“1–7 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5: ‘Do Të Bëheni Dëshmitarët e Mi’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“1–7 Korrik. Veprat e Apostujve 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
1–7 Korrik
Veprat e Apostujve 1–5
“Do të Bëheni Dëshmitarët e Mi”
Fillojeni përgatitjen tuaj duke lexuar Veprat e Apostujve 1–5. Me lutje përpiquni t’i kuptoni nevojat e fëmijëve që mësoni. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju ndihmojnë gjithashtu.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Shkruani Kush jam unë? në tabelë. Jepni disa thënie rreth Pjetrit dhe pyetini fëmijët se për kë janë thëniet. Çfarë tjetër dinë ata rreth Pjetrit?
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve.
Të mësuarit rreth mënyrës se si Shpëtimtari e udhëhoqi Kishën e Tij në lashtësi nëpërmjet apostujve, mund t’i ndihmojë fëmijët të fitojnë dëshmi për profetët dhe apostujt në kohën tonë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figurën e madhe sa faqja te përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Pyetini fëmijët se përse mendojnë që këta burra po vështrojnë nga qielli. Përmblidhni rrëfimin nga Veprat e Apostujve 1:1–11. Shih edhe “Kapitullin 55: Apostujt Udhëheqin Kishën”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 145–147, ose materialin filmik përkatës (LDS.org).
-
Ndërkohë që klasa shikon figurën nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, ftojeni një fëmijë të ngrejë lart një figurë të apostujve të tanishëm. Kush e udhëheq Kishën kur Krishti nuk është në tokë? Si e udhëheqin ata Kishën?
-
Luani një lojë me kombinime me dy grupe figurash të Presidencës së Parë dhe të Dymbëdhjetë Apostujve të gjallë. Kur gjendet një kombinim, tregojeni emrin e Apostullit apo Presidentit dhe diçka rreth tij.
-
Prapa figurës së Jezusit, ngjitni me skoç figura të gjërave për të cilat mund të japë mësim një profet, siç është pagëzimi apo një tempull. Lëreni secilin fëmijë që me radhë të shohë një prej figurave dhe t’i thotë pjesës tjetër të klasës: “Profeti na mëson rreth [temës së figurës]”.
Ati Qiellor mund t’i bekojë të tjerët nëpërmjet meje.
Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët që t’i dallojnë mënyrat se si ata mund t’i bekojnë njerëzit përreth tyre? Ndihmojini që të mësojnë nga shembulli i Pjetrit dhe Gjonit tek shërojnë njeriun e çalë.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të bëjnë gjeste që përshtaten me historinë te Veprat e Apostujve 3:1–10, të tilla si të nxjerrin dorën duke lypur për para dhe të hidhen me hov nga gëzimi. Si e bekoi Ati Qiellor njeriun që nuk mund të ecte?
-
Sillni një çantë që përmban figura të cilat përfaqësojnë mënyra se si ne mund t’i bekojmë të tjerët e t’u shërbejmë atyre. Lërini fëmijët që me radhë të zgjedhin figura nga çanta dhe të tregojnë se si mund t’i bekojnë të tjerët në atë mënyrë.
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë për një rast kur e ndihmuan dikë.
Unë mund të jem i ndershëm.
Të krishterët e parë zbatonin një formë të ligjit të përkushtimit që të ndihmonin në përkujdesjen për të varfrit. Ata të cilët zotëronin tokë, e shitën atë dhe ua dhanë paratë Apostujve që t’i shpërndanin mes shenjtorëve sipas nevojave të tyre. Anania dhe Safira qenë të pandershëm në ndihmesën që dhanë, duke menduar se mund t’i mashtronin shërbëtorët e Zotit.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët ta aktrojnë historinë e Ananias dhe Safirës. Shpjegoni se ndonëse nuk do të vdesim kur themi një gënjeshtër, kjo histori tregon se sa e rëndësishme është për Atin Qiellor që të jemi të ndershëm.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth ndershmërisë, të tillë si “I Believe in Being Honest” [“Në t’Qenit t’Ndershëm, Besoj] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 149). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë që pjesë e të qenit të ndershëm nënkupton që të themi përherë të vërtetën dhe të mos marrim gjëra që i përkasin dikujt tjetër.
