Peshkopata
Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit


“Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit”, Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit (2021)

“Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit”, Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit

Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit

Parimet Udhëzuese

Ndërkohë që merret parasysh hapësirë e re për një shtëpi mbledhjesh, udhëheqësit dhe punonjësit e Kishës zbatojnë këto parime udhëzuese:

  1. Mbështetja te vetja – Ne përpiqemi fort që të përkrahim rritjen afatgjatë për Kishën. Çdo zonë e Kishës duhet të ketë synimin që të bëhet materialisht e mbështetur te vetja.

  2. Përdorueshmëria – Ne sigurohemi që mësimdhënia thelbësore e ungjillit, burimet dhe shërbimet janë të përdorshme nga të gjithë. Zonat në gjendje më të mirë duhet të ndihmojnë zonat që janë më pak të mbështetura te vetja.

  3. Kujdestaria me urtësi – Ne jemi kujdestarë të urtë të burimeve të shenjta. Ne marrim parasysh se si vendimet do të ndikojnë në jetën e përditshme të anëtarëve dhe sa e përballojnë ekonomikisht pjesëmarrjen në Kishë.

Udhëheqësit zonalë dhe vendorë të priftërisë përpiqen fort të vënë në zbatim parimet e shpjeguara në dokumentin Parimet dhe Udhëzimet e Planifikimit të Shtëpive të Mbledhjeve përpara se të rekomandojnë hapësirë shtesë.

Njëtrajtshmëria dhe Përshtatja

Të gjitha shtëpitë e mbledhjeve duhet të kenë veçori që e përkrahin përvojën e adhurimit dhe programet e Kishës. Këto përfshijnë hapësirën për grumbullim, mësimdhënie dhe veprimtari të përgjithshme. Kushtet vendore – përfshirë madhësitë dhe udhëheqjen e njësive – mund të kërkojnë përshtatje kur sigurohen shtëpitë e mbledhjeve.

Një godinë mbledhjesh mund të jetë shtëpia e një anëtari, një shkollë ose qendër komunitare vendore, një hapësirë e marrë me qira, një hapësirë e ndërtuar nga Kisha apo e blerë, ose variante të tjera. Secila prej tyre mund të jetë një zgjidhje afatgjatë për njësitë e përmasave të mëdha, siç miratohet nga Presidenca e Zonës. Përdorimi i teknologjisë, të tillë si pajisjet e zërit dhe pamjes, mund ta lehtësojë një përshtatje të tillë.

Sigurimi i Hapësirës Bazuar te Nevoja

Udhëheqësit zonalë dhe vendorë përpiqen ta zgjerojnë me urtësi përdorimin e shtëpive të mbledhjeve përpara se të kërkojnë hapësirë shtesë. Duhet të sigurohet hapësirë pas marrjes parasysh të frekuentimit maksimal ose numrit të njësive në ndërtesë, si edhe burimet jashtë kufijve të lagjeve ose kunjeve brenda kohës së udhëtimit të përcaktuar nga Presidenca e Zonës. Punonjësit e Kishës në atë zonë, duke punuar me udhëheqësit vendorë, do të bëjnë rekomandime për ta shtuar në maksimum përdorimin e burimeve të Kishës, pa u varur nga kufijtë e kunjeve.

Përballueshmëria Ekonomike

Udhëheqësit zonalë dhe vendorë kërkojnë zgjidhjen më të përshtatshme, më afatgjatë dhe më të qëndrueshme nga ana ekonomike për nevojat e shtëpive të mbledhjeve. Hapësira e re duhet të ketë një pamje nderimi e dinjiteti, duhet të jetë e thjeshtë dhe të jetë në harmoni me strukturimin dhe paraqitjen e rrethinave të saj vendore. Ajo duhet të përdorë gjithashtu materialet, pajisjet dhe orenditë e gjendura në vend, aty ku është e përshtatshme. Procesi i sigurimit dhe funksionimit të një hapësire për shtëpinë e mbledhjeve duhet të ndihmojë për ta forcuar në atë zonë mbështetjen e Kishës te vetja.

