Biblioteka
2. Organizimi dhe Veprimtaritë Misionare


Loaves and Fishes [Bukë dhe Peshq] nga Rose Dall

2

Organizimi dhe Veprimtaritë Misionare

2.0

Hyrje

Zoti ka thënë: “Ju duhet të organizoheni dhe t’i caktoni çdo njeriu kujdestarinë e tij [ose të saj]” (Doktrina e Besëlidhje 104:11). Kjo pjesë e këtij manuali përshkruan organizimin e misionit dhe shpjegon se si mund të punoni dhe të jetoni me një shok apo shoqe, të merrni pjesë në veprimtaritë e misionit, të planifikoni programe ditore dhe t’u shërbeni të tjerëve me dashurinë e pastër të Krishtit (shihni te Moroni 7:44–47) në mënyrën më të mirë.

Për sqarim, këto standarde e përdorin termin udhëheqës misionarë në moshë të re për t’iu referuar misionarëve me detyra udhëheqjeje, të tilla si shoku apo shoqja me më shumë përvojë, udhëheqëset trajnuese motra ose udhëheqësit e zonës. Termi udhëheqësit e misionit i referohet presidentit tuaj të misionit, i cili mban çelësat e priftërisë, dhe bashkëshortes së tij.

Këto standarde gjithashtu përdorin termat peshkop, president kunji, lagje dhe kunj. Zbatojini orientimet përkatëse siç duhet ndaj presidentëve të degëve, presidentëve të distrikteve, degëve dhe distrikteve të anëtarëve.

2.1

Udhëheqja e Misionit

Përgjegjësia juaj më e rëndësishme, pavarësisht nga çfarëdo caktimi në udhëheqje, është të jeni një misionar ose misionare besnike dhe e përkushtuar. Kjo këshillë nga Zoti që shënohet te Doktrina e Besëlidhje, gjen zbatim edhe për ju: “Gjëja që do të jetë më me vlerë për ty, do të jetë t’i shpallësh pendim këtij [brezi], që ti të mund të sjellësh shpirtra tek unë” (Doktrina e Besëlidhje 15:6).

2.1.1

Udhëheqësit e Misionit: Presidenti Juaj i Misionit dhe Bashkëshortja e Tij

Presidenti juaj i misionit dhe bashkëshortja e tij, të cilët shërbejnë së bashku si udhëheqësit e misionit tuaj, thirren nga Perëndia dhe veçohen për ta udhëhequr misionin. Së bashku ata ju duan dhe ju shërbejnë, ju ndihmojnë të përmbushni qëllimin tuaj si misionar/e dhe ndihmojnë që ju të jeni të sigurt dhe të lumtur.

Udhëheqësit tuaj të misionit mbajnë shumë përgjegjësi për misionin. Ata do të punojnë së bashku për t’ju përkrahur dhe nxitur, për t’i dëgjuar shqetësimet tuaja, për t’iu përgjigjur pyetjeve, për ta vlerësuar përparimin dhe për të dhënë këshillë. Ngaqë presidenti juaj i misionit mban çelësa të caktuar të priftërisë, ai vepron si një gjykatës i përbashkët në mision. Shkelja seksuale dhe mëkate të tjera të rënda duhet t’i rrëfehen presidentit tuaj të misionit (shihni te Mosia 26:29–30). Jini plotësisht të ndershëm me të. Ai do t’ju ndihmojë të pendoheni (shihni broshurën Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022], “Jezu Krishti do t’ju ndihmojë”, f. 6–9).

Ju mund ta ftoni bashkëshorten e presidentit të misionit, një misionar/e nga çiftet e moshuar ose shokun apo shoqen tuaj misionare që të marrë pjesë në cilëndo intervistë me presidentin e misionit. Vendimi juaj për ta ftuar dikë që të marrë pjesë, nuk duhet ta pakësojë dashurinë, shqetësimin ose admirimin e udhëheqësve tuaj të misionit për ju.

2.1.2

Presidenca e Misionit

Presidenti juaj i misionit kryeson në mision me çelësat e priftërisë. Ai është anëtar i një presidence të misionit që përfshin edhe dy këshilltarë.

Këshilltarët në presidencën e misionit, sikurse këshilltarët në një presidencë kunji ose në peshkopatë, ndihmojnë për ta organizuar punën dhe për të dhënë ndihmesë në të. Këshilltarët në presidencën e misionit nuk trajtojnë çështje të denjësisë së misionarëve.

2.1.3

Organizimi i Udhëheqjes së Misioneve

Presidenti juaj i misionit përdor zbulesën dhe çelësat e priftërisë për ta organizuar punën. Ai cakton misionarë në moshë të re që të jenë trajnues, shokë apo shoqe me më shumë përvojë, udhëheqës distrikti, udhëheqëse trajnuese motra, udhëheqës zone dhe ndihmës. Ndihmësit, misionarët në zyra dhe misionarë të tjerë nuk bëjnë caktime të misionarëve në udhëheqje as nuk caktojnë zonat ku ju shërbeni. Megjithatë, presidenti i misionit mund të këshillohet me bashkëshorten e tij ose ndihmësit e tij rreth caktimeve të misionarëve.

