Eja, Më Ndiq
27 Maj–2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut do të Vijë’


“27 Maj–2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut do të Vijë’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“27 Maj–2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Ardhja e Dytë

Ardhja e Dytë, nga Harry Anderson

27 Maj–2 Qershor

Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21

“Biri i Njeriut do të Vijë”

Ndërkohë që lexoni Joseph Smith – Mateun 1; Mateun 25; Markun 12–13 dhe Llukën 21, ju mund të pyetni: “Çfarë mesazhesh kanë këta kapituj për mua? Për familjen time? Për thirrjen time?”

Shënojini Mbresat Tuaja

Dishepujt e Jezusit duhet ta kenë menduar profecinë e Tij befasuese: tempulli i fuqishëm i Jerusalemit, qendra shpirtërore dhe kulturore e popullit judeas, do të shkatërrohej kaq tërësisht sa “nuk do të mbete[j] … asnjë gur mbi gur”. Natyrisht dishepujt dëshironin të dinin më shumë. “Kur do të ndodhin këto gjëra?” – pyetën ata. “Dhe cila është shenja e ardhjes sate?” (Joseph Smith – Mateu 1:2–4). Përgjigjet e Shpëtimtarit zbuluan se shkatërrimi i madh që do t’i vinte Jerusalemit – një profeci e përmbushur në 70 ps.K. – do të ishte relativisht i vogël po të krahasohej me shenjat e ardhjes së Tij në ditët e fundit. Gjërat që duken madje më të qëndrueshme sesa tempulli në Jerusalem, do të provohen se janë të përkohshme – dielli, hëna, yjet, kombet dhe deti. Madje “fuqitë e qiejve do të tronditen” (Joseph Smith – Mateu 1:33). Nëse jemi shpirtërisht të vëmendshëm, kjo rrëmujë mund të na mësojë që ta vendosim besimin tonë në diçka vërtet të përhershme. Siç premtoi Jezusi: “Qielli dhe toka do të kalojnë, përsëri fjalët e mia nuk do të kalojnë. … Dhe kushdo që e mbledh fjalën time si thesar, nuk do të mashtrohet” (Joseph Smith – Mateu 1:35, 37).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Joseph Smith – Mateu

Çfarë është Joseph Smith – Mateu?

Joseph Smith – Mateu, që ndodhet në Perlën me Vlerë të Madhe, është një pjesë e shkëputur nga Përkthimi prej Joseph Smith-it i Biblës. Ai përfshin rishikime të vargut të fundit të Mateut 23 dhe të gjithë Mateut 24 (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkthim i Joseph Smith-it”). Rishikimet e frymëzuara të Biblës prej Jozef Smithit rivendosin të vërteta të çmuara, të cilat ishin humbur. Vargjet 12–21 të Joseph Smith – Mateut u drejtohen shkatërrimit të Jerusalemit në lashtësi; vargjet 21–55 përmbajnë profeci rreth ditëve të fundit.

Joseph Smith – Mateu 1:21–37; Marku 13:21–37; Lluka 21:25–38

Profecitë rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit mund të më ndihmojnë që ta përballoj të ardhmen me besim.

Mund të jetë shqetësuese të lexoni rreth ngjarjeve që do të ndodhin deri në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Por kur Jezusi profetizoi për këto ngjarje, Ai u tha dishepujve të Tij që të “mos shqetësohen” (Joseph Smith – Mateu 1:23). Si mund të “mos shqetësohen[i]” kur dëgjoni për tërmete, luftëra, mashtrime dhe zi buke? Mendoni për këtë pyetje teksa i lexoni këto vargje. Shenjoni ose shënoni çdo këshillë siguridhënëse që gjeni.

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 29:14–21; 38:30; 45:16–52; 88:86–94; “Second Coming of Jesus Christ” [“Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit”], Gospel Topics [Temat e Ungjillit], topics.lds.org.

Joseph Smith – Mateu 1:26–27, 38–55; Mateu 25:1–13; Lluka 21:29–36

Unë duhet të jem gati për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Perëndia nuk e ka zbuluar “as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut” (Mateu 25:13). Por Ai nuk do që ajo ditë të na vijë “në befasi” (Lluka 21:34), prandaj na ka dhënë këshillë rreth mënyrës si të përgatitemi.

Teksa lexoni këto vargje, përcaktoni shëmbëlltyrat dhe krahasime të tjera që Shpëtimtari i përdori për të na mësuar se si të jemi gjithmonë të përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë. Çfarë mësoni prej tyre? Çfarë frymëzoheni të bëni?

