgjegjësitë, detyrat dhe bekimet e Priftërisë Aarone dhe Priftërisë Melkizedeke – bekime të cilat nuk na vijnë vetëm neve, por edhe familjeve tona dhe të tjerëve që do të kemi privilegjin t’u shërbejmë.

Unë u shugurova plak dhe ditën e nisjes sime për të përmbushur shërbimin në marinë, një anëtar i peshkopatës së lagjes sime u bashkua me familjen dhe miqtë e mi në stacionin e trenit për të më uruar rrugë të mbarë. Pak para se treni të nisej, ai më la në dorë një libërth të quajtur Missionary Handbook [Manuali i Misionarëve]. Qesha dhe thashë se nuk po shkoja në mision.

Ai u përgjigj: “Merre gjithsesi. Mund të të hyjë në punë.”

Ashtu ndodhi. Më nevojitej një objekt i fortë, drejtkëndor për ta vendosur poshtë çantës sime të shpinës, në mënyrë që veshjet e mia të qëndronin më të sigurta dhe kështu do të ishin më pak të rrudhosura. Missionary Handbook [Manuali i Misionarëve] ishte pikërisht ajo që më duhej, dhe më shërbeu për bukuri në çantën time të shpinës për 12 javë.

Natën përpara pushimeve tona të Krishtlindjes, po mendonim për shtëpitë. Kazermat qenë të qeta, por më pas heshtja u thye nga shoku im në shtratin e marinarit ngjitur – një djalë mormon, Lilend Merili – i cili filloi të ankohej nga dhembjet. Pyeta për arsyen dhe ai tha se ndihej shumë i sëmurë. Ai nuk donte të shkonte në dispanserinë e bazës, sepse e dinte se një gjë e tillë do ta ndalonte vajtjen e tij në shtëpi ditën tjetër.

Dukej që po përkeqësohej ndërsa orët kalonin. Më në fund, duke e ditur se isha një plak, ai më kërkoi t’i jepja një bekim priftërie.

Nuk kisha dhënë kurrë më parë një bekim priftërie, nuk kisha marrë kurrë një bekim dhe nuk e kisha dëshmuar kurrë dhënien e një bekimi. Ndërsa lutesha në heshtje për ndihmë, m’u kujtua Missionary Handbook [Manuali i Misionarëve] në fund të çantës time të shpinës. Me shpejtësi e boshatisa çantën dhe e mora librin nën dritën e natës. Atje lexova se si një person e bekon të sëmurin. Me shumë marinarë kureshtarë që po vështronin, unë vijova me bekimin. Para se ta vija çdo gjë sërish në çantën time, Lilend Merili po flinte si një fëmijë. Ai u zgjua mëngjesin tjetër duke u ndier mirë. Mirënjohja që secili prej nesh ndjeu për fuqinë e priftërisë, ishte e pamasë.

Vitet më kanë sjellë më shumë mundësi për të dhënë bekime ndaj njerëzve në nevojë sesa ndoshta mund t’i numëroj. Në secilën mundësi kam qenë thellësisht mirënjohës që Perëndia ma ka mirëbesuar këtë dhuratë të shenjtë. Unë ndiej nderim për priftërinë. E kam dëshmuar fuqinë e saj herë pas here. E kam parë forcën e saj. Jam mahnitur nga mrekullitë që ajo ka sjellë.

Vëllezër, secilit prej nesh i është mirëbesuar një nga dhuratat më të çmuara që i është dhënë ndonjëherë njerëzimit. Kur e nderojmë priftërinë tonë dhe e jetojmë jetën tonë në mënyrë të tillë që në çdo kohë të jemi të denjë, bekimet e priftërisë do të rrjedhin nëpërmjet nesh. Ipëlqej pamasë fjalët që gjenden te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 121, vargu 45, që na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë që të jemi të denjë: “Brendësia jote duhet të jetë plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve e ndaj familjes së besimit dhe virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesat nga qiejt”.

Si mbajtës të priftërisë së Perëndisë, ne jemi të angazhuar në punën e Zotit Jezu Krisht. Ne i jemi përgjigjur thirrjes së Tij; ne jemi në punën e Tij. Le të mësojmë prej Tij. Le t’i ndjekim gjurmët e hapave të Tij. Le të jetojmë sipas udhëzimeve të Tij. Duke e bërë këtë, ne do të jemi të përgatitur për çfarëdo shërbimi që Ai na thërret të bëjmë. Kjo është puna e Tij. Kjo është Kisha e Tij. Njëmend, Ai është kapiteni ynë, Mbreti i Lavdisë, madje Biri i Perëndisë. Unë dëshmoj se Ai jeton dhe e jap këtë dëshmi në emrin e Tij të shenjtë, emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Come, All Ye Sons of God”, Hymns, nr. 322.

  2. Alma 17:2–3.