Barinj të Vërtetë
Mësimi i shtëpisë u përgjigjet shumë lutjeve dhe na lejon të shohim ndryshimet që mund të ndodhin në jetën e njerëzve.
Sonte në Qendrën e Konferencave në Solt-Lejk-Siti dhe në vendndodhje larg e pranë janë mbledhur ata që mbajnë priftërinë e Perëndisë. Me të vërtetë ju jeni një “priftëri mbretërore” – madje një “[brez] i zgjedhur”, sikurse shpalli Apostulli Pjetër.1 Jam i nderuar që kam privilegjin t’ju drejtohem juve.
Kur po rritesha, çdo verë familja jonë do të ngiste makinën përmes kanionit të Provos, rreth 72 km në jug dhe paksa në lindje të Solt-Lejk-Sitit, ku ne do të qëndronim në një kabinë të familjes për disa javë. Ne djemtë gjithmonë mezi prisnim që të shkonim te rrëkeja e peshkimit ose te pellgu i notimit dhe do të përpiqeshim ta shtynim makinën që të ecte pak më shpejt. Në ato ditë, automjeti që ngiste babai im, ishte një Olldsmobil i vitit 1928. Nëse ai e ngiste më shumë se me 56 km në orë, nëna do të thoshte: “Ule shpejtësinë! Ule shpejtësinë!” Unë do të thoja: “Shtype pedalin e gazit, babi! Shtype!”
Babai do të ecte me 56 km në orë gjithë rrugën duke iu ngjitur kanionit të Provos ose derisa të arrinim te një kthesë në rrugë dhe udhëtimi ynë do të ndalej nga një tufë delesh. Do të shihnim se si qindra dele kalonin pas nesh, në dukje pa një bari, ca qenë duke lehur prapa tyre teksa ecnin përgjatë rrugës. Mjaft larg në fund ne mund të shihnim ruajtësin e deleve mbi kalë – pa një kapistër te kali, por me një litar. Me raste, ai do të kërrusej mbi samar duke marrë një sy gjumë, ngaqë kali e dinte se ç’rrugë të bënte dhe qentë lehës e bënin punën.
Krahasojeni atë me një skenë që e pashë në Mynih, në Gjermani, shumë vite më parë. Ishte një mëngjes të diele dhe ne ishim në rrugë e sipër për në një konferencë misionarësh. Kur hodha sytë jashtë dritares së makinës së presidentit të misionit, pashë një bari me një kërrabë në dorë, duke i drejtuar delet. Ato e ndiqnin kudo që ai shkonte. Nëse lëvizte në të majtë, ato e ndiqnin në të majtë. Nëse lëvizte në të djathtë, ato e ndiqnin në atë drejtim. Unë bëra krahasimin midis bariut të vërtetë që i udhëheq delet e tij dhe ruajtësit të deleve që me raste ngiste kalin prapa deleve të tij.
Jezusi tha: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia”2. Ai jep për ne shembullin e përkryer se si duhet të jetë një bari i vërtetë.
Vëllezër, si priftëria e Perëndisë, ne kemi përgjegjësi që të jemi barinj. Urtësia e Zotit ka siguruar udhëzime sipas të cilave ne mund të jemi barinj për familjet e Kishës, ku ne mund t’u shërbejmë, mund t’u japim mësim dhe mund t’u dëshmojmë atyre. Një udhëzim i tillë quhet mësimi i shtëpisë dhe është rreth këtij që unë dëshiroj t’ju flas sonte.
Peshkopi i secilës lagje në Kishë mbikqyr caktimin e mbajtësve të priftërisë si mësues shtëpie për t’i vizituar shtëpitë e anëtarëve çdo muaj. Ata shkojnë në dyshe. Ku është e mundur, një i ri i cili është një prift ose mësues në Priftërinë Aarone, e shoqëron një të rritur mbajtës të Priftërisë Melkizedeke. Kur shkojnë në shtëpitë e atyre për të cilët janë përgjegjës, mbajtësi i Priftërisë Aarone duhet të marrë pjesë në mësimdhënien që ndodh. Një detyrë e tillë do të ndihmojë për t’i përgatitur këta të rinj për misione, si edhe për një jetë të tërë të shërbimit të priftërisë.
