2010–2019
Shihni Përpara dhe Besoni
Tetor 2013


10:32

Shihni Përpara dhe Besoni

Në sytë e Zotit, çështja nuk është aq shumë se çfarë kemi bërë apo ku kemi qenë, por shumë më tepër se ku jemi të gatshëm të shkojmë.

Ndërsa isha një djalosh që punoja në fusha me nënën time, ajo më mësoi një nga mësimet më të rëndësishme në jetë. Kjo ndodhi vonë në një mëngjes, dielli ishte lart dhe ne kishim prashitur për një kohë që unë mendoja se ishte shumë e gjatë. U ndala për të parë prapa atë që kishim kryer dhe i thashë nënës: “Shiko sa paskemi bërë!” Nëna nuk dha përgjigje. Duke menduar se nuk më dëgjoi, e përsërita pak më fort atë që kisha thënë. Ajo përsëri nuk u përgjigj. Duke e ngritur edhe ca zërin, e përsërita prapë. Më në fund, ajo u kthye dhe më tha: “Eduard, kurrë mos shiko prapa. Shiko përpara atë që kemi ende për të bërë.”

Të dashur vëllezër e motra të mia, besëlidhja që kemi bërë me Zotin kur u pagëzuam, që “të [qëndrojmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të [gjendemi]” (Mosia 18:9), është një zotim për të gjithë jetën. Presidenti Diter F. Uhtdorf këshilloi: “Ata që kanë hyrë në ujërat e pagëzimit dhe kanë marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, e kanë vendosur këmbën në shtegun e dishepullimit dhe porositen të vijojnë rregullisht e plotësisht në gjurmët e Shpëtimtarit tonë” (“Saints for All Seasons”, Liahona, shtator 2013, f. 5). Zoti, përmes shërbëtorëve të Tij, na thërret që të shërbejmë në thirrje të ndryshme, të cilat ne i pranojmë me zotim të plotë. Kur ofrohet një lirim dhe jepet thirrje në një detyrë të ndryshme, ne e pranojmë me gëzim, duke e ditur, sikurse të parët tanë, se “në shërbimin e Zotit çështja nuk është se ku, por se si shërbeni” (J. Reuben Clark Jr., në Conference Report, prill 1951, f. 154).

Pra, kur një president kunji apo peshkop lirohet, e pranon me gëzim lirimin e tij dhe, kur një thirrje i ofrohet për të shërbyer në çdo mënyrë që Zoti, përmes shërbëtorëve të Tij, e “sheh të përshtatshme” (Mosia 3:19), atë nuk e mbulon hija e përvojës së tij të mëparshme as sheh prapa e të mendojë se mjaft ka shërbyer. Ai “[nuk lodhet] së bëri mirë”, sepse e di se po “[ngre] themelin e një vepre të madhe”, me një pamje të qartë se përpjekje të tilla bekojnë jetë për përjetësi. Në këtë mënyrë, “nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (DeB 64:33).

Të gjithë duhet të “[përfshihemi] me zell në një kauzë të mirë dhe të [bëjmë] shumë gjëra me vullnetin [tonë] të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi” (DeB 58:27).

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, këshilloi: “Së kaluarës është për t’i mësuar, jo për ta jetuar. Kthejmë kokën pas që t’i marrim prushin përvojave të ndritura, por jo hirin. Dhe, kur i kemi mësuar ato që na nevojiten dhe e kemi marrë me vete më të mirën që përjetuam, atëherë shikojmë përpara dhe mbajmë mend që besimi gjithnjë drejtohet tek e ardhmja” (“The Best Is Yet to Be”, Liahona, janar 2010, f. 18).

Teksa mësimi i nënës sime për të shikuar përpara ishte në drejtim të barërave të dukshme në fushë, kjo sfidë ishte e vogël në krahasim me atë që kaluan shenjtorët e hershëm. Plaku Jozef B. Uirthlin e përshkroi aq mirë këtë përvojë: “Më 1846, më shumë se 10.000 [njerëz] ikën nga qyteti i lulëzuar i Navusë që ishte ndërtuar në brigjet e lumit Misisipi. Me besim tek udhëheqësit profetë ata anëtarë të hershëm të Kishës e lanë ‘Qytetin e Bukur’ të tyre dhe shkuan në shkretëtirën e kufirit amerikan. Nuk e dinin me saktësi se ku po shkonin, pikërisht se sa kilometra shtriheshin përpara, se sa kohë do të kërkonte rrugëtimi apo se çfarë ruante e ardhmja për ta. Por e dinin se i udhëhiqte Zoti dhe shërbëtorët e Tij” (“Faith of Our Fathers”, Ensign, maj 1996, f. 33).

