Duke iu Afruar më Shumë Perëndisë
Shpëtimtari ynë do që ne ta duam vërtet Atë deri në atë pikë sa të duam ta përputhim vullnetin tonë me të Tijin.
Nipi ynë gjashtëvjeçar, Oli, që me dashuri më thërret “Popi”, duhej të merrte diçka nga makina. Babi i tij ishte brenda në shtëpi dhe, pa e ditur Oli, i çkyçi dyert e makinës nga larg ndërsa Oli po i afrohej asaj, pastaj i kyçi përsëri kur ai kishte mbaruar. Oli vrapoi brenda atëherë me një buzëqeshje të madhe!
E gjithë familja e pyeti: “Si i hape dyert e makinës dhe pastaj i mbylle përsëri?” Ai thjesht buzëqeshi.
Bija jonë, nëna e tij, tha: “Ndoshta Popi e bëri – ndoshta ti ke fuqi magjike si ai!”
Kur kjo ndodhi një herë të dytë disa minuta më vonë, përgjigjja e tij ndaj pyetjeve të mëtejshme rreth aftësive të tij të zbuluara rishtas ishte: “Është mahnitëse! Unë mendoj se ndodh ngaqë Popi më do dhe është nga miqtë e mi më të mirë dhe kujdeset për mua!”
Unë kam qenë i bekuar të di për gjërat vërtet të mrekullueshme që kanë ndodhur në jetën e shenjtorëve besnikë kudo në Afrikë, Papua të Guinesë së Re, Australi, Zelandën e Re dhe në ishujt e Paqësorit. Unë bie dakord me Olin – unë mendoj se është ngaqë njerëzit besnikë ndihen njësoj rreth Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit ashtu siç ndihet Oli me mua. Ata e duan Perëndinë si mik të ngushtë dhe Ai kujdeset për ta.
Anëtarëve të kësaj Kishe u është dhënë e drejta e një dëshmie shpirtërore, dhe shumë e marrin, si dhe për të bërë besëlidhje për të ndjekur Zotin. Megjithë këtë, disa përparojnë drejt Tij ndërsa të tjerë jo. Në cilën kategori jeni ju?
Perëndia duhet të jetë qendra e universit tonë – pika e mirëfilltë e përqendrimit tonë. A është? Apo ndonjëherë Ai është larg mendimeve dhe qëllimeve të zemrës sonë? (shih Mosia 5:13). Vini re se nuk janë thjesht mendimet e zemrës sonë që janë me rëndësi por “qëllimet”. Si e pasqyrojnë sjellja dhe veprimet tona integritetin moral të qëllimeve tona?
Biri ynë Ben, kur ishte 16 vjeç dhe po fliste në një konferencë kunji, bëri pyetjen: “Si do të ndiheshit nëse dikush do t’ju premtonte diçka çdo javë dhe kurrë nuk do ta mbante premtimin?” Ai vazhdoi: “A e marrim seriozisht premtimin që bëjmë kur marrim sakramentin dhe besëlidhim për t’i mbajtur urdhërimet e Tij dhe gjithmonë ta kujtojmë Atë?”
Zoti na jep gjithmonë mënyra për të ndihmuar që ta kujtojmë Atë dhe fuqitë e Tij mbështetëse. Një mënyrë është nëpërmjet asaj pjese të përbashkët që e përjetojmë të gjithë – fatkeqësia (shih Alma 32:6). Ndërsa shoh prapa te sprovat me të cilat jam përballur, është e qartë se ato kanë çuar në rritjen, kuptimin dhe ndjeshmërinë time. Ato më kanë çuar mua më pranë Atit tim Qiellor dhe Birit të Tij me përvojat dhe përmirësimin të gdhendura në zemrën time.
Drejtimi dhe udhëzimi i Zotit janë thelbësorë. Ai e ndihmoi vëllain besnik të Jaredit duke zgjidhur një nga dy sfidat e tij kur Ai i tregoi atij se si të fuste ajër të freskët në maunet që qenë ndërtuar besnikërisht (shih Ethëri 2:20). Por, me qëllim, Zoti jo vetëm e la përkohësisht të pazgjidhur sfidën se si të sigurohej dritë, por Ai e bëri të qartë atëherë se Ai, Zoti, do të lejonte goditje dhe sprova që e bënin të domosdoshme zgjidhjen e saj. Ai do të ishte që do të dërgonte erëra, shira dhe përmbytje (shih Ethëri 2:23–24).
