Eja, Më Ndiq
27 Maj–2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut do të Vijë’


“27 Maj–2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut do të Vijë’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“27 Maj–2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Ardhja e Dytë

Ardhja e Dytë, nga Harry Anderson

27 Maj–2 Qershor

Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21

“Biri i Njeriut do të Vijë”

Mbani mend ta filloni përgatitjen tuaj për mësimdhënien duke lexuar me lutje Joseph Smith – Mateun 1; Mateun 25; Markun 12–13 dhe Llukën 21. Kërkoni frymëzim për veten tuaj dhe më pas rishikojeni këtë përvijim të mësimit për ide shtesë.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Bëni një listë në tabelë të shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit që gjenden në leximin e kësaj jave, të tilla si ajo e pemës së fikut, zotit të shtëpisë dhe vjedhësit, shërbëtorit besnik dhe shërbëtorit të mbrapshtë, dhjetë virgjëreshave, talentave, si dhe e deleve dhe cjepve. Kërkojuni anëtarëve të klasës që të tregojnë për të vërteta që i mësuan nga këto shëmbëlltyra, të cilat mund t’i ndihmojnë të përgatiten për Ardhjen e Dytë të Zotit. Çfarë po bëjnë që t’i zbatojnë këto të vërteta në jetën e tyre?

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Joseph Smith – Mateu 1:21–37

Profecitë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit mund të na ndihmojnë që të përballemi me të ardhmen me besim.

  • Shenjat e Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit mund të jenë të vështira që të kuptohen për disa anëtarë të klasës. Mund t’i ndihmojë ata që të punojnë në grupe dhe të përcaktojnë shenja që i gjejnë te Joseph Smith – Mateu 1:21–37. Mund t’i ndihmojë gjithashtu që ta kuptojnë më mirë rëndësinë e këtyre shenjave nëse i krahasojnë ato me shenjat rrugore. Përse janë të rëndësishme shenjat rrugore? Çfarë sugjeron kjo rreth shenjave të Ardhjes së Dytë? Ju mund t’i jepni secilit grup fletë letre në formën e shenjave rrugore dhe t’i ftoni të shkruajnë në secilën fletë një shenjë që do ta paraprijë Ardhjen e Dytë. Lejojini të tregojnë për atë që gjetën, dhe ftojeni klasën të diskutojë prova të këtyre shenjave në botë sot.

  • përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, anëtarët e klasës u ftuan të gjenin këshillë në këto vargje rreth mënyrës se si mund të “mos shqetësohen” gjatë ngjarjeve që çojnë drejt Ardhjes së Dytë (shih edhe thënien nga Presidenti Tomas S. Monson në pjesën “Burime Shtesë”). Paraqitni një fotografi që paraqet Ardhjen e Dytë (shih Ardhja e Dytë, Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 66) dhe ftojini anëtarët e klasës të japin vargje që i vunë re gjatë studimit të tyre vetjak. Përse është bekim të dimë rreth ngjarjeve që çojnë drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit?

Joseph Smith – Mateu 1:26–27, 38–55; Mateu 25:1–13

Ne duhet të jemi gjithmonë gati për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

  • Edhe pse Shpëtimtari na ka kërkuar të jemi gjithmonë gati për Ardhjen e Tij të Dytë, është e lehtë të përfshihemi në jetën e përditshme dhe të mos mendojmë shumë për të. Shëmbëlltyrat te Joseph Smith – Mateu 1:26–27, 38–55 dhe Mateu 25:1–13 mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që të dallojnë rëndësinë e të qenit të përgatitur për Ardhjen e Dytë. Ftojini anëtarët e klasës që t’i gjejnë këto shëmbëlltyra e krahasime dhe të tregojnë se çfarë u mësojnë ato rreth të qenit të përgatitur për Ardhjen e Dytë. Ndoshta një ose dy anëtarë të klasës mund të vijnë të përgatitur me një përshkrim krijues të njërës prej këtyre shëmbëlltyrave.

  • Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të mendojnë për përgatitjen e tyre shpirtërore për të takuar Shpëtimtarin. Plaku Dejvid A. Bednar dha një interpretim të shëmbëlltyrës që mund të ndihmojë (shih “Burime Shtesë”). Anëtarët e klasës mund të diskutojnë se çfarë mund të bëjmë në jetën tonë të përditshme për t’u bërë plotësisht të kthyer në besimin tek ungjilli. Përse secili prej nesh duhet të përjetojë kthimin në besim për veten tonë? Çfarë i shton Doktrina e Besëlidhje 45:56–57 të kuptuarit tonë për këtë shëmbëlltyrë?

  • Ju mund të këndoni së bashku himne rreth Ardhjes së Dytë dhe të diskutoni mesazhet që ato na japin mësim (shih “Burime Shtesë”).

Mateu 25:14–46

Në Gjykimin e Fundit, ne vërtet do t’i japim Zotit një llogari të jetës sonë.