Programi i mësimit të shtëpisë është një përgjigje ndaj zbulesës moderne, duke i porositur ata që shugurohen në priftëri, që “të jap[in] mësim, të sqaroj[në], të këshilloj[në], të pagëzoj[në] … dhe të vizitoj[në] shtëpinë e çdo anëtari, dhe t’i nxis[in] ata të luten me zë e në fshehtësi, dhe të ndjekin të gjitha detyrat e tyre familjare, … dhe të vëzhgoj[në] mbi kishën gjithmonë, dhe të je[në] me ta e t’i forcoj[në] ata; dhe të kujdese[n] që nuk ka paudhësi në kishë, as ashpërsi me njëri-tjetrin, as gënjeshtra, të folur pas shpine apo të folur dashakeqës”3.
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei këshilloi: “Mësimi i shtëpisë është një prej mundësive tona më të ngutshme dhe më shpërblyese për t’i ushqyer shpirtërisht dhe për t’i nxitur, për t’i këshilluar dhe drejtuar fëmijët e Atit tonë. … Është një shërbim hyjnor, një thirrje hyjnore. Është detyra jonë si Mësues të Shtëpisë për ta çuar … shpirtin në çdo shtëpi dhe zemër. Dashuria për punën dhe bërja e gjithçkaje mundemi, do t’i sjellin paqe, gëzim dhe kënaqësi të pakufishme [një mësuesi fisnik] të përkushtuar të fëmijëve të Perëndisë.”4
Nga Libri i Mormonit lexojmë se Alma i “shenjtëroi të gjithë priftërinjtë e tyre dhe të gjithë mësuesit e tyre; dhe asnjë nuk u shenjtërua po të mos ishte burrë i drejtë.
Prandaj, ata u kujdesën për njerëzit e tyre dhe i ushqyen me gjëra që kishin të bënin me drejtësinë.”5
Në kryerjen e përgjegjësive tona të mësimit të shtëpisë, ne jemi të urtë nëse i mësojmë dhe i kuptojmë sfidat e anëtarëve të secilës familje, që ne të mund të jemi më të efektshëm në mësimdhënie dhe në sigurimin e ndihmës së duhur.
Një vizitë e një mësimi të shtëpisë gjithashtu ka më shumë mundësi të jetë e suksesshme nëse një takim caktohet që më parë. Për ta ilustruar këtë pikë, më lejoni t’ju tregoj për një përvojë që pata disa vite më parë. Në atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i Misionarëve përbëhej nga Spenser W. Kimball, Gordon B. Hinkli dhe Tomas S. Monson. Një mbrëmje Vëllai dhe Motra Hinkli shtruan një darkë në shtëpinë e tyre për anëtarët e komitetit dhe bashkëshortet e tyre. Sapo kishim mbaruar një darkë të mirë kur pati një trokitje në derë. Presidenti Hinkli hapi derën dhe gjeti një prej mësuesve të tij të shtëpisë duke qëndruar atje. Mësuesi i shtëpisë tha: “E di se nuk caktova një takim për të ardhur dhe nuk e kam me vete shokun tim, por ndjeva se duhej të vija sonte. Nuk e dija se do të kishe njerëz për vizitë.”
Presidenti Hinkli plot hir e ftoi mësuesin e shtëpisë të vinte brenda dhe të ulej e t’i udhëzonte tre Apostujt dhe gratë e tyre lidhur me detyrën tonë si anëtarë. Me një farë ankthi, mësuesi i shtëpisë bëri sa mundi. Presidenti Hinkli e falënderoi që erdhi, pas së cilës ai doli jashtë me nxitim.