Ata e dinin se si ishte të shikoje përpara e të besoje. Një dekadë e gjysmë më parë disa nga këta anëtarë qenë të pranishëm kur u mor një zbulesë:

“Sepse, në të vërtetë, unë ju them, bekuar është ai që zbaton urdhërimet e mia, qoftë në jetë ose në vdekje; dhe ai që është besnik në mundime, shpërblimi i po atij është më i madh në mbretërinë e qiellit.

Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë, në këtë kohë, planin e Perëndisë tuaj lidhur me ato gjëra që do të vijnë më pas dhe me lavdinë që do të pasojë pas shumë mundimesh” (DeB 58:2–3).

Ne gjithashtu mund të shohim përpara e të besojmë. Ne mund ta përqafojmë ftesën e Zotit tonë, i cili me duar të shtrira e të hapura na fton:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28–30).

Profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, këshilltarët e tij dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë bërë ftesë që të gjithë ne të marrim pjesë në veprën e shpëtimit. Të kthyerit e rinj në besim, rinia, të rinjtë në moshë madhore, ata që janë tërhequr nga profesionet dhe misionarët kohëplotë nevojitet njëlloj të marrin zgjedhën për të shpejtuar veprën e shpëtimit.

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, njëherë ndoqi një garë tërheqjesh me qe, nga ku nxori një mësim të ngjashëm. Ai tha për përvojën: “Një slitë druri ngarkohej me blloqe betoni: dhjetë mijë paund [4.535 kg] – pesë ton. … Qëllimi ishte që qetë ta zhvendosnin slitën tre këmbë [91 cm]. … Vura re një dyshe të mirëpërshtatur kafshësh të mëdha, të larme në blu-gri … ish-qetë e mëdha blu të herëve të kaluara.”

Duke folur për rezultatin e garës ai tha: “Dyshet po skualifikoheshin një nga një. … Qetë e mëdha blu as nuk zunë ndonjë vend! Një dyshe kafshësh të vogla të padalluara, të përshtatura jo fort mirë në madhësi, e zhvendosi slitën plot tri herë.”

Atij më pas iu dha një shpjegim për rezultatin e papritur: “Qetë e mëdha blu ishin më të mëdha, më të forta e më të përshtatura në madhësi, sesa dyshja tjetër. Por qetë e vogla patën një përpjekje dhe bashkërendim më të mirë. E ngisnin zgjedhën së bashku. Të dyja kafshët tërhiqnin përpara saktësisht në të njëjtën kohë dhe forca e zhvendosi ngarkesën” (“Equally Yoked Together”, fjalim i mbajtur në seminarin e përfaqësuesve rajonalë, 3 prill 1975; në Teaching Seminary: Preservice Readings (2004), f. 30).

Ndërsa shohim përpara dhe besojmë, neve na nevojitet i njëjti bashkëpunim për shpejtimin e veprës së shpëtimit kur ftojmë të tjerët të vijnë te Krishti. Në pozitën tonë individuale ne duhet të ndjekim këshillën e Presidentit Diter F. Uhtdorf për të “qëndruar pranë së bashku dhe për të ngritur aty ku ndodhemi” (“Ngrini Atje Ku Ndodheni”, Liahona, nëntor 2008, f. 56). Ne mund ta zbulojmë potencialin tonë të plotë, pikërisht sikurse ka vërejtur Plaku L. Tom Perri, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve: “Kur udhëtoj anembanë Kishës, mrekullohem nga të gjitha gjërat pozitive që po ndodhin. Ende, asnjëherë nuk mendoj se ne, si popull, po jetojmë mundësinë tonë të vërtetë. Ndjesia që kam është se nuk punojmë gjithmonë së bashku, që ende na interesojnë shumë aspiratat për nderime e sukses vetjak dhe tregojmë shumë pak interes në qëllimin e përbashkët të ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë” (“United in Building the Kingdom of God”, Ensign, maj 1987, f. 35).

U bashkofshim në objektivin e përbashkët për “të [bërë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, i cili sheh nga fillimi deri në fund, e dinte shumë mirë rrugën që do të bënte për në Gjetseman dhe Golgota kur shpalli: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë” (Lluka 9:62). Në sytë e Zotit, çështja nuk është aq shumë se çfarë kemi bërë apo ku kemi qenë, por shumë më tepër që ku jemi të gatshëm të shkojmë.

Parimet tona udhëheqëse na u mësuan nga Profeti Jozef Smith: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 52).

Dëshmoj se, kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe ngremë dorën në kënd të drejtë si veprim në mbështetje të profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson, do të gjejmë paqe, ngushëllim e gëzim dhe “do të [hamë] të mirat e tokës … në këto ditë të fundit” (DeB 64:34). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.