2010–2019
Konferenca e Përgjithshme: Forcimi i Besimit dhe i Dëshmisë
Tetor 2013


15:50

Konferenca e Përgjithshme: Forcimi i Besimit dhe i Dëshmisë

O sa nevojë kemi për konferencën e përgjithshme! Përmes konferencave besimi ynë forcohet dhe dëshmitë tona thellohen.

Faleminderit, Presidenti Monson, për mësimin dhe shembullin tuaj të shërbimit si të Krishtit dhe detyrën tuaj për të gjithë ne që të jemi misionarë. Ne gjithmonë lutemi për ty.

Në periudhën tonë ungjillore, Shpëtimtari Jezu Krisht e quajti mbledhjen e shenjtorëve “konferenc[a] [ime e] përgjithshme”1.

Kudo që jemi në këtë botë, sido që t’i marrim këto punime, dëshmoj se jemi mbledhur në konferencën e Tij. Dëshmoj edhe se do të dëgjojmë fjalën e Tij, sepse Ai ka thënë: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”2.

Konferencat gjithnjë kanë qenë pjesë e Kishës së vërtetë të Jezu Krishtit. Adami i mblodhi pasardhësit e tij dhe profetizoi për gjërat që do të vinin. Moisiu i mblodhi bijtë e Izraelit dhe u mësoi urdhërimet që kishte marrë. Shpëtimtari i mësoi turmat e mbledhura si në Tokën e Shenjtë ashtu edhe në kontinentin amerikan. Pjetri i mblodhi besimtarët në Jerusalem. Konferenca e parë e përgjithshme në këto ditë të fundit u mbajt vetëm dy muaj pasi u organizua Kisha dhe konferencat kanë vazhduar deri në këtë ditë.

Këto konferenca, të udhëhequra nga Shpirti i Tij, janë gjithnjë nën drejtimin e Zotit.3 Neve nuk na caktohen tema të veçanta. Me javë dhe muaj, shpesh gjatë netëve pa gjumë, ne presim nga Zoti. Përmes agjërimit, lutjes, studimit dhe përsiatjes, ne mësojmë mesazhin që Ai dëshiron të na japë.

Disa njerëz mund të pyesin: “Përse frymëzimi nuk vjen më lehtë dhe më shpejt?” Zoti e mësoi Oliver Kaudrin: “Ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë”4. Mesazhet e konferencës vijnë te ne pas përgatitjes plot lutje, përmes Frymës së Shenjtë.

Ky parim është i vërtetë për të gjithë anëtarët e Kishës kur përgatitemi të marrim pjesë në konferencat e lagjeve, të kunjeve dhe të përgjithshme. Ne e studiojmë tërësisht në mendjen tonë atë që na nevojitet dhe dëshirojmë nga Ati Qiellor, dhe lutemi ta kuptojmë e vëmë në jetë atë që na mësohet. Ndërsa koha për konferencën afrohet, ne i sakrifikojmë veprimtaritë e tjera, “lë[më] mënjanë gjërat e kësaj bote … [për të] kërk[uar] gjërat e një më të mire”5. Më pas, mbledhim familjet tona për të dëgjuar fjalën e Zotit, sikurse bënë njerëzit e mbretit Beniamin.6

Fëmijëve dhe të rinjve u pëlqen shumë të përfshihen në konferencë. Ne bëjmë një gabim të rëndë nëse mendojmë se konferenca është përtej ndjeshmërisë së tyre intelektuale e shpirtërore. Anëtarë të rinj në moshë të Kishës, ju premtoj se, nëse do të dëgjoni, ju do ta ndieni Shpirtin të rritet brenda jush. Zoti do t’ju tregojë se çfarë dëshiron Ai që ju të bëni me jetën tuaj.

Në konferenca ne mund të marrim fjalën e Zotit të dhënë posaçërisht për ne. Një anëtar dëshmoi: “Kur dëgjova fjalimin tënd, u shtanga. … Biseda jote ishte zbulesë vetjake drejtpërdrejt nga Zoti për familjen time. Kurrë nuk kam përjetuar një shfaqje të tillë të fortë të Shpirtit në jetën time sa në ato minuta, kur Fryma e Shenjtë më foli drejtpërdrejt.”

Një tjetër tha: “Kurrë nuk kam ndier më parë kaq thellësisht që një bisedë po më jepej mua”.

Kjo është e mundur sepse Fryma e Shenjtë e çon fjalën e Zotit në zemrat tona në mënyra që mund t’i kuptojmë.7 Kur mbaj shënime në konferencë, nuk shkruaj gjithmonë me përpikëri atë që po thotë folësi; unë shënoj drejtimin vetjak që Shpirti po më jep mua.