Përse do ta bënte Ai atë? Përse Ai paralajmëron këdo prej nesh që ta largojmë veten nga një burim rreziku kur Ai thjesht mund të ndalojë rrezikun që të mos ndodhë? Presidenti Uilford Udraf tregoi historinë se si qenë paralajmëruar shpirtërisht për ta larguar karrocën ku flinin ai, bashkëshortja e tij dhe fëmija i tij, vetëm që të zbulonin se shpejt pas kësaj një tajfun shkuli një pemë të madhe dhe e lëshoi saktësisht atje ku qëndronte më parë karroca (shih Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff [2004], f. 47).
Në të dy këto raste, moti mund të qe rregulluar për t’i eleminuar rreziqet. Por këtu është çështja – në vend që ta zgjidhë problemin Vetë, Zoti dëshiron që ne të zhvillojmë besimin që do të na ndihmojë të mbështetemi tek Ai në zgjidhjen e problemeve tona dhe t’i mirëbesojmë Atij. Atëherë ne mund ta ndiejmë dashurinë e Tij më shpesh, më fuqishëm, më qartë dhe më personalisht. Ne bashkohemi me Të dhe ne mund të bëhemi si Ai. Qëllimi i Tij është që ne të jemi si Ai. Në fakt, kjo është lavdia e Tij dhe vepra e Tij (shih Moisiu 1:39).
Një djalë i ri po përpiqej të pastronte zonën e ndotur prapa shtëpisë së tij që të mund të luante atje me makinat e tij. Atje ishte një shkëmb i madh që e pengonte punën e tij. Djali e shtynte dhe e tërhiqte me gjithë fuqinë e tij, por pavarësisht sa fort u përpoq, shkëmbi nuk lëvizte.
Babai i tij e vështroi për pak kohë pastaj erdhi tek i biri dhe i tha: “Ti ke nevojë ta përdorësh gjithë fuqinë tënde për të lëvizur një shkëmb kaq të madh”.
Djali u përgjigj: “Unë e përdora të gjithë fuqinë time!”
Babai i tij e korrigjoi: “Jo, ti nuk e ke përdorur. Ti nuk e pate ende ndihmën time!”
Ata u përkulën atëherë së bashku dhe e lëvizën shkëmbin lehtësisht.
Babait të mikut tim Vaiba Roum, president i kunjit të parë në Papua të Guinesë së Re, i ishte dhënë mësim gjithashtu se mund t’i drejtohej Atit të tij në Qiell në kohë nevoje. Ai dhe bashkëfshatarët e tij mund të mbijetonin vetëm nëpërmjet të korrave që ata kultivonin. Një ditë, ai ndezi një zjarr për të pastruar pjesën e tij të tokës bujqësore në fshat për ta mbjellë. Gjithsesi, zjarri qe paraprirë nga një periudhë e gjatë vape dhe bimësia ishte shumë e thatë. Kështu që zjarri i tij u bë si historia e Presidentit Tomas S. Monson, ashtu siç vetë profeti ynë e përshkroi në konferencën e fundit të përgjithshme, (shih “Bindja Sjell Bekime”, Liahona, maj 2013, f. 89–90). Ai filloi të përhapet nëpër livadh e shkurre dhe, sipas fjalëve të birit të tij, u krijua “një zjarr i përbindshëm”. Ai u tremb për bashkëfshatarët e tij dhe për humbjen e mundshme të të korrave të tyre. Nëse ato do të shkatërroheshin, ai do t’i nënshtrohej drejtësisë së fshatit. Duke mos qenë në gjendje ta shuante zjarrin, ai kujtoi atëherë Zotin.