Do të përmend një shembull tjetër të mënyrës jo të saktë për ta kryer mësimin e shtëpisë. Presidenti Marion G. Romni, që ishte këshilltar në Presidencën e Parë disa vite të shkuara, tregoi rreth mësuesit të tij të shtëpisë i cili njëherë shkoi te shtëpia e familjes Romni një natë të ftohtë dimri. Ai e mbajti kapelen e tij në duar dhe lëvizi me nervozizëm kur u ftua të ulej dhe të jepte mesazhin e tij. Ndërsa ngeli në këmbë, ai tha: “Epo, do të ta them, Vëllai Romni, është ftohtë jashtë dhe e kam lënë motorin e makinës të ndezur me qëllim që të mos ndalojë. Erdha thjesht që të mund t’i thoja peshkopit se i kisha bërë vizitat e mia.”6
Presidenti Ezra Taft Benson, pasi e tregoi përvojën e Presidentit Romni në një mbledhje të mbajtësve të priftërisë, më pas tha: “Ne mund të bëjmë më tepër se aq, vëllezër – shumë më tepër!”7 Jam dakord.
Mësimi i shtëpisë është më shumë sesa një vizitë mekanike një herë në muaj. E jona është përgjegjësia për të dhënë mësim, për të frymëzuar, për të nxitur dhe atje ku i vizitojmë ata që s’janë aktivë, për t’i sjellë drejt aktivizimit dhe më së fundi drejt ekzaltimit të bijve dhe bijave të Perëndisë.
Për të na ndihmuar në përpjekjet tona, unë ndaj këtë këshillë të urtë që sigurisht gjen zbatim te mësuesit e shtëpisë. Vjen nga Abraham Linkolni, i cili tha: “Nëse do ta fitoni një njeri për kauzën tuaj, së pari bindeni atë se jeni miku i tij i sinqertë”8. Presidenti Ezra Taft Benson nxiti: “Mbi të gjitha, jini një mik i çiltër ndaj individëve dhe familjeve që u jepni mësim. … Një mik bën më shumë sesa një vizitë çdo muaj për shkak të detyrës. Një mik është më i shqetësuar rreth të ndihmuarit të njerëzve sesa marrjes së lavdërimit. Një mik përkujdeset. Një mik [tregon] dashuri. Një mik dëgjon dhe një mik ndihmon.”9
Mësimi i shtëpisë u përgjigjet shumë lutjeve dhe na lejon të shohim ndryshimet që mund të ndodhin në jetën e njerëzve.
Një shembull i kësaj do të ishte Dik Hemër, i cili erdhi në Juta me Trupat e Ruajtjes së Tokave gjatë periudhës së Depresionit. Ai takoi një të re shenjtore të ditëve të mëvonshme dhe u martua me të. Ai hapi Kafenenë e Dikut në Seint- Xhorxh të Jutas, e cila u bë një pikë e mirënjohur takimesh.
I caktuar si mësues shtëpie për familjen Hemër ishte Uillërd Milln, një miku im. Ngaqë e njihja edhe Dik Hemërin, sepse i shtypa menutë e kafenesë së tij, unë e pyesja mikun tim, Vëllain Milln, kur vizitoja Seint-Xhorxhin: “Si po përparon miku ynë Dik Hemër?”
Përgjigjja në përgjithësi ishte: “Po përparon, por ngadalë”.
Kur Uillërd Millni dhe shoku i tij e vizitonin shtëpinë e familjes Hemër çdo muaj, ata gjithmonë ia dilnin mbanë që të paraqisnin një mesazh të ungjillit dhe të ndanin dëshmitë e tyre me Dikun dhe familjen.
Vitet kaluan dhe më pas, një ditë, Uillërd më mori në telefon me lajmin e mirë. “Vëllai Monson”, filloi ai, “Dik Hemëri është kthyer në besim dhe do të pagëzohet. Ai është tani 90 vjeç dhe kemi qenë miq gjatë gjithë jetës sonë si të rritur. Vendimi i tij ma ngroh zemrën. Kam qenë mësuesi i tij i shtëpisë për shumë vite.” Uillërdit iu mor zëri kur përcolli lajmin e tij të mirëpritur.
Vëllai Hemër vërtet u pagëzua dhe një vit më vonë hyri në atë tempull të bukur të Seint- Xhorxhit dhe atje mori indaumentin dhe bekimet e tij të vulosjes.
E pyeta Uillërdin: “A e humbe ndonjëherë kurajën si mësuesi i tij i shtëpisë për një kohë kaq të gjatë?”