Ajo që thuhet nuk është aq e rëndësishme sa ajo që dëgjojmë dhe ajo që ndiejmë.8 Kjo është arsyeja përse ne bëjmë një përpjekje për të përjetuar konferencën në një ambient ku mund të dëgjohet, ndihet dhe kuptohet qartësisht zëri i vogël e i qetë i Shpirtit.

O sa nevojë kemi për konferencën e përgjithshme! Përmes konferencave besimi ynë forcohet dhe dëshmitë tona thellohen. Dhe kur kthehemi në besim, ne forcojmë njëri-tjetrin për të qëndruar të fortë mes shigjetave të zjarrta të këtyre ditëve të fundit.9

Në dhjetëvjeçarët e fundit, Kisha kryesisht ka shpëtuar nga keqkuptimet e lemerishme dhe përndjekjet e përjetuara nga shenjtorët e hershëm. Nuk do të jetë gjithmonë kështu. Bota po largohet nga Zoti më shpejt dhe më larg se ndonjëherë më parë. Kundërshtari po ushtron ndikimin dhe fuqinë e tij mbi tokë. Ne i shohim, i dëgjojmë, i lexojmë, i studiojmë dhe i tregojmë fjalët e profetëve që të jemi të paralajmëruar dhe të mbrojtur. Për shembull “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” u dha kohë përpara se ne të përjetonim sfidat që po përjeton tani familja. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” u përgatit përpara kohës kur neve do të na nevojitej më tepër.

Ne mund të mos i dimë të gjitha arsyet përse profetët dhe folësit në konferencë na flasin me tema të caktuara në konferencë, por Zoti e di. Presidenti Harold B. Li dha mësim: “E vetmja siguri që ne kemi si anëtarë të kësaj kishe, është t’u … vëmë veshin fjalëve dhe urdhërimeve që Zoti do të japë përmes profetit të Tij. Do të ketë disa gjëra që kërkojnë durim dhe besim. Ju mund të mos e pëlqeni atë që vjen nga autoriteti i Kishës. Ajo mund të hedhë poshtë pikëpamjet tuaja [vetjake]. Ajo mund të hedhë poshtë pikëpamjet tuaja sociale. Ajo mund të ndërhyjë disi në jetën tuaj shoqërore. Por nëse ua vini veshin këtyre gjërave, si nga goja e Vetë Zotit, me durim e besim, premtimi është se ‘portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; … dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij’ (DeB 21:6).”10

Si e dinte Presidenti Li atë që ne do të përballonim në kohën tonë? Ai e dinte sepse ishte një profet, shikues dhe zbulues. Dhe nëse i dëgjojmë dhe u bindemi profetëve tani, duke përfshirë ata që do të flasin pikërisht në këtë konferencë, ne do të forcohemi dhe mbrohemi.

Bekimet më të mëdha të konferencës së përgjithshme vijnë te ne pasi përfundon konferenca. Kujtoni modelin e shënuar shpesh në shkrimin e shenjtë: ne mblidhemi për të dëgjuar fjalët e Zotit, dhe kthehemi në shtëpitë tona për t’i jetuar ato.

Pasi mbreti Beniamin i dha mësim popullit të tij, “ai e shpërndau turmën dhe ata u kthyen çdonjëri sipas familjeve të tyre në shtëpitë e tyre”11. Në këtë kohë, mbreti Limhi bëri të njëjtën gjë.12 Pasi u dha mësim dhe u shërbeu njerëzve në tempullin në vendin Begati, Shpëtimtari iu përgjërua njerëzve: “Shkoni në shtëpitë tuaja dhe meditoni mbi gjërat që kam thënë dhe i kërkoni Atit, në emrin tim, që të mund të kuptoni dhe përgatitni mendjen për nesër dhe unë do të vij te ju përsëri”13.

Ne e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit kur përsiatim dhe lutemi për të kuptuar atë që na është mësuar, dhe më pas shkojmë përpara dhe bëjmë vullnetin e Tij. Kujtoni fjalët e Presidentit Spenser W. Kimball: “E kam ndarë mendjen që kur të shkoj në shtëpi nga kjo konferencë [e përgjithshme] … ka shumë, shumë fusha në jetën time që mund të përsos. Kam bërë një listë në mendje për to, dhe pres të shkoj në punë sapo të mbarojmë.”14 Presidenti Monson kohët e fundit tha: “Unë ju nxis t’i lexoni … bisedat dhe të përsiatni për mesazhet që përmbahen aty. Kam zbuluar nga vetë jeta ime se përfitoj edhe më shumë nga këto predikime të frymëzuara kur i studioj me thellësi më të madhe.”15

Përveçse na fton të mbajmë studim vetjak e familjar të shkrimeve të shenjta, Ati Qiellor dëshiron që ne t’i studiojmë rregullisht dhe t’i vëmë në jetë ato që kemi mësuar në konferencë. Dëshmoj se ata që e vënë besimin e tyre në Zot dhe ia vënë veshin kësaj këshille me besim, do të fitojnë forcë të madhe për të bekuar veten dhe familjet e tyre për brezat që do të vijnë.

