“17–23 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19: ‘U Krye’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“17–23 Qershor. Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
17–23 Qershor
Mateu 27; Marku 15; Lluka 23; Gjoni 19
“U Krye”
Fillojeni përgatitjen tuaj duke lexuar Mateun 27; Markun 15; Llukën 23 dhe Gjonin 19. Me lutje përpiquni t’i kuptoni nevojat e fëmijëve.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Lëreni secilin fëmijë të mbajë lart figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndërkohë që e mban figurën, secili fëmijë mund të tregojë diçka që ai ose ajo di rreth mënyrës se si vdiq Jezusi.
Jepeni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Mateu 27:11–66; Lluka 23; Gjoni 19
Ngaqë Jezusi vdiq për mua, unë mund të ringjallem.
Fëmijët e vegjël mund të mërziten nga rrëfimet për Kryqëzimin e Jezusit. “Kapitulli 52: Vuajtjet e Jezusit” dhe “Kapitulli 53: Jezusi Kryqëzohet”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 133–138 ose materialet filmike përkatëse (LDS.org) sigurojnë një model të mirë për mënyrën se si mund t’ua tregoni siç duhet këtë histori.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ndërkohë që u tregoni rreth gjyqit, Kryqëzimit dhe varrimit të Jezusit (shih edhe Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 57 dhe 58). Ftojini fëmijët të tregojnë atë që dinë rreth këtyre ngjarjeve. Theksoni se, në ditën e tretë, Jezusi u ringjall, domethënë që Ai u kthye sërish në jetë.
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që prindërit e tyre i bëjnë për ta, që ata nuk mund t’i bëjnë vetë. Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit. Shpjegoni që, për shkak të Jezusit, ne mund të ringjallemi – diçka që nuk mund ta bëjmë vetë.
-
Tregoni një fotografi të dikujt që e dini se ka vdekur. Jepni dëshminë tuaj që, për shkak të Jezusit, ai njeri do të jetojë përsëri.
Mund t’i fal të tjerët sikurse i fali Jezusi.
Si do t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se si t’i falin ata që nuk janë dashamirës, sikurse i fali Jezusi?
Veprimtari të Mundshme
-
Përshkruani se si ushtarët nuk ishin dashamirës ndaj Jezusit (shih Mateu 27:26–37) dhe më pas lexoni Llukën 23:34. Shpjegoni se, kur i falim të tjerët, ne heqim dorë nga ndjenja të këqija kundrejt tyre dhe tregojmë dashuri.
-
Tregoni skenarë në të cilët dikush thotë ose bën diçka që nuk është dashamirëse. Ftojini fëmijët të tregojnë se si do ta falnin atë njeri.
-
Shkruani në tabelë fjalë ose fraza nga “Help Me, Dear Father” [“Ndihmom’, At’ i Dashur”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 99. Ftojini fëmijët ta këndojnë këngën shumë herë, duke i fshirë disa fjalë çdo herë derisa ta kenë mësuar të gjithë këngën. Sipas kësaj kënge, cilin duhet të falim? Kush mund të na ndihmojë kur falja është e vështirë?
-
Kontrolloni një botim të kohës së fundit të revistave Friend [Miku] ose Liahona që të gjeni një histori rreth një fëmije i cili fali dikë. Tregojuani këtë histori fëmijëve.
Ngaqë Jezusi vuajti dhe vdiq për mua, unë mund të pendohem dhe të falem.
Edhe pse fëmijët nën moshën tetë vjeç nuk janë ende të përgjegjshëm, është e rëndësishme për ta që të fillojnë të mësojnë tani se si të pendohen për zgjedhjet e gabuara që bëjnë.
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni Llukën 23:32–33, 39–43 dhe vini në dukje dy keqbërësit në figurën 57 te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit. Shpjegoni se, kur keqbërësi i parë u tall me Jezusin, keqbërësi i dytë e pranoi se kishte bërë diçka gabim – ai po fillonte të pendohej.
-
Lexojuni fëmijëve Doktrinën e Besëlidhjet 19:16. Përse vuajti Jezusi për ne?
-
Tregojuni materialin filmik “The Shiny Bicycle” [“Biçikleta e Shndritshme”] (LDS.org). Shpjegoni se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të na ndihmojnë t’i rregullojmë mëkatet dhe gabimet tona e të marrim falje.