Shmangia e Konflikteve të Interesit

Udhëheqësit dhe anëtarët vendorë nuk duhet të ndikojnë te marrëdhëniet e biznesit për pronat e Kishës. Për shembull, ata nuk autorizohen të negociojnë për blerjen ose marrjen me qira të pronës apo të bëjnë çfarëdo zotimesh që i detyrojnë të shpenzojnë fondet e përgjithshme të Kishës. Përjashtimet duhet të miratohen me shkrim nga zyra zonale ose Sektori i Godinave të Shtëpive të Mbledhjeve.

Planifikimi Kryesor për Shtëpitë e Mbledhjeve

Në mënyrë që të forcohen anëtarët e Kishës, zonat përgatitin plane kryesore, afatgjata për shtëpitë e mbledhjeve. Këto plane përfshijnë vendime që të shtojnë ose rishpërndajnë (për shembull të heqin) hapësirën në shtëpitë e mbledhjeve. Planifikimi kryesor, afatgjatë për shtëpitë e mbledhjeve e përkrah planin zonal për të forcuar familjet, anëtarët dhe njësitë duke siguruar shtëpi mbledhjesh në një mënyrë të thjeshtë dhe të përballueshme ekonomikisht. Kjo bëhet duke i përdorur burimet me urtësi, duke marrë parasysh ndikimin e vendimeve për shtëpitë e mbledhjeve mbi forcimin e anëtarëve të Kishës dhe duke siguruar hapësirë të duhur për kushtet vendore.

Nën drejtimin e Presidencës së Zonës, Të Shtatëdhjetët Zonalë, drejtori për çështjet materiale dhe personeli zonal ua paraqitin rekomandimet për shtëpitë e mbledhjeve udhëheqësve të priftërisë, punojnë në unitet me ta për të zgjidhur shqetësimet dhe për të krijuar një propozim përfundimtar për shtëpitë e mbledhjeve që të përfshihet në planin kryesor. Kjo mund të bëhet gjatë një mbledhjeje bashkërenduese të këshillit me presidentët e caktuar të kunjeve. Presidenca e kunjit mund të ketë nevojë t’i sigurojë informacion Presidencës së Zonës që do ta ndihmojë drejtorin për çështjet materiale për përgatitjen dhe përditësimin e një plani kryesor.

Për më shumë informacion, udhëheqësit e priftërisë duhet të rishikojnë broshurën Meetinghouse Master Planning Guidelines [Orientimet për Planifikimin Kryesor për Shtëpitë e Mbledhjeve].

Financimi për Godinat e Shtëpive të Mbledhjeve

Hapësira e shtëpive të mbledhjeve financohet nëpërmjet planit vjetor për Godinat e Shtëpive të Mbledhjeve. Presidencat e Zonave ia dorëzojnë planet e tyre vjetore Komitetit të Buxhetit dhe të Përvetësimeve nëpërmjet Peshkopatës Kryesuese.

Vlerësimi i Nevojës për Hapësirë të Re Adhurimi

Disa faktorë që ndikojnë te planifikimi për shtëpitë e ardhshme të mbledhjeve dhe hapësira të tjera për adhurim, përfshijnë karakteristikat e njësive tipike të Kishës në atë zonë; shkallën dhe modelet e rritjes në të shkuarën; rritjen e parashikuar; ndarjet e planifikuara të njësive; si dhe madhësinë, vendndodhjen dhe shtrirjen e përdorimit të ndërtesave ekzistuese.

Variantet për Gjetjen e Hapësirës Shtesë

Zyra e zonës merr parasysh disa variante për të përcaktuar mënyrën më të duhur që të plotësojë nevojat për më shumë hapësirë për adhurim. Këto variante përfshijnë modifikimin e programeve të njësive vendore, përdorimin e përbashkët me njësi të tjera të Kishës, dhënien e një forme të re ndaj një hapësire ekzistuese, marrjen me qira të hapësirës, blerjen e një ndërtese ekzistuese ose ndërtimin e një shtëpie të re mbledhjesh.

