Fuqi në Priftëri
Një burrë mund t’i hapë perdet që drita e diellit të hyjë në dhomë, por burri nuk është pronar i diellit, as i dritës apo i ngrohtësisë që ajo sjell.
Bekimet e Priftërisë Janë për të Gjithë
Ndërkohë që fëmijët në mbledhjen e sakramentit këndonin gëzueshëm këngën e Fillores “Këtu Flitet Dashuri”, të gjithë qeshnin me miratim. Një nënë e guximshme, që po rrit pesë fëmijë, e dëgjoi me kujdes strofën e dytë: “E kam unë një shtëpi ku [çdo] orë bekohet nga forca e [fuqisë] së priftërisë”1. Trishtueshëm ajo mendoi: “Fëmijët e mi nuk e kanë njohur kurrë një shtëpi të tillë”2.
Mesazhi im për këtë grua besnike dhe për të gjithë është se ne mund ta jetojmë çdo orë “të bekuar nga forca e fuqisë së priftërisë”, cilado qoftë rrethana jonë.
Ne ndonjëherë e lidhim së tepërmi fuqinë e priftërisë me burrat në Kishë. Priftëria është fuqia dhe autoriteti i dhënë për shpëtimin dhe bekimin e të gjithëve – burra, gra e fëmijë.
Një burrë mund t’i hapë perdet që drita e diellit të hyjë në dhomë, por burri nuk është pronar i diellit, as i dritës apo i ngrohtësisë që ajo sjell. Bekimet e priftërisë janë pambarimisht më të mëdha se ai të cilit i kërkohet të administrojë dhuratën.
Të marrim bekimet, fuqinë dhe premtimet e priftërisë në këtë jetë dhe në tjetrën, është një prej mundësive dhe përgjegjësive të mëdha të vdekshmërisë. Kur jemi të denjë, ordinancat e priftërisë e pasurojnë jetën tonë në tokë dhe na përgatisin për premtimet madhështore të botës që na pret. Zoti tha: “Në ordinancat … fuqia e perëndishmërisë manifestohet”3.
Ka disa bekime të veçanta nga Perëndia për çdo njeri të denjë që është i pagëzuar, merr Frymën e Shenjtë dhe merr sakramentin. Tempulli sjell dritë dhe forcë më të madhe, së bashku me premtimin për jetë të përjetshme4.
Të gjitha ordinancat na ftojnë ta rrisim besimin tonë te Jezu Krishti dhe të bëjmë e të mbajmë besëlidhjet me Perëndinë. Teksa i mbajmë këto besëlidhje të shenjta, ne marrim fuqinë dhe bekimet e priftërisë.
A nuk e ndiejmë këtë fuqi të priftërisë në jetën tonë dhe a nuk e shohim mes anëtarëve të Kishës që i mbajnë besëlidhjet? Ne e shohim atë te të porsakthyerit në besim ndërsa dalin nga ujërat e pagëzimit duke u ndier të falur dhe të pastër. Ne i shohim fëmijët dhe të rinjtë tanë më të ndjeshëm ndaj nxitjeve dhe udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë. Ne i shohim ordinancat e tempullit duke u bërë një fener force dhe drite për burrat dhe gratë e drejta përqark botës.
Këtë muaj që shkoi, pashë një çift të ri të merrte forcë të pamasë nga premtimet vulosëse të tempullit kur foshnja e tyre e çmuar lindi, por jetoi vetëm një javë. Përmes ordinancave të priftërisë ky çift i ri e të gjithë ne marrim ngushëllim, forcë, mbrojtje, paqe dhe premtime të përjetshme5.
Ajo që Dimë rreth Priftërisë
Disa, sinqerisht, mund të bëjnë një pyetje: “Nëse fuqia dhe bekimet e priftërisë janë të gjindshme për të gjithë, pse ordinancat e priftërisë administrohen nga burrat?”
Kur një engjëll e pyeti Nefin: “A e di ti denjimin e Perëndisë”, Nefi u përgjigj ndershmërisht: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave”6.
Kur flasim për priftërinë, ka shumë gjëra që i dimë.
Të Gjithë Janë Njësoj
Ne e dimë se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe nuk tregohet i anshëm. “Ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, … burra [apo] gra; … dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë.”7
Me aq siguri sa e dimë se dashuria e Perëndisë është “njësoj” për bijtë dhe bijat e Tij, ne dimë edhe se Ai nuk i krijoi tërësisht njësoj burrat dhe gratë. Ne e dimë se gjinia është një karakteristikë thelbësore sa e identitetit dhe qëllimit tonë të jetës së vdekshme, aq edhe të së përjetshmes. Çdo gjinie i jepen përgjegjësi të shenjta8.
