“14–20 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: ‘Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“14–20 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
14–20 Tetor
Filipianëve; Kolosianëve
“Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon”
Filloni duke i lexuar letrat drejtuar Filipianëve dhe Kolosianëve dhe përsiatni plot lutje doktrinën që Zoti do që ju të jepni mësim. Lëreni Shpirtin t’ju udhëheqë ndërsa merrni në shqyrtim pyetjet dhe burimet që mund të përdorni për ta dhënë mësim këtë doktrinë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini anëtarët e klasës të shkruajnë në tabelë një fjalë apo frazë që e përmbledh atë që mësuan nga letrat drejtuar Filipianëve dhe Kolosianëve dhe më pas të shpjegojnë zgjedhjen e tyre. Nxitini që të thonë vargje nga shkrimi i shenjtë si pjesë e shpjegimit të tyre.
Jepni Mësim Doktrinën
Filipianëve 2:1–5, 14–18; 4:1–9; Kolosianëve 3:1–17
Dishepujt e Jezu Krishtit bëhen [njerëz] të “ri[nj]” ndërsa e jetojnë ungjillin e Tij.
-
Ju mund të doni t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj që të përfytyrojnë se çfarë do të thotë ta “zhveshë[sh] njeriun e vjetër” dhe ta “veshë[sh] njeriun e ri” nëpërmjet Jezu Krishtit (Kolosianëve 3:9–10). Për ta bërë këtë, ju mund të tregoni diçka të vjetër dhe diçka të re (të tilla si fruta të pjekura shumë apo të freskëta, ose një artikull të vjetër apo të ri veshjeje). Anëtarët e klasës mund të diskutojnë mbi mënyrën se si bëhemi të “ri[nj]” nëpërmjet besimit tonë në Jezu Krisht dhe gatishmërisë sonë për ta jetuar ungjillin e Tij. Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund t’i kërkoni gjysmës së klasës të studiojë Filipianëve 2:1–5, 14–18; 4:1–9 dhe gjysmës tjetër të studiojë Kolosianëve 3:1–17, duke përcaktuar karakteristikat e “njeriu[t të] vjetër” dhe të “njeriu[t të] ri”. Ju mund t’i ftoni gjithashtu disa anëtarë të klasës që të tregojnë se si të pasurit besim te Jezu Krishti dhe të jetuarit e ungjillit të Tij i kanë ndihmuar ata që të bëhen njerëz të rinj. Shkrime të tjera që mund t’i shqyrtoni së bashku përfshijnë Romakëve 6:3–7; Mosia 3:19 dhe Alma 5:14, 26.
Ne mund të gjejmë gëzim në Krishtin, pavarësisht nga rrethanat tona.
-
Edhe pse rrethanat tona janë të ndryshme nga ato të Palit, të gjithë ne mund të mësojmë nga gatishmëria e tij për të qenë i kënaqur në të gjitha rrethanat e jetës së tij dhe të gëzohej në to. Për ta filluar diskutimin mbi këtë temë, ju mund të rishikoni disa nga sprovat që përjetoi Pali (shih për shembull, 2 Korintasve 11:23–28). Më pas ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të rishikojnë Filipianëve 4:1–13 për të gjetur këshillat që dha Pali, të cilat mund të na ndihmojnë të gëzohemi, madje edhe në kohë sprove.
Nëse doni ta shqyrtoni më tej këtë temë, ju mund t’i kërkoni një anëtari të klasës që të tregojë disa rrëfime apo thënie frymëzuese nga biseda e Presidentit Rasëll M. Nelson “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 81–84), ose ju mund të shihni materialin filmik “Trial of Adversity” [“Sprova e Fatkeqësisë”] (LDS.org). Si gjetën gëzim njerëzit në bisedën e Presidentit Nelson apo gruaja në materialin filmik, pavarësisht nga rrethanat e tyre të vështira?
-
Ndoshta te Filipianëve 4 anëtarët e klasës mund të gjejnë këshilla që mund t’i ndihmojnë kur përjetojnë sprova. Ju mund t’i jepni çdo anëtari të klasës një letër të vogël shënimesh në mënyrë që të shkruajnë atë që gjejnë. Kërkojuni që ta vendosin atje ku do ta shohin kur t’u nevojitet.
-
Ndonjëherë një himn mund ta përmirësojë kuptueshmërinë tonë për shkrimet e shenjta. Për shembull, pasi të lexoni Filipianëve 4:7, 13, ju mund të këndoni së bashku “Ku Mund të Gjej Paqe?” ose vargun e parë të himnit “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek” (Himne, nr. 67, 137). Çfarë lidhjesh shohin anëtarët e klasës midis fjalëve të këtyre himneve dhe Filipianëve 4:7, 13? Ndoshta ata mund të tregojnë përvoja kur e ndien “paq[en] e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie” ose kur u ndien të forcuar “nëpërmjet Krishtit” për të arritur diçka që përndryshe nuk do të mund ta kishin arritur. Përvoja e Plakut Xhei E. Xhensen, që gjendet te “Burimet Shtesë” mund të ndihmojë për ta frymëzuar diskutimin rreth këtyre vargjeve.