Udhëheqësit e misionit tuaj dhe ndihmësit, udhëheqësit e zonës dhe udhëheqëset trajnuese motra janë anëtarë të këshillit udhëheqës të misionit. Këta udhëheqës këshillohen rreth plotësimit të nevojave të misionarëve dhe bëjnë plane që ta ndihmojnë misionin të përparojë dhe ta çojnë veprën përpara.

2.1.4

Përgjegjësitë Udhëheqëse të Misionarëve në Moshë të Re

Udhëheqësit misionarë në moshë të re, si të gjithë misionarët, ndjekin këshillën e Jezu Krishtit për t’i “shërb[yer Perëndisë] me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën” e tyre dhe për të “kujt[uar] besimin, virtytin, diturinë, maturinë, durimin, mirësinë vëllazërore, perëndishmërinë, dashurinë hyjnore, përulësinë, zellin” (Doktrina e Besëlidhje 4:2, 6). Caktimet në udhëheqje nuk tregojnë vlerësim apo përparim të veçantë, as nuk pasqyrojnë denjësinë e një misionari/eje.

Udhëheqësit misionarë në moshë të re kanë përgjegjësinë që:

  • Të gjejnë, të japin mësim, të pagëzojnë dhe të shoqërohen me njerëzit.

  • Të japin një shembull të standardeve misionare për sjelljen (shihni te 3.0).

  • Të trajnojnë misionarë të tjerë dhe të udhëheqin shkëmbimet në dyshet misionare (shihni te 2.3.1).

  • Ta përcjellin informacionin dhe udhëzimin nga këshilli udhëheqës i misionit te misionarët që udhëheqin.

  • T’i duan dhe të jenë miqësorë me misionarët e tjerë. T’i ndihmojnë të njohin vlerën e përpjekjeve të tyre.

  • T’i dëgjojnë shqetësimet e misionarëve të tjerë. Të japin përkrahje dhe këshillim.

  • T’i korrigjojnë misionarët e tjerë me mirësi dhe privatisht, kur nevojitet, duke e pasuar atë me një “rritje të dashurisë” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:41–43).

  • Të punojnë ngushtësisht me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë.

Si të gjithë misionarët, pleqtë [eldërat] dhe motrat në detyra udhëheqjeje duhet të ushtrojnë udhëheqje si të Krishtit. Nëse sjellja e ndonjë misionari/eje, përfshirë udhëheqësit misionarë në moshë të re, duket në mospërputhje me urdhërimet dhe standardet misionare, diskutojeni çështjen me misionarin/en. Nëse çështja nuk zgjidhet atëherë, diskutojini shqetësimet tuaja me udhëheqësit tuaj misionarë në moshë të re ose presidentin e misionit dhe jo me misionarë të tjerë, me anëtarë apo miq e mikesha.

Për më shumë informacion rreth caktimeve dhe përgjegjësive të veçanta të udhëheqësve misionarë në moshë të re (trajnues/e, shokët apo shoqet me më shumë përvojë, udhëheqësit e distrikteve, udhëheqëset trajnuese motra, udhëheqësit e zonave dhe ndihmësit e presidentit), shihni pjesën 7.1, “Përgjegjësitë Udhëheqëse të Misionarëve në Moshë të Re”.

2.1.5

Përgjegjësitë Vetjake

“Lartës[ojeni] detyrën t[uaj] ndaj Zotit” (Jakobi [LiM] 1:19), bëhuni të mbështetur te vetja shpirtërisht dhe “vepron[i] nga vetja [juaj]” (2 Nefi 2:16) duke i mirëbesuar Zotit dhe duke e ndjekur Shpirtin. Kur keni pyetje ose shqetësime:

  • Vëreni në zbatim mësimin që ta “studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas … të më pyesësh nëse është e drejtë” (Doktrina e Besëlidhje 9:8).

  • Kërkoni udhërrëfim nëpërmjet zbulesës vetjake; lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta (veçanërisht të Librit të Mormonit), udhëzuesit Predikoni Ungjillin Tim, mësimeve të profetëve të gjallë dhe të këtyre standardeve.

Nëse ju nevojitet ndihmë shtesë pasi t’i vini në jetë këto parime, kërkojani atë shokut apo shoqes suaj ose udhëheqësve misionarë në moshë të re. Shpesh ata mund t’ju ndihmojnë të gjeni përgjigje për pyetjet tuaja dhe t’u jepni zgjidhje shqetësimeve tuaja. Nëse jo, kërkojuni ndihmë udhëheqësve tuaj të misionit, prindërve tuaj ose udhëheqësve të priftërisë në vendin ku banonit më parë. Ju lutemi, mos kontaktoni zyrat qendrore të Kishës. Nëse e bëni këtë, ju do të drejtoheni sërish te presidenti juaj i misionit.

Flisni me presidentin tuaj të misionit rreth çështjeve të denjësisë. Flisni me cilindo prej udhëheqësve tuaj të misionit rreth shqetësimeve të menjëhershme për sigurinë, përfshirë sulmin ose keqtrajtimin, apo çështje të tjera që nuk mund të zgjidhen me misionarët e tjerë.