Nga Fillimi
Ne e dimë se, që nga fillimi, Zoti e përcaktoi se si do të administrohej priftëria e Tij. “Priftëria iu dha së pari Adamit.”9 Noeu, Abrahami dhe Moisiu, të gjithë administruan ordinanca priftërie. Jezu Krishti ishte dhe është Kryeprifti i Lartë. Ai thirri Apostuj. “Nuk më keni zgjedhur ju mua”, tha Ai, “por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova.”10 Në kohën tonë, u dërguan lajmëtarë qiellorë nga Perëndia. Gjon Pagëzori, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni e rivendosën priftërinë në tokë përmes Profetit Jozef Smith.11 Kjo është mënyra se si Ati ynë në Qiell e ka administruar priftërinë e Tij.12
Shumë Dhurata nga Perëndia
Ne e dimë se fuqia e priftërisë së shenjtë nuk funksionon e pavarur nga besimi, Fryma e Shenjtë dhe dhuratat shpirtërore. Shkrimet e shenjta paralajmërojnë: “Mos mohoni dhuratat e Perëndisë, pasi ato janë shumë. … Dhe ka mënyra të ndryshme sesi jepen këto dhurata; por është i njëjti Perëndi që vepron në [të gjitha gjërat].”13
Denjësia
Ne e dimë se denjësia është gjithnjë kyçe për kryerjen dhe marrjen e ordinancave të priftërisë. Motra Linda K. Barton, presidentja e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, ka thënë: “Drejtësia është kusht … për ta ftuar fuqinë e priftërisë në jetën tonë”14.
Për shembull, merrni parasysh epideminë e pornografisë që po përhapet me shpejtësi anembanë botës. Standardi i Zotit për denjësinë nuk lejon pornografi mes atyre që kryejnë detyra në ordinancat e priftërisë. Shpëtimtari tha:
“Pendohuni për … neveritë tuaja të fshehta”15.
“Drita e trupit është syri. … Në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë.”16
“Se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.”17
Administrimi ose shpërndarja e sakramentit, bekimi i të sëmurëve ose pjesëmarrja në ordinanca të tjera priftërie padenjësisht është, sikurse tha Plaku David A. Bednar, ta çosh dëm emrin e Perëndisë18. Nëse dikush është i padenjë, ai duhet të tërhiqet nga kryerja e detyrave në ordinancat e priftërisë dhe t’i qaset me lutje peshkopit si një hap i parë drejt pendimit dhe rikthimit tek urdhërimet.
Përulësia
Diçka tjetër që dimë është se bekimet e priftërisë janë të bollshme në familje ku një nënë dhe baba i drejtë janë të bashkuar në udhërrëfimin e fëmijëve të tyre. Por ne e dimë gjithashtu se Perëndia është i etur që t’ua japë po këto bekime atyre që ndodhen në shumë situata të tjera.19
Një nënë, që mban peshën e sigurimit si të nevojave shpirtërore, ashtu edhe të atyre materiale për familjen e saj, shpjegoi me ndjeshmëri se thirrja e mësuesve të saj të shtëpisë për të bekuar një prej fëmijëve të vet, i kërkon përulësi. Por ajo shtoi mprehtësisht se kërkon jo më tepër përulësi sesa ajo e mësuesve të saj të shtëpisë teksa përgatiten për të bekuar fëmijën e saj20.
Çelësat e Priftërisë
Ne e dimë se çelësat e priftërisë, të mbajtur nga anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, drejtojnë punën e Zotit mbi tokë. Çelësa të posaçëm priftërie u jepen presidentëve të kunjeve dhe peshkopëve për përgjegjësitë e tyre gjeografike. Ata thërrasin burra dhe gra me anë të zbulesës, që mbështeten dhe veçohen për të ushtruar autoritetin e ngarkuar për të dhënë mësim e administruar21.
Ndërkohë që ka shumë gjëra që ne vërtet i dimë rreth priftërisë, të parit përmes thjerrave të vdekshmërisë nuk jep gjithnjë një kuptim të plotë për punët e Perëndisë. Por rikujtimi i Tij i butë, “Mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”22, na siguron se me kohën dhe me këndvështrimin e përjetshëm ne do t’i shohim “[gjërat] ashtu siç janë në të vërtetë”23 dhe do ta kuptojmë dashurinë e Tij të përsosur.
Ne të gjithë shërbejmë me gatishmëri. Nganjëherë nuk ndihemi të ngazëllyer nga thirrja jonë dhe do të dëshironim të na kërkohej të bënim më shumë. Herë të tjera jemi mirënjohës kur është koha për lirimin tonë nga thirrja. Ne nuk i përcaktojmë thirrjet që marrim.24 E nxora këtë mësim që herët në martesën time. Kur ishim çift i ri, ime shoqe, Kethi, dhe unë jetonim në Florida. Një të diel një këshilltar në presidencën e kunjit më shpjegoi se ata ndienin nxitjen për ta thirrur Kethin si mësuese për seminar herët në mëngjes.