-
Për shkak se e keqja po shtohet në botën e sotme, anëtarët e klasës suaj do të përfitojnë nga këshilla e Palit për të “mend[uar]” gjëra që janë të pastra, të dashura, me famë të mirë, të virtytshme apo të denja për t’u lavdëruar (Filipianëve 4:8). Ndoshta ju mund t’i caktoni çdo anëtari të klasës (ose grupeve të vogla të anëtarëve të klasës) një prej cilësive të renditura te Filipianëve 4:8 ose Nenet e Besimit 1:13. Ata mund të gjejnë shkrime të shenjta rreth cilësisë që i është caktuar dhe t’i tregojnë klasës atë që gjejnë. Ata gjithashtu mund të tregojnë shembuj të asaj cilësie në jetën e njerëzve. Si i “kërkojmë këto gjëra”?
Kur besimi ynë “rrënj[oset]” te Jezu Krishti, ne forcohemi ndaj ndikimeve të botës.
-
Dëshmia e Palit për Shpëtimtarin që gjendet te Kolosianëve 1:12–23; 2:3–8 siguron një mundësi të mirë që anëtarët e klasës ta përsiatin dhe ta forcojnë vetë besimin e tyre. Anëtarët e klasës mund t’i kërkojnë këto vargje për të gjetur gjëra që e forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti. Çfarë do të thotë të jesh i “rrënj[osur] dhe [i] ndërtuar në [Jezu Krisht]”? (Kolosianëve 2:7). Figura e një peme në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe materiali filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat Shpirtërore”] (LDS.org) mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që të diskutojnë për këtë varg. (Shih edhe Nil L. Andersen, “Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 18–21.) Çfarë mund t’i forcojë apo dobësojë rrënjët e një peme? Si na forcon kundër ndikimeve të botës të qenit të “rrënj[osur] dhe [të] ndërt[uar] në [Jezu Krishtin]”? (shih Kolosianëve 2:7–8; shih edhe Helamani 5:12; Ethëri 12:4).
-
Anëtarët e klasës suaj mund të jenë në dijeni për filozofitë dhe traditat e njerëzve që mund ta “bë[jnë] pre” besimin e një njeriu në Krisht, për shkak se ato bien ndesh me të vërtetat e ungjillit dhe e bëjnë më të vështirë të jetuarit e ungjillit (Kolosianëve 2:8). Ndoshta anëtarët e klasës mund të renditin disa prej këtyre ideve (idetë e sugjeruara nga Plaku Dallin H. Ouks, që gjenden te “Burimet Shtesë”, mund të ndihmojnë). Më pas ju mund të diskutoni se si hedhja e rrënjëve në mësimet e Jezu Krishtit na ndihmon ta ndjekim këshillën e Palit: “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të” (Kolosianëve 2:6). Si mund ta mbështetim njëri-tjetrin në përpjekjet tona për të ndjekur Shpëtimtarin dhe jo traditat e rreme të botës?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
A janë ndier ndonjëherë anëtarët e klasës suaj të përndjekur për shkak se besojnë në ungjill? Thuajuni atyre se 1 dhe 2 Thesalonikasve përmbajnë këshillat që Pali u dha shenjtorëve të cilët jetuan mes përndjekjeve të mëdha dhe qëndruan besnikë.
Burime Shtesë
Paqja që ia tejkalon çdo zgjuarsie.
Teksa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, Plaku Xhei E. Xhensen tregoi këtë përvojë:
“Nipi ynë Kuintën lindi me defekte të shumëfishta dhe jetoi një vit pa tre javë, kohë gjatë së cilës ai hynte dhe dilte nga spitali. Unë dhe Motra Xhensen jetonim në Argjentinë gjatë asaj kohe. Ne vërtet donim që të ishim atje me fëmijët tanë për t’i ngushëlluar dhe për t’u ngushëlluar prej tyre. Ky ishte nipi që ne e donim dhe dёshironim t’i ndodheshim pranë. Ne mundeshim vetëm të luteshim dhe e bëmë këtë me zjarr!
Unë dhe Motra Xhensen ishim në një turne misioni kur morëm lajmin se Kuintëni kishte vdekur. Ne qëndruam në paradhomën e shtëpisë së mbledhjeve dhe e përqafuam dhe ngushëlluam njëri-tjetrin. Unë ju dëshmoj se na erdhi një siguri nga Fryma e Shenjtë, një paqe që ia kalon çdo zgjuarësie dhe vazhdon deri sot (shih Filipianëve 4:7). Ne gjithashtu u bëmë dëshmitarë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë në jetën e birit dhe të nuses sonë dhe të fëmijëve të tyre, që edhe sot flasin për atë kohë me një besim, paqe dhe ngushëllim të tillë” (“Fryma e Shenjtë dhe Zbulesa”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 78).
Parimet e ungjillit dhe traditat e njerëzve.
Plaku Dallin H. Ouks përcaktoi disa tradita të botës që bien ndesh me të vërtetat e ungjillit (shih “Repentance and Change”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 37–40):
-
Shpërfillja e ligjit të dëlirësisë
-
Frekuentimi jo i rregullt dhe pasiv në kishë
-
Shkeljet e Fjalës së Urtësisë
-
Mungesa e ndershmërisë
-
Dëshira për “ngritje” në pozicionet në Kishë
-
Një kulturë varësie në vend të një kulture të përgjegjësisë individuale