2010–2019
Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta
Tetor 2013


2:3

Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta

Le t’ua shtrijmë dorën të tjerëve me besim dhe dashuri.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, vetëm pak javë më parë unë isha në qendrën e trajnimit të misionarëve në Meksiko-Siti, për t’iu dhënë një mesazh misionarëve. Unë dhe bashkëshortja ime arritëm qëllimisht disa orë përpara. Ndërsa i vëzhgonim kopshtet e bukura dhe rrugët e mirëmbajtura të QTM-së, ishte e pamundur të mos e vije re lumturinë që rrezatonte nga fytyrat e qindra pleqve [misionarëve] të rinj dhe motrave të reja, secili i përqendruar në përvetësimin e aftësive të një gjuhe të re dhe të mësuarit për të vlerësuar më mirë qëllimin e tij ose të saj si misionar/e.

Ndërsa ndalova për ta parë me kujdes këtë pamje të mahnitshme, reflektova mbi fjalët e Almës kur e urdhëroi të birin, Helamanin, të mbante një histori të popullit të tij si pjesë e analeve që i ishin besuar dhe t’i mbante të shenjta të gjitha këto gjëra, në mënyrë që një ditë ato t’i shkonin çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.

Pastaj Alma i tha atij:

“Tani, ti mund të mendosh se kjo është marrëzi nga ana ime; por vër re, unë të them ty se nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen; dhe shpeshherë mjetet e thjeshta ngatërrojnë të urtët.

Dhe Zoti Perëndi vepron me anë të mjeteve, që të realizojë qëllimet e tij të mëdha dhe të përjetshme; dhe me mjete fare të vogla Zoti i ngatërron të urtët dhe realizon shpëtimin e shumë shpirtrave” (Alma 37:6–7).

Pafajshmëria dhe rinia e misionarëve tanë e ilustrojnë mënyrën e Zotit – se ata që janë të përulur mund t’i “fto[jnë] të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ata të marrin ungjillin e rivendosur nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe Shlyerjes së Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2004], f. 1).

Si anëtarë të Kishës ne jemi në gjendje, nëpërmjet vetë gjërave tona të vogla dhe të thjeshta, t’i “bind[im] shumë nga ata për gabimin e udhëve të tyre” dhe të ndihmojmë për t’i sjellë “ata në njohurinë e Perëndisë së tyre deri në shpëtimin e shpirtrave të tyre” (Alma 37:8).

Në një rast, unë shoqërova një president kunji dhe një peshkop për të vizituar një anëtar më pak aktiv. Ne i mësuam atij, në një mënyrë shumë të thjeshtë, rreth bekimeve të ditës së Shabatit. Ne i shprehëm atij dashurinë tonë të sinqertë. Ai u përgjigj: “Gjithçka për të cilën kisha nevojë, ishte që dikush të vinte dhe të më jepte një abraco, ose një përqafim”. U ngrita menjëherë në këmbë dhe e përqafova atë. Dita pasuese ishte e diel. I njëjti vëlla erdhi në mbledhjen e sakramentit me të gjithë familjen.

Gjatë një vizite mësimore, Marta, një anëtare e lagjes sonë, i tha bashkëshortes sime dhe shoqes së saj të mos ktheheshin më. Ajo kishte vendosur të mos vinte më në kishë. Një nga mësueset vizitore e pyeti Martën nëse mund të këndonin një himn së bashku këtë herë të fundit, dhe ajo pranoi. Teksa këndonin, ndodhi diçka e veçantë. Pak nga pak, Shpirti filloi të mbushte dhomën. Secila prej tyre e ndjeu. Zemra e Martës filloi të zbutej. Me sytë e saj të mbushur me lot, ajo u shprehu mësueseve të veta vizitore ndjenjat e zemrës së saj. Në atë çast, ajo kuptoi se e dinte që ungjilli ishte i vërtetë. Tani ajo i falënderoi mësueset e saj vizitore dhe shprehu dëshirën që ato të ktheheshin. Që nga ajo ditë e më pas, ajo i pranonte ato me gëzim.

Marta filloi të merrte pjesë në kishë me vajzën e saj të vogël. Për vite ato morën pjesë rregullisht dhe Marta nuk e humbi kurrë shpresën se bashkëshorti i saj mund të zgjidhte përfundimisht të bashkohej me to. Më në fund, erdhi dita kur Zoti e preku zemrën e tij dhe ai filloi të merrte pjesë me to, ashtu siç bëri shpejt pas kësaj vajza tjetër e tyre. Kjo familje filloi të ndiente gëzimin e vërtetë që vjen nga të pasurit e bekimeve të ungjillit në shtëpinë e tyre. Marta, që nga ajo kohë, ka shërbyer besnikërisht si presidente e Shoqatës së Ndihmës së lagjes sonë dhe bashkëshorti i saj ka shërbyer mirë në disa thirrje brenda kunjit. E gjitha kjo filloi me të kënduarin e një himni, një gjë e vogël dhe e thjeshtë që e preku zemrën e Martës.

Naamani ishte komandant i ushtrisë së mbretit të Sirisë, një burrë i nderuar, një burrë i madh dhe trim, por ai ishte edhe lebroz (shih 2 Mbretërve 5:1). Pasi nuk arriti të gjente një kurë për lebrën e tij nga mbreti i Izraelit, Naamani shkoi te shtëpia e Eliseut, profetit. Eliseu i dërgoi atij një lajmëtar, duke i thënë:

“Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër.

Por Naamani u zemërua dhe iku, duke thënë: ‘Ja unë mendoja: Ai ka për të dalë me siguri përballë meje, do të ndalet, do të përmendë emrin e Zotit, Perëndisë së tij, do të lëvizë dorën mbi pjesët e sëmura dhe do të më shërojë nga lebra’. …

Por shërbëtorët e tij iu afruan dhe i folën, duke i thënë: ‘Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: Lahu dhe do të pastrohesh?’

Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai u pastrua” (2 Mbretërve 5:10–11, 13–14).

Profeti ynë, Presidenti Tomas S. Monson, na ka ftuar të gjithëve ne të shkojmë përpara dhe t’i shpëtojmë vëllezërit dhe motrat tona. Ai tha: “Bota ka nevojë për ndihmën tuaj. Ka këmbë që ne mund t’i mbajmë, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxisim, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë. Bekimet e përjetësisë ju presin” (“To the Rescue”, Liahona, korrik 2001, f. 57).

Unë dëshmoj se shumë prej atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë, janë duke na pritur. Ata janë gati për vëllezërit dhe motrat e tyre të guximshme, që t’u zgjasin dorën dhe t’i shpëtojnë nëpërmjet mjeteve të vogla dhe të thjeshta. Unë vetë kam kaluar shumë orë duke i vizituar anëtarët më pak aktivë të Kishës, zemrat e të cilëve tashmë janë zbutur nga Zoti, që tani janë gati t’i marrin dëshmitë tona dhe shprehjen e dashurisë sonë të sinqertë. Kur ne u shtrijmë dorën dhe i ftojmë, ata do të kthehen në Kishë pa mëdyshje.

Le t’ua shtrijmë dorën të tjerëve me besim dhe dashuri. Le të kujtojmë premtimin e Zotit:

“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!

Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” (DeB 18:15–16).

Unë dëshmoj për dashurinë e Zotit ndaj të gjithë fëmijëve të Tij. Unë e di se Ai jeton dhe se Ai është Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.