“3–9 Qershor. Gjoni 13–17: ‘Qëndroni në Dashurinë Time’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“3–9 Qershor. Gjoni 13–17”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
3–9 Qershor
Gjoni 13–17
“Qëndroni në Dashurinë Time”
Teksa studioni me lutje Gjonin 13–17, përsiatni se si ju mund të tregoni më mirë dashuri për ata të cilëve u jepni mësim. Fryma e Shenjtë do të sjellë ide në mendjen tuaj teksa studioni shkrimet e shenjta, manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe këtë përvijim të mësimit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shkruani në tabelë numrat 13 deri në 17, që përfaqësojnë kapitujt në Ungjillin sipas Gjonit që anëtarët e klasës i lexuan këtë javë. Ftojini disa anëtarë të klasës që të shkruajnë, pranë secilit numër të kapitullit, referencën e një vargu që e gjetën domethënës dhe që do të donin ta diskutonin si klasë.
Jepni Mësim Doktrinën
Shpëtimtari është shembulli ynë i shërbimit me përulësi ndaj të tjerëve.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës suaj që ta përsiatin kuptimin e Jezusit që u lan këmbët dishepujve të Tij, ju mund ta ftoni një anëtar të klasës që më përpara që të luajë rolin e Pjetrit në këtë tregim dhe të intervistohet nga pjesa tjetër e klasës. Nxitini anëtarët e klasës që të bëjnë kërkim te Gjoni 13:1–17 dhe të mendojnë për pyetje kuptimplote që mund t’ia bënin Pjetrit. Çfarë mësojmë nga ky rrëfim që mund ta ndikojë mënyrën se si u shërbejmë të tjerëve?
Dashuria është karakteristika përcaktuese e dishepujve të Krishtit.
-
Çfarë mund t’i nxitë anëtarët e klasës që të jenë më të dashur? Ndoshta ju mund t’i pyetni se si mund të dallojnë se dikush që e takojnë, është një pasues i Krishtit. Çfarë tiparesh vënë re te personi? Mund t’i ftoni të bëjnë kërkim te Gjoni 13:34–35 për të mësuar se si mund të dallohen dishepujt e vërtetë të Shpëtimtarit. Çfarë mund të bëjmë për ta bërë dashurinë karakteristikën përcaktuese të dishepullimit tonë? Si e ndikon ky mësim mënyrën se si i trajtojmë të tjerët, përfshirë ata në mediat shoqërore?
-
Si klasë, ju keni mësuar shumë rreth jetës së Shpëtimtarit këtë vit, përfshirë shumë shembuj të mënyrës se si Ai e shfaqi dashurinë e Tij për të tjerët. Një mënyrë për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin urdhërimin te Gjoni 13:34, mund të jetë që të shkruani në tabelë Sikurse Unë Ju Kam Dashur dhe t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të renditin shembuj që i kujtojnë nga Dhiata e Re, të cilët ilustrojnë dashurinë e Jezusit. Më pas mund të shkruani në tabelë Doni Njëri-Tjetrin dhe kërkojuni anëtarëve të klasës që të renditin mënyra se si mund ta ndjekin shembullin e Tij për dashurinë. Të kënduarit ose të dëgjuarit e himnit “Doni Njëri-Tjetrin”, Himne, nr. 203, ose të shikuarit e njërit prej materialeve filmike te pjesa “Burime Shtesë”, do të ishte një shtesë e mirë për këtë veprimtari.
-
Nëse nuk ndihemi veçanërisht të dashur ndaj të tjerëve, çfarë mund të bëjmë që ta kërkojmë dhuratën e dashurisë? Çfarë i shton këshilla te Moroni 7:48; 8:26 të kuptuarit tonë për këtë dhuratë? Kë njohim që ka nevojë ta ndiejë dashurinë tonë?
Gjoni 14:16–27; 15:26; 16:7–15
Fryma e Shenjtë na aftëson që ta përmbushim qëllimin tonë si dishepuj të Jezu Krishtit.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mësojnë rreth roleve të ndryshme të Frymës së Shenjtë, merreni parasysh t’i ndani në grupe dhe t’i jepni secilit grup një nga fragmentet vijuese: Gjoni 14:16–27; 15:26 dhe 16:7–15. Ftojeni secilin grup të shkruajë në tabelë atë që mëson rreth Frymës së Shenjtë nga këto fragmente. Anëtarët e klasës mund të shtojnë ide të tjera që i gjejnë teksa shqyrtojnë shkrimet e shenjta, të renditura në pjesën “Burime Shtesë”. Kur e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë? Çfarë sendesh ose mjetesh pamore mund të sillni në klasë që do t’i ndihmonin anëtarët e klasës të kuptonin rolet e Frymës së Shenjtë?
