Vendime Përjetësie
Përdorimi i mençur i lirisë suaj për të marrë vendimet vetjake është vendimtar për rritjen tuaj shpirtërore, tani e në përjetësi.
Të dashur vëllezër dhe motra të mia, çdo ditë është një ditë vendimi. Presidenti Tomas S. Monson na ka mësuar se “vendimet përcaktojnë fatin”1. Përdorimi i mençur i lirisë suaj për të marrë vendimet vetjake është vendimtar për rritjen tuaj shpirtërore, tani e në përjetësi. Asnjëherë nuk jeni tepër të rinj për të mësuar, asnjëherë tepër të vjetër për të ndryshuar. Dëshirimet tuaja për të mësuar e ndryshuar vijnë nga një etje e mbjellë hyjnisht për përparim të përjetshëm.2 Çdo ditë sjell mundësi për vendime përjetësie.
Ne jemi qenie të përjetshme – fëmijë shpirtërorë të prindërve qiellorë. Bibla shkruan se “Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, … krijoi mashkullin e femrën”3. Këto kohë dëgjova një kor fëmijësh të këndonte këngën e dashur “Fëmij’ i Per’ndis’ Jam”4. Pyesja veten: “Pse nuk e kam dëgjuar atë këngë të këndohet më shpesh nga nëna apo baballarë besnikë?” A nuk jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë? Në të vërtetë, asnjë prej nesh s’mund të pushojë kurrë së qeni një fëmijë i Perëndisë!
Si fëmijë të Perëndisë, duhet ta duam Atë me gjithë zemër dhe shpirt, madje më shumë se ç’duam prindërit tanë tokësorë.5 Duhet t’i duam fqinjët tanë si vëllezër dhe motra. S’ka urdhërime të tjera më të mëdha se këto.6 Dhe duhet ta nderojmë kurdoherë vlerën e jetës njerëzore, në secilën nga fazat e saj të shumta.
Shkrimi i shenjtë mëson se trupi e shpirti janë qenia [shpirti i gjallë] e njeriut.7 Si qenie dypjesëshe, secili nga ju mund ta falënderojë Perëndinë për dhuratat e Tij të paçmuara të trupit tuaj e të shpirtit tuaj.
Trupi Njerëzor
Vitet e mia të profesionit si mjek, më dhanë një respekt të thellë për trupin njerëzor. I krijuar nga Perëndia si një dhuratë për ju, ai është absolutisht mahnitës! Mendoni për sytë tuaj që shohin, veshët që dëgjojnë dhe gishtërinjtë që ndiejnë të gjitha gjërat e mahnitshme përreth jush. Truri juaj ju lejon që të mësoni, të mendoni e të arsyetoni. Zemra juaj pompon pa u lodhur ditë e natë, thuajse jashtë vetëdijes suaj.8
Trupi juaj vetëmbrohet. Dhembja vjen si paralajmërim që diçka nuk shkon mirë dhe kërkon vëmendje. Sëmundjet ngjitëse sulmojnë kohë pas kohe dhe, kur ato sulmojnë, formohen antitrupa që e rrisin qëndresën tuaj ndaj infektimit pasues.
Trupi juaj vetëndreqet. Të prerat dhe të vrarat shërohen. Kockat e thyera mund të forcohen përsëri. Kam përmendur veç një pjesë të vockël të shumë cilësive mahnitëse të trupit tuaj që janë dhënë nga Perëndia.
Megjithatë, duket se te çdo familje, në mos te çdo njeri, ekzistojnë disa gjendje fizike që kërkojnë kujdes të veçantë.9 Një mënyrë përballimi me një sfidë të tillë u dha nga Zoti. Ai tha: “Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur; … pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta të bëhen të forta në ta”10.
Shpeshherë shpirtra të mrekullueshëm vihen në trupa të papërkryer.11 Dhurata e një trupi të tillë, në fakt, mund ta forcojë një familje teksa prindër e fëmijë e ndërtojnë me gatishmëri jetën e tyre rreth atij fëmije të lindur me nevoja të veçanta.
Procesi i plakjes është gjithashtu dhuratë nga Perëndia, sikurse vdekja. Në fund, vdekja e trupit tuaj tokësor është e domosdoshme në planin e madh të Perëndisë për lumturinë.12 Përse? Sepse vdekja do ta lejojë shpirtin tuaj të kthehet në shtëpi tek Ai.13 Nga një këndvështrim i përjetshëm, vdekja është e parakohshme vetëm për ata që nuk janë të përgatitur të takojnë Perëndinë.
