“27 Maj – 2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21: ‘Biri i Njeriut do të Vijë’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“27 Maj – 2 Qershor. Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019
27 Maj – 2 Qershor
Joseph Smith – Mateu 1; Mateu 25; Marku 12–13; Lluka 21
“Biri i Njeriut do të Vijë”
Përsiatni se çfarë kanë nevojë të mësojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, rreth Joseph Smith – Mateut 1; Mateut 25; Markut 12–13 dhe Llukës 21. Ndiehuni lirshëm që t’ua përshtatni fëmijëve më të vegjël idetë në këtë përvijim të mësimit për fëmijët më të mëdhenj dhe anasjelltas.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Tregoni një figurë që lidhet me njërën nga historitë te leximi i kësaj jave (të tilla si figura e dhjetë virgjëreshave nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth historisë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Përpara se Jezusi të vijë sërish, ungjilli do të predikohet në të gjithë botën.
Jezusi tha që, përpara se Ai të vijë sërish, ungjilli do të predikohet në të gjithë botën. Fëmijët mund të ndihmojnë që të përmbushet kjo profeci nëpërmjet përhapjes së ungjillit.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni një hartë, glob ose figurë të tokës (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 3) dhe ndihmojini fëmijët të thonë: “Ky Ungjill … do të predikohet në të gjithë botën” (Joseph Smith – Mateu 1:31). Përse dëshiron Perëndia që të gjithë fëmijët e Tij ta dëgjojnë ungjillin e Tij?
-
Ftojini fëmijët të marshojnë në vend ndërsa këndoni së bashku “I Want to Be a Missionary Now” [“Un’ Dua të Jem Misionar Tani”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 168 dhe “Thirrur t’i Shërbejm’”, Himne, nr. 158. Ftoni misionarë kohëplotë ose misionarë të kthyer kohën e fundit nga misioni që të tregojnë përvojat e tyre për përhapjen e ungjillit dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë mënyra se si mund ta përhapin ungjillin.
Unë mund t’i përdor dhuntitë që Perëndia m’i ka dhënë.
Fëmijët e vegjël janë duke i zbuluar dhuntitë dhe aftësitë e tyre. Ndihmojini ta kuptojnë se këto dhunti dhe aftësi vijnë nga Ati Qiellor.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni disa monedha që t’i përdorni teksa tregoni shëmbëlltyrën e talentave, që gjendet te Mateu 25:14–30. Ju mund t’u kërkoni tre fëmijëve që të përfaqësojnë tre shërbëtorët. Shpjegoni se në kohën e Jezusit, fjala talent iu drejtohej parave, por sot talent mund të nënkuptojë dhuntitë dhe aftësitë tona.
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin mënyra se si prindërit, vëllezërit, motrat, mësuesit ose shokët dhe shoqet e tyre i kanë ndihmuar ata. Çfarë aftësish kanë këta njerëz që i ndihmojnë ata t’u shërbejnë të tjerëve?
-
Shkruajuni një shënim të vogël fëmijëve duke i treguar secilit prej tyre rreth dhuntive apo aftësive që i vini re tek ata. Mbështilleni secilin shënim si një dhuratë dhe ftojini fëmijët që t’i hapin “dhuntitë” e tyre. Nxitini t’i përmirësojnë dhuntitë e tyre dhe t’i përdorin ato për t’u shërbyer të tjerëve.
Jezusi dëshiron që unë t’u shërbej të tjerëve.
Ne u shërbejmë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit duke u shërbyer njerëzve përreth nesh. Edhe fëmijët e vegjël mund t’u shërbejnë të tjerëve.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni shëmbëlltyrën te Mateu 25:34–46. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se, kur u shërbejmë të tjerëve, ne po i shërbejmë Jezusit.
-
Ngrini lart një fotografi të një fëmije në klasën tuaj me një figurë të Jezusit të fshehur prapa saj. Çfarë mund të bëjmë që t’i shërbejmë këtij fëmije? Hiqeni fotografinë e fëmijës dhe shpjegoni se, kur i shërbejmë njëri-tjetrit, ne po i shërbejmë Jezusit.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të vetes së tyre duke u shërbyer të tjerëve në mënyrat që Shpëtimtari i përshkruan te Mateu 25:35–36. Kërkojuni fëmijëve të tjerë të gjejnë se çfarë po vizatojnë ata.