-
Merreni parasysh t’i ftoni disa anëtarë të klasës që më parë për të studiuar një nga bisedat e konferencës së përgjithshme, të sugjeruar te pjesa “Burime Shtesë” (ose biseda të tjera konference që ata i njohin) rreth Frymës së Shenjtë. Lejojini që t’i tregojnë shkurtimisht klasës atë që mësuan. Çfarë u shtojnë këto mesazhe gjërave që kemi mësuar rreth Frymës së Shenjtë nga Gjoni 14–16?
Kur qëndrojmë në Shpëtimtarin, ne do të jemi frytdhënës dhe do të kemi gëzim.
-
Çfarë mësuan anëtarët e klasës këtë javë nga shëmbëlltyra e Shpëtimtarit për hardhinë dhe shermendet? Merreni parasysh të sillni një bimë të vogël në klasë dhe ta përdorni atë për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që ta përfytyrojnë shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit. Pasi ta lexoni si klasë Gjonin 15:1–12, ju mund të diskutoni se çfarë do të thotë të “qëndroni në [Krishtin]” (Gjoni 15:4). Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të tregojnë se si e kanë mësuar që vargu Gjoni 15:5 është i vërtetë. (Shihni edhe thënien nga Plaku Xhefri R. Holland te pjesa “Burime Shtesë”.) Materiali filmik “The Will of God” [“Vullneti i Perëndisë”] (LDS.org) gjithashtu mund të jetë i dobishëm në këtë diskutim.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë përsosurisht të bashkuar dhe Ata duan që edhe ne të jemi të bashkuar.
-
Ju ndoshta nuk mund t’i jepni mësim të gjitha të vërtetat e rëndësishme që gjenden te Gjoni 17 në një diskutim në klasë, por ja një mënyrë se si ta ndihmoni klasën që të shqyrtojë disa prej tyre. Renditni në tabelë koncepte nga Gjoni 17, të tilla si këto:
-
Marrëdhënia jonë me Jezu Krishtin
-
Marrëdhënia e Jezu Krishtit me Atin e Tij
-
Marrëdhënia jonë me pjesën tjetër të botës
-
Marrëdhënia jonë me njëri-tjetrin si dishepuj të Tij
Ftojeni secilin anëtar të klasës që të zgjedhë një prej këtyre koncepteve dhe ta lexojë Gjonin 17, duke kërkuar vargje që lidhen me të. Kërkojuni disa anëtarëve të klasës ta tregojnë atë që mësojnë.
-
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që t’i lexojnë Mateun 26; Markun 14; Llukën 22 dhe Gjonin 18 gjatë javës së ardhshme, ju mund t’u thoni atyre se në këta kapituj do të lexojnë rreth njërit prej çasteve shumë të rëndësishme në planin e madhërishëm të Perëndisë për shpëtimin.
Burime Shtesë
Materiale filmike në LDS.org rreth dashurisë.
-
“Duajeni Njëri-Tjetrin”
-
“Familjet Sakrifikojnë, Japin dhe Duan”
-
“Përgatitja e Tomas S. Monsonit: Ai Mësoi Dhembshuri në Rininë e Tij”
Fryma e Shenjtë.
-
Veprat e Apostujve 2:37–38; Galatasve 5:22–23; 1 Nefi 10:17–19; 2 Nefi 32:3–5; Mosia 3:19; 3 Nefi 27:20; Moroni 8:26; 10:4–5; Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 42:17
-
Robert D. Hejls, “Fryma e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 105–107.
-
Henri B. Ajring, “Fryma e Shenjtë si Shoqëruesi Juaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 104–107.
-
Dejvid A. Bednar, “Merrni Frymën e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 94–97.
Të qëndruarit në Krishtin.
Duke vënë në dukje që fjala qëndroni ka ngjyrime kuptimore të vazhdimësisë dhe zotimit, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:
“Kuptimi i kësaj [fjale] atëherë është ‘qëndroj – por qëndroj përgjithmonë’. Ajo është thirrja e mesazhit të ungjillit. … Ejani, por ejani që të qëndroni. Ejani me bindje dhe durueshmëri. …
Jezusi tha: ‘Sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë’ [Gjoni 15:5]. Unë dëshmoj se ajo është e vërteta e Perëndisë. Krishti është gjithçka për ne dhe ne duhet të ‘qëndrojmë’ në Të në mënyrë të përhershme, të paepur, të patundur, përgjithmonë. Që fryti i ungjillit të lulëzojë dhe ta bekojë jetën tonë, ne duhet të bashkohemi në mënyrë të palëkundshme me Të, Shpëtimtarin e të gjithëve ne, dhe me këtë Kishë të Tij, e cila mban emrin e Tij të shenjtë. Ai është hardhia që është burimi ynë i vërtetë i forcës dhe i vetmi burim i jetës së përjetshme. Në Të ne jo vetëm do të durojmë, por edhe do të dalim ngadhënjimtarë e triumfues në këtë kauzë të shenjtë që kurrë nuk do të na bëjë të dështojmë” (“Abide in Me” [“Qëndroni në Mua”], Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 32).