Meqë trupi juaj është një pjesë kaq jetike e planit të Perëndisë, nuk është çudi që Apostulli Pal e cilësoi atë “tempulli i Perëndisë”14. Sa herë që shikoheni në pasqyrë, shiheni trupin si tempullin tuaj. Kjo e vërtetë – e përtërirë me mirënjohje përditë – mund të ndikojë pozitivisht në vendimet tuaja për mënyrën se si do të kujdeseni për trupin tuaj e si do ta përdorni atë. Dhe ato vendime do të përcaktojnë fatin tuaj. Si është e mundur kjo? Ngaqë trupi është tempulli i shpirtit tuaj. Dhe, mënyra si e përdorni trupin tuaj, ndikon shpirtin tuaj. Disa nga vendimet që do të përcaktojnë fatin tuaj të përjetshëm, përfshijnë:
-
Ç’mënyrë do të zgjidhni që të kujdeseni e ta përdorni trupin tuaj?
-
Çfarë cilësish shpirtërore do të zgjidhni t’i zhvilloni?
Shpirti Njerëzor
Shpirti juaj është qenie e përjetshme. Zoti i tha profetit të Tij Abraham: “Ti u zgjodhe përpara se të lindeshe”15. Zoti tha diçka të ngjashme për Jeremian16 dhe shumë të tjerë17. Ai madje e tha këtë edhe për ju.18
Ati juaj Qiellor ju ka njohur për një kohë shumë të gjatë. Juve, si bir ose bijë e Tij, Ai ju zgjodhi të vini në tokë pikërisht në këtë kohë, që të jeni një udhëheqës në veprën e Tij të madhe mbi tokë.19 Ju u zgjodhët jo nga veçoritë tuaja trupore, por nga cilësitë tuaja shpirtërore, siç janë trimëria, guximi, integriteti i zemrës, një etje për të vërtetën, një uri për mençuri dhe një dëshirë për t’u shërbyer të tjerëve.
Ju i zhvilluat disa prej këtyre cilësive para jetës tokësore. Të tjerat mund t’i zhvilloni këtu në tokë20, kur i kërkoni ato me ngulm21.
Një cilësi shpirtërore me shumë rëndësi është ajo e vetëpërmbajtjes – fuqia për të vënë arsyen mbi dëshirën. Vetëpërmbajtja ngre një ndërgjegje të fuqishme. Dhe ndërgjegjja juaj përcakton reagimet tuaja morale në situata të vështira, tunduese dhe të lodhshme. Agjërimi e ndihmon shpirtin tuaj të zhvillojë sundim mbi dëshirat fizike. Agjërimi gjithashtu e rrit qasjen tuaj te ndihma e qiellit, sepse fuqizon lutjet tuaja. Përse kërkohet vetëpërmbajtje? Perëndia mbolli brenda nesh dëshira të fuqishme për ushqyerje dhe dashuri, që janë jetike për vazhdimësinë e familjes njerëzore.22 Kur i përmbajmë dëshirat tona brenda caqeve të ligjeve të Perëndisë, ne mund të gëzojmë jetë më të gjatë, dashuri më të madhe dhe gëzim të përkryer.23
Nuk është e papritur, pra, që tundimet më të shumta për të devijuar nga plani i Perëndisë për lumturinë, vijnë nëpërmjet keqpërdorimit të atyre dëshirave thelbësore të dhëna nga Perëndia. Kontrollimi i dëshirave tona nuk është gjithnjë i lehtë. Asnjë nga ne nuk i zotëron në mënyrë të përsosur.24 Ndodhin gabime. Bëhen lajthitje. Kryhen mëkate. Çfarë mund të bëjmë atëherë? Ne mund të mësojmë prej tyre. Dhe ne mund të pendohemi vërtet.25
Mund ta ndryshojmë sjelljen. Edhe vetë dëshirat tona mund të ndryshojnë. Si? Ka vetëm një mënyrë. Ndryshimi i vërtetë – ndryshimi i përhershëm – mund të vijë vetëm me fuqinë shëruese, pastruese dhe aftësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.26 Ai ju do – secilin nga ju!27 Ai ju lejon ta përdorni fuqinë e Tij kur zbatoni urdhërimet e Tij, me etje, seriozitet dhe përpikëri. Kaq e thjeshtë dhe e sigurt është kjo. Ungjilli i Jezu Krishtit është ungjill ndryshimi!28
Një shpirt i fortë njerëzor, që ka kontroll mbi lakmitë e mishit, është zot mbi emocionet dhe pasionet e jo skllav i tyre. Ky lloj lirie është aq jetik për shpirtin, sa është oksigjeni për trupin! Liria nga vetëskllavëria është çlirim i vërtetë!29
Ne jemi “të lirë të [zgjedhim] lirinë dhe jetën e përjetshme … ose të [zgjedhim] robërinë dhe vdekjen”30. Kur ne zgjedhim udhën më të lartë drejt lirisë dhe jetës së përjetshme, ajo udhë përfshin martesën.31 Shenjtorët e ditëve të mëvonshme shpallin se “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”. Ne gjithashtu dimë se “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme”32.