Dhurimi i Pronës së Patundshme

Kisha është përzgjedhëse në pranimin e dhurimeve të pasurisë së patundshme. Nëse dikush dëshiron t’i dhurojë Kishës një pronë të patundshme, udhëheqësit vendorë të priftërisë vihen në kontakt me zyrën zonale. Për zonat në Shtetet e Bashkuara ose Kanada, merrni në telefon Sektorin e Shërbimeve të Pasurive të Patundshme në Sektorin e Godinave të Shtëpive të Mbledhjeve te 1-801-240-5685 ose 1-800-453-3860.

Udhëheqësit vendorë nuk pranojnë ose japin fatura për pronën e patundshme që dhurohet. Dhurimet ose lëniet amanet të pronave të patundshme duhet të ofrohen pa kushte të përcaktuara lidhur me përdorimin ose dispozitën e tyre.

Planet Arkitekturore të Shtëpive Standarde të Mbledhjeve

Punonjësit zonalë të Kishës kanë përgatitur plane arkitekturore të shtëpive standarde të mbledhjeve që t’u përshtaten rrethanave dhe nevojave vendore. Kur duhet të ndërtohet një shtëpi e re mbledhjesh, përzgjidhet një plan i përshtatshëm standard. Ai plan përvijon rregulloret për dhomat, veçoritë dhe pajisjet që duhet të përfshihen në këto vende adhurimi.

Zhvillimi i Projektit në Ndërtimin e Shtëpive të Mbledhjeve

Kur plotësohen të gjitha kriteret për ndërtimin e një shtëpie të re mbledhjesh dhe përcaktohet vlera e një projekti të propozuar ndërtimi, vendoset në një plan vjetor, financohet dhe planifikohet, projekti i shtëpisë së mbledhjeve kalon në fazën e zhvillimit të projektit.

Në kohën e duhur gjatë zhvillimit të projektit, administratori i projektit, në këshillim me përgjegjësin e godinave, takohet me presidencën e kunjit për të shqyrtuar dhe përzgjedhur nga variantet e stileve në dispozicion në planet standarde. Gjithashtu mund të diskutohet mundësia e mbajtjes së një shërbese për fillimin e punimeve. Përgjegjësi i godinave i jep presidencës së kunjit përditësime të herëpashershme gjatë gjithë procesit të zhvillimit.

Ndërtimi i Projektit

Kur përfundohet faza e zhvillimit të projektit, zyra e zonës cakton kontratën e ndërtimit. Me ndihmën e përgjegjësit të godinave, administratori i projektit mban një mbledhje përpara ndërtimit me udhëheqësit e kunjit dhe kontraktuesin. Personat në mbledhje shqyrtojnë rolet e tyre përkatëse, përfundojnë variantet e stilit dhe mobiliet sipas planit standard të zonës vendore dhe shqyrtojnë afatin e projektit.

Dorëzimi i Shtëpisë së Mbledhjeve

Kur projekti i ndërtimit përfundohet, administratori i projektit ia “dorëzon” zyrtarisht ndërtesën ose shtesën përgjegjësit të godinave. Përgjegjësi i godinave planifikon dhe administron pastrimin tërësor dhe procedurat e mirëmbajtjes dhe kryen të gjitha detyrat e tjera të nevojshme për ta përgatitur ndërtesën për përdorim.

Përgjegjësi i godinave mban një mbledhje orientuese dhe një vizitë nëpër godinë për udhëheqësit vendorë. Ai u jep udhëzime fillestare mbi sistemet e ndryshme të ndërtimit përfaqësuesve të ndërtesave për kunjet dhe lagjet. Ai u jep çelësa udhëheqësve vendorë dhe rishikon oraret e pastrimit dhe pjesëmarrjen e anëtarëve.

Marrja me Qira e Hapësirës së Shtëpisë së Mbledhjeve

Për marrje me qira të shtëpive të reja të mbledhjeve, udhëheqësit vendorë këshillohen me përgjegjësin zonal të planifikimit të godinave të shtëpive të mbledhjeve për të përcaktuar kualifikimet. Kostot e marrjes me qira paguhen nga buxheti veprues i grupit përgjegjës për godinat.