Ati Qiellor e ka siguruar udhën. Në këtë konferencë, 97 përqind e [anëtarëve të] Kishës mund t’i dëgjojnë këto mesazhe në vetë gjuhën e tyre. Miliona anëtarë në 197 vende do ta shohin këtë konferencë në 95 gjuhë. Në vetëm dy ose tri ditë, mesazhet do të shfaqen në LDS.org në gjuhën angleze dhe brenda një jave ato do të fillojnë të jenë të gjindshme në 52 gjuhë. Tani ne i marrim revistat e Kishës të shtypura brenda tri javëve prej konferencës së përgjithshme. Nuk kemi përse të presim më muaj për bisedat që të vijnë nëpërmjet postës. Në një kompjuter, telefon ose pajisje tjetër elektronike, ne mund të lexojmë, dëgjojmë, shikojmë dhe t’i tregojmë mësimet e profetëve. Në çdo kohë, kudo, ne mund të rrisim njohurinë tonë, të forcojmë besimin e dëshminë tonë, t’i mbrojmë familjet tona dhe t’i drejtojmë të sigurta në shtëpi.

Mesazhet e kësaj konference gjithashtu do të përfshihen në programin mësimor të të rinjve në internet. Prindër, ju vetë mund të keni qasje te mësimet e të rinjve në adresën LDS.org. Zbuloni se çfarë po mësojnë fëmijët tuaj, dhe bëjeni atë temë të vetë studimit tuaj, të diskutimeve familjare, mbrëmjeve familjare, këshillave familjarë dhe intervistave vetjake me secilin prej fëmijëve tuaj lidhur me atë që ata kanë nevojë t’u mësohet veçan.

I nxis të gjithë anëtarët të përdorin burimet në faqet e internetit të Kishës dhe programet në celular. Ato përpunohen vazhdimisht në mënyrë që të jenë më të lehta për t’u përdorur dhe më të përshtatshme për jetën tonë. Në LDS.org ju do të gjeni burime që ju ndihmojnë të studioni ungjillin, të forconi shtëpinë e familjen tuaj dhe të shërbeni në thirrjen tuaj. Gjithashtu mund të gjeni paraardhësit tuaj të cilët kanë nevojë për ordinancat e tempullit, dhe burime për t’ju mbështetur në punën e shpëtimit, përfshirë ndarjen e ungjillit. Prindërit mund të marrin drejtimin në përgatitjen e fëmijëve të tyre për pagëzim, priftërinë dhe misionet kohëplota dhe tempullin. Ata mund të na ndihmojnë të ecim në shtegun e ngushtë e të ngushtuar të ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit dhe të na kualifikojnë për bekimin e jetës së përjetshme.

Në konferencën e kaluar të prillit, në mbledhjen e përgjithshme të priftërisë, tregova për babanë tim që vizatoi një figurë të një luftëtari të armatosur për të më mësuar mua rreth veshjes së tërë armatimit të Perëndisë dhe mbrojtjes shpirtërore që sjell ai.

Pasi ky sesion përfundoi, një baba i tregoi familjes së tij atë që kishte mësuar. I frymëzuar, djali i tyre i ri, Xhejson, kërkoi në LDS.org për ta dëgjuar vetë mesazhin. Disa ditë më vonë ai u shfaq në mbrëmjen familjare për t’ua treguar mësimin vëllezërve dhe motrave të tij. Ja tek është.

Jason

Një mesazh i thjeshtë nga konferenca, i frymëzuar nga Zoti, i marrë nga një fëmijë, iu dha mësim një familjeje në një mënyrë vetjake e të fuqishme. E dua parzmoren e tij të drejtësisë. E dua mburojën e tij të besimit që të ndalojë shigjetat e zjarrta të kundërshtarit. Këto janë bekimet e konferencës.

Vëllezërit e motrat e mia, jap dëshminë time të veçantë se Zoti Jezu Krisht jeton dhe qëndron në krye të kësaj Kishe. Kjo është konferenca e Tij e përgjithshme. Ju premtoj në emrin e Tij se, nëse luteni me një dëshirë të sinqertë për të dëgjuar zërin e Atit tuaj Qiellor në mesazhet e kësaj konference, ju do të zbuloni se Ai ju ka folur për t’ju ndihmuar, për t’ju forcuar dhe për t’ju drejtuar në shtëpi, në prani të Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.