2010–2019
Nuk Ecim Kurrë Vetëm
Tetor 2013


Nuk Ecim Kurrë Vetëm

Një ditë ju do të qëndroni mënjanë dhe do ta hidhni vështrimin te kohët tuaja të vështira, dhe do ta kuptoni se Ai ishte gjithmonë përkrah jush.

Motrat e mia të dashura, shpirti që ndiejmë këtë mbrëmje, është një pasqyrim i forcës suaj, i përkushtimit tuaj dhe i mirësisë suaj. Për ta cituar Mësuesin: “Ju jeni kripa e tokës. … Ju jeni drita e botës”.1

Ndërsa kam menduar thellë për mundësinë time për t’ju folur, më është kujtuar dashuria që gruaja ime, Frensis, pati për Shoqatën e Ndihmës. Gjatë jetës së saj, ajo shërbeu në shumë detyra në Shoqatën e Ndihmës. Kur ajo dhe unë ishim që të dy vetëm 31 vjeç, unë u thirra për të qenë president i Misionit Kanadez. Gjatë tre viteve të asaj detyre, Frensisi kryesoi mbi të gjitha Shoqatat e Ndihmës në atë zonë të gjerë, e cila përfshinte provincat e Ontarios dhe të Kebekut. Disa nga miqësitë e saj më të afërta erdhën si rrjedhim i asaj detyre, si edhe prej thirrjeve të shumta që ajo përmbushi më vonë në Shoqatën e Ndihmës së vetë lagjes sonë. Ajo ishte një bijë besnike e Atit tonë Qiellor, shoqja ime e dashur dhe mikesha ime më e afërt. Më merr malli për të më shumë se ç’mund ta shprehin fjalët.

Edhe unë e dua Shoqatën e Ndihmës. Ju dëshmoj se ajo u krijua me anë të frymëzimit dhe është pjesë jetësore e Kishës së Zotit këtu në tokë. Do të ishte e pamundur të llogariteshin gjithë të mirat që kanë ardhur nga kjo organizatë, dhe të gjitha jetët që janë bekuar për shkak të saj.

Shoqata e Ndihmës përbëhet nga një shumëllojshmëri grash. Ka nga ato prej jush që janë të pamartuara – ndoshta në shkollë, ndoshta duke punuar – sidoqoftë, duke farkëtuar një jetë të mirë dhe të larmishme. Disa prej jush janë nëna plot punë duke rritur fëmijë. Dhe të tjera prej jush i keni humbur bashkëshortët tuaj për shkak të divorcit ose vdekjes dhe po përpiqeni t’i rrisni fëmijët tuaj pa ndihmën e një bashkëshorti dhe ati. Disa prej jush i keni rritur fëmijët tuaj, por e keni kuptuar se nevoja e tyre për ndihmën tuaj është e vazhdueshme. Ka shumë prej jush që keni prindër të moshuar, të cilët kërkojnë kujdesin plot dashuri që vetëm ju mund ta jepni.

Kudo që ndodhemi në jetë, ka raste kur ne të gjithë kemi sprova dhe vështirësi. Edhe pse janë të ndryshme për çdo njeri, ato janë të zakonshme për të gjithë.

Shumë prej sprovave që hasim, gjenden ngaqë ne jetojmë në këtë botë të vdekshme, të populluar nga lloje të ndryshëm njerëzish. Nganjëherë pyesim me dëshpërim: “Si mund ta mbaj vështrimin tim të përqendruar fuqishëm tek bota çelestiale, ndërkohë që gjej udhën përmes kësaj bote telestiale?”

Do të ketë raste kur ju do të ecni nëpër një shteg të mbushur me gjemba dhe të shënuar nga vështirësia. Mund të ketë raste kur ju ndiheni të shkëputura – ndoshta të veçuara – nga Dhënësi i çdo dhurate të mirë. Shqetësoheni se ecni vetëm. Frika e zëvendëson besimin.

