Eja, Më Ndiq
24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: ‘U Ringjall’


“24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: ‘U Ringjall’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)

“24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019

Pamja
Jezusi duke folur me Pjetrin

Ushqeji Delet e Mia, nga Kamille Corry

24–30 Qershor

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21

“U Ringjall”

Fillojeni përgatitjen tuaj duke lexuar Mateun 28; Markun 16; Llukën 24 dhe Gjonin 20–21. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju ndihmojnë të përzgjidhni parime në këta kapituj që do të jenë domethënës për fëmijët në klasën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Të shikuarit e një figure mund t’i ndihmojë fëmijët të kujtojnë gjëra që i mësuan në shtëpi ose në mjedise të tjera. Ndoshta ju mund të paraqitni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë dinë rreth historisë së treguar në figurë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Vegjël

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20:1–23

Unë do të jetoj sërish pasi të vdes, sikurse jetoi Jezusi.

Shlyerja e Jezu Krishtit, përfshirë Ringjalljen e Tij, është ngjarja më e rëndësishme në histori dhe është themeli i besimit të krishterë. Ndërsa lexoni rreth Ringjalljes, përsiatni se si do t’i ndihmoni fëmijët që ta ndërtojnë besimin e tyre te Jezu Krishti.

Veprimtari të Mundshme

  • Me fjalët tuaja, tregoni historinë e Ringjalljes së Jezusit. Kërkojuni fëmijëve t’ua përsëritin juve me radhë historinë. Ju mund t’i drejtoheni “Kapitullit 54: Jezusi u Ngrit”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 139–144 ose materialit filmik përkatës (LDS.org.) Shpjegoni se, kur Jezusi vdiq, shpirti i Tij e la trupin e Tij. Kur Ai u ringjall, shpirti i Tij dhe trupi i Tij u bashkuan përsëri.

  • Ftoni disa anëtarë të lagjes të veprojnë si ushtarët, engjëjt, Maria Magdalena, Pjetri, Gjoni, dishepujt dhe Thomai e të thonë se çfarë dëshmuan pas Ringjalljes së Jezusit.

  • Tregoni materialin filmik “What Happens after We Die?” [“Çfarë Ndodh pasi Vdesim?”] (LDS.org) dhe tregoni rreth dikujt që e njihni, i cili ka vdekur. Jepni dëshminë tuaj se çdo njeri do të ringjallet një ditë. Ftojini fëmijët të japin dëshmitë e tyre.

  • Merrni parasysh të këndoni së bashku “Did Jesus Really Live Again?” [“Jezusi a Jetoi Sërish?”] dhe “When He Comes Again” [“Kur Ai të Vij’ Përs’ri”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 64, 82. Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë se si do të ndiheshin po ta shihnin Jezusin e ringjallur. Lërini t’ua shprehin mendimet e tyre klasës.

Gjoni 20:24–29

Unë mund të kem besim te Jezu Krishti edhe pse nuk mund ta shoh Atë.

Merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se çfarë është besimi dhe se si mund të ushtrojnë besim te Shpëtimtari.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregoni figurën Christ Approaches Thomas [Krishti i Afrohet Thomait] (LDS.org) ndërkohë që u tregoni rreth përvojës së Thomait te Gjoni 20:24–29. Përsëriteni historinë më vonë në mësim, por këtë herë kërkojuni fëmijëve të japin disa prej hollësive.

  • Tregoni një kuti me një send brenda, të cilin fëmijët nuk mund ta shohin, dhe ua përshkruani sendin fëmijëve. Pyetini nëse besojnë që sendi është me të vërtetë brenda kutisë dhe përse. Më pas ua tregoni sendin dhe shpjegoni se besim është të besosh në gjëra që nuk mund t’i shohim. Besimi më i rëndësishëm që mund të kemi, është besimi te Jezu Krishti.

Pamja
Jezusi u tregon duart Apostujve

Shihi Duart e Mia, nga Jeff Ward

Gjoni 21:15–17

Unë mund ta tregoj dashurinë time për Jezusin duke u shërbyer të tjerëve.

Si mund t’i frymëzoni fëmijët që t’i duan dhe t’i ndihmojnë njerëzit përreth tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni Gjonin 21:15–17 ose shfaqni materialin filmik “Feed My Sheep” [“Ushqeji Delet e Mia”] (LDS.org). Jezusi nuk donte që Pjetri ta shpenzonte gjithë kohën e tij duke peshkuar. Përkundrazi, Ai donte që Pjetri të përhapte ungjillin dhe ta ftonte çdo njeri të vinte tek Ai. Jepini secilit fëmijë një dele prej letre dhe kërkojuni të shkruajnë në të diçka që mund ta bëjnë për të ndihmuar që të ushqejnë delet e Jezusit.

  • Kërkojuni paraprakisht disa fëmijëve të tregojnë gjëra që po bëjnë për t’i dashur të tjerët dhe për t’u shërbyer atyre, ose mënyra se si të tjerët u kanë shërbyer atyre.