Mund të ketë raste gjatë misionit tuaj kur do ta keni të vështirë të përqendroheni te puna juaj për shkak të sfidave aktuale, çështjeve personale apo familjare, ose madje përvojave të së kaluarës. Është e kuptueshme. Mos ngurroni që t’ia tregoni shqetësimet tuaja shokut apo shoqes suaj, udhëheqësve misionarë në moshë të re apo udhëheqësve tuaj të misionit dhe të kërkoni përkrahje.

Mbani mend ftesën e Shpëtimtarit: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë. Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit. Amen” (Doktrina e Besëlidhje 6:36–37).

2.2

Dyshet Misionare

Zoti thërret misionarë që ta predikojnë ungjillin e Tij në dyshe misionare. “Ata duhet të shkojnë dy e nga dy dhe kështu duhet të predikojnë gjatë udhës, në çdo grumbullim, duke pagëzuar me anë të ujit dhe duke u vënë duart” (Doktrina e Besëlidhje 52:10). Ju do të punoni me shokë apo shoqe të ndryshme gjatë gjithë misionit tuaj. Dyshet misionare:

  • Bëhen të bashkuara në kryerjen e punës dhe së bashku dëshmojnë për Jezu Krishtin.

  • E përkrahin mirëqenien shpirtërore, emocionale dhe fizike të njëri‑tjetrit.

  • Përpiqen ta mbajnë të sigurt njëri‑tjetrin.

  • Janë të përgjegjshëm ndaj njëri‑tjetrit në mbajtjen e standardeve misionare.

2.2.1

Përkrahja e Njëri‑Tjetrit

Dyshet misionare duhet ta ndihmojnë njëri‑tjetrin që të mësojnë, të rriten dhe të zhvillojnë cilësi si të Krishtit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 4 dhe “How Do I Develop Christlike Attributes?” [“Si të Zhvilloj Cilësi si të Krishtit?”] te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim], kapitulli 6). Të mësuarit e durimit dhe të dashurisë, të ushtruarit e faljes dhe të pranuarit e ndryshimeve në personalitete do t’ju bekojnë gjatë gjithë jetës suaj.

Si shok apo shoqe në një dyshe misionare:

  • Duajeni, respektojeni dhe forcojeni njëri‑tjetrin.

  • Studioni së bashku çdo ditë dhe lutuni së bashku shpesh gjatë gjithë ditës.

  • Jini të përulur dhe vërini në dukje anët e forta të njëri‑tjetrit.

  • Trajtojeni njëri‑tjetrin siç do të donit të trajtoheshit.

  • Shmangeni kritikën dhe grindjen.

  • Shmangeni të folurit negativ për njëri‑tjetrin me misionarët e tjerë, me anëtarët e Kishës ose familjarë dhe miq nga vendi ku banonit më parë.

Nëse vini re ndonjë situatë ose sjellje të papërshtatshme, diskutojeni atë me shokun apo shoqen tuaj. Nëse çështja nuk zgjidhet ose nëse shoku apo shoqja juaj po ju keqtrajton, kini kurajën dhe dashurinë për shokun apo shoqen tuaj që t’i kërkoni ndihmë presidentit tuaj të misionit (shihni te 3.9.2).

2.2.2

Qëndrimi së Bashku

Të qëndruarit me shokun apo shoqen tuaj do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje nga rreziqet fizike dhe shpirtërore, akuzat e rreme dhe vetmia. Bindjuni këtij standardi misionar në çdo kohë dhe në çdo vend. Kurrë mos jini vetëm.

  • Ju duhet të jeni në gjendje ta shihni dhe ta dëgjoni shokun apo shoqen tuaj në çdo kohë, përveçse kur jeni në tualet, në një intervistë me një udhëheqës misioni ose po kryeni një intervistë për pagëzim (shihni te 2.3.6).

  • Ju duhet të flini në të njëjtën dhomë, por jo në të njëjtin shtrat.

  • Kur kryeni detyra individuale ndërkohë që jeni në banesën tuaj, përdorni logjikën e shëndoshë për ta mbrojtur veten dhe për të ndjekur standardet misionare të sjelljes (shihni te 3.0).

  • Mos krijoni raste që të jeni vetëm. Për shembull, mos qëndroni zgjuar natën vonë ose mos u zgjoni më herët sesa shoku apo shoqja juaj.

  • Nëse ju dhe shoku apo shoqja juaj ndodh që veçoheni nga njëri‑tjetri, vihuni menjëherë në kontakt me presidentin tuaj të misionit.

2.2.3

Puna në Zonën Tuaj

“Shk[oni] dhe pun[oni] me fuqitë [tuaja]” (Jakobi [LiM] 5:72) dhe përqendrojini përpjekjet tuaja në zonën që ju është caktuar për mësimdhënie. Përqendrojeni punën tuaj në zona ku ka më shumë të ngjarë që t’i ndihmoni njerëzit të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje. Për shembull, përqendrohuni në lagje banimi pranë një godine kishtare ose në një lagje banimi ku jetojnë anëtarë të zotuar. Mbani mend premtimin e Zotit: “Kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu” (Doktrina e Besëlidhje 84:88).