Martesa midis një burri dhe një gruaje është themelore për doktrinën e Zotit dhe vendimtare për planin e përjetshëm të Perëndisë. Martesa midis një burri dhe një gruaje është modeli i Perëndisë për një plotësi të jetës në tokë dhe në qiell. Modelin martesor të Perëndisë nuk mund ta shpërdoroni, ta keqkuptoni apo ta keqshpjegoni.33 Jo, nëse doni gëzim të vërtetë. Modeli martesor i Perëndisë mbron fuqinë e shenjtë të krijimit të jetës dhe gëzimin e intimitetit të vërtetë martesor.34 Dimë se Adamin dhe Evën Perëndia i martoi përpara se të përjetonin gëzimin e bashkimit si bashkëshortë.35
Në kohën tonë, qeveritë civile kanë interesim të posaçëm në mbrojtjen e martesës, sepse familjet e forta përbëjnë mënyrën më të mirë për t’u siguruar shëndetin, arsimimin, mirëqenien dhe përparimin brezave në rritje.36 Por qeveritë civile ndikohen rëndë nga prirjet shoqërore e filozofitë laike teksa shkruajnë, rishkruajnë dhe zbatojnë ligjet. Pavarësisht nga ligjet civile që mund të dekretohen, doktrina e Zotit në lidhje me martesën dhe moralshmërinë nuk mund të ndryshohet.37 Mbani mend: mëkati, edhe sikur të ligjërohet nga njeriu, është ende mëkat në sytë e Perëndisë!
Ndonëse duhet ta imitojmë dashamirësinë dhe dhembshurinë e Shpëtimtarit, ndonëse duhet t’i çmojmë të drejtat dhe ndjenjat e të gjithë fëmijëve të Perëndisë, ne nuk mundemi ta ndryshojmë doktrinën e Tij. Nuk na përket neve ta ndryshojmë. Doktrinën e Tij na përket ta studiojmë, ta kuptojmë e ta përkrahim.
Mënyra e jetës e Shpëtimtarit është e mirë. Mënyra e tij përfshin dëlirësi para martesës dhe besnikëri tërësore brenda martesës.38 Mënyra e Zotit është e vetmja mënyrë që ne të përjetojmë lumturi të qëndrueshme. Mënyra e Tij i sjell ngushëllim të pandërprerë qenies sonë dhe paqe të përhershme shtëpive tona. Dhe, më e mira e të gjithave, mënyra e Tij na prin drejt shtëpisë tek Ai dhe Ati ynë Qiellor, drejt jetës së përjetshme dhe ekzaltimit.39 Ky është vetë thelbi i veprës dhe i lavdisë së Perëndisë.40
Të dashur vëllezër dhe motra të mia, çdo ditë është një ditë vendimi dhe vendimet tona përcaktojnë fatin tonë. Një ditë secili prej nesh do të qëndrojë përpara Zotit për gjykim.41 Ne, secili, do të kemi një intervistë personale me Jezu Krishtin.42 Ne do të shpjegojmë vendimet që kemi marrë në lidhje me trupin tonë, cilësitë tona shpirtërore dhe mënyrën si e nderuam modelin e Perëndisë për martesën dhe familjen. I zgjedhshim ne me mençuri vendimet për përjetësinë të secilës ditë, është lutja ime e zjarrtë në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.