Rinia
Ecni në dritën e Perëndisë


“Ecni në dritën e Perëndisë”, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022)

“Ecni në dritën e Perëndisë”, Për Forcën e Rinisë

Drita e diellit duke rrezatuar përmes pemëve të sekuojave.

Ecni në dritën e Perëndisë

Galatasve 5:25

ikonë e njerëzve duke ecur drejt dritës

Ju bëni zgjedhje më të mira kur mund t’i shihni gjërat qartë. Kjo është arsyeja pse drita është kaq e rëndësishme: drita e bën më të lehtë për të parë shtegun e duhur. Ati Qiellor ju ka dhënë të drejtë përdorimi të dritës qiellore – dhuratën e Frymës së Shenjtë – për t’ju ndihmuar të shihni qartë se çfarë është e mirë dhe e keqe, e drejtë dhe e gabuar.

Të vërtetat e përjetshme

Një e re duke marrë ujin gjatë sakramentit.

Në pagëzim ju hyni në një marrëdhënie të gëzueshme besëlidhjeje me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Në tempull, ju do të bëni besëlidhje të tjera që mund ta forcojnë atë marrëdhënie. Çdo javë gjatë sakramentit, ju i përtërini besëlidhjet tuaja. Ju shprehni gatishmërinë tuaj për t’i zbatuar urdhërimet dhe Zoti ju bekon me mundësinë që të keni Shpirtin e Shenjtë si shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm. Është një nga dhuratat e Tij më të mëdha për ju.

Bërja e zgjedhjeve të mira e përmirëson aftësinë tuaj për ta ndier Shpirtin. Ka shumë gjëra të mira dhe të shëndetshme në këtë botë. Ashtu si trupi juaj ndikohet nga ajo që hani dhe pini, mendja dhe shpirti juaj ndikohen thellësisht nga ato që lexoni, shikoni e dëgjoni.

Ftesat

Gjeni kohë për Zotin çdo ditë. Mësoni për Të. Kujtojeni gjithmonë Atë. Lutjuni Atit tuaj Qiellor. Studiojini shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Më pas përpiquni që të jetoni sipas asaj që mësoni.

Tre të rinj e të reja në një kopsht pranë një tempulli.

Kërkoni atë që e lartëson, e frymëzon dhe e fton Shpirtin. Ndërsa bëni zgjedhje se çfarë të shikoni, lexoni, dëgjoni ose në çfarë të merrni pjesë, mendoni se si ju bën të ndiheni. A ju fton mendime të mira? Qëndroni larg çdo gjëje që tallet me gjërat e shenjta ose që është e pamoralshme. Mos merrni pjesë në ndonjë gjë që e turbullon gjykimin ose ndjeshmërinë tuaj ndaj Shpirtit, të tilla si dhuna, alkooli dhe drogat e dëmshme. Kini guximin të fikni një material filmik ose lojë, të dilni nga një shfaqje filmi ose një mbrëmje vallëzimi, të ndryshoni muzikën tuaj ose të largoheni nga çdo gjë që nuk është në përputhje me Shpirtin.

ikonë e mediave shoqërore me një zemër

Përdorini mediat shoqërore për të lartësuar moralisht. Mediat shoqërore mund të jenë një mjet i fuqishëm komunikimi. Nëse i përdorni, përqendrohuni te drita, besimi dhe e vërteta. Mos e krahasoni jetën tuaj me atë që njerëzit e tjerë duket se po përjetojnë. Mos harroni se vlera juaj vjen nga të qenit fëmijë i prindërve qiellorë, jo nga mediat shoqërore.

Kërkoni përvoja të shëndetshme dhe marrëdhënie reale e të qëndrueshme. Kini kujdes që përdorimi nga ana juaj i teknologjisë dhe mediave të mos e zëvendësojë kohën që kaloni fizikisht me familjen dhe miqtë tuaj. Mediat shoqërore dhe teknologji të tjera mund të marrin shumë nga koha juaj pa ju dhënë si shkëmbim vlerë të madhe. Bëni një shkëputje nga bota virtuale dhe lidhuni me njerëz në jetën reale.

Bekimet e premtuara

Ju mund ta keni gjithmonë Shpirtin me vete. Fryma e Shenjtë do t’ju dëshmojë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ai do t’ju ngushëllojë, udhërrëfejë, paralajmërojë dhe shenjtërojë. Ai do t’ju ndihmojë të dalloni të vërtetën dhe të shihni të mirën në botë.

ikona pyetje dhe përgjigje

Pyetje dhe përgjigje

Si mund ta di nëse po e ndiej Frymën e Shenjtë? Të mësuarit që të jeni të vetëdijshëm për Shpirtin kërkon kohë, ushtrim e durim. Ai u flet njerëzve të ndryshëm në mënyra të ndryshme. Mos i anashkaloni gjërat e thjeshta – ndjenjën paqësore që merrni kur dëgjoni dëshminë e dikujt ose ndjenjën e parehatshme që ndieni pasi keni bërë një zgjedhje të gabuar. Hulumtojini shkrimet e shenjta për mënyrat e ndryshme se si komunikon Shpirti, lutuni për të dhe vazhdoni të kërkoni mundësi për ta ndier Shpirtin.

Një e re duke u lutur ndërkohë që është e gjunjëzuar pranë shtratit të saj.

Çfarë është pornografia? Përse duhet ta shmang atë? Pornografia është një paraqitje, me figura apo fjalë, e cila krijohet që të ngjallë ndjenja seksuale. Pornografia vjen në shumë forma, përfshirë materialet filmike, figurat, librat dhe muzikën. Mund të ketë gjithashtu mesazhe ose imazhe që dërgohen ndërmjet miqve. Pornografia nuk i trajton me respekt gjërat që janë të shenjta, si trupat tanë fizikë dhe ndjenjat tona seksuale. Ju mund të ndesheni me pornografinë pa dashur. Nëse e ndeshni pornografinë me qëllim ose jo, largohuni menjëherë. Mund të doni gjithashtu të flisni me një prind ose një të rritur tjetër të besuar. Shikimi i qëllimshëm i pornografisë është mëkatar dhe e dëmton aftësinë tuaj për ta ndier Shpirtin. Ai e dobëson vetëkontrollin tuaj dhe e shtrembëron mënyrën se si e shihni veten dhe të tjerët. Jezu Krishti ka fuqinë që t’ju ndihmojë për t’i bërë ballë pornografisë dhe të pendoheni. Kthehuni drejt Tij; largohuni nga errësira. Peshkopi juaj mund t’ju ndihmojë të merrni forcë dhe falje nëpërmjet Shpëtimtarit.

Shihni tek Amos 5:14 (kërkoni të mirën); Galatasve 5:22–23 (frytet e Frymës); Moroni 7:18–19 (drita e Krishtit); Doktrina e Besëlidhje 6:23 (Zoti flet paqe); 20:77, 79 (lutjet e sakramentit).

ikonë e tempullit

Pyetjet për rekomandimin e tempullit

Zoti ka thënë se gjithçka duhet të “bëhet … në pastërti” përpara Tij (Doktrina e Besëlidhje 42:41). A përpiqeni fort për pastërti morale në mendimet dhe sjelljen tuaj? A i bindeni ligjit të dëlirësisë?

A përpiqeni fort ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, si në shtëpi edhe në Kishë; të merrni pjesë në mbledhjet tuaja; të përgatiteni për sakramentin dhe ta merrni me denjësi atë; dhe ta jetoni jetën tuaj në harmoni me ligjet dhe urdhërimet e ungjillit?