Përshpejtimi i Planit të Veprimit të Zotit!
Secili prej nesh duhet të zhvillojë dhe zbatojë me entuziazëm planin e tij vetjak të veprimit për të shërbyer së bashku me misionarët kohëplotë.
Mjaft vite më parë, pata nevojë të flisja me gruan e njërit prej peshkopëve në kunjin tonë, prandaj thirra në telefon shtëpinë e tyre. Një djalë i ri u përgjigj në telefon. I thashë: “Përshëndetje. A e ke nënën në shtëpi?”
Përgjigjja e tij: “Po, është. Po shkoj ta gjej. Kush jeni ju?”
Përgjigjja ime: “I thuaj se është Presidenti Nilsen”.
Pati një heshtje të shkurtër dhe më pas, nga një zë plot gjallëri, dëgjova: “Ej, mami, Presidenti Hinkli është në telefon!”
Nuk mund ta përfytyroj se ç’duhet të ketë menduar ajo. Duhej të kishte qenë ecja më e gjatë drejt telefonit që bëri ndonjëherë. Mendimi më erdhi në mendje: “A ta bëj?” Nuk e bëra, por ne qeshëm shumë. Tani që mendoj për të, ajo duhet të ketë qenë kaq e zhgënjyer që po fliste me mua.
Çfarë do të bënit nëse profeti i Zotit me të vërtetë ju thërriste? Epo, ai ju ka thirrur! Presidenti Tomas S. Monson, siç bëri edhe një herë këtë mëngjes, e ka thirrur secilin prej nesh për një punë shumë të rëndësishme. Ai tha: “Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të mblidhen së bashku, të veprojnë së bashku, të punojnë së bashku në vreshtin e Zotit për t’i sjellë shpirtra Atij” (“Faith in the Work of Salvation” [“Besim në Punën e Shpëtimit”], [bisedë e dhënë në një trans metim të veçantë, 23 qershor 2013]; lds.org/broadcasts).
A jemi duke dëgjuar?
Kudo nëpër të gjithë botën, kunjet, distriktet dhe misionet po përjetojnë një nivel të ri energjie, ndërsa po përmbushet deklarimi i Shpëtimtarit thënë Jozef Smithit në vitin 1832: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në kohë[n e saj]” (DeB 88:73).
Vëllezër dhe motra, ajo kohë është tani! Unë e ndiej dhe jam i sigurt se edhe ju e ndieni.
Dua ta vë në veprim emocionin tim dhe besimin tim te Jezu Krishti. Kur luaja futbollin amerikan, mendoja sipas planeve të lojës. Nuk kishte dyshim kur shkonim në një ndeshje se, nëse skuadra jonë u përgatit me planet e duhura të veprimit, ne do të ishim të suksesshëm. Megjithatë, kohët e fundit fola me trajnerin legjendar të UBJ-së, LëVell Eduards, rreth planeve tona të lojës dhe ai tha: “Nuk e vrisja mendjen se ç’veprim bëje, për aq kohë sa ne t’i shënonim pikët!” Si një prej organizatorëve të tij, unë mendoja se ishte më e ndërlikuar se kaq, por ndoshta filozofia e tij e thjeshtë është arsyeja përse një stadiumi i është vënë emri i tij.
Përderisa ne të gjithë jemi në skuadrën e Zotit, a e kemi secili prej nesh planin tonë të veprimit për fitore? A jemi gati të veprojmë? Nëse ne, si anëtarë, me të vërtetë i duam familjet tona, miqtë dhe bashkëpunëtorët tanë, a nuk do të donim t’i ndanim dëshmitë tona për ungjillin e rivendosur me ta?
Në seminarin për presidentët e rinj të misioneve në qershor, një numër rekord presidentësh të rinj prej 173 vetash dhe bashkëshortet e tyre morën udhëzimet përfundimtare përpara fillimit të shërbimit të tyre. Që të 15 anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve i folën këtij grupi të veçantë.
Plaku L. Tom Perri shtoi komentet përfundimtare: “Kjo është epoka më mbresëlënëse në historinë e Kishës. Kjo është diçka që renditet me ngjarjet madhështore që kanë ndodhur në historinë e kaluar, si Vegimi i Parë, si dhurata e Librit të Mormonit, si Rivendosja e Ungjillit, si të gjitha gjërat që e ndërtuan atë themel për ne për të ecur përpara dhe për të dhënë mësim në mbretërinë e Atit tonë në Qiell” (“Concluding Remarks” [bisedë e dhënë në seminarin për presidentët e rinj të misioneve, 23 qershor 2013], f. 1, Biblioteka Historike e Kishës, Solt-Lejk-Siti).
Ne nevojitet të përfshihemi si kurrë më parë për t’iu përshtatur entuziazmit të udhëheqësve tanë dhe përkushtimit të misionarëve tanë kohëplotë. Kjo punë nuk do të ecë përpara sipas mënyrës së përcaktuar të Zotit pa ne! Siç ka thënë Presidenti Henri B. Ajring: “Pavarësisht nga mosha, aftësia, thirrja në Kishë ose vendndodhja jonë, ne të bashkuar thirremi për punën që ta ndihmojmë Atë për mbledhjen e shpirtrave” (“Jemi të Bashkuar”, Liahona, maj 2013, f. 62).
A më lejoni të ndaj me ju një plan veprimi që kam pasur mbresa ta vë në jetë pas lutjes, leximit të kapitullit 13 të Predikoni Ungjillin Tim dhe pas përsiatjes së përvojave të shkuara? Ju ftoj t’i merrni parasysh këto tri pika, ndërkohë që mendoni rreth planit tuaj.