Ju mund të largoheni nga zona që ju është caktuar për shkëmbime në dyshet misionare (shihni te 2.3.1) ose për transferime (shihni te 2.3.2). Nëse ju nevojitet të largoheni nga zona juaj për një arsye tjetër, kërkoni leje nga udhëheqësi juaj i distriktit për t’u larguar nga zona juaj brenda distriktit tuaj ose nga udhëheqësit tuaj të zonës nëse keni nevojë të udhëtoni jashtë distriktit tuaj. Ju nevojitet leje nga presidenti juaj i misionit, ose një person që ai e cakton, për t’u larguar nga zona juaj.

Nëse keni nevojë të largoheni nga zona që ju është caktuar për shkak të një urgjence, si një fatkeqësi natyrore apo një sulm, apo për të kërkuar kontroll mjekësor urgjent, fillimisht kërkoni siguri ose ndihmë mjekësore dhe më pas vihuni në kontakt me presidentin tuaj të misionit ose udhëheqësit tuaj misionarë në moshë të re, sa më shpejt që mundeni.

2.2.4

Puna me Njerëzit jashtë Zonës Suaj

Gjatë misionit ka të ngjarë të takoheni me njerëz të cilët jetojnë jashtë zonës që ju është caktuar. Nëse janë të interesuar të mësojnë për ungjillin e Jezu Krishtit, ju mund:

  • T’u jepni një mesazh.

  • Të lidheni me ta me anë të mediave të miratuara shoqërore (shihni te 7.5.6).

  • T’i referoni te misionarët në zonën ku jetojnë dhe t’u jepni informacion për ta misionarëve të caktuar (shihni te 2.3.4).

  • Me lejen e presidentit tuaj të misionit, ta përdorni teknologjinë (shihni te 7.5.4) që të punoni me misionarët atje ku jetojnë individët për të ndihmuar që atyre t’u jepet mësim e përkrahje. Ju gjithashtu, me leje, mund t’i ftoni vetë familjarët dhe miqtë tuaj që të ndihmojnë për t’i mësuar ata (shihni te 3.9.5).

Kur punoni me misionarë ose anëtarë të tjerë si brenda ashtu edhe jashtë zonës ose misionit tuaj:

  • Këshillohuni së bashku që të dini se si të ndihmoni sa më mirë që personi i interesuar të vijë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  • Tregoni respekt për kohën e anëtarëve ose të misionarëve të tjerë.

  • Lejojini misionarët e caktuar në zonën ku jeton personi, që të udhëheqin mësimdhënien sa më shpejt të jetë e mundur në një mënyrë të arsyeshme.

2.3

Veprimtaritë e Punës Misionare

Misionarët marrin pjesë në një larmi veprimtarish në përmbushje të urdhrit të Zotit që të “përgati[tin] çdo gjë të nevojshme” (Doktrina e Besëlidhje 88:119) për të përmbushur veprën e Tij. Këto veprimtari përfshijnë pjesëmarrjen në shkëmbimet dhe transferimet e dysheve misionare, punën me anëtarët, përgjigjen ndaj referimeve, mësimdhënien, pjesëmarrjen në këshilla e mbledhje dhe shërbimin. Pleqtë [Eldërat] gjithashtu mund të kryejnë intervista për pagëzimet si pjesë e veprimtarive të tyre misionare.

2.3.1

Shkëmbimet në Dyshet Misionare

Në një shkëmbim të shokut apo shoqes, udhëheqësi/ja misionar/e në moshë të re, si për shembull një udhëheqëse trajnuese motër ose një ndihmës i presidentit, punon me një misionar/e tjetër. Gjatë shkëmbimit, udhëheqësi/ja do t’i japë mësim, do ta trajnojë misionarin/en dhe do të mësojë prej tij/saj. Udhëheqësi/ja do të ndjekë këshillën e Zotit që gjendet te Doktrina e Besëlidhje për ta forcuar misionarin/en tjetër “në gjithë bisedën [e tij/saj], në gjithë lutjet e [tij/saj], në gjithë këshillat e [tij/saj] dhe në gjithë veprimet e [tij/saj]” (Doktrina e Besëlidhje 108:7).

Udhëheqësit misionarë në moshë të re janë përgjegjës për planifikimin e shkëmbimeve me misionarët që udhëheqin. Motrat kryejnë shkëmbime me motra të tjera dhe pleqtë [eldërat] kryejnë shkëmbime me pleq të tjerë.

Në shumicën e misioneve, udhëheqësit misionarë në moshë të re në përgjithësi kryejnë shkëmbime në dyshet misionare një herë në çdo transferim.

  • Udhëheqësit e distriktit kryejnë shkëmbime me çdo plak [eldër] në distriktin e tyre.

  • Udhëheqësit e zonës kryejnë shkëmbime me çdo udhëheqës distrikti dhe sipas nevojës me pleq [eldëra] të tjerë në zonën e tyre.

  • Udhëheqëset trajnuese motra kryejnë shkëmbime me çdo motër në zonën ose zonat që u janë caktuar.

  • Ndihmësit e presidentit kryejnë shkëmbime me udhëheqësit e zonës ose pleq [eldëra] të tjerë siç drejtohen nga presidenti i misionit.

  • Një shkëmbim me një shok apo shoqe misionare zgjat përgjithësisht rreth 24 orë. Për çdo shkëmbim të shokut ose shoqes, udhëheqësi/ja misionar/e në moshë të re duhet:

    • Të kryejë shkëmbime të shokut apo shoqes misionare në zonën e udhëheqësit/es misionar/e në moshë të re. Me raste, shkëmbimet gjithashtu mund të kryhen në zonën e misionarit/es, kur është e përshtatshme.

