“24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21: ‘U Ringjall’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“24–30 Qershor. Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
24–30 Qershor
Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20–21
“Ai Është Ngritur”
Lexoni me lutje Mateun 28; Markun 16; Llukën 24 dhe Gjonin 20–21, duke menduar thellë mbi gëzimin që e keni për shkak të Ringjalljes së Krishtit. Përsiatni se si mund t’ua jepni të tjerëve dëshminë tuaj për këtë ngjarje.
Shënojini Mbresat Tuaja
Shumë vëzhguesve, vdekja e Jezu Krishtit mund t’iu jetë dukur si një mbarim ironik i një jete mbresëlënëse. A nuk ishte ky burri që e ngriti Llazarin prej së vdekuri? A nuk u kishte bërë ballë Ai kërcënimeve vrasëse nga farisenjtë herë pas here? Ai kishte shfaqur fuqi për të shëruar verbërinë, lebrën dhe paralizën. Madje vetë erërat dhe deti iu bindën Atij. Dhe prapëseprapë, ja tek ishte Ai, i varur në kryq, duke shpallur: “U krye” (Gjoni 19:30). Mund të ketë pasur njëfarë habie të çiltër në fjalët tallëse: “Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten” (Mateu 27:42). Por ne e dimë se vdekja e Jezusit nuk ishte mbarimi i historisë. Ne e dimë se heshtja e varrit ishte e përkohshme dhe se puna shpëtuese e Krishtit sapo kishte filluar. Ai nuk gjendet sot “midis të vdekurve” por mes të gjallëve (Lluka 24:5). Mësimet e Tij nuk do të liheshin në harresë, sepse dishepujt e Tij besnikë do ta predikonin ungjillin në “të gjithë popujt”, duke i mirëbesuar premtimit të Tij se Ai do të ishte “me [ta] gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:19–20).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Mateu 28; Marku 16; Lluka 24; Gjoni 20
Ngaqë Jezusi u ringjall, unë gjithashtu do të ringjallem.
Në këto fragmente, ju do të lexoni rreth një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e njerëzimit: Ringjalljes së Jezu Krishtit. Ndërsa lexoni, vendoseni veten tuaj në vendin e njerëzve që i dëshmuan ngjarjet që e rrethuan Ringjalljen. Si mund të jenë ndier këta dëshmitarë? Si ndiheni ju ndërkohë që lexoni rreth Ringjalljes së Shpëtimtarit? Merrni parasysh se si ju ka ndikuar kjo ju – këndvështrimin tuaj për jetën, marrëdhëniet tuaja me të tjerët, besimin tuaj te Krishti dhe besimin tuaj tek të vërtetat e tjera të ungjillit.
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ringjallje”; “Resurrection” [“Ringjallja”], Gospel Topics [Temat e Ungjillit], topics.lds.org.
Ne mund ta ftojmë Shpëtimtarin që të “rri[jë] me ne”.
Përvoja e dy dishepujve në udhëtim, të cilët u takuan me Shpëtimtarin e ringjallur, mund të ketë ngjasime me shtegun tuaj të dishepullimit. Çfarë lidhjesh shihni midis këtij tregimi dhe përvojave tuaja si pasues i Krishtit? Si mund të ecni me Të sot dhe ta ftoni Atë të “rrijë” pak më shumë? (Lluka 24:29). Si e dalloni praninë e Tij në jetën tuaj? Në çfarë mënyrash ju ka dëshmuar Fryma e Shenjtë për hyjninë e Jezu Krishtit?
A ka Jezu Krishti një trup?
Nëpërmjet rrëfimeve për Zotin e ringjallur që i shfaqet Maria Magdalenës dhe më vonë nga ndërveprimet me dishepujt e Tij, ne mësojmë se Ringjallja e Jezusit ishte e mirëfilltë dhe fizike. Me trupin e Tij të ringjallur, të përlëvduar, Ai eci, foli dhe hëngri me pasuesit e Tij. Shkrime të tjera të shenjta gjithashtu dëshmojnë se Jezu Krishti ka një trup prej mishi e kockash: Filipianëve 3:20–21; 3 Nefi 11:13–15; Doktrina e Besëlidhje 110:2–3; 130:1, 22.
“Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar.”
Mund të jetë e vështirë të besoni se diçka është e vërtetë pa parë provë fizike. Nganjëherë ju mund të ndiheni si Thomai, i cili tha: “Po nuk e pashë … unë nuk do të besoj” (Gjoni 20:25). Si përgjigje, Shpëtimtari i tha Thomait: “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar” (Gjoni 20:29). Si jeni bekuar që besuat në gjëra shpirtërore që nuk mund t’i shihnit? Çfarë ju ndihmon të keni besim te Shpëtimtari edhe kur nuk mund ta shihni Atë? Çfarë të vërtetash të tjera i besoni madje pa prova fizike? Si mund të vazhdoni ta forconi besimin tuaj te “gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta”? (Alma 32:21; shih edhe Ethëri 12:6). Merreni parasysh të mbani shënim në një ditar përvoja që ju kanë ndihmuar të besoni te Jezu Krishti ose t’ia tregoni ato dikujt që e njihni.
Shpëtimtari më fton t’i ushqej delet e Tij.
Mund të jetë interesante ta krahasoni ndërveprimin e Shpëtimtarit me Apostujt e Tij te Gjoni 21 me herën e parë që Ai i urdhëroi ata të linin rrjetat e tyre të peshkimit, të shënuar te Lluka 5:1–11. Çfarë ngjashmërish dhe ndryshimesh gjeni? Çfarë idesh gjeni rreth dishepullimit?
Merreni parasysh se si fjalët që Shpëtimtari ia tha Pjetrit te Gjoni 21:15–17, mund të gjejnë zbatim për ju. A ka ndonjë gjë që nuk ju lejon që t’u jepni shërbesë deleve të Zotit? Cila do të ishte përgjigjja juaj nëse Zoti do t’ju pyeste: “A më do ti mua?” Përsiatni se si ju mund ta tregoni dashurinë tuaj për Zotin.
Shih edhe Xhefri R. Holland, “Urdhërimi i Parë i Madh”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 83–85.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërkohë që po mbaroni së lexuari Ungjijtë me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Përse janë fjalët “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall” disa prej fjalëve më shpresëdhënëse dhe më të rëndësishme të thëna ndonjëherë?
Teksa i lexoni këta kapituj, kushtojuni vëmendje njerëzve që ndërvepruan me Jezusin në secilin tregim. Për shembull, për një kohë ju mund të përqendroheni te njerëzit të cilët vizituan varrin e Shpëtimtarit. Në një kohë tjetër, ju mund të studioni me vëmendje veprimet e Apostujve ose dishepujve në rrugën për në Emaus.
Si familje, diskutoni veprën që Krishti ua kërkoi ta bënin Apostujve të Tij. Si mund të ndihmojmë që të përmbushet kjo vepër? A mund të tregoni për një kohë kur ju ndiet se “Zoti [po] bashkëvepronte me [ju]” që t’ju ndihmonte për t’i përmbushur qëllimet e Tij? (Marku 16:20).
Merreni parasysh t’i lexoni këto vargje ndërsa hani së bashku. Kjo mund t’u shtojë disi kuptim fjalëve të Shpëtimtarit “kulloti delet e mia”. Nisur nga ajo që Jezusi dha mësim rreth deleve në Dhiatën e Re (shih, për shembull, Mateu 9:35–36; 10:5–6; 25:31–46; Lluka 15:4–7; Gjoni 10:1–16), përse është kullotja e deleve një metaforë e mirë për ushqyerjen dhe përkujdesjen për fëmijët e Perëndisë? Çfarë na mëson metafora rreth mënyrës se si Ati Qiellor dhe Jezusi ndihen rreth nesh?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.