2010–2019
Forca Morale e Grave
Tetor 2013


2:3

Forca Morale e Grave

Intuita juaj është që të bëni mirë e të jeni të mira dhe, ndërsa ndiqni Shpirtin e Shenjtë, autoriteti dhe ndikimi juaj moral do të rritet.

Nga qëkur s’mbahet mend, shoqëritë janë mbështetur te forca morale e grave. Ndërkohë që me siguri nuk është i vetmi ndikim për mirë që vepron në shoqëri, themeli moral i siguruar nga gratë është vërtetuar dobiprurës në mënyrë të pashembullt për të mirën e përgjithshme. Ndoshta, për shkak se është domethënës, ky kontribut i grave shpesh nënvlerësohet. Dëshiroj të shpreh mirënjohje për ndikimin e grave të mira, të përcaktoj disa nga filozofitë dhe prirjet që kërcënojnë forcën dhe qëndresën e grave, dhe t’u bëj një lutje grave që ta kultivojnë fuqinë morale të lindur brenda tyre.

Gratë sjellin me vete në botë një farë virtyti, një dhuratë hyjnore që i bën ato të afta për t’i rrënjosur cilësi të tilla si besimi, guximi, dhembshuria dhe përmirësimi në marrëdhënie dhe kultura. Kur lëvdoi “besimin e sinqertë” që zbuloi te Timoteu, Pali vuri re se besimi i tij “më parë ishte te gjyshja [e tij] Loide dhe te nëna [e tij] Eunike”1.

Vite më parë, ndërkohë që jetoja në Meksikë, e vura re drejtpërdrejt atë që donte të thoshte Pali. Më kujtohet një nënë e re e veçantë, një mes shumë grave të Kishës në Meksikë, besimi i të cilave në Perëndi e hijeshon kaq natyrshëm jetën e tyre sa ato nuk duken thuajse fare të vetëdijshme për këtë. Kjo grua e mirë rrezatonte një autoritet moral, që buronte nga mirësia, që ndikonte për mirë tek të gjithë njerëzit përreth saj. Me të shoqin, ajo sakrifikonte një numër kënaqësish dhe zotërimesh për përparësitë e tyre më të larta, me sa duket, pa u menduar dy herë. Aftësia e saj për të bërë akte heroike ngritjeje në krahë, përkuljeje dhe drejtpeshimi me fëmijët e saj qe thuajse mbinjerëzore. Përgjegjësitë që i rëndonin, qenë të shumta dhe detyrat e saj qenë shpesh të përsëritura e të zakonshme, prapëseprapë përpos gjithçkaje ajo kishte një qetësi të bukur, një ndjesi e të qenit e përfshirë në punën e Perëndisë. Sikurse me Shpëtimtarin, bekimi i të tjerëve me anë të shërbimit dhe sakrificës e kishte fisnikëruar atë. Ajo ishte dashuria vetë.

Jam bekuar jashtëzakonisht nga ndikimi moral i grave, në veçanti nga nëna dhe gruaja ime. Mes grave të tjera të cilat i shoh me mirënjohje, është Ena Deins. Ena dhe i shoqi, Henri, dhe katër fëmijët e tyre qenë mes pionierëve të Kishës në Nju-Xhersi, në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të viteve 1930, kur Henri ishte student doktorate në Universitetin e Ratxhërsit, ai dhe Ena bënë punë të palodhur me shkollën dhe organizatat civile në Metaçen, ku jetonin, që të mposhtnin paragjykimin e rrënjosur thellë kundër mormonëve dhe që ta bënin komunitetin një vend më të mirë ku të gjithë prindërit t’i rrisnin fëmijët e tyre.

Ena, për shembull, doli vullnetare në Shoqatën e të Rinjve të Krishterë (SHRK) në Metaçen dhe e bëri veten të pazëvendësueshme. Brenda një viti ajo u caktua presidente e organizatës ndihmëse të nënave dhe më pas “iu kërkua të kandidonte për një nga tre pozicionet e grave në bordin e drejtuesve të SHRK-së. Ajo fitoi pa kundërshtime dhe kështu u bashkua me vetë këshillin që vetëm pak vite më parë nuk kishte pranuar t’i linte shenjtorët të takoheshin në ndërtesën e tyre!”2

Familja ime u shpërngul në Lagjen Nju-Brunsuik kur isha adoleshent. Motra Deins më vuri re dhe shprehu shpesh besimin e saj te aftësitë dhe potenciali im, gjë që më frymëzoi të arrija lart – më lart nga sa do të kisha arritur pa inkurajimin e saj. Një herë, për shkak të një paralajmërimi të menduar e në kohë prej saj, unë shmanga një situatë që me siguri do të më kishte çuar në pendesë. Edhe pse nuk është më këtu, ndikimi i Ena Deinsit vazhdon të ndihet dhe të pasqyrohet në jetën e pasardhësve të saj dhe njerëzve të tjerë të panumërt, përfshirë veten time.