  • Shkruajeni emrin e çdo fëmije në klasën tuaj në një fletë letre të prerë në formën e një deleje dhe shpërndajini këto dele nëpër dhomë. (Përfshijini emrat e fëmijëve që nuk vijnë në klasë rregullisht.) Ftojini fëmijët t’i mbledhin delet duke gjetur delen me emrin e tyre në të. Çfarë mund të bëjmë për t’i shërbyer ndonjë deleje të humbur që mund ta njohim?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Mëdhenj

Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20:1–23

Për shkak se Jezu u ringjall, çdo njeri do të ringjallet.

Është e natyrshme për fëmijët të pyesin veten se çfarë ndodh pasi vdesim. Merreni parasysh se si mund t’u jepni mësim rreth Ringjalljes në një mënyrë që do ta formojë besimin e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët t’i mbyllin sytë dhe të përfytyrojnë se janë të ulur pranë varrit të Jezusit teksa lexoni Gjonin 20:1–17 ose përmblidhni historinë e Ringjalljes së Tij (shih edhe “Kapitullin 54: Jezusi u Ngrit”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 139–144, ose materialin filmik përkatës te LDS.org). Si do të kishte qenë ta shihnit Shpëtimtarin e ringjallur?

  • Kërkojini secilit fëmijë të studiojë përvojën e dikujt që e pa Shpëtimtarin e ringjallur dhe t’i tregojë pjesës tjetër të klasës atë që ai ose ajo mësoi.

  • Shihni një ose më shumë prej këtyre materialeve filmike me fëmijët: “Jesus Is Laid in a Tomb” [“Jezusin e Vendosin në Varr”], “Jesus Is Resurrected” [“Jezusi Ringjallet”], “Christ Appears on the Road to Emmaus” [“Krishti Shfaqet në Rrugën për në Emaus”] dhe “The Risen Lord Appears to the Apostles” [“Jezusi i Ringjallur iu Shfaqet Apostujve”] (LDS.org).

Gjoni 20:24–29

Unë mund të kem besim te Jezu Krishti edhe pse nuk mund ta shoh Atë.

Çfarë po bëjnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti? Si mund t’i ndihmoni ata?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini disa fëmijë të lexojnë me radhë vargjet nga Gjoni 20:24–29. (Shihni edhe materialin filmik “Blessed Are They That Have Not Seen, and Yet Have Believed” [“Lum Ata që Nuk Kanë Parë dhe Kanë Besuar”], LDS.org).

  • Shkruajeni në fletë të veçanta letre secilën fjalë në frazën: “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar”. Ftojini fëmijët t’i vendosin fjalët sipas rregullit. Ftojini të tregojnë përvoja në të cilat ata e ndien dashurinë e Shpëtimtarit edhe pse nuk e panë Atë.

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë figura për gjëra që mund t’i bëjnë për ta forcuar besimin e tyre. Teksa vizatojnë, tregoni se çfarë keni bërë ju që ta forconi besimin tuaj te Jezu Krishti.

Gjoni 21:1–17

Unë mund ta tregoj dashurinë time për Jezusin duke i ushqyer delet e Tij.

Fëmijët mund t’i ndikojnë shumë njerëzit përreth tyre. Si mund t’i nxitni ata që t’i forcojnë të tjerët në ungjill?

Veprimtari të Mundshme

  • Përpara se ta lexoni së bashku Gjonin 21:1–17, pyetini fëmijët nëse kanë shkuar të peshkojnë më parë. Si ishte peshkimi? Pyetini nëse ndonjëri kapi ndonjëherë një “shumic[ë peshqish]” (Gjoni 21:6).

  • Lexoni Gjonin 21:15–17, por zëvendësojeni emrin e Simonit me emrat e fëmijëve. Cilët janë delet e Jezusit? Si mund t’i ushqejmë delet e Tij?

  • Jepuni fëmijëve një diçka të vogël për të ngrënë. Ndërkohë që hanë, pyetini se si përhapja e ungjillit te dikush tjetër është e ngjashme me të ushqyerin e tyre.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Ftojini fëmijët ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u dhënë mësim familjeve të tyre rreth javës së fundit të jetës së Shpëtimtarit.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndiqni ecurinë e ftesave për të vepruar. Kur i ftoni fëmijët të veprojnë sipas asaj që kanë mësuar, ndiqeni ecurinë e ftesës suaj gjatë orës së ardhshme mësimore. Kjo u tregon fëmijëve se ju interesoheni për mënyrën se si ungjilli po e bekon jetën e tyre. Ndërkohë që i tregojnë përvojat e tyre, ata do të forcohen dhe do ta ndihmojnë njëri-tjetrin për ta jetuar ungjillin.

Pamja
faqja e veprimtarisë: çdo njeri do të ringjallet

Shtyp në Letër