2010–2019
Lidhjuani Plagët
Tetor 2013


16:24

Lidhjuani Plagët

Unë lutem që ne të mund ta përgatisim veten për të dhënë çfarëdo shërbimi priftërie që Zoti mund të vërë përpara nesh në udhëtimin tonë në vdekshmëri.

Të gjithë ne jemi bekuar me përgjegjësi për të tjerët. Të mbash priftërinë e Perëndisë do të thotë të mbahesh përgjegjës nga Perëndia për jetën e përjetshme të fëmijëve të Tij. Kjo është e vërtetë, kjo është e mrekullueshme dhe ndonjëherë mund të duket mbingarkuese.

Ka presidentë të kuorumeve të pleqve që po dëgjojnë sonte, të cilët e dinë çfarë dua të them. Ja çfarë i ndodhi njërit prej jush. Ka gjasë t’i ketë ndodhur shumë vetave prej jush – dhe më tepër se një herë. Hollësitë mund të ndryshojnë, por situata është e njëjta.

Një plak që nuk e njihni mirë, kërkoi ndihmën tuaj. Ai sapo kishte marrë vesh që duhet të lëvizte me të shoqen dhe vogëlushin brenda ditës, nga apartamenti ku kishin jetuar, te një tjetër aty pranë.

Ai dhe e shoqja i kanë kërkuar tashmë një miku nëse mund t’i huante një kamion për atë ditë që t’i lëviznin sendet e tyre shtëpiake dhe vetjake. Miku ua dha hua kamionin. Babai i ri filloi të ngarkonte gjithçka që ata zotëronin brenda kamionit, por që në minutat e para, ai dëmtoi shpinën. Miku, që i dha hua kamionin, ishte shumë i zënë për ta ndihmuar. Babai i ri u ndje i dëshpëruar. Ai mendoi për ty, presidentin e tij të kuorumit të pleqve.

Në kohën kur ai të kërkoi ndihmë, ishte pasdite herët. Ishte dita e një mbledhjeje të pasdites në Kishë. Ti i kishe premtuar tashmë bashkëshortes sate që do ta ndihmoje me punët e shtëpisë atë ditë. Fëmijët të kanë kërkuar të bësh diçka me ta, por ende nuk ke pasur kohë ta bësh.

Ti gjithashtu e dije se anëtarët e kuorumit tënd, veçanërisht më besnikët, ata që zakonisht i thërret për ndihmë, kishte gjasë të kishin të njëjta angazhime kohore që kishe dhe ti.

Zoti e dinte se ti do të kishe ditë të tilla kur të thirri në këtë detyrë, ndaj Ai të dha një histori për të të inkurajuar. Është një shëmbëlltyrë për mbajtësit e mbingarkuar të priftërisë. Ne ndonjëherë e quajmë atë historia e Samaritanit të Mirë. Por ajo në të vërtetë është historia e një mbajtësi të shkëlqyer të priftërisë në këto ditë të fundit, të ngarkuara.

Historia i shkon përsosmërisht për shtat shërbëtorit të mbingarkuar të priftërisë. Thjesht kujtoni se ju jeni Samaritani dhe jo prifti apo leviti që kaloi pranë njeriut të plagosur.

Ju mund të mos e keni menduar atë histori kur u përballët me sfida të tilla. Por lutem që do ta bëni kur ditë të tilla të vijnë sërish, sepse sigurisht që do të vijnë.

Nuk na tregohet në shkrimin e shenjtë përse Samaritani po udhëtonte në rrugën nga Jerusalemi për në Jeriko. Nuk ka gjasë që ai po shkonte lart e poshtë i vetëm duke qenë se duhet ta dinte që hajdutët rrinin në pritë për dikë të shkujdesur. Ai ishte në një udhëtim të rëndësishëm, dhe siç ishte zakoni, kishte me vete një kafshë mbartëse si dhe vaj e verë.

Me fjalët e Zotit, Samaritani, kur e pa burrin e plagosur, ndaloi sepse “kishte dhembshuri”.

Më tepër sesa vetëm të ndiente dhembshuri, ai veproi. Kujtojini përherë veçantitë e rrëfimit:

“Dhe [ai] mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.

Dhe të nesërmen, para se të nise[j], nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem’.”1

Ju dhe mbajtësit e priftërisë të cilët jeni thirrur t’i udhëhiqni, mund të kenë së paku tri siguri. Së pari, nëse i kërkoni, Zoti do t’jua japë ndjenjat e dhembshurisë që Ai ndien për njerëzit në nevojë. Së dyti, Ai do të gjejë njerëz të tjerë, si hanxhiu, që të bashkohen me ju në shërbesën tuaj. Dhe së treti, Zoti, njësoj si Samaritani i Mirë, do t’i shpërblejë dyfish të gjithë ata që bashkohen në dhënien e ndihmës ndaj njerëzve në nevojë.