Gjyshja ime, Adena Uornik Suenson, më mësoi të isha i ndërgjegjshëm për shërbimin në priftëri. Ajo më nxiti t’i mësoja përmendsh bekimet e sakramentit për bukën dhe ujin, duke shpjeguar se në këtë mënyrë mund t’i shprehja ato me kuptim e ndjenjë më të thellë. Vëzhgimi i mënyrës se si ajo e mbështeste gjyshin tim, që ishte patriark kunji, shkaktoi tek unë një nderim për gjërat e shenjta. Gjyshja Suenson nuk mësoi kurrë si ta ngiste makinën, por ajo mundi t’iu mësonte djemve se si të ishin burra të priftërisë.

Ndikimi moral i një gruaje nuk ndihet askund më fuqishëm apo nuk ushtrohet askund në mënyrë më të dobishme sesa në shtëpi. Nuk ka mjedis më të mirë për rritjen e brezit të ri sesa familja tradicionale, ku një baba dhe një nënë punojnë në harmoni për të siguruar të ardhura për fëmijët e tyre, për t’i mësuar e për t’i edukuar ata. Atje ku ky mjedis ideal nuk ekziston, njerëzit mundohen t’i riprodhojnë dobitë e tij sa më mirë të munden për rrethanat e tyre të veçanta.

Në çdo rast, një nënë mund të shfaqë një ndikim të pakrahasueshëm me atë të çfarëdo personi tjetër në çfarëdo marrëdhënie tjetër. Me anë të fuqisë së shembullit dhe mësimdhënies së saj, bijtë e saj mësojnë të respektojnë të qenit grua dhe t’i mishërojnë disiplinën dhe standardet e larta morale në vetë jetën e tyre. Bijat e saj mësojnë të kultivojnë vetë virtytin e tyre dhe të luftojnë për atë që është e drejtë, pa reshtur, sado demode të jetë. Dashuria dhe pritshmëritë e larta të një nëne i bëjnë fëmijët e saj të veprojnë me përgjegjshmëri pa shfajësime, ta marrin seriozisht arsimimin e zhvillimin vetjak dhe të japin ndihmesa të vazhdueshme për mirëqenien e të gjithë njerëzve rreth tyre. Plaku Nil A. Maksuell pyeti një herë: “Kur historia e vërtetë e njerëzimit të jetë shpalosur plotësisht, a do të pasqyrojë ajo ushtimat e të shtënave të armëve apo tingujt frymëzues të ninullave? Armëpushimet e mëdha të bëra nga burrat e ushtrisë apo paqebërjen e grave në shtëpi dhe në lagje? A do të vërtetohet se është më ndikuese ajo që ndodh në djepe e në kuzhina sesa ajo që ndodh në parlamente?3

Më i shenjti është roli i gruas në krijimin e jetës. Ne e dimë se trupat tanë fizikë kanë një prejardhje hyjnore4 dhe se duhet të përjetojmë si një lindje fizike ashtu edhe një rilindje shpirtërore që të arrijmë kupolat më të larta në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.5 Kështu që, gratë luajnë një rol të nevojshëm (ndonjëherë duke vënë në rrezik jetën e tyre) në veprën dhe lavdinë e Perëndisë për “të bë[rë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”6. Si gjyshe, nëna dhe modele shembullore, gratë kanë qenë rojat e burimit të jetës, duke i mësuar çdo brezi rëndësinë e pastërtisë seksuale – të dëlirësisë përpara martesës dhe të besnikërisë në martesë. Në këtë mënyrë, ato kanë qenë një ndikim qytetarizues në shoqëri; ato kanë nxjerrë më të mirën nga njerëzit; ato kanë përjetësuar mjedise të shëndosha në të cilat të rriten fëmijë të sigurt e të shëndetshëm.