Kur e gjeni veten në rrethana të tilla, ju lutem që të kujtoni lutjen. Më pëlqejnë fjalët e Presidentit Ezra Taft Benson lidhur me lutjen. Ai tha:

“Gjatë gjithë jetës sime, këshilla për t’u mbështetur te lutja është çmuar pothuajse mbi çdo këshillë tjetër që kam … marrë. Ajo është bërë pjesë thelbësore e vetes sime – një spirancë, një burim i vazhdueshëm force dhe baza e njohurisë sime për gjëra hyjnore. …

… Edhe pse ndodhin dështime, tek lutja ne mund të gjejmë përsëri siguri, sepse Perëndia do t’i flasë paqe shpirtit. Ajo paqe, ai shpirt qetësie, është bekimi më i madh i jetës.”2

Apostulli Pal këshilloi:

“Ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë.

Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.”3

Ç’premtim i lavdishëm! Paqja është ajo që kërkojmë, për të cilën ne kemi shumë dëshirë.

Ne nuk u vendosëm në këtë tokë për të ecur vetëm. Ç’burim i mahnitshëm fuqie, force dhe ngushëllimi është i gjindshëm për secilin prej nesh. Ai që na njeh më mirë sesa ne e njohim veten tonë, Ai që ka një këndvështrim më të gjerë dhe që e njeh mbarimin që nga fillimi, na ka siguruar se do të jetë atje për ne për të na dhënë ndihmë, në qoftë se ne thjesht ia kërkojmë. Ne kemi premtimin: “Lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj”4.

Kur lutjet tona ngjiten drejt qiellit, le të mos harrojmë fjalët që na u mësuan nga Shpëtimtari. Kur u ndodh përballë agonisë torturuese të Gjetsemanit dhe përballë kryqit, Ai iu lut Atit: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”5. E vështirë, siç mund të jetë nganjëherë, është gjithashtu përgjegjësia jonë që të kemi besim tek Ati ynë Qiellor se Ai e di më mirë se si, kur dhe në çfarë mënyre të na e sigurojë ndihmën që kërkojmë.

Unë gëzohem me fjalët e poetit:

Nuk e di se si, në çfarë mënyre,

Por këtë e di: Perëndia lutjes i jep përgjigje.

E di se fjalën na e ka dhënë,

Që më thotë se lutja dëgjohet gjithmonë.

Dhe, shpejt ose vonë, përgjigjja do të vij’,

Dhe unë prandaj lutem dhe pres me qetësi.

Nuk e di nëse bekimet e kërkuara

Do të vijnë ashtu siç i mendova,

Por lutjet e mia i lë, vetëm me Atë,

Vullneti i të cilit, më i urtë se imi është,

I sigurt se kërkesën time do të plotësojë

Ose një përgjigje më të bekuar do të dërgojë.6

Sigurisht, lutja nuk është vetëm për kohët e vështirësisë. Na është thënë në mënyrë të përsëritur në shkrimet e shenjta që të “lut[emi] kurdoherë”7 dhe që të mbajmë një lutje në zemrat tona.8 Fjalët e një himni të preferuar dhe të njohur ngrenë një pyetje, të cilën secili prej nesh duhet t’ia bëjë vetes çdo ditë: “Lutjen a e the?”9

Përkrah lutjes, që të na ndihmojë për t’i bërë ballë botës sonë shpesh të vështirë, është studimi i shkrimeve të shenjta. Fjalët e së vërtetës dhe të frymëzimit që gjenden në katër veprat tona standarde, janë zotërime të çmuara për mua. Nuk lodhem kurrë së lexuari ato. Lartësohem shpirtërisht sa herë që i hetoj shkrimet e shenjta. Këto fjalë të shenjta të së vërtetës dhe të dashurisë i japin udhërrëfim jetës sime dhe shënojnë udhën drejt përsosmërisë së përjetshme.

Ndërsa i lexojmë dhe i përsiatim shkrimet e shenjta, ne vërtet do të përjetojmë pëshpëritjet e ëmbla të Shpirtit drejtuar shpirtrave tanë. Mund të gjejmë përgjigje për pyetjet tona. Mësojmë për bekimet që vijnë nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Perëndisë. Fitojmë një dëshmi të sigurt për Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe për dashurinë e Tyre për ne. Kur studimi i shkrimeve të shenjta ndërthuret me lutjet tona, ne mund ta dimë me siguri se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë.

Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Zoti bekoftë secilin prej nesh për t’u ushqyer me bollëk me [fjalët] e tij të shenjta dhe për të nxjerrë prej [tyre] atë forcë, atë paqe dhe atë dituri ‘që ia tejkalon çdo diturie’ (Filipianëve 4:7)”10.

