“Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve”, Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit (2021)
“Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve”, Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit
Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve
Pastrimi i Shtëpive të Mbledhjeve
Për shtëpitë e mbledhjeve të Kishës duhet të tregohet kujdes në një mënyrë që vë në dukje natyrën dhe qëllimin e tyre të shenjtë. Udhëheqësit, anëtarët vendorë dhe grupi përgjegjës për godinat kanë së bashku përgjegjësi për t’i mbajtur të pastra dhe të rregullta shtëpinë e mbledhjeve dhe rrethinat e saj.
Pjesëmarrja e Anëtarëve
Anëtarëve u kërkohet të marrin përsipër përgjegjësi, së bashku me grupin përgjegjës për godinat, për pastrimin dhe kujdesin për shtëpitë e mbledhjeve. Qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së anëtarëve është që t’u sjellë përfitim dhe bekim të gjithë anëtarëve – përfshirë rininë dhe anëtarët më pak aktivë – duke u siguruar mundësi për të shërbyer. Gjithashtu përforcon dhe thellon respektin për shtëpitë e Zotit për adhurim.
Pjesëmarrja e anëtarëve organizohet dhe kryhet nën drejtimin e presidencës së kunjit. Përfaqësuesit e kunjeve dhe të lagjeve për ndërtesat mund të thirren për të ndihmuar që të mësohet dhe bashkërendohet kjo përgjegjësi. (Shih informacionin rreth organizimit të programit.)
Nevoja për pastrim me themel dhe punë të tjera pakësohet në minimum kur ata që e përdorin ndërtesën, pastrojnë pas gjërave që bëjnë dhe ushtrojnë urtësi, kujdes e respekt gjatë gjithë kohës.
Përfaqësuesi i lagjes për ndërtesën mund t’i organizojë dhe, atje ku është e mundur, t’i mbikëqyrë mundësitë e përjavshme të pastrimit. Të gjithë anëtarëve duhet t’u jepet mundësi për të marrë pjesë në pastrim. Të rinjtë e të rejat janë të ftuar të marrin pjesë me familjet, kuorumet ose klasat e tyre.
Të rinjtë ose të rejat nuk duhet të jenë përgjegjës për mbylljen e ndërtesës natën ose për vënien në punë të një pajisjeje elektrike.
Dhoma e Pajisjeve për Anëtarët
Një shtëpi mbledhjesh mund të ketë një dhomë mjetesh për anëtarët ku janë në dispozicion pajisje dhe materiale pastrimi për përdorim nga anëtarët. Përfaqësuesit e kunjeve dhe të lagjeve për ndërtesat mund të bashkërendojnë me grupin përgjegjës për godinat për ta pajisur, mbushur dhe mirëmbajtur këtë dhomë.
Procedurat e Rasteve të Urgjencës
Udhëheqësit vendorë të priftërisë zhvillojnë plane për t’iu përgjigjur rasteve të ndryshme të urgjencave që mund të ndodhin në shtëpinë e mbledhjeve. Ata i përdorin këto plane për të trajnuar anëtarët dhe për t’iu referuar atyre gjatë rasteve të urgjencave. Rekomandohet që në vendndodhje të përshtatshme të paraqitet informacion kontakti për shërbimet vendore të policisë, zjarrfikësve dhe mjekësore.
Parandalimi i Zjarrit
Rreziku për të rënë zjarr ulet kur çdo njeri që e përdor shtëpinë e mbledhjeve, ndërmerr masa të arsyeshme paraprake. Më poshtë janë disa masa të sugjeruara për parandalimin e zjarrit:
-
Mbajini të gjitha materialet që marrin flakë – përfshirë drurë, produkte prej letre, kimikate dhe mbeturina – jashtë dhomave të klasave, dhomave të mjeteve të pastrimit, dollapëve dhe hapësirave me bolierë, furnela, aparate mekanike dhe pajisje të shërbimeve komunale.
-
Shmangeni përdorimin e ngrohësve elektrikë.
-
Mos lini stufa ose furra pa u kushtuar vëmendje kur po ngrohni ushqime ose po zieni ujë.
Trotuaret dhe Shtigjet Jashtë Ndërtesës
Ashtu si udhëheqësit i mbajnë të lira korridoret dhe pikat e tjera të hyrjes brenda, është e rëndësishme t’i mbajmë të lira për hyrje dhe dalje trotuaret ose shtigjet jashtë ndërtesës.
Çelësat e Shtëpive të Mbledhjeve
Grupi përgjegjës për godinat u siguron udhëheqësve të kunjit çelësa për shtëpitë e mbledhjeve. Peshkopatat u shpërndajnë çelësa udhëheqësve dhe udhëheqëseve të lagjes siç udhëzohen nga kunji. Secila peshkopatë mban një dokument se kush ka çelësa dhe mund t’ia japë një kopje të atij dokumenti përfaqësuesit të kunjit për ndërtesat. Anëtarët i kthejnë çelësat kur lirohen nga përgjegjësitë përkatëse.
Paratë
Paratë nuk lihen në shtëpinë e mbledhjeve gjatë natës ose pa vëmendje në çdo kohë.
Procedurat e Sigurimit dhe të Mbylljes
Udhëheqësit e kunjit ose peshkopët veprues marrin parasysh të përdorin një listë për orët e mbylljes dhe procedurat e kyçjes së shtëpive të mbledhjeve. Këto procedura ndiqen çdo natë pak kohë pas orës së caktuar të mbylljes.
Udhëheqësit e priftërisë mund t’i caktojnë individët në dyshe që ta kyçin ndërtesën për të minimizuar rrezikun vetjak. Procedura e kyçjes përfshin kujdesin që asnjë person i paautorizuar të mos ngelet në ndërtesë, mbylljen e të gjitha dritave, të sistemit të përkohshëm të nxehjes ose të ajrit të kondicionuar dhe kyçjen e dyerve dhe dritareve.
Anëtarëve të Kishës që kanë çelësa për të hyrë në shtëpinë e mbledhjeve, u kërkohet t’i kyçin dyert e jashtme dhe të gjitha dritaret kur largohen.
Udhëheqësit vendorë kujdesen që kompjuterat, makinat e fotokopjimit, tastierat elektronike të lëvizshme dhe pajisjet e zërit dhe pamjes të ruhen në dhoma ose mjedise të ruajtjes që kyçen. Përveç kësaj, kompjuterat dhe aparaturat elektronike shënohen si pronë e Kishës dhe për to një listë e modelit dhe numrave serialë.