Motra, nuk dua t’ju lavdëroj më tepër nga ç’duhet sikurse bëjmë në bisedat për ditën e nënës që ju vënë në siklet. Ju nuk duhet të jeni të përsosura7, nuk pretendoj se jeni (me një përjashtim të mundshëm për një person që është ulur këtu afër në këtë çast). Ajo që dua të them është se, qoftë nëse jeni beqare apo të martuara, qoftë nëse keni lindur fëmijë apo jo, qoftë nëse jeni të moshuara, të reja apo ndërmjet këtyre, autoriteti juaj moral është jetik dhe se ndoshta ne kemi filluar ta marrim atë dhe ju si të mirëqena. Sigurisht që ka prirje dhe forca në veprim që do ta dobësonin e madje do ta zhduknin ndikimin tuaj, në dëm të madh të individëve, familjeve dhe shoqërisë në përgjithësi. Më lini të përmend tri, si porosi dhe paralajmërime.

Një filozofi e dëmshme që minon ndikimin moral të grave, është zhvlerësimi i martesës dhe i mëmësisë, dhe i ndërtimit të familjes si karrierë. Disa e shohin ndërtimin e familjes me përbuzje të hapur, duke argumentuar se ajo i poshtëron gratë dhe se kërkesat e pashtershme lidhur me rritjen e fëmijëve janë një formë shfrytëzimi8. Ata e përqeshin si karrierë atë që e quajnë “shtegu i mamit”. Kjo nuk është as e ndershme, as e drejtë. Ne nuk e ulim vlerën e asaj që gratë apo burrat arrijnë në çfarëdo përpjekje apo karriere të denjë – ne të gjithë përfitojmë prej atyre arritjeve – por prapëseprapë e pranojmë se nuk ka të mirë më të madhe se mëmësia dhe atësia në martesë. Nuk ka karrierë më të lartë dhe asnjë shumë parash, autoritet ose pëlqim publik që mund t’ua kalojë shpërblimeve përfundimtare të familjes. Çfarëdo gjëje tjetër që një grua mund të arrijë, ndikimi i saj moral nuk hyn në punë më mirë sesa këtu.

Qëndrimet ndaj seksualitetit njerëzor e kërcënojnë autoritetin moral të grave në disa drejtime. Aborti për leverdi vetjake ose shoqërore i godet në zemër fuqitë më të shenjta të një gruaje dhe e shkatërron autoritetin e saj moral. E njëjta gjë është e vërtetë për pamoralshmërinë seksuale dhe për veshjen e zbuluar që jo vetëm i ul gratë, por edhe e përforcon gënjeshtrën se seksualiteti i një gruaje është ai që përcakton vlerën e saj.

Ka pasur prej shumë kohësh një standard të dyfishtë që priste që gratë të ishin të matura nga ana seksuale, ndërkohë që e shfajësonte pamoralshmërinë mashkullore. Padrejtësia e një standardi të tillë të dyfishtë është e dukshme dhe është kritikuar e hedhur poshtë me të drejtë. Në atë mospranim, dikush do të kishte shpresuar se burrat do të ngriheshin në standardin e vetëm më të lartë, por ka ndodhur pikërisht e kundërta – gratë dhe vajzat tani nxiten të jenë po aq të pamoralshme sa ç’priste standardi i dyfishtë që të ishin burrat. Ndërkohë që dikur standardet më të larta të grave kërkonin zotim dhe përgjegjësi nga burrat, tani ne kemi marrëdhënie seksuale pa ndërgjegje, familje pa etër dhe varfëri në rritje. Shthurja me mundësi të barabarta thjesht u grabit grave ndikimin e tyre moral dhe e shkatërron të gjithë shoqërinë9. Në këtë ujdi të zbrazët, janë burrat ata që “çlirohen” dhe gratë e fëmijët ata që vuajnë më shumë.

Një sferë e tretë shqetësimi vjen nga ata që, në emër të barazisë, dëshirojnë t’i fshijnë të gjitha ndryshimet mes mashkullores dhe femërores. Shpesh kjo merr formën e shtyrjes së grave që të përvetësojnë më tepër tipare mashkullore – të bëhen më agresive, më të forta dhe më ballafaquese. Është e zakonshme tani në filma dhe në videolojëra që t’i shikosh gratë në role tmerrësisht të dhunshme, që lënë trupa të vdekur e gjymtim përgjatë udhës së tyre. Të mpihet shpirti kur sheh burra në role të tilla dhe sigurisht, jo më pak, kur gratë janë ato që e kryejnë dhe e vuajnë dhunën.