-
Përdorni marioneta prej traste letre për të aktruar situata të thjeshta në të cilat një njeri po tregohet i ndershëm apo i pandershëm. Kërkojuni fëmijëve të ngrihen në këmbë nëse personi [i aktruar] po tregohej i ndershëm ose të ulen në dysheme nëse personi po tregohej i pandershëm.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund ta kuptojnë që Kisha e Shpëtimtarit sot udhëhiqet nga profetë e apostuj, njësoj siç udhëhiqej në kohët e lashta.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë Si e udhëheq Jezu Krishti Kishën kur nuk është në tokë? Ftojini fëmijët të kërkojnë përgjigje për pyetjen ndërsa lexoni te Veprat e Apostujve 1:8 fjalët e Shpëtimtarit drejtuar Apostujve.
-
Lexojini së bashku Veprat e Apostujve 1:22–26. Si klasë, përcaktoni mënyrën se si Apostujt thirrën një Apostull të ri.
-
Që më përpara, kërkojini një fëmije dhe prindit të tij apo të saj që të lexojnë rreth një Apostulli të thirrur kohët e fundit (ndoshta në LDS.org). Ftojeni fëmijën t’ia tregojë klasës atë që ai apo ajo mësoi, dhe, nëse është e mundur, atë që Apostulli tha rreth thirrjes së tij në mesazhin e tij të parë në konferencën e përgjithshme.
Ati Qiellor i bekon të tjerët nëpërmjet meje, edhe nëse unë nuk jam i pasur.
Si mund t’u mësoni fëmijëve që ata mund t’i bekojnë të tjerët, edhe nëse nuk kanë “as argjend, as ar”? (Veprat e Apostujve 3:6.) Si mund t’i ndihmoni që të shohin mundësi për t’i shërbyer Perëndisë duke u shërbyer të tjerëve?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije të lexojë Veprat e Apostujve 3:1–10 ndërkohë që fëmijët e tjerë e aktrojnë historinë. (Për ndihmë, shih edhe “Kapitullin 56: Pjetri Shëron një Burrë”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 148–149, apo materialin filmik përkatës në LDS.org.) Ju mund të shfaqni gjithashtu materialin filmik “Peter and John Heal a Man Crippled Since Birth” [“Pjetri dhe Gjoni Shërojnë një Njeri të Çalë që Prej Lindjes”] (LDS.org). Në çfarë mënyrash ishte bekimi që mori ky burrë, më i madh nga paratë të cilat kërkoi?
-
Kaloni dorë më dorë një çantë me monedha. Ndërsa fëmijët e mbajnë çantën, pyetini se çfarë mund të blejnë me para. Pastaj merreni përsëri çantën me monedha dhe pyetini fëmijët se çfarë bekimesh nuk mund t’i blejnë. Ftojini që të tregojnë se si mund t’i shërbejnë dikujt pa përdorur para (Veprat e Apostujve 3:6).
Fryma e Shenjtë i dëshmon zemrës sime për të vërtetat e ungjillit.
Kur fëmijët mësojnë ta dallojnë mënyrën se si Fryma e Shenjtë u flet atyre, ata do të frymëzohen që ta dëgjojnë frymëzimin që marrin, dhe të veprojnë sipas tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojini së bashku Veprat e Apostujve 2:36–37. Si të bën të ndihesh kur Fryma e Shenjtë na tregon diçka në zemër?
-
Si klasë, bëni një afishe me fjalët Çfarë duhet të bëjmë? në krye. Paraqiteni afishen çdo javë dhe shtoni [në të] mënyra në të cilat fëmijët mund të veprojnë sipas asaj që mësojnë në mësimin e secilës javë.
-
Ftojini fëmijët të gjejnë te Veprat e Apostujve 2:41–47, gjërat e mira që bënë njerëzit pasi u pagëzuan. Çfarë gjërash të mira mund të bëjmë që të tregojmë se jemi mirënjohës për dhuratën e Frymës së Shenjtë që e morëm kur u pagëzuam?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Nxitini fëmijët të planifikojnë një mënyrë në të cilën ata mund t’i shërbejnë Atit Qiellor duke e ndihmuar një pjesëtar të familjes së tyre këtë javë.