Seminari
Marrja e Njohurisë Shpirtërore


“Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2021)

“Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Marrja e Njohurisë Shpirtërore

Perëndia Është Burimi i Gjithë së Vërtetës

  1. Perëndia i di të gjitha gjërat dhe është burimi i gjithë së vërtetës. Ngaqë Ati ynë Qiellor na do dhe dëshiron që ne të përparojmë drejt bërjes si Ai, Ai na ka nxitur të “kërko[jmë] të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Në kërkimin tonë për të vërtetën, ne mund të mirëbesojmë tërësisht tek Ai, duke u mbështetur tek urtësia e Tij, dashuria e Tij dhe fuqia e Tij për të na mësuar e për të na bekuar. Perëndia ka premtuar që të na e zbulojë të vërtetën në mendjen dhe zemrën tonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë, në qoftë se do ta kërkojmë Atë me zell.

  2. Për të na ndihmuar, Ati Qiellor na ka mësuar se si të marrim njohuri shpirtërore. Ai ka krijuar kushtet që duhet t’i ndjekim me qëllim që ta fitojmë një njohuri të tillë. Modeli i shuguruar i Perëndisë në mënyrë hyjnore kërkon që ne të kemi një dëshirë të sinqertë për ta ditur të vërtetën dhe të jemi të gatshëm për të jetuar sipas asaj që ka zbuluar Ai. Dëshira jonë e sinqertë do të na drejtojë ta kërkojmë të vërtetën nëpërmjet lutjes dhe një studimi të zellshëm të fjalës së Perëndisë.

  3. Nganjëherë ne mund të zbulojmë informacion të ri ose të kemi pyetje për sa i përket doktrinës, praktikave apo historisë së Kishës, të cilat duken të vështira për t’u kuptuar.

    Bërja e pyetjeve dhe kërkimi i përgjigjeve është një pjesë jetike e përpjekjes sonë për të mësuar të vërtetën. Disa nga pyetjet që na vijnë në mendje, mund të jenë të frymëzuara nga Fryma e Shenjtë. Pyetjet e frymëzuara duhet të merren parasysh si dhurata nga Perëndia, të cilat sigurojnë mundësi për ne që ta shtojmë kuptueshmërinë tonë dhe ta forcojmë sigurinë tonë se Zoti është i gatshëm për të na mësuar. Cilido qoftë burimi i pyetjeve tona, ne jemi bekuar me aftësinë për të menduar, për të arsyetuar dhe për të pasur ndikimin e Zotit që ta zgjerojë mendjen tonë dhe ta thellojë kuptueshmërinë tonë. Qëndrimi dhe synimi me të cilin bëjmë pyetje dhe kërkojmë përgjigje, do të ndikojnë shumë në aftësinë tonë për të mësuar nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

  4. Tre parimet vijuese mund të na udhërrëfejnë kur përpiqemi ta mësojmë dhe ta kuptojmë të vërtetën e përjetshme dhe kur u japim zgjidhje pyetjeve apo çështjeve.

    • Veproni me besim.

    • Shqyrtojini konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm.

    • Kërkoni kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore.

Parimi 1: Veproni me Besim

  1. Ne veprojmë me besim kur zgjedhim të mirëbesojmë te Perëndia dhe të kthehemi tek Ai fillimisht nëpërmjet lutjes së sinqertë, një studimi të mësimeve të Tij dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.

  2. Kur kërkojmë ta zhvillojmë kuptueshmërinë tonë dhe t’u japim zgjidhje shqetësimeve, është e rëndësishme që ne të mbështetemi te dëshmia që e kemi tashmë për Jezu Krishtin, Rivendosjen e ungjillit të Tij dhe mësimet e profetëve të Tij të shuguruar. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa të vijë dija e mëtejshme” (“Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 94). Zoti Vetë na ka ftuar të “sh[ohim] tek [Ai] në çdo mendim; [të] mos dysho[jmë], [të] mos k[emi] frikë” (Doktrina e Besëlidhje 6:36).

  3. Gjatë rasteve kur mund të mos i gjejmë menjëherë përgjigjet ndaj pyetjeve tona, është e dobishme të kujtojmë që, edhe pse Ati Qiellor ka zbuluar gjithçka që është e domosdoshme për shpëtimin tonë, Ai ende nuk e ka zbuluar të gjithë të vërtetën. Kur vazhdojmë të kërkojmë përgjigje, ne duhet të jetojmë sipas besimit – duke mirëbesuar se përfundimisht do t’i marrim përgjigjet që kërkojmë. Kur jemi besnikë ndaj së vërtetës dhe dritës që i kemi marrë tashmë, ne vërtet do të marrim më shumë. Përgjigjet ndaj pyetjeve dhe lutjeve tona shpesh vijnë “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30).

Parimi 2: Shqyrtojini Konceptet dhe Pyetjet me një Këndvështrim të Përjetshëm

  1. Për t’i shqyrtuar konceptet doktrinore, pyetjet dhe çështjet shoqërore me një këndvështrim të përjetshëm, ne i marrim ato parasysh në kontekstin e planit të shpëtimit dhe të mësimeve të Shpëtimtarit. Ne kërkojmë ndihmën e Frymës së Shenjtë, me qëllim që t’i shohim gjërat ashtu sikurse i sheh Zoti. Kjo na lejon ta riformulojmë pyetjen (ta bëjmë pyetjen ndryshe) dhe t’i shohim idetë duke u nisur nga standardi i Zotit për të vërtetën, në vend që të pranojmë kushtet paraprake ose hamendësimet e botës. Ne mund ta bëjmë këtë duke bërë pyetje të tilla si: “Çfarë di unë tashmë rreth Atit Qiellor, planit të Tij dhe mënyrës se si Ai vepron me fëmijët e Tij?” dhe “Cilat mësime të ungjillit e qartësojnë këtë koncept apo çështje ose lidhen me të?”