Presidentja e mëparshme e përgjithshme e Të Rejave, Margaret D. Naduld, na mësoi: “Bota ka mjaft gra që janë të ashp[ra]; ne kemi nevojë për gra që janë të but[a]. Ka mjaft gra që janë të vrazhda; ne kemi nevojë për gra që janë të sjellsh[me]. Ka mjaft gra që janë të pasjellsh[me]; ne kemi nevojë për gra që janë të hijshme. Ne kemi mjaft gra që janë të famsh[me] dhe të pasur[a]; ne kemi nevojë për më shumë gra me besim. Ne kemi mjaft lakmi; ne kemi nevojë për më shumë mirësi. Ne kemi mjaft sqimë; ne kemi nevojë për më shumë virtyt. Ne kemi mjaft popullaritet; ne kemi nevojë për më shumë pastërti.”10 Kur i mjegullojmë ndryshimet mes femërores dhe mashkullores, ne i humbasim dhuratat e dallueshme, bashkëplotësuese të burrave e grave që së bashku prodhojnë një të tërë më të shkëlqyer.

Lutja ime për gratë dhe vajzat sot është që ta mbroni dhe kultivoni forcën morale që është brenda jush. Ruajeni atë virtyt të lindur dhe ato dhurata të pashoqe që sillni me vete në botë. Intuita juaj është që të bëni mirë e të jeni të mira dhe, ndërsa ndiqni Shpirtin e Shenjtë, autoriteti dhe ndikimi juaj moral do të rritet. Të rejave u them, mos e humbisni atë forcë morale madje përpara se ta keni në masën e saj të plotë. Bëni kujdes të veçantë që gjuha juaj të jetë e pastër, jo e vrazhdë; që veshja juaj të pasqyrojë thjeshtësi, jo sqimë; që sjellja juaj të tregojë dëlirësi, jo shthurje. Nuk mund t’i ngrini të tjerët te virtyti nga njëra anë, nëse nga ana tjetër po i jepeni vesit.

Motra, nga të gjitha shoqërimet tuaja, është marrëdhënia juaj me Perëndinë, burimin e fuqisë suaj morale, që duhet ta vini gjithnjë të parën në jetën tuaj. Mbani mend se fuqia e Jezusit erdhi përmes përkushtimit të Tij të vendosur ndaj vullnetit të Atit. Ai nuk u luhat kurrë nga ajo që i pëlqente Atit të Tij11. Përpiquni të jeni ajo lloj pasuese e Atit dhe e Birit dhe ndikimi juaj nuk do të zbehet kurrë.

Dhe mos kini frikë ta vini në jetë atë ndikim pa druajtje apo shfajësim. “Jini gjithnjë gati për t’iu përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo [burri, gruaje dhe fëmije] që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”12. “Prediko[ni] fjalën, ngul[ni] këmbë me kohë e pa kohë, kritiko[ni] dhe qorto[ni], këshillo[ni] me çdo durim e doktrinë.”13 “Rri[tini] fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë.”14 “Mësojini [ata] të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit.”15

Në këto nxitje ndaj grave, mos u keqkuptoftë askush me qëllim. Duke e lëvduar dhe e inkurajuar forcën morale te gratë, nuk po them që burrat dhe djemtë janë të shfajësuar disi nga vetë detyra e tyre për të qëndruar për të vërtetën dhe drejtësinë, që përgjegjësia e tyre për të shërbyer, sakrifikuar e shërbyer është në njëfarë mënyre më e vogël se ajo e grave apo që mund t’u lihet grave. Burra, le të qëndrojmë krah grave, t’i mbajmë barrat bashkë me to dhe të kultivojmë autoritetin tonë moral si shoqërues.

Të dashura motra, ne mbështetemi te forca morale që i sillni botës, martesës, familjes, Kishës. Ne mbështetemi te bekimet që ju i zbrisni nga qielli me anë të lutjeve e besimit tuaj. Ne lutemi për sigurinë, mirëqenien dhe lumturinë tuaj e që ndikimi juaj të ketë mbështetje. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 2 Timoteut 1:5.