    • Të planifikojë paraprakisht shkëmbimin e shokut apo të shoqes.

    • Të punojë së bashku me misionarin/en që të vendosin synime rreth asaj se çfarë të përmbushin gjatë shkëmbimit. Të marrë pjesë në të gjitha fushat e punës misionare, përfshirë gjetjen, mësimdhënien, studimin me shokun apo shoqen, studimin e gjuhës (nëse gjen zbatim), planifikimin ditor dhe shoqërimin.

    • Të trajnojë duke përdorur shkrimet e shenjta dhe parimet nga manuali Predikoni Ungjillin Tim.

    • Të shqyrtojë dhe të diskutojë për njerëzit me të cilët po punojnë misionarët ose të cilëve po u japin mësim.

    • T’i japë misionarit/es përshtypje të detajuara e të dobishme, përfshirë atë që misionari/ja e bën mirë dhe mënyrën se si misionari/ja mund të përmirësohet.

    • Të jetë i/e hapur për të pranuar përshtypje nga misionari/ja në fushat për përmirësim.

    • Të rishikojë dhe të diskutojë çfarë mësoi çdo misionar/e gjatë shkëmbimit të shokut apo shoqes.

    • Të raportojë për shkëmbimin e shokëve apo shoqeve në letrën javore drejtuar presidentit të misionit.

2.3.2

Transferimet

Zyra e misionit do ta organizojë udhëtimin tuaj gjatë një transferimi që ju të mos jeni vetëm. Në disa raste, për shkak të largësive ose faktorëve të tjerë, presidenti juaj i misionit mund të udhëzojë ndryshe. Në këto situata, jini veçanërisht të kujdesshëm, përdorni logjikën e shëndoshë dhe ndiqni Shpirtin.

Kur transferoheni:

  • Shkoni direkt te zona juaj e re që të bashkoheni me shokun apo shoqen tuaj të re.

  • Gjatë udhëtimit, mos hani as mos pini diçka që e keni lënë jashtë vëmendjes.

  • Kur udhëtoni, siguroni që telefoni tuaj ka jetëgjatësi të mjaftueshme baterie për udhëtimin. Nëse po udhëtoni vetëm për më shumë se tri orë, lidhuni herë pas here me zyrën e misionit.

Nëse transferohet shoku apo shoqja juaj dhe ju nuk transferoheni, punoni me misionarë të tjerë, siç caktoheni nga udhëheqësit tuaj misionarë në moshë të re, derisa të mbërrijë shoku apo shoqja juaj e re.

2.3.3

Mundësitë për t’u Dhënë Mësim Anëtarëve

Ftojini anëtarët të bashkohen me ju në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme teksa gjeni njerëz, u jepni mësim, i pagëzoni dhe i shoqëroni ata. Nxitini dhe ndihmojini anëtarët që të miqësohen me njerëzit të cilëve u jepni mësim, dhe që t’i ftojnë ata njerëz të marrin pjesë në veprimtari të lagjes e familjes. Kërkojuni anëtarëve të tregojnë përvoja vetjake domethënëse dhe dëshmitë e tyre.

Misionarët nevojitet të qëndrojnë së bashku në dyshe. Si rrjedhim, nuk ka shkëmbime të misionarëve me anëtarët. Megjithatë, anëtaret femra (të paktën 16 vjeçe, por më të mëdha si të kërkohet nga ligjet vendore) mund të shoqërohen e japin mësim me dy ose më shumë misionare motra. Anëtarët meshkuj (të paktën 16 vjeç, por më të mëdhenj si të kërkohet nga ligjet vendore) mund të shoqërohen dhe japin mësim me dy ose më shumë misionarë pleq [eldëra]. Çiftet e martuara mund të japin mësim me motrat ose me pleqtë [eldërat].

2.3.4

Referimet

Një referim është kur dikush ka kërkuar që misionarët të vihen në kontakt me të.

Kur punoni me njerëz për të cilët keni marrë referim:

  • Vihuni në kontakt me misionarët, anëtarët ose individët të cilët ua dhanë referimin, nëse është e mundur. Këshillohuni me ta rreth mënyrës se si ta ndihmoni personin.

  • Përpiquni të viheni në kontakt me personin për të cilin morët referim, sa më shpejt që të jetë e mundur, në përgjithësi brenda 24 orëve.

  • Dëgjoni dhe mësoni se si ta ndihmoni personin për të cilin morët referim.

  • Çojini çfarëdo materiali të kërkuar.

  • Jepni mësim sipas nevojave dhe interesave të personit.

  • Vazhdoni të punoni me misionarët, anëtarët ose individët që jua dhanë referimin (shihni te 2.2.4).

Për më shumë informacion rreth referimeve, shihni te “Member, Missionary, and Church Headquarters Referrals” [“Referimet nga Anëtarët, Misionarët dhe Zyrat Qendrore të Kishës”] te “How Do I Find People to Teach?” [“Si të Gjej Njerëz për t’u Dhënë Mësim?”] te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim], kapitulli 9.