“Si do ta bëjmë këtë”, i pyeta. “Ne kemi fëmijë të vegjël, seminari fillon në 5 të mëngjesit dhe unë jam presidenti i Të Rinjve në lagje.”
Këshilltari buzëqeshi dhe tha: “Do ta rregullojmë, Vëllai Andersen. Do të thërrasim atë dhe do të të lirojmë ty.”
Dhe kjo është çfarë ndodhi.
Kontributi i Grave
Pyetja e dëgjimi në mënyrë të sinqertë i mendimeve dhe shqetësimeve të ngritura nga gratë është jetike në jetë, në martesë dhe në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.
Njëzet vjet më parë, në konferencën e përgjithshme, Plaku M. Rasëll Ballard tregoi një bisedë që pati me presidenten e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Pati një pyetje të ngritur rreth forcimit të denjësisë së rinisë që përgatiten për të shërbyer në misione. Motra Ilejn Xhek tha me buzëqeshje: “E dini, Plaku Ballard, gratë e Kishës mund të kenë disa sugjerime të mira … nëse pyeten. Në fund të fundit, … ne jemi nënat e tyre!”25
Presidenti Tomas S. Monson ka një histori të gjatë sa jeta të të pyeturit dhe të reagimit ndaj shqetësimeve të grave. Gruaja që pati më shumë ndikim tek ai, është Motra Frensis Monson. Neve na mungon shumë ajo. Presidenti Monson gjithashtu së fundi u kujtoi Autoriteteve të Përgjithshme sa shumë mësoi nga 84 vejushat e lagjes së tij. Ato ndikuan jashtë mase në shërbimin e tij dhe në të gjithë jetën e tij.
Nuk është çudi që, përpara vendimit [të marrë] plot lutje të Presidentit Monson mbi ndryshimin e moshës për shërbim misionar, pati shumë diskutime me presidencat e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe të Fillores.
Peshkopë, teksa ndiqni shembullin e Presidentit Monson, do të ndieni edhe më bollshëm dorën udhërrëfyese të Zotit duke e bekuar punën tuaj të shenjtë.
Ne jetuam për disa vjet në Brazil. Shpejt pasi mbërritëm, takova Adelson Parelën, që shërbente si I Shtatëdhjetë dhe të vëllanë Adilsonin, që shërbente në presidencën tonë të kunjit. Më vonë, u takova me vëllanë e tyre Adaltonin, që shërbente si president kunji në Florianopolis dhe një vëlla tjetër, Adelmon, që shërbente si peshkop. Më la mbresë besimi i këtyre vëllezërve dhe pyeta për prindërit e tyre.
Familja u pagëzua në Santos të Brazilit, 42 vjet më parë. Adilson Parela tha: “Në fillim, babai u duk shumë entuziast për bashkimin me Kishën. Megjithatë, ai [shpejt] u bë më pak aktiv dhe i kërkoi nënës sonë të mos shkonte në kishë.”
Adilsoni më tha se e ëma qepte veshje për fqinjët që të paguante për udhëtimin e fëmijëve të saj për në kishë. Katër djem të vegjël ecnin së bashku mbi një kilometër e gjysmë për në një qytet tjetër, merrnin autobusin për 45 minuta dhe më pas ecnin 20 minuta të tjera për në kishë.
Edhe pse në pamundësi për të shkuar në kishë me fëmijët e saj, Motra Parela i lexonte shkrimet e shenjta me bijtë dhe bijat e saj, u mësonte atyre ungjillin dhe lutej me ta. Shtëpia e tyre e thjeshtë qe e mbushur me bekimet e pasura të fuqisë së priftërisë. Djemtë e vegjël u rritën, shërbyen në misione, u arsimuan dhe u martuan në tempull. Bekimet e priftërisë mbushën shtëpitë e tyre.
Vite më vonë, si motër beqare, Veni de Paula Parela hyri në tempull për indaumentin e saj dhe, ende më vonë, shërbeu në tri misione në Brazil. Tani, 84 vjeçe, besimi i saj vazhdon të bekojë brezat që kanë ardhur pas saj.
Dëshmia dhe Premtimi
Fuqia e priftërisë së shenjtë të Perëndisë gjendet te Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ndërsa merrni pjesë denjësisht në ordinancat e priftërisë, Zoti do t’ju japë forcë, paqe e këndvështrim më të sigurt. Cilado qoftë situata juaj, shtëpia juaj do të jetë e “bekuar nga forca e fuqisë së priftërisë” dhe ata pranë jush do t’i dëshirojnë më plotësisht këto bekime për veten e tyre.
Si gra dhe burra, motra dhe vëllezër, bij dhe bija të Perëndisë, ne shkojmë përpara së bashku. Kjo është mundësia jonë, përgjegjësia jonë dhe bekimi ynë. Ky është fati ynë – ta përgatisim mbretërinë e Perëndisë për kthimin e Shpëtimtarit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.