-
Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja kur dikush u ka dhënë atyre ose familjeve të tyre shërbim si të Krishtit.
Jepeni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Përpara se Jezusi të vijë sërish, ungjilli do të predikohet në të gjithë botën.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të ndihmojnë për ta predikuar ungjillin në të gjithë botën përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të flasin për bekime që i kanë marrë ose do t’i marrin ngaqë janë anëtarë të Kishës së Krishtit. Lexoni së bashku Joseph Smith – Mateun 1:31 dhe pyetini fëmijët se si ungjilli do t’i bekojë fëmijët e Perëndisë anembanë botës.
-
Tregojuni fëmijëve një hartë të botës ose të atdheut tuaj dhe ndihmojini të përcaktojnë disa vende ku një pjesëtar i familjes ose një mik apo mikeshë e kanë predikuar ungjillin në një mision.
-
Ftojini disa fëmijë që të vijnë të përgatitur për të treguar se si iu paraqit ungjilli pjesëtarëve të familjes së tyre ose paraardhësve të tyre. Nëse është e mundur, kërkojini dikujt në lagje që shërbeu në një mision kohëplotë, që të tregojë për një përvojë me përhapjen e ungjillit.
-
Kërkojini secilit fëmijë që ta shkruajë emrin e dikujt të cilit ai ose ajo mund t’i flasë rreth ungjillit ose ta ftojë në kishë. Gjithashtu kërkojuni fëmijëve të renditin gjëra që mund t’i bëjnë që të jenë misionarë tani.
Unë jam përgjegjës për kthimin tim në besimin tek ungjilli.
Shëmbëlltyra e dhjetë virgjëreshave na mëson se ne nuk mund ta marrim hua prej të tjerëve kthimin tonë në besimin tek ungjilli. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mbajnë përgjegjësi për kthimin e tyre në besim?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije dhe njërit prej prindërve të tij ose të saj që të vijnë të përgatitur për të treguar se si mësuan rreth shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave në shtëpi këtë javë.
-
Vizatoni në tabelë një llambë vaji dhe emërtojeni dëshmia. Jepini secilit fëmijë një fletë letre në formën e një pike vaji dhe kërkojini secilit fëmijë të shkruajë në të diçka që ai ose ajo do ta bëjnë që të bëhen të kthyer më shumë në besimin tek ungjilli. Ngjitini pikat e tyre në tabelë përreth llambës.
-
Ftojini fëmijët t’ju ndihmojnë të bëni një listë të gjërave që t’i bëni për t’u përgatitur për një vizitor të veçantë. Si janë këto gjëra të ngjashme apo të ndryshme me mënyrat si mund të përgatitemi shpirtërisht për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?
-
Në pesë shirita letre, shkruani gjëra që nuk mund të merren hua. Në pesë shirita të tjerë letre, shkruani gjëra që mund të merren hua. Përziejini shiritat dhe kërkojuni fëmijëve t’i ndajnë në këto dy grupe. Lexoni së bashku Mateun 25:1–13. Përse është e rëndësishme që të mos mbështetemi tek të tjerët për kthimin tonë në besimin tek ungjilli?
Në Gjykimin e Fundit, ne vërtet do t’i japim Zotit llogari për jetën tonë.
Pas Ringjalljes, Perëndia do të na gjykojë mbi bazën e bindjes sonë ndaj urdhërimeve të Tij dhe pranimit të flijimit shlyes të Shpëtimtarit. Shëmbëlltyra e talentave dhe shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve na japin mësim rreth këtij Gjykimi të Fundit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë Mateun 25:14–30 dhe gjysmën tjetër të lexojë Mateun 25:31–46. Kërkojuni grupeve që t’i luajnë me role shëmbëlltyrat për klasën.
-
Ftojini fëmijët të lexojnë në dyshe Mateun 25:35–36 dhe bëni një listë të gjërave që mund t’i bëjnë për të treguar dashurinë e tyre për Jezu Krishtin.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Kërkojuni fëmijëve t’u tregojnë familjeve të tyre mënyra se si mund të jenë misionarë më të mirë dhe të flasin me familjet e tyre rreth njerëzve tek të cilët mund ta përhapin ungjillin.