2.3.5

Mbledhjet dhe Këshillat

Misionarët këshillohen së bashku teksa japin dhe marrin trajnim dhe teksa planifikojnë dhe bashkërendojnë punën misionare. Mbledhjet dhe këshillat duhet ta ftojnë Shpirtin e Zotit dhe duhet të ketë një kohë për zbulesë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 6:32). Përveç këtyre, mbledhja si misionarë do t’ju japë mundësinë që ta lartësoni njëri‑tjetrin dhe të gëzoheni së bashku për punët tuaja (shihni te Doktrina e Besëlidhje 43:8; 50:22).

Mbledhjet që organizohen nga dyshet misionare, udhëheqësit misionarë në moshë të re dhe udhëheqësit e misionit përfshijnë sa vijojnë:

  • Sesionet ditore dhe javore të planifikimit

  • Mbledhjet e këshillit të distriktit

  • Konferencat e zonës

  • Mbledhjet e këshillit të udhëheqjes së misionit

Mbledhjet e organizuara nga udhëheqësit vendorë përfshijnë sa vijojnë:

  • Mbledhjet e bashkërendimit misionar

  • Mbledhjet e këshillit të lagjes

2.3.6

Intervistat për Pagëzim

Kur kryejnë një intervistë për pagëzim, pleqtë [eldërat] duhet:

  • Të rishikojnë atë që Zoti ka thënë te Doktrina e Besëlidhje 20:37.

  • Të ndjekin udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë.

  • Të bëjnë pyetjet për intervistën e pagëzimit që gjenden te pjesa “Baptismal Interview Questions” [“Pyetjet për Intervistën e Pagëzimit”] të kapitullit 12 te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim].

  • T’i përshtatin pyetjet sipas moshës dhe pjekurisë së individit.

  • Të sigurohen që presidenti i kuorumit të pleqve ose udhëheqësi i misionit të lagjes të jetë paraprakisht në dijeni lidhur me intervistën për pagëzimin.

Nëse e dëshiron kandidati për pagëzim, ai ose ajo mund të ftojë një prind, bashkëshort/e ose një person tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm në intervistën për pagëzimin. Jini të ndjeshëm ndaj ndjenjave të një personi për bashkëshortin/en, apo fëmijën e mitur, që intervistohet. Ndiqni orientimet te Predikoni Ungjillin Tim për të intervistuar dhe për të marrë leje që të pagëzohen bashkëshorti/ja dhe fëmijë të mitur (shihni te “How to Conduct the Interview” [“Si ta Kryeni Intervistën”] te “How Do I Prepare People for Baptism and Confirmation?” [“Si i Përgatit Unë Njerëzit për Pagëzimin dhe Konfirmimin?”] te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim], kapitulli 12).

Udhëheqësit e distriktit intervistojnë kandidatët për pagëzim, të cilëve iu janë dhanë mësime nga misionarët e distriktit të tyre, përfshirë ata, të cilëve iu janë dhanë mësime nga ndihmësit e presidentit, udhëheqësit e zonës dhe udhëheqëset trajnuese motra në distriktin e tyre.

Udhëheqësit e zonës intervistojnë kandidatët për pagëzim, të cilëve iu janë dhanë mësime nga udhëheqësit e distriktit në zonën e tyre.

Nëse udhëheqësit e caktuar të distriktit dhe të zonës nuk janë në dispozicion, presidenti i misionit mund të caktojë një plak [eldër] tjetër për të kryer intervistën.

2.3.7

Pagëzimet

Punoni me presidentin e kuorumit të pleqve ose udhëheqësin e misionit të lagjes për të organizuar shërbesat e pagëzimit (shihni te “The Baptismal Service” [“Shërbesa e Pagëzimit”] te “How Do I Prepare People for Baptism and Confirmation?” [“Si i Përgatit Unë Njerëzit për Pagëzimin dhe Konfirmimin?”] te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim], kapitulli 12). Fillojini përgatitjet për shërbesën e pagëzimit sa më shpejt që të jetë e mundur.

2.4

Veprimtaritë dhe Programi Ditor

Planifikojeni orarin tuaj që të përmbushë qëllimin tuaj misionar dhe të përqendrohet te nevojat e të tjerëve. Mbani mend atë që Zoti u ka premtuar atyre që thirren për të predikuar ungjillin: “Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!” (Doktrina e Besëlidhje 18:15.)

2.4.1

Veprimtaritë Tipike Ditore

Përfshini veprimtaritë vijuese në programin tuaj ditor:

  • Vendosni dhe rishikoni synimet vetjake, si dyshe misionare dhe si mision.

  • Planifikoni programin tuaj për ditën.

  • Përgatitni mësimet.

  • Studiojini shkrimet e shenjta, manualin Predikoni Ungjillin Tim, mësimet e profetëve dhe apostujve të gjallë, si dhe burime të tjera të miratuara (shihni te 2.4.4).

  • Rishikoni një temë për shëndetin apo sigurinë ose një temë për masat mbrojtëse për përdorimin e teknologjisë (shihni te 4.0–4.7).

  • Gjeni njerëz të cilëve t’u jepni mësim.

  • Punoni me udhëheqësit dhe anëtarët vendorë.

  • Shërbejuni të tjerëve në veprimtari të planifikuara ose të paplanifikuara.

