“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës
Përgatitja për të Dhënë Mësim në Shkollën e së Dielës
Studimi vetjak dhe familjar në shtëpi duhet të jetë qendra e të mësuarit të ungjillit. Kjo është e vërtetë për ju dhe për ata të cilëve u jepni mësim. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, fillojeni duke pasur vetë përvojat tuaja me shkrimet e shenjta. Përgatitja juaj më e rëndësishme do të ndodhë ndërkohë që i hulumtoni shkrimet e shenjta dhe kërkoni frymëzimin nga Fryma e Shenjtë.
Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është një pjesë e rëndësishme e studimit tuaj vetjak si edhe e përgatitjes suaj për të dhënë mësim. Ai do t’ju ndihmojë të fitoni një kuptim më të thellë për parimet doktrinore që gjenden në shkrimet e shenjta. Gjithashtu do të bëjë të mundur t’i frymëzoni dhe ftoni anëtarët e klasës që ta përdorin manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për të përmirësuar studimin e tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta (për ndihmë se si ta bëni këtë, shihni “Ide për Nxitjen e Studimit Vetjak dhe Familjar” në këtë burim). Teksa e bëni këtë, mbajeni mend që të jeni të ndjeshëm ndaj anëtarëve të klasës rrethanat familjare të të cilëve mund të mos e përkrahin studimin e rregullt familjar të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjen familjare të shtëpisë.
Gjatë përgatitjes suaj, mendime dhe mbresa do t’ju vijnë rreth njerëzve të cilëve u jepni mësim, mënyrës se si parimet në shkrimet e shenjta do ta bekojnë jetën e tyre dhe se si mund t’i frymëzoni që t’i zbulojnë ato parime teksa i studiojnë vetë shkrimet e shenjta.
Ide për Mësimdhënien
Ndërkohë që përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të merrni frymëzim shtesë duke i shqyrtuar përvijimet e mësimdhënies në këtë burim. Mos mendoni për këto ide si udhëzime hap pas hapi, por përkundrazi si sugjerime që e nxitin vetë frymëzimin tuaj. Ju i njihni anëtarët e klasës suaj dhe do t’i njihni edhe më mirë ndërsa mësoni së bashku në klasë. Edhe Zoti i njeh ata dhe Ai do t’ju frymëzojë me mënyrat më të mira për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të ndërtojnë mbi të mësuarit e ungjillit që po e bëjnë në shtëpinë e tyre.
Shumë burime të tjera janë në dispozicionin tuaj për t’u përdorur ndërkohë që përgatiteni, duke përfshirë idetë në manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe revistat e Kishës. Për informacion të mëtejshëm mbi këto dhe burime të tjera, shihni pjesën e titulluar “Burime Shtesë” në këtë burim.
Disa Gjëra që t’i Mbani në Mendje
-
Të mësuarit e ungjillit është më i efektshëm kur përqendrohet te shtëpia. Si mësues, ju keni një përgjegjësi të rëndësishme që ta mbështetni e nxitni të mësuarit e ungjillit në shtëpi nga anëtarët e klasës dhe të ndërtoni mbi atë mësim.
-
Kthimi i anëtarëve të klasës në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij do të forcohet kur ata e kuptojnë dhe e zbatojnë doktrinën e vërtetë. Nxitini të mbajnë shënim dhe të veprojnë sipas mbresave që i marrin nga Fryma e Shenjtë.
-
Mësimdhënia është më shumë sesa të jepni leksione, por është edhe më shumë sesa thjesht të drejtoni një diskutim. Pjesë e rolit tuaj është të nxitni një pjesëmarrje që lartëson dhe bazohet te shkrimet e shenjta. Ju gjithashtu duhet t’i thoni idetë e frymëzuara që i morët kur i studiuat shkrimet e shenjta.
-
Mbani mend që shumë anëtarë të klasës kanë përvoja domethënëse teksa i studiojnë në shtëpi të njëjtat shkrime të shenjta që do t’i diskutoni në orën mësimore. Ju mund ta përkrahni studimin e tyre të shkrimeve të shenjta duke u siguruar mundësi të shpeshta që të tregojnë atë që po mësojnë në shtëpi.
-
Ati Qiellor dëshiron që ju të keni sukses si mësues/e. Ai ka siguruar burime të shumta për t’ju ndihmuar, përfshirë mbledhjet e këshillit të mësuesve. Në këto mbledhje ju mund të këshilloheni me mësues të tjerë rreth sfidave me të cilat përballeni. Ju gjithashtu mund të diskutoni e vini në praktikë parime të mësimdhënies si të Krishtit.
-
Njerëzit mësojnë më mirë kur kanë mundësi për të dhënë mësim. Me raste, merreni parasysh që t’i lini anëtarët e klasës, përfshirë të rinjtë, që të japin një pjesë të mësimit. Bazojeni këtë vendim mbi nevojat dhe aftësitë e anëtarëve të klasës. Nëse e ftoni një anëtar/e të klasës të japë mësim, gjeni kohë që ta ndihmoni atë për t’u përgatitur paraprakisht duke përdorur idetë që gjenden në këtë burim dhe te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Mbani mend që si mësuesi/ja i/e thirrur, ju jeni përfundimisht përgjegjës/e për atë që jepet mësim në klasë.
Ky burim përfshin përvijime për mësimdhënien për çdo javë të vitit. Në të dielat kur nuk zhvillohet Shkolla e së Dielës, anëtarët e klasës e vazhdojnë leximin te Dhiata e Vjetër në shtëpi sipas programit të përvijuar tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Kur zhvillohet Shkolla e së Dielës, ju mund të zgjidhni që ta lini një mësim pa bërë ose të ndërthurni dy mësime.