Mateu 25:14–30

Ati Qiellor pret nga unë që t’i përdor dhuratat e Tij me urtësi.

Në kohën e Shpëtimtarit, një “talent” ishte monedhë. Por shëmbëlltyra e Zotit për talentat mund të na mësojë rreth asaj se si Ai dëshiron që ta përdorim çdo bekim që Ai na e ka dhënë. Zoti pret nga ne që ta përmirësojmë atë që Ai na ka dhënë. Teksa e lexoni këtë shëmbëlltyrë, bëni një listë të disa prej bekimeve dhe mundësive që Ati Qiellor ju ka dhënë. Çfarë pret Ai që ju të bëni me këto bekime? Si mund t’i përdorni këto dhunti më me urtësi? Si janë zmadhuar talentet tuaja kur i keni shërbyer Zotit?

Mateu 25:31–46

Kur i shërbej familjes sime dhe të tjerëve, unë po i shërbej Perëndisë.

Nëse e keni pyetur ndonjëherë veten se si Zoti do ta gjykojë jetën tuaj, lexoni shëmbëlltyrën e deleve dhe të cjepve. Çfarë do të ketë më shumë rëndësi kur të qëndroni përpara Krishtit?

Shih edhe Mosia 2:17.

Marku 12:18–27

A do të vazhdojnë martesat pas Ringjalljes?

Ne mësojmë nga zbulesa moderne se thënia e Jezusit: “Kur të jenë jashtë botës, ata as nuk martohen, as nuk jepen në martesë”, u drejtohet atyre që nuk kanë hyrë në besëlidhjen e martesës çelestiale (shih DeB 132:15–16). Një martesë çelestiale, në të cilën “një burrë martohet me një grua … me anë të besëlidhjes së re dhe të përjetshme”, do të zgjatë “përmes gjithë përjetësisë” nëse bashkëshorti e bashkëshortja janë të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre (DeB 132:19).

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Joseph Smith – Mateu

Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta shqyrtojë këtë kapitull, ftojeni të kërkojë mësimet e Shpëtimtarit rreth mënyrës se si mund të përgatitemi për Ardhjen e Tij të Dytë (shih, për shembull, vargjet 22–23, 29–30, 37, 46–48). Çfarë mund të bëjë familja juaj për ta ndjekur këtë këshillë?

Joseph Smith – Mateu 1:22, 37

Çfarë do të thotë ta mbledhësh fjalën e Perëndisë si thesar? Si mund ta bëjmë këtë gjë si familje? Si do të na ndihmojë bërja e kësaj gjëje që ta shmangim të qenit të mashtruar?

Mateu 25:1–13

Ju mund të përdorni figurën e dhjetë virgjëreshave që e shoqëron këtë përvijim të mësimit, për të diskutuar Mateun 25:1–13. Çfarë detajesh shohin pjesëtarët e familjes në figurë, të cilat përshkruhen në këto vargje?

A do të kënaqeshin pjesëtarët e familjes duke gjurmuar nëpër shtëpi pika vaji të bëra prej letre, të cilat ju i keni fshehur? Ju mund t’i ngjitni pikat te sende që përfaqësojnë gjëra që pjesëtarët e familjes mund t’i bëjnë për t’i forcuar dëshmitë e tyre dhe për të qenë të përgatitur për Ardhjen e Dytë, të tilla si shkrimet e shenjta, veshje për në kishë ose një fotografi të tempullit.

Marku 12:38–44; Lluka 21:1–4

Çfarë mund të mësojnë pjesëtarët e familjes suaj nga shembulli i së vesë? Çfarë u dha mësim Shpëtimtari dishepujve të Tij rreth ofertave? Tregoni një mandatdhurimi të së dhjetës dhe diskutoni ofertat e familjes suaj ndaj Zotit dhe se si këto oferta ndihmojnë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. A ka oferta që po bën familja juaj, të cilat nuk mund të shënohen në një mandatdhurimi të së dhjetës?

Monedha e së Vesë

Monedha e së Vesë, nga Sandra Rast

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përgatitni rrethinat tuaja. “Rrethinat tona mund ta ndikojnë thellësisht aftësinë tonë për ta mësuar e ndier të vërtetën” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 15). Përpiquni të gjeni një vend për t’i studiuar shkrimet e shenjta që do ta ftojë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Muzika dhe figurat lartësuese gjithashtu mund ta ftojnë Shpirtin.

Dhjetë Virgjëreshat

Pesë prej Tyre Ishin të Mençura, nga Walter Rane