Kur e kujtojmë lutjen dhe gjejmë kohë për t’u kthyer te shkrimet e shenjta, jeta jonë do të jetë pafundësisht më e bekuar dhe barrat tona do të bëhen më të lehta.

A më lejoni të ndaj me ju tregimin se si Ati ynë Qiellor iu përgjigj lutjeve e përgjërimeve të një gruaje dhe i siguroi asaj paqen e sigurinë që ajo kërkoi kaq shumë?

Vështirësitë e Tifanisë filluan vitin që shkoi, kur ajo pati miq të ftuar në shtëpinë e saj për festën e Dhënies së Falenderimeve dhe më pas edhe për Krishtlindje. Bashkëshorti i saj kishte qenë në shkollën mjekësore dhe tani ishte në vitin e dytë të stazhit të tij mjekësor. Për shkak të orëve të shumta të punës që kërkoheshin prej tij, ai nuk ishte në gjendje ta ndihmonte aq sa do të donin që të dy, dhe kështu shumica e gjërave që duhej të kryheshin gjatë kësaj stine festash, të shtuara mbi kujdesin për katër fëmijët e tyre të vegjël, ra mbi Tifaninë. Ajo po dërrmohej nga gjithë kjo dhe ndërkohë mësoi se dikush që ajo e donte shumë, ishte diagnostikuar me kancer. Stresi dhe shqetësimi filluan të bëhen një barrë e rëndë për të dhe ajo ra në një periudhë shkurajimi dhe depresioni. Kërkoi ndihmë mjekësore dhe prapë asgjë nuk ndryshoi. Iu pre oreksi dhe filloi të humbasë në peshë, gjë që për trupin e saj të vogël nuk ishte e shëndetshme. Ajo kërkoi paqe nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe u lut për çlirim nga zymtia që e kishte pushtuar. Kur as paqja dhe as ndihma nuk dukej se po vinin, ajo filloi të ndihej e braktisur nga Perëndia. Familja dhe miqtë e saj u lutën për të dhe u përpoqën kaq shumë të ndihmonin. I sollën ushqimet e saj të preferuara në përpjekje për ta mbajtur atë të shëndetshme fizikisht, por ajo mund të hante vetëm pak kafshata dhe më pas nuk ishte në gjendje ta mbaronte.

Në një ditë veçanërisht të vështirë, një mikeshë u përpoq më kot ta joshte me ushqime që i kishte pëlqyer gjithmonë. Kur asgjë nuk pati sukses, mikesha tha: “Duhet të ketë diçka që të duket e mirë”.

Tifania mendoi për një çast dhe tha: “E vetmja gjë që mund të mendoj, që duket e mirë, është një bukë e bërë në shtëpi”.

Por nuk kishin në dispozicion një bukë të bërë në shtëpi.

Të nesërmen pasdite ra zilja e derës së Tifanisë. Ndodhi që burri i saj ishte në shtëpi dhe u përgjigj. Kur u kthye, ai po mbante një bukë të bërë në shtëpi. Tifania u habit kur ai i tha se buka erdhi nga një grua e quajtur Sheri, të cilën e njihnin shumë pak. Ajo ishte një shoqe e motrës së Tifanisë, Nikolës, e cila jetonte në Denver në Kolorado. Sheri ishte prezantuar shkurtimisht me Tifaninë dhe burrin e saj disa muaj më parë, kur Nikola dhe familja e saj po qëndronin me Tifaninë për festën e Dhënies së Falenderimeve. Sheri, që jetonte në Omaha, kishte ardhur në shtëpinë e Tifanisë për t’u takuar me Nikolën.

Tani, muaj më vonë, me bukën e shijshme në dorë, Tifania mori në telefon motrën e saj, Nikolën, për ta falënderuar që e kishte dërguar Sherin me një detyrë mëshire. Në vend të saj, ajo mësoi se Nikola nuk e kishte nxitur vizitën dhe as që dinte gjë për të.

Pjesa tjetër e historisë u shpalos kur Nikola pyeti shoqen e saj, Sherin, për të mësuar se çfarë e kishte nxitur që ta çonte atë bukë. Ajo që mësoi, ishte një frymëzim për të, për Tifaninë, për Sherin – dhe është një frymëzim për mua.