Unë po citoj nga biri i tij, miku im: “Ai u ul në gjunjë në kodër në shkurre dhe filloi t’i lutej Atit Qiellor të ndalonte zjarrin. Befas u duk një re e madhe e zezë mbi vendin ku po lutej dhe ra një shi aq i madh – por vetëm atje ku zjarri qe ndezur. Kur ai pa përreth, ishte një qiell i kthjellët kudo përveç vendit ku qenë ndezur flakët. Ai nuk mund të besonte se Zoti do t’i përgjigjej një njeriu të thjeshtë si ai dhe përsëri ai u ul në gjunjë dhe qau si fëmijë. Ai tha se ishte ndjenja më e ëmbël” (shih Alma 36:3).
Shpëtimtari ynë do që ne ta duam vërtet Atë deri në atë pikë sa të duam ta përputhim vullnetin tonë me të Tijin. Ne mundemi atëherë ta ndiejmë dashurinë e Tij dhe ta njohim lavdinë e Tij. Atëherë Ai mund të na bekojë ashtu si Ai do. Kjo i ndodhi Nefit, birit të Helamanit, që arriti në nivelin ku Zoti i besoi atij pa dyshim dhe, për shkak të kësaj, ishte në gjendje ta bekonte me gjithçka që ai kërkonte (shih Helamani 10:4–5).
Në Life of Pi, libri artistik nga Jan Martel (Yann Martel), heroi shpreh ndjenjat e tij rreth Krishtit: “Unë nuk mund ta heq Atë nga mendja ime. Unë ende nuk mundem. Unë kalova tri ditë të plota duke menduar rreth Tij. Sa më shumë që Ai më mbetej në mendje, aq më pak mund ta harroja Atë. Dhe sa më shumë mësoja rreth Tij, aq më pak dëshiroja ta lija” ([2001], f. 57).
Kjo është saktësisht se si ndihem rreth Shpëtimtarit. Ai është gjithmonë pranë, veçanërisht në vende të shenjta dhe në kohë nevoje; dhe ndonjëherë, kur unë e pres më pak, unë ndiej thuajse sikur Ai më prek në supe që të më tregojë se Ai më do. Unë mund t’ia kthej atë dashuri në mënyrën time të papërsosur duke i dhënë Atij zemrën time (shih DeB 64:22, 34).
Vetëm disa muaj përpara unë isha ulur me Plakun Xhefri R. Holland ndërsa ai caktonte misionarë në misionet e tyre. Ndërsa u nisëm ai priste për mua dhe kur po ecnim ai më hodhi krahun në sup. Unë i komentova që po bënte të njëjtën gjë si dikur më parë në Australi. Ai tha: “Kjo është sepse unë të dua!” Dhe e dija se ajo ishte e vërtetë.
Unë besoj se nëse do të mund të kishim privilegjin të ecnim fizikisht me Shpëtimtarin, ne do të ndienim krahun e Tij të hedhur mbi supin tonë po ashtu. Si dishepujt që shkonin drejt Emausit, zemra jonë do të na “digjej … përbrenda” (Lluka 24:32). Ky është mesazhi i Tij: “Ejani e shikoni” (Gjoni 1:39). Është personale, ftuese dhe përqafuese në ftesën e vet për të ecur me krahun e Tij përreth supeve tona.
U ndiefshim të gjithë po aq të sigurt sa Enosi, siç pasqyrohet në vargun e fundit të librit të tij të shkurtër, por të thellë: “Unë gëzohem në ditën kur vdekshmëria ime do të vishet me pavdekshmëri dhe do të qëndroj para tij; atëherë unë do të shikoj fytyrën e tij me gëzim dhe ai do të më thotë: Eja tek unë, ti i bekuar; ka një vend të përgatitur për ty në pallatet e Atit tim” (Enosi 1:27).
Për shkak të përvojave të shumta dhe të fuqisë me të cilën Shpirti më ka dëshmuar, unë dëshmoj me siguri absolute se Perëndia jeton. Unë e ndiej dashurinë e Tij. Është ndjenja më e ëmbël. Le të bëjmë atë çka duhet për ta renditur vullnetin tonë me të Tijin dhe vërtet ta duam Atë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.