Për përsëritjen e kontratës së qirasë së shtëpive të mbledhjeve, udhëheqësit vendorë këshillohen me përgjegjësin e godinave, i cili do të ndihmojë me kërkesën. Një godinë e përkohshme mund të merret me qira në raste kur shtëpitë ekzistuese të mbledhjeve nuk janë të mjaftueshme që të sigurojnë vend për disa lagje gjatë restaurimit të një shtëpie mbledhjesh.

Zyra e zonës negocion për kushtet e të gjitha marrëveshjeve të qirave.

Marrja me Qira e një Hapësire të Përkohshme

Godinat e përkohshme mund të merren me qira me shpenzimin e Kishës kur hapësira në dispozicion nuk do të jetë e mjaftueshme siç duhet për t’u përdorur për një aktivitet kunji, të tillë si konferencat e kunjeve ose rajonale, takimet shpirtërore, sportet brenda ndërtesave ose aktivitetet shumëkulturore. Zgjidhje të mundshme, përfshirë mbajtjen e sesioneve të shumta ose përdorimin e teknologjisë (të tilla si transmetimet satelitore), duhet të merren parasysh përpara marrjes me qira të godinave të përkohshme.

Nëse një godinë e përkohshme bëhet e domosdoshme, udhëheqësit vendorë këshillohen me përgjegjësin e godinave për të bërë kontratën ose marrëveshjen e nevojshme. Përgjegjësi i godinave më pas ia dorëzon zyrës zonale marrëveshjen dhe një formular “Kërkesë për Godinë të Përkohshme me Qira”. Kërkesat duhet të dorëzohen mjaft kohë përpara nevojës. Kur ndiqen këto procedura, kostot e qirasë paguhen nga fondet e përgjithshme të Kishës.

Godinat për veprimtari sportive jashtë tyre merren me qira me shpenzimet e njësisë vendore.

Shërbesat për Nisjen e Punimeve

Pasi miratohet projekti i një ndërtese të re, Presidenca e Zonës mund të lejojë kryerjen e një shërbese për nisjen e punimeve në përgatitje për ndërtimin. Kjo shërbesë nuk duhet të zhvillohet të dielën. Presidenti i kunjit që përfshihet, këshillohet me Të Shtatëdhjetin Zonal për udhëzim.

Përkushtimi i Ndërtesave

Miratimi përfundimtar për përkushtimin jepet nga Presidenca e Zonës në bashkërendim me drejtorin për çështjet materiale. Presidenca e Zonës punon me presidentin e kunjit ose të misionit dhe cakton se kush është përgjegjës për përkushtimin e ndërtesës.

Programi për një shërbesë përkushtimi duhet të jetë në përputhje me qëllimin e ngjarjes. Ai nuk duhet të jetë i gjatë apo të përfshijë shfaqje të zgjeruara muzikore. Duhet të lihet kohë e mjaftueshme që udhëheqësi i caktuar të flasë dhe ta përkushtojë ndërtesën.

Pas lutjes përkushtuese, duhet të ketë një himn ose një përzgjedhje të përshtatshme muzikore dhe një lutje të shkurtër për ta mbyllur shërbesën.

Lutjet përkushtuese për ndërtesat mund të regjistrohen me leje nga autoriteti kryesues.

Shtëpitë e mbledhjeve të marra me qira mund të përkushtohen nëse përmbushen të gjitha kushtet vijuese:

  1. E gjithë hapësira e marrë me qira, duke përjashtuar zonat e përbashkëta (të tilla si hyrjet, korridoret dhe tualetet), përdoret vetëm nga Kisha.

  2. Kontrata e qirasë është për më shumë se një vit.

  3. Presidenca e Zonës e miraton përkushtimin e shtëpisë së mbledhjeve që është marrë me qira.

Në qoftë se plotësohen këto kushte dhe përkushtohet shtëpia e mbledhjeve, lutja përkushtuese duhet të përfshijë fjalët që shtëpia e mbledhjeve përkushtohet “për periudhën e marrjes me qira”.