  2. Orson Scott Card, “Neighborliness: Daines Style”, Ensign, prill 1977, f. 19.

  3. Neal A. Maxwell, “The Women of God”, Ensign, maj 1978, f. 10–11.

  4. Shih Moisiu 2:27.

  5. Shih Moisiu 6:5–60.

  6. Moisiu 1:39.

  7. “Një shekull më parë, studiuesi i lidhjes nënë-fëmijë Xhon Baulbi, zbuloi se lidhja e krijuar përmes ndërveprimeve përkujdesëse të panumërta mes nënës e fëmijës është themeli vendimtar për zhvillimin shoqëroro-emocional. … Dhe studiuesja feministe Sara Radik e përcaktonte ‘dashurinë e kujdesshme’ të nënës si bërthamën e të qenit prindër të efektshëm. Nëpërmjet ‘syrit të duruar të dashurisë’ nënat zhvillojnë një njohuri të veçantë për fëmijët e tyre – një njohuri që u jep atyre mendjemprehtësi të pashembullt për ato që duhet të jenë vërtet ‘metodat më të mira’ për secilin fëmijë” (Jenet Jacob Erickson, “Love, Not Perfection, Root of Good Mothering”, Deseret News, 12 maj, 2013, f. G3).

  8. Është e vërtetë që shumë gra gjatë shumë brezave janë shfrytëzuar ose janë ngarkuar me barra të padrejta si në familje ashtu edhe në punësim, por vetëmohimi dhe sakrifica nuk kanë përse dhe nuk duhet të bëhen abuzuese ose shfrytëzuese. Plaku Brus C. Heifën vëzhgoi: “Nëse të qenit ‘vetëmohuese’ do të thotë që një grua të heqë dorë nga identiteti i saj i brendshëm dhe rritja vetjake e saj, ai kuptim i vetëmohimit është i gabuar. … Por modeli i sotëm emancipues shkon shumë larg në anën tjetër, duke i karakterizuar gratë si tej mase të pavarura nga familjet e tyre. Një pikëpamje më e ndjeshme është se burrat dhe gratë janë të ndërvarur nga njëri-tjetri. … Kritikuesit që i çuan nënat nga varësia te pavarësia, e anashkaluan tokën e ndërmjetme të frytshme të ndërvarësisë. Ato që i çuan gratë nga vetëmohimi tek egoizmi, anashkaluan tokën e ndërmjetme të frytshme të shërbimit të vetëzgjedhur që ndihmon në drejtim të rritjes vetjake të një gruaje. Për shkak të këtyre teprimeve, debatet rreth vlerës së mëmësisë, në mënyrë ironike, kanë shkaktuar që shoqëria në përgjithësi t’i ulë jo vetëm nënat, por gratë në përgjithësi” (“Motherhood and the Moral Influence of Women” [komente në Kongresin II Botëror të Familjeve, Gjenevë, Seanca Plenare IV, 16 nëntor 1999], http://worldcongress.org/wcf2_spkrs/wcf2_hafen.htm).

  9. Një nënë, në një kryeartikull të gazetës Wall Street Journal vëzhgoi: “Me përjashtim të disa mormonëve, evangjelistëve dhe hebrenjve ortodoksë, një mori prej nesh nuk di si t’u mësojë bijve dhe bijave tona që të mos i japin trupat e tyre kaq lehtë. … Prapëseprapë, në rrethin tim vetjak të shoqeve, dëshira për t’u kthyer prapa te dëlirësia është e fortë. Nuk njoh asnjë prej tyre që të mos ketë ndjenja të mbetura sikleti lidhur me të shkuarën e saj seksuale. Dhe asnjë grua që kam pyetur ndonjëherë rreth kësaj teme, nuk ka thënë që do të dëshironte të kishte ‘eksperimentuar’ më tepër” (Jennifer Moses, “Why Do We Let Them Dress Like That?”, Wall Street Journal, 19 mars, 2011, f. C3).

  10. Margaret D. Nadauld, “The Joy of Womanhood”, Liahona, janar 2001, f. 18.

  11. Shih Gjoni 8:29.

  12. 1 Pjetër 3:15.

  13. 2 Timoteut 4:2.

  14. Doktrina e Besëlidhje 93:40.

  15. Doktrina e Besëlidhje 68:28.