  • Kujdesuni për nevojat vetjake, të tilla si ngrënia e vakteve ushqimore dhe përgatitja për ditën.

2.4.2

Modeli i një Programi Ditor

Programi ditor për misionin tuaj mund të ngjajë me programin më poshtë. Programet ditore mund të përshtaten nga presidenti i misionit për festat zyrtare, ngjarjet e veçanta në misionin tuaj dhe kështu me radhë.

6:30

Filloni ditën.

6:30–10:00

Lutuni.

Bëni ushtrime fizike (30 minuta).

Bëni dush, hani mëngjes dhe përgatituni për ditën.

Bëni studim vetjak (60 minuta).

Planifikoni (30 minuta).

10:00–21:00

Gjeni njerëz, jepuni mësim dhe shërbejuni atyre.*

Përditësoni dokumentet digjitale ose në letër gjatë gjithë ditës.

Shkurtimisht rishikoni një temë për shëndetin apo sigurinë, ose një temë mbi masat mbrojtëse për përdorimin e teknologjisë.

Bëni studim bashkë me shokun apo shoqen tuaj dhe përgatitni mësime (30 minuta).

Studioni materiale shtesë për misionarët e rinj dhe trajnuesit/et gjatë 12 javëve të para në fushën e misionit (30–60 minuta, nëse gjen zbatim).

Nëse po mësoni një gjuhë të re, studioni gjuhën (30–60 minuta). Ju nxiteni që të studioni anglisht nëse nuk jeni anglishtfolës.

Hani drekë dhe darkë (jo më shumë se dy orë gjithsej).

21:00

Kthehuni në banesën tuaj, në qoftë se nuk keni takim mësimdhënieje; nëse keni, kthehuni përpara orës 21:30.

21:00–21:30

Shkruani në ditarin tuaj, përgatituni për të fjetur dhe lutuni.

21:30–22:30

Shkoni në shtrat.

*Veprimtaritë tuaja ditore duhet të përqendrohen te ndërveprimi me njerëzit. Shtrijini veprimtaritë tuaja të planifikimit dhe studimit gjatë gjithë ditës për të shmangur shpenzimin e periudhave të gjata të kohës në apartamentin tuaj. Nëse e lejon largësia dhe koha, ju mund të largoheni nga apartamenti juaj dhe të ktheheni atje gjatë gjithë ditës për t’i plotësuar këto nevoja.

Programi i miratuar për misionin tuaj do të lejojë kohë për punë, pushim dhe ripërqendrim. Është e rëndësishme të merrni pushimin dhe ushqimin e duhur për mirëqenien tuaj shpirtërore, emocionale dhe fizike.

2.4.3

Vënia e Synimeve dhe Planifikimi i Sesioneve

Mbani sesione planifikimi ditore dhe javore me shokun apo shoqen tuaj. Merrini parasysh nevojat e njerëzve të cilëve po u jepni mësim, dhe se si të punoni me anëtarët teksa shqyrtoni përparimin, vendosni synime dhe bëni plane për ditën dhe për javën (shihni te “How to Set Goals” [“Si të Vendosni Synime?”], “The Weekly Planning Session” [“Sesioni i Planifikimit Javor”] dhe “Daily Planning Session” [“Sesioni i Planifikimit Ditor”] te “How Do I Use Time Wisely?” [“Si ta Përdor Kohën me Mençuri?”] te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim], kapitulli 8).

2.4.4

Sesionet e Studimit

Përdoreni kohën tuaj të studimit vetjak dhe me shokun apo shoqen tuaj që të përqendroheni te shkrimet e shenjta (veçanërisht te Libri i Mormonit), te manuali Predikoni Ungjillin Tim, te mësimet e profetëve të gjallë (që gjenden te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]) dhe këto standarde. Këto burime të miratuara mund ta forcojnë njohurinë dhe dëshminë tuaj për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni që të plotësoni nevojat e njerëzve të cilëve u jepni mësim.

Nëse jeni caktuar të mësoni një gjuhë të re, studiojeni dhe ushtrojeni atë çdo ditë.

Nëse jeni një misionar/e i/e ri/e, studioni me trajnuesin/en tuaj për 30 deri në 60 minuta shtesë çdo ditë për 12 javët e para në fushën e misionit (shihni te “For New Missionaries: Additional Companion Study” [“Për Misionarët e Rinj: Studimi Shtesë me Shokun apo Shoqen e Misionit”] te “Introduction: How Can I Best Use Preach My Gospel?” [“Hyrje: Si Mund ta Përdor sa më Mirë Manualin ‘Predikoni Ungjillin Tim’?”] te Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim]).

2.4.5

Vaktet Ushqimore me të Tjerët

Nëse gjen zbatim, presidenti juaj i misionit dhe presidenti i kunjit vendor do të japin orientime për planifikimin e vakteve të ushqimit me njerëz në misionin tuaj. Kur anëtarët ose të tjerë ju japin vakte ushqimi:

  • Jini plot respekt për situatat personale dhe kohën e tyre.

  • Jini mirënjohës për ushqimin që ata ofrojnë.

  • Pyetini nëse mund të jepni mësim për 15 ose 20 minuta përpara ose pas vaktit për t’i forcuar njerëzit që i vizitoni, e për t’ju dhënë mundësi që të përmirësoni aftësinë tuaj për të dhënë mësim me anë të Shpirtit.