Së pari, lutuni në mënyrë të veçantë që të sillni dikë më pranë Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij çdo ditë. Ju mund ta bëni këtë duke i parë të gjithë njerëzit si bij dhe bija të Perëndisë që po e ndihmojnë njëri-tjetrin në udhëtimin e tyre drejt shtëpisë. Mendoni për miqtë e rinj që do të bëni.
Së dyti, lutuni për misionarët që shërbejnë në zonën tuaj dhe për kërkuesit e tyre, duke i përmendur me emër çdo ditë. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është t’i përshëndesim ata, ta shohim etiketën e tyre, t’i thërrasim me emër dhe t’i pyesim se kujt po i japin mësim. Plaku Rasëll M. Nelson kohët e fundit u shpreh: “Derisa ju ta njihni emrin dhe fytyrën e një personi, Zoti nuk mund t’ju ndihmojë të njihni zemrën e tij ose të saj”.
Unë mora pjesë në pagëzimin e një motre të mrekullueshme, e cila dha dëshminë e saj. Do ta kujtoj vërtet përgjithmonë thënien e saj: “Nuk kam pasur kurrë kaq shumë njerëz që të luten për mua. E di se kjo punë është e vërtetë.
Së treti, ftojeni një mik në një aktivitet në shtëpinë tuaj ose jashtë saj. Kudo që shkoni ose çfarëdo që bëni, përsiatni se kush do ta pëlqejë veprimtarinë dhe më pas dëgjoni Shpirtin teksa Ai ju drejton.
Shpëtimtari më ka mësuar një mësim të thjeshtë në të mësuarin tim vetjak të ungjillit, i cili, besoj, i zbatohet fare mirë “përshpejtimit”. Kur unë jam i ngacmuar emocionalisht rreth diçkaje, ajo shfaqet në të shkruarin tim dhe shpesh përfundon me një pikëçuditje që, sipas përkufizimit përçon një “ndjenjë të fortë [ose një] tregues të një rëndësie të madhe” (Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, bot. i 11 [2003], “exclamation point” [“pikëçuditje”]).
M’u nxit kureshtja ngaqë shkrimet e shenjta lidhur me “mbledhjen”, që mbaruan me këtë shenjë pikësimi, filluan të më dalin parasysh, si lutja e përzemërt e Almës: “O sikur të isha një engjëll dhe të mund të plotësoja dëshirën e zemrës sime, që të mund të shkoja dhe të njoftoja me borinë e Perëndisë, me një zë që tund tokën dhe të thërrisja pendim në çdo popull!” (Alma 29:1).
Kërkimi sugjeron se ka 65 pjesë që tregojnë këtë lloj emocioni të fortë misionar, duke përfshirë këto:
“Sa i madh është gëzimi i tij për shpirtin që pendohet! …
Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!
Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” (DeB 18:13, 15–16.)
Ndërgjegjësimi im për këto vargje të pashoqe luajti një rol të rëndësishëm në detyrën time të parë, të caktuar si një i Shtatëdhjetë Zonal. Isha paksa i shqetësuar të isha shoqëruesi i një Apostulli, Plakut Kuentin L. Kuk, në një konferencë kunji. Kur hyra në zyrën e presidentit të kunjit për mbledhjen fillestare atë fundjavë, vura re një palë këpucë të grisura, të lyera me bronz në dollapin mbas tavolinës së tij të punës, të shoqëruara nga një shkrim i shenjtë që përfundonte me një pikëçuditje. Ndërsa e lexova, e ndjeva se Zoti e njihte studimin tim, u ishte përgjigjur lutjeve të mia dhe se Ai e dinte pikërisht atë që më nevojitej për ta qetësuar zemrën time të trazuar.
I kërkova presidentit të kunjit të më tregonte historinë e këpucëve.
Ai tha:
“Këto janë këpucët e një të kthyeri në besim në Kishë, në moshë të re, gjendja familjare e të cilit ishte e vështirë, por megjithatë ai ishte i vendosur të shërbente një mision të suksesshëm dhe e kreu atë në Guatemala. Kur u kthye, u takova me të për t’i dhënë një lirim të nderuar dhe vura re se këpucët e tij ishin të grisura. Ky i ri i kishte dhënë gjithë ç’mundej Zotit, pa pasur shumë, ndoshta aspak, mbështetje nga familja.
E vuri re se po i shihja këpucët dhe më pyeti: ‘President, ka ndonjë gjë që s’shkon?’
U përgjigja: ‘Jo, Elldër, çdo gjë është në rregull! A mund të m’i japësh ato këpucë?’
Presidenti i kunjit vazhdoi: “Respekti dhe dashuria ime për këtë misionar të kthyer ishin të patregueshme! Doja ta përkujtoja përvojën, prandaj i mora këpucët e tij të bronzta. Kur hyj në këtë zyrë është një kujtim për mua i përpjekjes që ne të gjithë duhet të bëjmë pavarësisht nga rrethanat tona. Vargu ishte nga Isaia: ‘Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: “Perëndia yt mbretëron!”’ (Isaia 54:7).”
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, gruaja e mirë e peshkopit mund të ketë vrarë mendjen përse profeti po e thërriste atë. Unë dëshmoj se ajo dhe ne nuk kemi përse ta vrasim më mendjen – PIKËÇUDITJE!
E di se ne secili duhet të zhvillojmë dhe zbatojmë planin tonë vetjak të veprimit për të shërbyer me entuziazëm së bashku me misionarët kohëplotë – PIKËÇUDITJE!
Unë ia shtoj dëshminë time asaj të Profetit Jozef Smith: “Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!” (DeB 76:22). Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.