Ai u përgjigj: “Jo, ia vlente çdo përpjekje. Ndërkohë që dëshmoj gëzimin që u ka ardhur anëtarëve të familjes Hemër, zemra më mbushet me mirënjohje për bekimet që ungjilli ka sjellë në jetën e tyre dhe për privilegjin që kam pasur për të ndihmuar në njëfarë mënyre. Jam një njeri i lumtur.”
Vëllezër, do të jetë privilegji ynë përmes viteve që të vizitojmë dhe mësojmë shumë individë – ata që janë më pak aktivë, si edhe ata që janë tërësisht të zotuar. Nëse jemi të vetëdijshëm për thirrjen tonë, ne vërtet do të kemi shumë mundësi për të bekuar jetë. Vizitat tona tek ata që e kanë larguar vetveten nga aktiviteti në Kishë, mund të jenë kyçi që më së fundi do të hapë dyert për kthimin e tyre.
Me këtë mendim në mendje, le të drejtohemi tek ata për të cilët jemi përgjegjës dhe t’i sjellim tek tryeza e Zotit për t’u ushqyer me bollëk me fjalën e Tij dhe për të gëzuar shoqërimin e Shpirtit të Tij e për të “[mos qenë] më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë”10.
Nëse ndonjë prej jush ka rrëshqitur në vetëkënaqësi lidhur me vizitat tuaja të mësimit të shtëpisë, më lejoni t’ju them se nuk ka kohë si koha e tanishme që ta përkushtoni përsëri vetveten për t’i përmbushur detyrat tuaja të mësimit të shtëpisë. Merrni vendim tani që të bëni çfarëdo përpjekje që është e nevojshme për t’i ndihmuar ata për të cilët ju është dhënë përgjegjësi. Ka raste kur mund të jetë e nevojshme pak më shumë nxitje gjithashtu, për ta ndihmuar shokun tuaj të mësimit të shtëpisë për të gjetur kohën për të ardhur me ju, por nëse jeni këmbëngulës, do t’ia dilni me sukses.
Vëllezër, përpjekjet tona në mësimin e shtëpisë janë të vazhdueshme. Puna nuk do të përfundohet kurrë derisa Zoti dhe Mësuesi ynë të thotë: “Mjafton”. Ka jetë për t’u ndriçuar. Ka zemra për t’u prekur. Ka shpirtra për t’u shpëtuar. I yni është privilegji i shenjtë për t’i ndriçuar, për t’i prekur dhe për t’i shpëtuar ata shpirtra të çmuar që iu besuan përkujdesit tonë. Ne duhet ta bëjmë këtë me besnikëri dhe me zemra të mbushura me gëzim.
Në mbyllje, unë i kthehem një shembulli të veçantë për ta përshkruar llojin e mësuesit të shtëpisë që ne duhet të jemi. Ka një Mësues, jeta e të cilit qëndron mbi gjithë jetët e tjera. Ai na mësoi për jetën dhe vdekjen, për detyrën dhe fatin. Ai jetoi jo që t’i shërbenin por që të shërbente, jo që të merrte por që të jepte, jo që të shpëtonte jetën e Tij por që ta flijonte atë për të tjerët. Ai përshkroi një dashuri më të mrekullueshme sesa epshi, një varfëri më të pasur sesa thesari. U tha për këtë Mësues se Ai dha mësim me autoritet dhe jo siç bënë skribët.11 Ligjet e Tij nuk u shkruan mbi gur, por mbi zemra njerëzore.
Unë flas për Mësuesin Mjeshtër, madje Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin e gjithë njerëzimit. Rrëfimi biblik thotë për Të, Ai “[shkoi] duke bërë mirë”12. Me Të si udhërrëfyesin dhe shembullin tonë të padështueshëm, ne do të cilësohemi për ndihmën e Tij hyjnore në mësimin tonë të shtëpisë. Jetë do të bekohen. Zemra do të ngushëllohen. Shpirtra do të shpëtohen. Ne sigurisht do të bëhemi barinj të vërtetë. Qoftë kjo kështu, unë lutem në emrin e atij Bariu të madhërishëm, Jezu Krishtit, amen.