-
Lërini fëmijët të bëjnë shenja me shkumës në tabelë për të përfaqësuar zgjedhjet e gabuara. Më pas kërkojuni ta fshijnë tabelën për të përfaqësuar pendimin. Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe dëshmoni se ne mund të pendohemi për shkak të Tij.
Jepeni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Mateu 27:11–66; Lluka 23; Gjoni 19
Jezusi vdiq për mua ngaqë Ai më do.
Përse jeni mirënjohës që Jezu Krishti vdiq për ju? Merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët që ta kuptojnë rëndësinë e flijimit të Shpëtimtarit për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Renditni ngjarje kyç nga Mateu 27:11–66 (për ndihmë që ta bëni këtë, shihni “Kapitullin 52: Vuajtjet e Jezusit” dhe “Kapitullin 53: Jezusi Kryqëzohet”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 133–138). Ftojini fëmijët t’i studiojnë këto vargje dhe vendosini ngjarjet në rendin e duhur.
-
Tregoni materialet filmike “Jesus Is Condemned before Pilate” [“Jezusin e Dënojnë përpara Pilatit”] dhe “Jesus Is Scourged and Crucified” [“Jezusin e Fshikullojnë dhe e Kryqëzojnë”] (LDS.org). (Shih edhe “The Atonement” [“Shlyerja”], LDS.org.) Përse Jezusi ishte i gatshëm të vuante për ne?
-
Vëreni një fëmijë ta lexojë Mateun 27:54 dhe ftojini fëmijët të tregojnë gjëra rreth Jezusit që i ndihmojnë ta dinë se Ai është Biri i Perëndisë.
-
Pyetini fëmijët se çfarë mësojnë rreth Kryqëzimit nga “Shih Shëlbuesin e Madh që Vdes”, Himne, nr. 111, ose një himn tjetër të sakramentit.
Mund t’i fal të tjerët sikurse i fali Jezusi.
Mund të jetë e vështirë t’i falësh të tjerët. Fëmijët të cilëve u jepni mësim, do të bekohen kur e ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe e falin çdo njeri.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë me radhë rreth ushtarëve që nuk ishin dashamirës ndaj Jezusit te Mateu 27:26–37 dhe Jezusit që i fal ata te Lluka 23:34. (Shihni në Biblën në anglisht idenë që jepet nga Joseph Smith Translation te Lluka 23:34, poshtëshënimi c.) Çfarë mësojmë nga shembulli i Jezusit?
-
Shkruani në tabelë: Çfarë mund të bëni që ta falni dikë që nuk ishte dashamirës ndaj jush? Lërini fëmijët të shkruajnë me radhë në tabelë ide, të tilla si Lutuni që të keni ndjenja dashamirëse kundrejt njeriut ose Mendoni për diçka të mirë rreth njeriut.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë figura situatash në të cilat dikush nuk është dashamirës dhe se si do ta falnin atë njeri. Lërini t’ua tregojnë vizatimet e tyre klasës.
Ngaqë Jezusi vuajti dhe vdiq për mua, unë mund të pendohem dhe të falem.
Ky mësim është një kohë e mirë që të dëshmoni se, për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të pendohemi për mëkatet tona dhe të falemi.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë të lexojë Llukën 23:32–33, 39–43. Shpjegoni se dy njerëzit që po kryqëzoheshin me Jezusin, ishin keqbërës. Si tregoi njëri prej keqbërësve se po fillonte të pendohej?
-
Shkruani fjalinë vijuese në tabelë, duke lënë vende bosh për fjalët me shkrimin kursiv: “Unë mund të falem kur pendohem për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit”. Jepuni fëmijëve të dhëna kyç për t’i ndihmuar që t’i plotësojnë vendet bosh.
-
Ftojeni një fëmijë të mbajë një çantë dhe mbusheni atë me gurë të vegjël ndërkohë që fëmijët e tjerë përmendin zgjedhje të gabuara që mund t’i bëjë dikush. Ndihmojini fëmijët ta krahasojnë çantën me barrën shpirtërore që mbartim kur mëkatojmë. Në ç’mënyrë është pendimi i ngjashëm me heqjen e gurëve nga çanta?
-
Përdorni artikullin “You Can Repent and Forgive” [“Ju Mund të Pendoheni dhe të Faleni”] (Friend [Miku], gusht 2015, f. 10) që t’i mësoni fëmijët se si të pendohen.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Nxitini fëmijët të mendojnë për dikë që nevojitet ta falin dhe vendosni për një gjë që do ta bëjnë për t’i treguar atij njeriu se e kanë falur atë.