Në atë mëngjes të veçantë të çuarjes së bukës, Sheri ishte nxitur që të bënte dy bukë, në vend që të bënte një siç e kishte ndërmend të bënte. Ajo tha se pati mbresën që ta merrte bukën e dytë me vete në makinë atë ditë, edhe pse nuk e dinte arsyen. Pas drekës te shtëpia e një shoqeje, vajza e saj njëvjeçare filloi të qante dhe ajo duhej ta çonte në shtëpi për një sy gjumë. Sheri ngurroi kur ndjenja e pagabueshme i erdhi se ajo duhej t’ia çonte atë bukë të dytë motrës së Nikolës, Tifanisë, e cila jetonte 30 minuta larg, në anën tjetër të qytetit, dhe të cilën ajo e njihte shumë pak. U përpoq ta përligjte mendimin për të mos shkuar, duke dashur ta çonte bijën e saj tepër të lodhur në shtëpi dhe duke u ndier e turpshme që t’u çonte një bukë njerëzve që ishin pothuajse të panjohur. Megjithatë, mbresa për të shkuar te shtëpia e Tifanisë ishte e fortë, kështu që ajo ia vuri veshin nxitjes.

Kur mbërriti, burri i Tifanisë e hapi derën. Sheri i tha se ishte shoqja e Nikolës, që ai e kishte takuar për një kohë të shkurtër në festën e Dhënies së Falenderimeve, ia dha bukën dhe u largua.

Dhe kështu ndodhi që Zoti dërgoi një pothuaj të panjohur, në anën tjetër të qytetit, për t’i çuar Tifanisë jo thjesht një bukë të dëshiruar, të bërë në shtëpi, por edhe një mesazh të qartë dashurie. Ajo që i ndodhi asaj, nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë tjetër. Ajo kishte nevojë të ngutshme për të ndier se nuk ishte vetëm – se Perëndia kishte dijeni për të dhe nuk e kishte braktisur atë. Ajo bukë – pikërisht gjëja që ajo donte – iu çua asaj nga dikush që e njihte shumë pak, dikush që nuk kishte dijeni për nevojën e saj, por që e dëgjoi nxitjen e Shpirtit dhe e ndoqi atë nxitje. Ajo u bë një shenjë e dukshme për Tifaninë se Ati i saj Qiellor i njihte nevojat e saj dhe e donte atë aq sa të dërgonte ndihmë. Ai u ishte përgjigjur thirrjeve të saj për ndihmë.

Motrat e mia të dashura, Ati juaj Qiellor ju do – secilën prej jush. Ajo dashuri nuk ndryshon kurrë. Ajo nuk ndikohet nga pamja juaj, nga zotërimet tuaja apo nga sasia e parave që keni në llogarinë tuaj bankare. Nuk ndryshohet nga talentet dhe aftësitë tuaja. Është thjesht atje. Është atje për ju kur jeni të trishtuara ose të lumtura, pa kurajë ose plot shpresë. Dashuria e Perëndisë është atje për ju, pavarësisht nëse ju ndieni se e meritoni apo jo dashurinë. Është thjesht gjithmonë atje.

Kur e kërkojmë Atin tonë Qiellor nëpërmjet lutjes së zjarrtë, të sinqertë dhe nëpërmjet studimit të zellshëm, të përkushtuar të shkrimeve të shenjta, dëshmitë tona do të bëhen të forta dhe do të rrënjosen thellë. Ne do ta njohim vërtet dashurinë e Perëndisë për ne. Ne do ta kuptojmë vërtet se asnjëherë nuk ecim vetëm. Ju premtoj se një ditë ju do të qëndroni mënjanë dhe do ta hidhni vështrimin te kohët tuaja të vështira, dhe do ta kuptoni se Ai ishte gjithmonë përkrah jush. E di se kjo është e vërtetë me vdekjen e shoqes sime të përjetshme – Frensis Beverli Xhonson Monson.

E lë me ju bekimin tim. E lë me ju mirënjohjen time për gjithçka të mirë që bëni dhe për jetën që jetoni. Që ju të mund të bekoheni me çdo dhuratë të mirë, është lutja ime në emrin e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, madje Jezu Krishtit, Zotit, amen.