Një njeri tjetër në moshë madhore, i së njëjtës gjini me ju, duhet të jetë i pranishëm me ju dhe shokun apo shoqen tuaj kur hani një vakt me dikë të gjinisë së kundërt.

2.5

Dita e Përgatitjes

Presidenti juaj i misionit do të caktojë një ditë çdo javë si ditë përgatitjeje. Dita e përgatitjes ju jep kohë për t’u rifuqizuar fizikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht teksa “qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Gjithashtu do t’ju japë juve dhe shokut apo shoqes suaj mundësitë që të jeni me misionarë të tjerë në distriktin tuaj dhe të kënaqeni së bashku me veprimtari të dobishme argëtuese (shihni te 3.6).

Ju lutemi të kujtoni paralajmërimet e dobishme nga Zoti: “Mos vrapo[ni] më shpejt, as mos puno[ni] më shumë sesa ke[ni] forcë” (Doktrina e Besëlidhje 10:4) dhe “shkoni në shtrat herët, që të mos jini të lodhur; ngrihuni herët, që trupat tuaj dhe mendjet tuaja të mund të fuqizohen” (Doktrina e Besëlidhje 88:124).

2.5.1

Veprimtaritë e Ditës së Përgatitjes

Veprimtaritë e ditës së përgatitjes mund të përfshijnë (por nuk kufizohen vetëm te) sa vijojnë:

  • Komunikimin me familjen, presidentin e misionit dhe miqtë tuaj (shihni te 3.9)

  • Larjen e rrobave

  • Prerjen e flokëve dhe përkujdesje të tjera për pamjen e jashtme

  • Pastrimin

  • Bërjen e pazarit

  • Pushimin

  • Marrjen pjesë në veprimtari të miratuara argëtuese (shihni te 3.6)

2.5.2

Modeli i Programit të Ditës së Përgatitjes

Programi i një dite të përgatitjes mund të duket diçka e tillë si më poshtë:

06:30

Filloni ditën.

06:30–08:00

Lutuni.

Bëni dush, hani mëngjes dhe përgatituni për ditën.

Planifikoni (30 minuta).

Bëni studimin vetjak (30 minuta).

08:00–18:00

Bëni veprimtari të ditës së përgatitjes (shihni te 2.5.1).

Shënim: Të gjitha veprimtaritë e ditës së përgatitjes duhet të përfundohen deri në orën 18:00.

18:00–21:00

Gjeni njerëz, jepuni mësim dhe shërbejuni atyre.

21:00

Kthehuni në banesën tuaj. Nëse keni një takim për të dhënë mësim, kthehuni përpara orës 21:30.

21:00–21:30

Shkruani në ditarin tuaj, përgatituni për të fjetur dhe lutuni.

21:30–22:30

Shkoni në shtrat.

2.6

Veprimtaritë e Ditës së Shabatit

Planifikoni veprimtari në Shabat që ju ndihmojnë ta përmbushni qëllimin tuaj misionar për të gjetur njerëz, për t’iu dhënë mësim, për t’i pagëzuar dhe për t’i ndihmuar ata që të mësojnë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe të bëhen më shumë si Ata. Mbani mend mësimet e Zotit rreth ditës së Shabatit te Doktrina e Besëlidhje 59:13–19 dhe vini re fjalët dhe frazat që sugjerojnë se një Shabat i vërtetë përfshin gëzim, gjallëri, një zemër të gëzuar dhe një fytyrë plot gaz.

Veprimtaritë e ditës së Shabatit përfshijnë frekuentimin e kishës, të konferencës së përgjithshme, sesionet e përgjithshme të së dielës të një konference kunji dhe mbledhje të tjera, si për shembull, këshilli i lagjes, kur ju ftojnë. Ato përfshijnë edhe pjesëmarrjen në agjërimin mujor.

Gjatë përpjekjeve tuaja misionare, Zoti nuk ju ka kërkuar të rrini pa ushqim, përveç gjatë agjërimit të rregullt mujor, apo të sakrifikoni gjumin për të qenë misionar/e më i/e përkushtuar. Me raste mund të agjëroni për një arsye të veçantë, por mos agjëroni më shumë se 24 orë për një herë.

2.7

Shërbimi në Komunitet

Mund të mësoni që të jeni dishepull/e i/e Jezu Krishtit duke shërbyer siç shërbeu Ai. Gjeni mundësitë për t’i shërbyer shokut apo shoqes suaj, njerëzve që po i mësoni, anëtarëve dhe të tjerëve në komunitet, “që ju të mund të mësoni se kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Duhet të shërbeni me dëshirë të sinqertë për t’i ndihmuar të tjerët pa pritur rezultate të caktuara. Ndiqini të gjitha rregullat për projektet e shërbimit (shihni te pjesa 7.2), veçanërisht çdo rregull që të mos jepni mësime ndërkohë që shërbeni, dhe që të mos shërbeni atje ku do të ishit vetëm me fëmijë. Nëse dikush shpreh interesim për mesazhin tuaj, përgjigjuni shumë shkurt dhe organizojeni që të takoheni me të në një kohë dhe vend tjetër për t’i dhënë një mesazh.

Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.2, “Orientime për Shërbimin”.