  2. Madje edhe pyetjet që lidhen me ngjarje historike, mund të duhet të shqyrtohen me një këndvështrim të përjetshëm. Teksa qëndrojmë të ngulitur në mirëbesimin tonë tek Ati ynë Qiellor dhe plani i Tij i shpëtimit, ne jemi në gjendje t’i shohim çështjet më qartë. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu që pyetjet historike të shqyrtohen në kontekstin e duhur historik, duke marrë parasysh kulturën dhe standardet e sjelljes së periudhës kohore në vend që të japim këndvështrime dhe qëndrime bashkëkohore.

  3. Është e rëndësishme të kujtojmë se hollësitë historike nuk mbartin fuqinë shpëtuese të besëlidhjeve, ordinancave dhe doktrinës. Të na tërhiqet vëmendja prej hollësive më pak domethënëse në kurriz të humbjes së mrekullisë në shpalosje e sipër të Rivendosjes, është si të kalojmë kohë duke shqyrtuar një kuti dhurate dhe duke mos e përfillur mrekullinë e vetë dhuratës.

Parimi 3: Kërkoni Kuptueshmëri të Mëtejshme nëpërmjet Burimeve të Caktuara në Mënyrë Hyjnore

  1. Si pjesë e procesit të caktuar nga Zoti për ta fituar njohurinë shpirtërore, Ai ka krijuar burime nëpërmjet të cilave Ai u zbulon vërtetësi dhe udhërrëfim fëmijëve të Tij. Këto burime përfshijnë dritën e Krishtit, Frymën e Shenjtë, shkrimet e shenjta, prindërit dhe udhëheqësit e Kishës. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve – profetët e Zotit në tokë sot – janë një burim jetik i së vërtetës. Zoti i ka zgjedhur e shuguruar këta individë që të flasin për Të.

  2. Ne gjithashtu mund ta mësojmë të vërtetën nëpërmjet burimeve të tjera të denja për t’u besuar. Megjithatë, kërkuesit e sinqertë të së vërtetës duhet të jenë të vëmendshëm ndaj burimeve të pasigurta të informacionit. Ne jetojmë në një kohë kur shumë “e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën” (Isaia 5:20). Satani është ati i gënjeshtrave dhe kërkon ta shtrembërojë të vërtetën dhe të na bindë që të largohemi prej Zotit dhe shërbëtorëve të Tij të caktuar. Kur mësojmë t’i dallojmë burimet e pasigurta dhe t’u shmangemi atyre, kjo mund të na mbrojë nga keqinformimi dhe nga ata që përpiqen ta shkatërrojnë besimin. Kur kërkojmë ndihmë nga Fryma e Shenjtë dhe kthehemi te burimet e Zotit të caktuara në mënyrë hyjnore për përgjigje dhe drejtim, ne mund të bekohemi që të dallojmë të vërtetën nga gabimi. Ne mund të mirëbesojmë në premtimin e Zotit se “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).

Ndihma ndaj të Tjerëve që të Marrin Njohuri Shpirtërore

  1. Kur të tjerët vijnë te ne duke bërë pyetje ose duke hetuar doktrinën, praktikat ose historinë e Kishës, si mund t’i ndihmojmë më së miri ata në kërkimin e tyre për të vërtetën? Këto në vijim janë disa nga mënyrat se si mund t’i ndihmojmë:

  2. Dëgjoni me kujdes dhe plot lutje. Dëgjoni me vëmendje përpara se të përgjigjeni, duke u përpjekur t’i sqaroni dhe kuptoni pyetjet e vërteta që po bëjnë. Kërkoni plot mendim që të kuptoni qëllimin e vërtetë të pyetjeve të tyre dhe të ndjenjave e bindjeve të tyre. Lutuni për udhëzim rreth mënyrës se si mund t’i ndihmoni sa më mirë ata që kanë pyetje.

  3. Jepni mësim dhe dëshmoni për të vërtetat e ungjillit. Tregoni për mësime të zbatueshme nga shkrimet e shenjta dhe profetët modernë dhe për mënyrën se si ju kanë sjellë ndryshim në jetën tuaj. Ndihmojini ata me të cilët flisni, që t’i shqyrtojnë ose riformulojnë pyetjet e tyre në kontekstin e ungjillit dhe të planit të shpëtimit.

  4. Ftojini të veprojnë me besim. Mbani mend që Zoti na kërkon të gjejmë njohuri shpirtërore për veten tonë. Si rrjedhim, ne duhet t’i ftojmë të tjerët që të veprojnë me besim nëpërmjet lutjes, bindjes ndaj urdhërimeve dhe studimit të zellshëm të fjalës së Perëndisë, duke përdorur burime të caktuara në mënyrë hyjnore, veçanërisht Librin e Mormonit. Nëse gjen zbatim, ftojini të kujtojnë përvoja që mund t’i kenë pasur kur ata e ndien Frymën e Shenjtë, dhe të mbahen fort te të vërtetat e përjetshme që i kanë mësuar derisa të vijë njohuri shtesë.

  5. Ndiqni ecurinë. Ofrojuni që të kërkoni për përgjigje dhe më pas ndiqeni ecurinë duke treguar atë që mësoni. Ju gjithashtu mund t’i kërkoni përgjigjet së bashku. Shpreheni mirëbesimin tuaj te premtimi i Zotit për të dhënë zbulesë vetjake.