Ju presidentë të kuorumeve ka gjasë të keni vepruar në përputhje me këto siguri më tepër se një herë. Ju i kërkuat ndihmë të tjerëve nga priftëria e Zotit, me besim se ata do të përgjigjen me dhembshuri. Ju nuk u druajtët që t’u kërkonit ndihmë atyre që janë përgjigjur më shpesh në të kaluarën, sepse e dinit që ata ndiejnë dhembshuri lehtësisht. Ju ua kërkuat atyre duke e ditur se, në të shkuarën, ata kanë ndier zemërgjerësinë e Zotit kur zgjodhën të ndihmonin. Ju ua kërkuat disave që tashmë kanë barra të rënda, duke e ditur se sa më e madhe sakrifica, aq më i madh shpërblimi që do të marrin nga Zoti. Ata që kanë ndihmuar në të kaluarën, e kanë ndier mirënjohjen vërshuese të Shpëtimtarit.

Ju fare mirë mund të keni qenë të frymëzuar për të mos i kërkuar dikujt të ndihmojë për ta ngarkuar dhe më pas shkarkuar atë kamion. Si udhëheqës ju i njihni mirë anëtarët e kuorumit tuaj dhe familjet e tyre. Zoti i njeh ata në mënyrë të përsosur.

Ai e di se bashkëshortja e kujt nuk mbante më për shkak se i shoqi nuk mund të gjente kohë për të bërë atë që duhej të bënte për t’u kujdesur për nevojat e saj. Ai e di se cilët fëmijë do të bekoheshin duke e parë të atin të shkonte edhe një herë për t’i ndihmuar të tjerët ose nëse fëmijëve iu nevojitej ndjenja se ata kanë aq rëndësi për të atin sa ai do të kalonte kohë me ta atë ditë. Por Ai e di edhe se kujt i duhet ftesa për të shërbyer emund të mos duket një kandidat i mundshëm apo i gatshëm.

Ju nuk mund t’i njihni përsosmërisht mirë të gjithë anëtarët e kuorumit tuaj, por Zoti i njeh. Pra, ashtu siç keni bërë shumë herë, ju u lutët për të ditur se kujt t’i kërkonit të ndihmonte për t’u shërbyer të tjerëve. Zoti e di se kush do të bekohet duke iu kërkuar të ndihmojë dhe se familja e kujt do të bekohet duke mos iu kërkuar. Kjo është zbulesa që mund të prisni t’ju vijë teksa udhëhiqni në priftëri.

E pashë atë të ndodhte kur isha i ri. Unë isha ndihmësi i parë në kuorumin e priftërinjve. Peshkopi më telefonoi një ditë në shtëpi. Ai tha se dëshironte që të shkoja me të për të vizituar një vejushë në nevojë të madhe. Ai tha se kishte nevojë për mua.

Teksa prisja që ai të më merrte në shtëpi, u shqetësova. E dija se peshkopi kishte këshilltarë të fortë e të mençur. Njëri ishte gjykatës i famshëm. Tjetri drejtonte një kompani të madhe dhe do të bëhej më vonë Autoritet i Përgjithshëm. Vetë peshkopi një ditë do të shërbente si Autoritet i Përgjithshëm. Pse peshkopi po i thoshte një prifti të papërvojë: “Më duhet ndihma jote”?

Epo, tani e di më mirë se çfarë mund të më kishte thënë ai mua: “Zoti ka nevojë të të bekojë”. Në shtëpinë e vejushës, e pashë atë t’i thoshte gruas se ajo nuk do të merrte ndihmë nga Kisha derisa të plotësonte formularin e buxhetit që ai i kishte lënë më parë. Rrugës për në shtëpi ai nënqeshi prej habisë sime dhe tha: “Hal, kur t’i marrë në kontroll shpenzimet e saj, ajo do të jetë në gjendje të ndihmojë të tjerët”.

Në një rast tjetër, peshkopi im më mori me vete në shtëpinë e dy prindërve të alkoolizuar të cilët dërguan dy vogëlushe të frikësuara të na takonin te dera. Pasi u takuam me dy vogëlushet, u larguam dhe ai më tha: “Ne nuk mund t’ua ndryshojmë ende tragjedinë në jetën e tyre, por ato mund ta ndiejnë se Zoti i do”.

Një mbrëmje tjetër më mori në shtëpinë e një burri që nuk kishte ardhur në kishë prej vitesh. Peshkopi i tha atij sa shumë e donte dhe sa nevojë kishte lagjja për të. Nuk u duk se pati shumë efekt te burri. Por ajo herë dhe çdo herë që peshkopi më mori me vete, pati një efekt të madh tek unë.

Nuk ka ndonjë mënyrë se si ta zbuloj nëse peshkopi u lut për ta ditur se cili prift do të bekohej nga ato vizita. Ai mund të ketë marrë dhe priftërinj të tjerë me vete shumë herë. Por Zoti e dinte se unë një ditë do të isha peshkop dhe do t’i ftoja ata, besimi i të cilëve ishte ftohur, që të ktheheshin në ngrohtësinë e ungjillit. Zoti e dinte se unë një ditë do të ngarkohesha me përgjegjësi në priftëri për qindra dhe madje mijëra fëmijë të Atit Qiellor që ishin në nevoja të skajshme materiale.

