Shikoni Lart
Sot është koha që të shikojmë lart te Burimi i së vërtetës dhe të sigurohemi se dëshmitë tona janë të forta.
Kur isha tetë vjeç, unë dhe dy kushërinj u dërguam në një qytet aty afër për të marrë ushqime për 15 ditët e ardhshme. Duke vështruar pas, mahnitem nga besimi i madh që kishin te ne gjyshja ime, halla dhe ungji im. Qiejt e mëngjesit ndriçonin e shkëlqenin ndërsa u nisëm me karvanin tonë të vogël prej tre kuajsh.
Në mes të stepës, patëm idenë e shkëlqyer se duhej të zbrisnim dhe të luanim me guralecë. Kështu bëmë – për një kohë të gjatë. Ishim kaq të përpirë nga loja, saqë nuk i pamë “shenjat e kohës” mbi kokat tona ndërsa re të errëta mbulonin qiellin. Kur e kuptuam se çfarë po ndodhte, ne nuk kishim kohë as t’u hipnim kuajve tanë. Shiu i dendur po na godiste kaq fort dhe breshëri po na godiste fytyrat, saqë nuk mund të mendonim të bënim asgjë tjetër, veçse t’i hiqnim shalat e kuajve dhe të fshiheshim nën mbulesat e vogla të shalave.
Pa kuaj, të lagur dhe të ftohur, ne vazhduam udhëtimin tonë, duke u përpjekur tashmë të lëviznim sa më shpejt të mundeshim. Kur iu avitëm vendmbërritjes sonë, pamë se rruga e gjerë që të çonte në qytet ishte përmbytur dhe dukej si një lumë që vinte drejt nesh. Tani, zgjidhja jonë e vetme ishte t’i lëshonim mbulesat përdhe dhe t’i ngjiteshim gardhit me tela e gjemba që rrethonte qytetin. Ishte natën vonë kur, të lodhur, të lënduar dhe të qullur, ne kërkuam strehim në shtëpinë e parë që pamë kur hymë në qytet. Atje, familja e re dhe e mirë na thau, na ushqeu me burritos të shijshëm me fasule dhe pastaj na vuri të flemë në një dhomë më vete. Shpejt zbuluam se dhoma kishte një dysheme prej dheu, kështu që ne patëm një tjetër ide të shkëlqyer. Ne vizatuam një rreth në dysheme dhe vazhduam lojën tonë me guralecë derisa na këputi gjumi mbi dysheme.
Si fëmijë, ne mendonim vetëm për veten tonë. Nuk menduam kurrë për të dashurit tanë që po na kërkonin me dëshpërim në shtëpi – po të kishim menduar, nuk do ta vononim kurrë udhëtimin tonë me një lojë të kotë. Dhe, po të kishim qenë më të zgjuar, ne do ta kishim parë qiellin, do ta kishim vënë re formimin e reve dhe do ta kishim shpejtuar ecjen për t’i paraprirë stuhisë. Tani që kam pak më shumë përvojë, unë gjithmonë i kujtoj vetes: “Mos harro të shikosh lart”.
Përvoja me kushërinjtë e mi, më mësoi t’u kushtoj vëmendje shenjave të kohës sonë. Ne jetojmë në kohët e stuhishme e të vështira që përshkroi Pali: “Njerëzit do të jenë egoistë, … të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, … shpifës, të papërmbajtur, … dëfrimdashës më fort se perëndidashës” (2 Timoteut 3:2–4).
Duke folur për këto kohë, Plaku Dallin H. Ouks tha: “Ne duhet të bëjmë si përgatitje tokësore dhe përgatitje shpirtërore. … Dhe përgatitja që ka të ngjarë të shpërfillet, është ajo më pak e dukshmja dhe më e vështira – shpirtërorja” (“Preparation for the Second Coming”, Liahona, maj 2004, f. 9). Me fjalë të tjera, mos e shpërfillni të parit lart.
Nisur nga nevoja e ngutshme për përgatitje shpirtërore në një kohë rreziku të tillë, unë dëshiroj të shpreh një fjalë paralajmërimi për një shenjë shumë të fortë të kohës. Jeta ime profesionale më vendosi në radhën e parë të teknologjisë, kështu që e njoh vlerën që ka, veçanërisht në komunikim. Kaq shumë informacion nga njeriu tani është në majë të gishtave tona. Por interneti është plot edhe me atë që është e fëlliqur dhe mashtruese. Teknologjia e ka rritur lirinë tonë të fjalës, por i jep gjithashtu një individi të pakualifikuar besueshmëri të rreme të bazuar në numrin e shikuesve. Kjo është arsyeja përse tani, më shumë se kurrë, ne duhet ta kujtojmë këtë parim të përjetshëm: “Do t’i njihni nga frytet e tyre” (Mateu 7:20).
Në veçanti, ju paralajmëroj të mos shihni imazhe të fëlliqura ose të mos ua jepni vëmendjen tuaj shpifësve për Krishtin dhe Profetin Jozef Smith. Të dyja veprimet krijojnë të njëjtin efekt: humbjen e Frymës së Shenjtë dhe të fuqisë së Tij mbrojtëse e mbështetëse. Vesi dhe mjerimi përherë pasojnë.