  • Shëmbëlltyra e talentave dhe shëmbëlltyra e deleve dhe cjepve mund të na frymëzojnë që të mendojmë rreth llogarisë së jetës sonë të cilën do t’ia japim Zotit në Gjykimin e Fundit. Ju mund t’i lexoni shëmbëlltyrat së bashku dhe ta ftoni secilin anëtar të klasës që të tregojë për një pyetje që mund ta bëjë Shpëtimtari kur ne të japim një llogari të jetës sonë. Siguroni kohë për anëtarët e klasës që të planifikojnë mënyra se si do të veprojnë sipas mbresave që kanë marrë gjatë diskutimit.

    delet dhe cjeptë

    Krishti i përdori delet dhe cjeptë që të jepte mësim rreth Gjykimit të Fundit (shih Mateu 25:31–33).

  • Ju mund të doni të rishikoni me anëtarët e klasës përkufizimin e Gjykimit të Fundit që gjendet në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Gjykim, i Fundit”, scriptures.lds.org. Më pas, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të rishikojnë disa shkrime të shenjta rreth asaj se si do të jetë Gjykimi i Fundit, të tilla si Alma 5:17–25. Çfarë na frymëzojnë të bëjmë këto vargje që të përgatitemi për atë ditë?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të gjejnë kuptim vetjak në shëmbëlltyrën e talentave (shih Mateu 25:14–30), jepni disa ide ose përdorni një veprimtari nga “The Parable of the Talents” [“Shëmbëlltyra e Talentave”], nga Plaku Ronald A. Rasband (Ensign, gusht 2003, f. 32–35).

  • Që të frymëzoni një diskutim rreth Mateut 25:34–40, ju mund të ftoni anëtarë të klasës që të tregojnë shembuj të njerëzve që e paraqesin dhembshurinë e përshkruar në këto vargje. Jepuni kohë të përsiatin se kush mund të ketë nevojë për shërbimin e tyre. Cilat janë disa mënyra praktike se si mund t’i ushqejmë të uriturit, veshim të zhveshurit dhe vizitojmë të sëmurët?

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës ta lexojnë Gjonin 13–17 gjatë javës së ardhshme, kërkojuni të mendojnë rreth asaj që do t’i thoshin një biri ose bije pikërisht përpara se ai ose ajo të largohej për në mision. Te Gjoni 13–17, do të lexojmë udhëzimet e fundit që Shpëtimtari ua dha dishepujve të Tij përpara Kryqëzimit të Tij.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21

Himne rreth Ardhjes së Dytë.

Vaji i kthimit në besim.

Plaku Dejvid A. Bednar sugjeroi këtë interpretim të mundshëm të shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave:

“Vajin konsiderojeni si vaji i kthimit në besim [shih Mateu 25:4–9]. …

A qenë pesë virgjëreshat e mençura egoiste dhe jo të gatshme për të ndarë vajin, apo ato po vinin në dukje me të drejtë se vaji i kthimit në besim nuk mund të merret hua? A mund t’i jepet një njeriu tjetër forca shpirtërore që vjen si pasojë e bindjes së vazhdueshme ndaj urdhërimeve? A mund t’i kalohet dikujt që ka nevojë, njohuria e fituar nëpërmjet studimit të zellshëm dhe meditimit mbi shkrimet e shenjta? A mund t’i përçohet një individi që po përjeton fatkeqësi ose sfidë të madhe, paqja që i sjell ungjilli një shenjtori besnik të ditëve të mëvonshme? Përgjigjja e qartë për secilën prej këtyre pyetjeve është jo.

Sikurse e përforcuan siç duhej virgjëreshat e mençura, secili prej nesh duhet ‘të shko[jë të] ble[jë]’. Këto gra të frymëzuara nuk po përshkruanin një transaksion biznesi; përkundrazi, ato po theksonin përgjegjësinë tonë individuale për ta mbajtur ndezur llambën tonë të dëshmisë dhe për të marrë një furnizim të mjaftueshëm me vajin e kthimit në besim. Vaji i çmuar merret pikë pas pike – ‘rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30), me durim dhe këmbëngulje” (“Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 109).

Mos u frikësoni.

Presidenti Tomas S. Monson tha:

“Megjithëse retë e stuhishme mund të mblidhen, megjithëse shirat mund të derdhen mbi ne, dija jonë për ungjillin dhe dashuria jonë për Atin Qiellor dhe për Shpëtimtarin tonë do të na ngushëllojnë e mbështetin dhe do t’i sjellin gëzim zemrave tona, kur ecim drejtësisht dhe mbajmë urdhërimet. …

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, mos u frikësoni. Merrni zemër. E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj” (“Merrni Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 92).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Sigurohuni që po jepni mësim doktrinën e vërtetë. “Vazhdimisht pyetni veten: ‘Si do t’i ndihmojë ajo që po e jap mësim, anëtarët e klasës sime që të ndërtojnë besim në Krishtin, të pendohen, të bëjnë e të mbajnë besëlidhje me Perëndinë dhe ta marrin Frymën e Shenjtë?’ (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtaritf. 20).