Ju të rinj, nuk mund ta dini se çfarë veprash shërbimi në priftëri po ju përgatit Zoti që të jepni. Por sfida më e madhe për çdo mbajtës priftërie është të japë ndihmë shpirtërore. Të gjithë ne e kemi atë detyrë. Ajo vjen nga të qenit anëtar i një kuorumi. Ajo vjen nga të qenit pjesëtar i një familjeje. Nëse besimi i ndonjërit në kuorumin ose në familjen tuaj sulmohet nga Satani, ju do të ndieni dhembshuri. Thuajse njësoj si shërbimi dhe mëshira e dhënë nga Samaritani, edhe ju do t’u shërbeni atyre me balsam shërues për plagët e tyre në kohë nevoje.

Në shërbimin tuaj si misionar kohëplotë, ju do të shkoni te mijëra njerëz në nevojë të madhe shpirtërore. Shumë njerëz, derisa ju t’i mësoni, as nuk do ta dinë që kanë plagë shpirtërore që, nëse lihen pa u trajtuar, do të sjellin mjerim të pafund. Ju do të vazhdoni punën e Zotit për t’i shpëtuar ata. Vetëm Zoti mund t’ua lidhë plagët shpirtërore teksa ata i pranojnë ordinancat që çojnë në jetën e përjetshme.

Si anëtar kuorumi, si mësues shtëpie dhe si misionar, ju nuk mund t’i ndihmoni njerëzit të riparojnë dëmin shpirtëror nëse vetë besimi juaj nuk është i gjallë. Ajo nënkupton shumë më tepër sesa leximi i shkrimeve të shenjta rregullisht dhe lutja rreth tyre. Lutja e çastit dhe hedhje shikimesh të shpejta në shkrimet e shenjta nuk janë përgatitje e mjaftueshme. Sigurimi për atë që do t’ju nevojitet vjen me këtë këshillë nga seksioni i 84-t te Doktrina e Besëlidhje “As mos u shqetësoni që më parë se çfarë do të thoni; por mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës dhe do t’ju jepet në çastin e duhur ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu”2.

Ai premtim mund të kërkohet vetëm nëse ne i “mbl[edhim] … si thesar” fjalët e jetës dhe e bëjmë këtë vazhdimisht. Ruajta si thesar e këtij shkrimi të shenjtë për mua ka nënkuptuar një çështje të të ndierit të diçkaje rreth fjalëve. Për shembull, kur kam shkuar të ndihmoj dikë që po lëkundej në besimin e tij apo të saj rreth thirrjes hyjnore të Profetit Jozef Smith, ndjenjat më rikthehen.

Nuk janë vetëm fjalët nga Libri i Mormonit. Është një ndjenjë sigurie për të vërtetën që vjen sa herë që lexoj qoftë edhe pak rreshta nga Libri i Mormonit. Nuk mund të premtoj se ajo do t’i vijë çdo njeriu të infektuar me dyshim rreth Profetit Jozef ose Librit të Mormonit. Por unë e di se Jozef Smithi është Profeti i Rivendosjes. E di se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, sepse e kam ruajtur atë si thesar.

E di nga përvoja se, ju mund ta merrni sigurinë për të vërtetën nga Shpirti, sepse ajo më ka ardhur mua. Ju dhe unë duhet ta kemi atë siguri përpara se Zoti të na vendosë në rrugën e një udhëtari që e duam, i cili është plagosur nga armiqtë e së vërtetës.

Ka një përgatitje tjetër që duhet të bëjmë. Është karakteristikë e njeriut që të ngurtësohet përpara dhembjeve të të tjerëve. Kjo është një nga arsyet përse Shpëtimtari bëri kaq shumë për të treguar për Shlyerjen e Tij dhe për marrjen mbi Vete prej Tij të dhembjeve dhe të pikëllimeve të të gjithë fëmijëve të Atit tonë Qiellor që Ai të mund t’iu vijë në ndihmë atyre tani.

As më të mirët nga mbajtësit e vdekshëm të priftërisë të Atit Qiellor nuk e arrijnë atë standard dhembshurie me lehtësi. Prirja jonë njerëzore është të jemi të paduruar me njeriun që nuk mund ta shohë të vërtetën që është kaq e qartë për ne. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që padurimi ynë të mos interpretohet si dënim apo mospranim.

Teksa përgatitemi t’i vijmë në ndihmë Zotit si shërbëtorët e Tij në priftëri, ka një shkrim të shenjtë për të na udhërrëfyer. Ai përmban një dhuratë që do të na duhet për udhëtimin tonë, kudo që Zoti do të na dërgojë. Samaritani i mirë e kishte atë dhuratë. Ne do të na duhet ajo dhe Zoti na e ka treguar si mund ta gjejmë:

“Prandaj, vëllezër të mi të dashur, në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju sʼjeni asgjë, pasi dashuria hyjnore nuk dështon kurrë. Prandaj, kapuni pas dashurisë hyjnore që është më e madhja e të gjithave, pasi të gjitha gjërat duhet të dështojnë –

Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të.

Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër.”3

Unë lutem që ne të mund ta përgatisim veten për të dhënë çfarëdo shërbimi priftërie që Zoti mund të vërë përpara nesh në udhëtimin tonë në vdekshmëri. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.