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, nëse ndonjëherë hasni ndonjë gjë që ju bën ta vini në pikëpyetje dëshminë tuaj për ungjillin, ju lutem të shikoni lart. Shikoni te Burimi i të gjithë urtësisë dhe së vërtetës. Ushqejeni besimin dhe dëshminë tuaj me fjalën e Perëndisë. Në botë, ka nga ata që kërkojnë ta minojnë besimin tuaj duke përzier gënjeshtra me gjysmë të vërteta. Ja pse është krejt vendimtare që ju të qëndroni vazhdimisht të denjë për Shpirtin. Shoqërimi i Frymës së Shenjtë nuk është thjesht një leverdi e këndshme – është thelbësor për mbijetesën tuaj shpirtërore. Nëse nuk do t’i mblidhni si thesar fjalët e Krishtit dhe do të dëgjoni me kujdes nxitjet e Shpirtit, ju do të mashtroheni (shih Joseph Smith-Mateu 1:37). Ne duhet t’i bëjmë këto gjëra.
Jezu Krishti, i cili ishte i përkryer, dhe Jozef Smithi, i cili e pranoi se nuk ishte, u vranë të dy nga shpifës që nuk deshën ta pranonin dëshminë e tyre. Si mund ta dimë se dëshmia e tyre është e vërtetë – se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Jozef Smithi është një profet i vërtetë?
“Do t’i njihni nga frytet e tyre.” A mund të rritet frut i mirë nga një pemë e keqe? Unë vetë e di se Shëlbuesi im i ka falur mëkatet e mia dhe më ka çliruar nga zgjedha ime vetjake, duke më sjellë në një gjendje lumturie që as nuk e dija se ekzistonte. Dhe unë vetë e di se Jozef Smithi ishte profet, sepse kam zbatuar premtimin e thjeshtë në Librin e Mormonit: “Pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit” (Moroni 10:4). Me fjalë të thjeshta, shikoni lart.
Ka disa që mund të sugjerojnë se duhet të keni prova fizike në mënyrë që të besoni te Ringjallja e Krishtit ose te vërtetësia e ungjillit të Tij të rivendosur. Atyre unë u citoj fjalët e Almës për Korihorin, i cili po përpiqej t’i bindtte të tjerët të mos besonin: “Ti ke pasur mjaft shenja; a mos do të tundosh Perëndinë? A do të thuash: Më trego një shenjë, kur ke dëshminë e të gjithë këtyre vëllezërve të tu dhe gjithashtu të gjithë profetëve të shenjtë? Shkrimet e Shenjta i ke para teje” (Alma 30:44).
Unë dhe ju jemi prova të gjalla të fuqisë shëlbuese të Shpëtimtarit. Ne jemi prova të gjalla të shërbesës së Profetit Jozef dhe besnikërisë së atyre shenjtorëve të hershëm që qëndruan të fortë në dëshminë e tyre. Kisha e Jezu Krishtit tani është shtrirë kudo në botë dhe po rritet si kurrë më parë – e përqafuar, si në kohën e Krishtit, nga njerëz të përulur që nuk kanë nevojë të shohin e të prekin për të besuar.
Asnjë nuk e di se kur do të vijë përsëri Zoti. Por tani kanë ardhur kohë të vështira. Sot është koha që të shikojmë lart te Burimi i së vërtetës dhe të sigurohemi se dëshmitë tona janë të forta.
Duke u kthyer te rrëfimi im, unë dhe kushërinjtë e mi u ngritëm në mëngjes, me një diell të shndritshëm dhe qiell të bukur. Një burrë trokiti në derë duke kërkuar tre djem të humbur. Ai na vuri mbi kuaj dhe ne u kthyem në shtëpi përmes së njëjtës stepë. Unë kurrë nuk do ta harroj atë që pamë rrugës për në shtëpi – një mori njerëzish që kishin qenë duke na kërkuar gjatë gjithë natës, traktorët dhe kamionët e tyre të ngecur në baltë. Ata kishin gjetur një shalë këtu dhe një kalë atje dhe, kur na panë të ktheheshim në shtëpi, unë mund ta ndieja lehtësimin e tyre dhe dashurinë e tyre. Në hyrje të qytetit, shumë njerëz po na prisnin dhe në krye të të gjithëve ishin gjyshja ime e dashur, ungji dhe halla ime. Ata na përqafuan dhe qanë, të gëzuar së tepërmi se i kishin gjetur fëmijët e tyre të humbur. Ç’kujtesë e madhe është kjo për mua, se Ati ynë i dashur Qiellor është i kujdesshëm ndaj nesh! Ai po e pret me padurim kthimin tonë në shtëpi.
Po, ka shenja stuhie që po formohen kudo rreth nesh. Le të shikojmë lart dhe ta përgatisim veten. Siguria gjendet te një dëshmi e fortë. Le t’i ushqejmë dhe e t’i forcojmë dëshmitë tona çdo ditë.
Unë e di se ne mund të jetojmë së bashku si familje për përjetësi, se Ati ynë i dashur Qiellor është duke na pritur ne, fëmijët e Tij, me krahët e Tij të shtrirë. Unë e di se Jezu Krishti, Shpëtuesi ynë, jeton. Ashtu si Pjetri, këtë nuk ma zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej (shih Mateu 16:15–19). Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.